GJEDNJ

LËNDË PARA GJEDNJ

Rasti Е.А kundër Maqedonisë së Veriut

Në vitin 2018, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut përgatiti dhe parashtroi kërkesë para Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut (GJEDNJ) në Strazbur për shkeljen e të drejtave të garantuara me nenin 3 dhe nenin 14 në lidhje me nenin 3 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut.

Konketisht, bëhet fjalë për rast në të cilin fëmijë i moshës 8 vjeçare gjatë intervenimit mjekësor ka qenë i maltretuar fizikisht dhe verbalisht nga ana e personelit mjekësor në një spital në brendësi të Maqedonisë. Edhe pse rasti së pari ishte denoncuar në polici, kurse pastaj edhe në prokurorinë kompetente, prokuroria e ka refuzuar këtë denoncim penal. Pasi që janë shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore të vendit, aplikanti i mitur me ndihmë juridike nga Komiteti i Helsinkit dhe avokati ka parashtruar në kohë kërkesën para GJEDNJ në Strazbur.

Në mënyrë specifike, shkelja e nenit 3 të GJEDNJ ka të bëjë me faktin se i mituri kishte qenë i ekspozuar trajtimit jonjerëzor dhe degradues dhe i dënuar duke e goditur nëpër fytyrë dhe në gojë dhe i fyer nga ana e personave zyrtarë mjekësorë që punojnë në shëndetësinë publike, edhe pse kjo është e ndaluar në shtetin tonë. Gjykata në praktikën e saj ka specifikuar se që të ekzistojë trajtim jonjerëzor, duhet të ekzistojë niveli minimal i vrazhdësisë që ti përfshijë dispozitat e nenit 3 të Konventës. Vlerësimi për këtë minimum, sipas natyrës së gjërave është relativ dhe varet nga rrethanat e rastit, siç është kohëzgjatja e trajtimit, efektet mbi shëndetin fizik dhe mendor, kurse në disa raste edhe gjinia, mosha, gjendja shëndetësore e viktimës dhe të ngjashme.

Gjykyta këto trajtime i konsideron si jonjerëzore, nëse ka qenë me paramendim ose paramendim të mundshëm dhe/ose sa ka zgjatur trajtimi dhe a ka shkaktuar lëndime të vërteta trupore ose eventualisht vuajtje mendore. Në rastin konkret, ekzistojnë të gjitha elementet e lartpërmendura në veprimet e personave zyrtarë mjekësorë, respektivisht fëmija ishte goditur për ta „edukuar“ dhe fyer për ta qetësuar. Personeli ka vepruar në këtë mënyrë i nxitur nga paragjykimet e tyre për fëmijët romë si fëmijë të „paedukuar“, duke shpërfillur faktin se të qajturit dhe rezistenca i fëmijës ishte rezultat i dhimbjes së pësuar nga vetë thyerja/fraktura.  Me këtë rast, fëmija ka pësuar lëndime trupore shtesë të shprehura në formën e mavijosjeve/hematomave në pjesën e fytyrës dhe gjak në gojë, të cilat sipas ekspertit subspecialist të traumatologjisë, mund të ndodhin vetëm nga goditja me forcë, por jo nga intervenimi dhe vetëlëndimi nga dora e fëmijës. Përveç lëndimeve të vërteta trupore, aplikanti ka qenë i ekspozuar edhe ndaj vuajtjeve intenzive mendore për shkak të rrahjes dhe fyerjeve nga personat zyrtarë mjekësorë. Trajtimi do të konsiderohet si degradues, atëherë kur trajtimi te viktima do të shkaktojë frikë, dhimbje dhe inferioritet, duke e nënçmuar dhe demoralizuar dhe në fund duke e thyer rezistencën fizike dhe morale (Labita v. Italy [GC], no. 26772/95, § 120, ECHR 2000-IV). Në rastin konkret janë kryer edhe elementet e trajtimit degradues të cilat i ka vuajtur aplikanti nga ana e personave zyrtarë mjekësorë, të cilët kanë deklaruar: „Ai fëmijë është i paedukuar, duhet të rrihet më tepër “ ose deklarata: „Do të kesh dhimbje, do të kesh dhimbje, madje do të pyesësh nëse ka akoma “ që te fëmija kanë shkaktuar ndjenjën e frikës, dhimbjes dhe inferioritetit.

