May 10, 2019

Raport vjetor për të dejtat e njeriut në vitin 2018

Përkundër disa zhvillimeve pozitive, viti 2018 ishte një tjetër vit në të cilin ngjarjet politike mbizotëruan proceset e reformës. Referendumi i dështuar, i cili vijoi pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës dhe përpjekjet për të krijuar një shumicë parlamentare për miratimin e saj në Kuvend, rezultoi me Ligjin e diskutueshëm për amnistinë e pjesëmarrësve në ngjarjet e “Të enjtes së përgjakshme”. Ndërhyrja e politikës në sistemin gjyqësor ka shkelur parimet e barazisë para ligjit dhe sundimit të ligjit. Institucionet gjithashtu dështuan edhe në rastin e arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ku për këtë rast nuk kishte asnjë përgjegjësi të autoriteteve kompetente.

Këto ngjarje, së bashku me miratimin jo-transparent të disa ligjeve në fushën juridiko-penale, hedhin një hije mbi bashkëpunimin e vendosur midis Qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile. Megjithëse përfshirja e tyre në miratimin e ligjeve të caktuara ishte në një nivel të kënaqshëm, dhe Grupi Blueprint për sistemin gjyqësor ka marrë pjesë aktivisht në procesin e përgjithshëm të reformës, megjithatë ndërhyrjet e pjesshme dhe të motivuara politikisht në ligje të rëndësishme ulën sigurinë ligjore të qytetarëve dhe dëmtuan qëllimet e tyre të reformës. Statusi i Prokurorisë Speciale Publike është gjithashtu në fushën e kalkulimeve partiake, megjithëse shtyrja e zgjidhjeve ligjore mund të rrezikojë procedurat tashmë të hapura.

Është e pashmangshme e të mos përmenden edhe negociatat partiake rreth Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi, miratimi i të cilit u vonua për muaj dhe u shoqërua me “spin”-e mediatike dhe deklarata të diskutueshme nga zyrtarë të lartë politikë.

Atmosfera e përgjithshme në vend gjatë periudhës raportuese intensifikoi gjuhën e urrejtjes në hapësirën mediatike, dhe akoma më shqetësuese është dyfishimi i numrit të veprave të regjistruara të urrejtjes, krahasuar me vitin e kaluar. Megjithëse veprat e tilla janë kryesisht në baza etnike, shpërthimet e urrejtjes kundër komunitetit LGBTI, migrantëve, grave etj., janë gjithashtu të pranishme. Policia, gjykatat dhe Prokuroria Publike kanë mbetur injorante dhe joefektive në zgjidhjen e rasteve të tilla. Ndërgjegjësimi është gjithashtu një hallkë që mungon në rastet e dhunës me bazë gjinore, ku autoritetet shpesh dështojnë të trajtojnë viktimat dhe t’i mbrojnë ato.

Përveç rishikimeve specifike të situatës me barazinë gjinore, gjuhën dhe veprat e urrejtjes, diskriminimin dhe të drejtat e njeriut të grupeve të cenueshme dhe komunitetin LGBTI, raporti gjithashtu e shqyrton edhe situatën e të drejtave të punëtorëve, me një theks të veçantë të të drejtave të grave punëtore në industrinë e tekstilit. Ky raport gjithashtu përfshin disa procese specifike gjyqësore që janë pjesë e monitorimit të rregullt gjyqësor të Komitetit gjatë vitit 2018, dhe ne gjithashtu i referohemi edhe situatës me institucionet e mbyllura në vend. Duke qenë se Komiteti i Helsinkit është i njohur sa i përket sigurimit të ndihmës juridike falas për qytetarët dhe i etiketon të gjitha mospërputhjet në ligjin ekzistues në raport, ne i përfshijmë edhe komentet mbi projektligjin e ri për NJF.

Përveç situatave dhe zhvillimeve të identifikuara gjatë vitit 2018, ky raport përmban gjithashtu edhe rekomandime të përshtatshme për të gjitha fushat në të cilat vepron Komiteti. Me to japim kahje të qarta për trajtimin e pikave dhe fenomeneve problematike që e formësojnë situatën e përgjithshme me të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe presim që vendimmarrësit t’i marrin në konsideratë gjatë krijimit të masave dhe politikave shtetërore.

Dokumentet