June 15, 2020

Raport vjetor për të dejtat e njeriut në vitin 2019

Në vitin që Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut shënoi 25 vjetorin e themelimit të tij, një nga ngjarjet më të ndritura për t’u theksuar është mbajtja e suksesshme e Paradës së parë të krenarisë, si një hap i madh përpara në betejën për trajtimin e barabartë të njerëzve të komunitetit LGBTI në shoqërinë tonë. Ky komunitet, si dhe grupet dhe qytetarët e tjerë të margjinalizuar, në vitin 2019 përfituan edhe nga Ligji i ri për mbrojtje dhe parandalim nga diskriminimi, megjithëse miratimit të këtij ligji i parapriu një nga proceset më të turpshme të zvarritjes dhe sabotimit nga ana e disa subjekteve të caktuara politike, si nga pushteti ashtu edhe
nga opozita. Zgjatja e masave të reja për mbrojtje juridike vazhdoi dhe më pas, me dështimin e formimit të Komisionit të ri për mbrojtje nga diskriminimi.

Në ndërkohë, vazhdoi diskriminimi sistematik ndaj romëve, pothuajse në të gjitha sferat shoqërore, ata edhe më tej po ballafaqohen me vështirësi në ushtrimin e të drejtave të tyre. Sa i përket personave me aftësi të kufizuara, u rivendos një model i ri i vlerësimit funksional të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Hapat pozitivë që i ndërmorri shteti për përfshirjen e këtyre fëmijëve në arsimin e rregullt, në praktikë hasën në problem për shkak të mungesës së asistentëve arsimorë dhe personalë. Me sukses më të madh u realizuan përpjekjet për zbatimin e deinstitucionalizimit – duke i transferuar të gjithë fëmijët nga institucionet e mëdha në shtëpi grupesh të vogla dhe në familje strehuesish.

Edhe përkundër lëvizjeve pozitive në disa fusha të caktuara, u intensifikuan fenomenet negative siç janë gjuha e urrejtjes, që kulminoi gjatë kohës së lajmeve dhe ngjarjeve të polarizuara. Si motive kryesojnë përkatësia etnike, orientimi seksual dhe bindja politike. Në rritje janë edhe veprat nga urrejtja të regjistruara nga ana e Komitetit, por institucionet edhe më tej po dështojnë t’i trajtojnë si të tilla, duke i anashkaluar elementet e anshmërisë.

Komiteti i Helsinkit si pjesë e grupit Bluprint për monitorimin e reformave në sistemin gjyqësor ishte aktor aktiv në proceset reformuese edhe pse për një prej çështjeve më të rëndësishme – zgjidhjen e statusit të PSP-së, propozimet tona nuk u futën në asnjërin prej versioneve të projektligjit. Situata kulminoi me arrestimin e prokurores speciale Janeva, në gusht të vitit 2019, me çrast ndaloi së ekzistuari edhe PSP-ja, kurse kompetencat kaluan në prokurorinë e rregullt. Në ndërkohë, disa prej lëndëve të inicuara nga PSP-ja u parashkruan.

Vlerësimi i Komisionit Evropian në raportin e tij për vitin 2019 është se vendi ka treguar përkushtim të vazhdueshëm në përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe zbatimi i kornizës së re juridike është një bazament i fortë për një përparimin të vazhdueshëm, por që të gjithë
institucionet gjyqësore duhet që përmes përpjekjeve të shtuara të kontribuojnë në kthimin e besimit të qytetarëve te gjyqësori. Megjithatë, sa i përket procesit të reformave, pati efekt demotivues vendimi i tetorit i Këshillit Evropian që t’i rikthehet çështjes së zgjerimit në maj të 7 vitit 2020, pas së cilit vendim u miratua vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sa i përket të drejtave të punëtorëve, dyfishi i rasteve që i regjistruam dhe mbulimi dukshëm më i madh i punëtorëve në vitin 2019 është rezultat i veprimit aktiv të Komitetit për të rritur ndërgjegjësimin e punëtorëve dhe për t’i informuar ata për ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Si problem i madh mbetet vullneti i pamjaftueshëm i Inspektoratit Shtetëror të Punës, i cili ende nuk i ka zbatuar rekomandimet e Komitetit bazuar në monitorimin e rregullt të punës së tij- prandaj punëtorët nuk kanë mbrojtje përkatëse institucionale sa i përket shkeljes së të drejtave të tyre dhe nuk ka përparim as në sigurinë dhe shëndetin në punë. Komiteti, si pjesë e grupit të punës për hartimin e Ligjit të ri për marrëdhëniet e punës, arriti që t’i adresojë propozimet dhe idetë e punëtoreve në industrinë e tekstilit- kështu, ato për herë të parë u përfaqësuan në procesin e miratimit të politikave dhe ligjeve.

Vazhdoi edhe beteja për barazi gjinore. Në muajin maj u miratua Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë ku u largua problemi i shkaktuar nga ligji paraprak i cili në shkallë të jashtëzakonshme e pamundësonte qasjen te aborti. Këtë vit u formua grup pune për hartimin e Ligjit të ri për mundësi të barabarta të grave dhe burrave. U bënë arritje të konsiderueshme sa i përket përmbushjes së qëllimeve dhe aktiviteteve të përcaktuara nga Plani kombëtar i veprimit për zbatimin e Konventës së Stambollit 2018-2023 (PKV), në veçanti me themelimin e tri qendrave për strehimin e viktimave të dhunës seksuale. Megjithatë, një prej akteve kryesore – Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje, për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk u vendos për votim në Kuvend.

Si një ndër pikat më problematike, kjo bazuar në dëshmitë personale të viktimave, Komiteti konstatoi shkallë të lartë të mungesës së senzibilizimit të nëpunësve të QPS-së dhe MPB-së, të gjykatësve, prokurorëve etj, sjellja e të cilëve kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në viktimizimin e dyfishtë të viktimave. Nga ana tjetër, sa i përket përfaqësimit ndërkombëtar, Komiteti i Helsinkit
këtë vit parashtroi kundërshtim në Komitetin CEDAW, që paraqet komunikimin e parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Komitetin CEDAW. Poashtu, këtë vit e shënoi edhe aktivizmi i fuqizuar dixhital përmes platformës së parë feministe në gjuhën maqedonase,
Meduza, në veçanti përmes fushatës #PseNukDenoncova, e cila kishte për qëllim ndërprerjen e heshtjes në lidhje me dhunën seksuale.

Dhe përfundimisht, pas adresimeve shumëvjeçare për mangësitë në Ligjin për ndihmë juridike falas, në vitin 2019 u miratua ligj i ri, i cili përfshin një diapazon më të gjerë qytetarësh që i plotësojnë kushtet për marrjen e ndihmës juridike falas. Komiteti i Helsinkit e monitoron në mënyrë sistematike procesin e zbatimit të Ligjit të ri dhe njëra ndër vërejtjet kryesore është domosdoshmëria për aftësim profesional të të gjithëve që kontribuojnë në ushtrimin e të drejtave të qytetarëve.

Dokumentet