Përveç kësaj, në përgjithësi duhet të merret parasysh edhe mosha e aplikantit i cili në kohën e ngjarjes ka pasur 8 (tetë) vjetë dhe faktin se fëmija për disa orë ka vuajtur dhimbje të fortë fizike për shkak të frakturës së dorës. Në tërë kontekstin, në veprimet e personave zyrtarë mjekësorë ekziston niveli minimal i vrazhdësisë dhe për shkak të këtij trajtimi të personave zyrtarë mjekësorë përfshihen dispozitat e nenit 3 të Konventës (Hurtado v. Switzerland, 28 January 1994, opinionoftheCommission, § 67, Series A no. 280-A, andWieser v. Austria, no. 2293/03, § 36, 22 February 2007).

Shkelje të nenit 3 ka edhe nga aspekti i procedurës. Konkretisht, shteti ka obligim pozitiv të zbatojë hetim të thellë dhe efikas. Kjo nënkupton marrjen e të gjitha hapave të arsyeshëm që i ka në dispozicion shteti për të mbledhur dëshmi, përfshirë edhe deklaratat dhe dëshmitë forenzike dhe duhet të ketë përpjekje serioze që të zbulohet se çka ka ndodhur dhe saktë të identifikohen kryerësit dhe në përputhje me ligjin të dënohen kurse viktimës ti jepet kompenzim i drejtë (Jashar kundër Maqedonisë; Xheladinov kundër Maqedonisë). Organet e ndjekjes (prokuroria) u ka besuar vetëm deklaratave të dyshuarve, personave të tjerë mjekësorë-dëshmitarë që kanë marrë pjesë në ngjarje dhe ekspertizës, edhe pse këto dëshmi janë kundërthënëse njëra me tjetrën dhe nuk përputhen mes vete. Nga ana tjetër, prokuroria gjatë marrjes së vendimit aspak nuk i ka marrë parasysh deklaratat e nënës, aplikantit, dëshmitarët e aplikantit dhe në veçanti ishte injoruar ekspertiza e subspecialistit e cila në tërësi i ka rrëzuar ekspertizat dhe dëshmitë paraprake mbi të cilat prokuroria e ka bazuar vendimin e saj.

Konventa ndalon çdo lloj të diskriminimit në bazë të përkatësisë etnike. Nga aspekti material, maltretimi i aplikantit nga ana e personave zyrtarë mjekësorë, rezulton nga paragjykimet dhe stereotipet ndaj Romëve dhe fëmijëve romë, respektivisht se ata janë të paedukuar ose keq të edukuar, se nuk dijnë të sillen në situata të caktuara dhe se nuk kanë respekt ndaj autoriteteve. Kjo konstatohet nga deklarata „Si e ke eduakuar aq keq këtë fëmijë, që të më shqelmojë kështu, më shqelmoi në stomak, nuk dua të mjekoj kësisoj pacienti “ që ka deklaruar i dyshuari i parë i cili e ka goditur aplikantin në mënyrë dënuese për shkak se fëmija e ka goditur me këmbë në stomak, duke konkluduar se kjo ishte rezultat i edukumit të keq e jo si reaksion refleksiv nga dhimbja që ka pasur aplikanti. Paragjykimet dhe stereotipet konfirmohen edhe nga deklarata e motrës medicinale e cila ka thënë: „Ky fëmijë me të vërtetë është i paedukuar dhe duhet të rrihet më tepër që ti vijë mendja “, si dhe nga deklarata e të dyshuarit të dytë i cili pasi fëmija për herë të dytë ka kërkuar ndihmë nga e ëma se po e rrahin, ka deklaruar: „E kryem punën tonë dhe nuk kemi pse të angazhohemi më tej me ju “.

Kjo kërkesë është pranuar si e lejuar dhe gjendet në fazën e vendimit para Gjykatës evropiane.

Rasti KOO ( Kryepeshkopata ortodokse e Ohrit (KOO) respektivisht Kryepeshkopata greko-ortodokse e Ohrit pranë Patriarkanës së Pejës) kundër Maqedonisë së Veriut

Kërkesa/aktgjykimi nr. 3532/07

Aplikantët në vitin 2004 janë përpjekur ta regjistrojnë komunitetin e tyre fetar në përputhje me aktet e vlefshme pozitive. Për shkak se nuk kanë pasur sukses para Komisionit (sipas ligjit nga viti 1997) duke i shfrytëzuar të gjitha mekanizmat vendorë për mbrojtje, kanë parashtruar ankesë në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut për shkelje të nenit 11 v.v. nenit 9 të Konventës, kërkesë e regjistruar nën numrin 3532/07. Në ndërkohë, në vitin 2009 është miratuar Ligj i ri për gjendjen juridike të kishave, komuniteteve fetare dhe grupeve religjioze (Gazeta zyrtare nr. 113/07), në përputhje me të cilin ankimuesit kanë parashtruar kërkesë të re për regjistrimin e kishës së tyre në regjistrin përkatës.

Por, edhe kjo kërkesë e tyre nuk ishte aprovuar nga ana e gjykatës regjistruese në Maqedoninë e Veriut as edhe në instancat më të larta të shtetit, me çrast janë përmbushur kushtet për inicimin e procedurës së re para Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut (GJEDNJ), pastaj themeluesit kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Strazburit për shkeljen e neneve të lartpërmendura të konventës, kërkesë e cila ishte bashkangjitur lëndës paraprake të regjistruar nën ankesën nr. 3532/07.

GJEDNJ duke i vlerësuar pretendimet e ankesës, të gjitha dëshmitë e mbledhura, përgjigjen e shtetit si dhe standardet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtës së religjionit dhe besimit, duke u mbështetur në praktikën e tyre moti të vendosur për mbrojtjen e kësaj të drejte, MIRATOI AKTGJYKIMIN ME TË CILIN KONSTATON (shiko arsyetimin e aktgjykimit) SE SHTETI (d.m.th Republika e Maqedonisë së Veriut) KA SHKELUR NENIN 11 interpretuar në kuptimin e nenit 9 të Konventës. Arsyetimin e saj të këtij aktgjykimi GJEDNJ e jep në pjesën Vlerësimi i gjykatës (paragrafi 93- 123) ku i vlerëson të gjitha aspektet e trajtimit joadekuat nga ana e shtetit në këtë rast, në veçanti duke i elaboruar parimet e përgjithshme të gjykatës të shprehura në praktikën e deritanishme të GJEDNJ, lidhur me rastin konkret i shqyrton edhe mangësitë e supozuara të kërkesës së aplikantit para organeve dhe gjykatave nacionale dhe vështrimin më të detajuar dhe më preciz gjykata jep për „origjinën e huaj” të ankimuesit dhe emërtimin e tij.

Në muajin prill të vitit 2019, Aktgjykimi 3532/07 i GJEDNJ bëhet i plotëfuqishëm dhe i njëjti duhet të zbatohet para organeve nacionale në mënyrën që ka përcaktuar gjykata në vetë aktgjykimin.

Konkretisht, sipas nenit 46 të Konventës evropiane për të drejtat dhe liritë e njeriut, shteti i cili e ka nënshkruar dhe ratifikuar të njëjtën, obligohet që ti respektojë dhe ti zbatojë vendimet e GJEDNJ, kurse respektimin dhe implementimin e vendimeve të GJEDNJ sipas të njëjtit nen e monitoron Komiteti i ministrave.

Implementimi i aktgjykimeve realizohet duke marrë masa (individuale dhe/ose të përgjithshme) nga ana e shtetit të paditur.

Masat individuale nënkuptojnë parasëgjithash heqjen e pasojave, që në rastin konkret do nënkuptonin regjistrimin e subjektivitetit juridik të Kryepeshkopatës greko-ortodokse të Ohrit pranë Patriarkanës së Pejës si komunitet i posaçëm fetar.

Më saktësisht kjo rregullohet me aktet pozitive nacionale, më saktë Ligjin për implementimin e vendimeve të GJEDNJ në nenin 5 fq. 1 p. 12 ku precizohet se çka nënkuptojnë masat individuale. Nga na tjetër, me dispozitat nga neni 22 deri në nenin 24 rregullohet procedura e implementimit të aktgjykimit përfundimtar të GJEDNJ. Me nenin 25 rregullohet se shteti (d.m.th Republika e Maqedonisë së Veriut) do ti ndërmerr të gjitha masat individuale nga ana e subjekteve nga neni 24 (shiko nenin 24 të Ligjit) për heqjen e shkeljes dhe pasojave të ndodhura nga shkelja e që përcaktohet nga shkelja e konstatuar dhe gjendja e ankimuesit. Në rastin konkret, kjo do të nënkuptonte anulimin e vendimit të shkallës së parë dhe të gjitha vendimeve të tjera që kanë konfirmuar të njëjtën dhe pranimin e kërkesës së themeluesve të Kryepeshkopatës greko-ortodokse të Ohrit pranë Patriarkanës së Pejës për regjistrim në Regjistrin e Gjykatës themelore Shkup 2 dhe REGJISTRIMIN e Kryepeshkopatës greko-ortodokse të Ohrit pranë Patriarkanës së Pejës në të njëjtin regjistër.

Por, edhe pse me iniciativë të aplikantëve para organeve dhe gjykatave nacionale kishte filluar procedura e implementimit të këtij aktgjykimi, i njëjti edhe më tej nuk është implementuar në tërësi. Përndryshe, nga ana e shtetit pa problem ishte paguar dëmshpërblimi i gjykuar monetar si dhe shpenzimet e procedurës, por pasojat nga shkelja, respektivisht REGJISTRIMI i Kryepeshkopatës greko-ortodokse të Ohrit pranë Patriarkanës së Pejës nuk është kryer ende.

Komunikimi me GJEDNJ për kërkesat aktuale

Në lëndën X dhe Y kundër Maqedonisë e parashtruar për shkak të brutalitetit policor mbi aplikantët, Komiteti i Helsinkit është ftuar si ndërmjetës (third party intervention), dhe si rezultat i kësaj Komiteti i Helsinkit ka përgatitur komunikimin dhe në afatin e dhënë i njëjti është parashtruar para Gjykatës.

Në lëndën Boshkovski kundër Maqedonisë, në prill të vitit 2018 Komiteti i Helsinkit si përfaqësues i aplikantit i parashtroi në afatin e dhënë vërejtjet para GJEDNJ, duke elaboruar arsyetimet e shtetit të dhëna në vërejtjet e tyre të shkruara.

Procedura të përfunduara para GJEDNJ

Për rastin Zhaklina Dimovska kundër Maqedonisë, deri te Gjykata evropiane është parashtruar njoftim se Prokuroria themelore publike Shkup ka filluar procedim penal kundër personave të denoncuar për shkak të dyshimit të bazuar se ata me anë të veprimit, respektivisht lëshimit janë fajtorë për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore dhe vdekjes së vajzës së mitur të aplikantes. Pas kësaj, gjykata deri te Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka dërguar shkresë me të cilën na ka informuar se kërkesa nuk është lëshuar dhe se lënda mbyllet.

Për rastin Fërçkovski kundër Maqedonisë, ku aplikanti kishte parashtruar kërkesë deri te Gjykata për shkak të realizimit të lustrimit kundër tij, gjatë vitit 2018 GJEDNJ kërkoi përgjigjese nëse vallë aplikanti i qëndron edhe më tej kërkesës së parashtruar, për të cilën është dërguar përgjigje e rregullt. Pas këtij komunikimi, Gjykata evropiane solli vendim se kërkesa nuk është lëshuar dhe se lënda mbyllet.