December 31, 2020

Raport vjetor për të dejtat e njeriut në vitin 2020

Kriza shëndetësore me përmasa globale e vitit 2020 ka sjellë botën në një gjendje pasigurie dhe frike, me pasoja të shumta sociale dhe ekonomike. Masat për të mbrojtur shëndetin publik dhe përpjekjet për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në mënyrë të pashmangshme patën përparësi mbi të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Miratimi i vendimeve për karantinë dhe orë policore nënkuptonte gjithashtu një shkelje të drejtpërdrejtë mbi të drejtat themelore të njeriut, siç është lëvizja e lirë. Sidoqoftë, duke pasur parasysh dinamikën me të cilën u përhap pandemia Sars Cov 19 dhe shumë të panjohurat që lidhen me natyrën e saj, këto kufizime u pranuan gjerësisht si një “e keqe e domosdoshme”. Një analizë më e thelluar e efekteve të krizës globale mbi situatën me të drejtat e njeriut mbetet për t’u parë, duke pasur parasysh implikimet e thella të krizës në konstelacionet politike dhe ekonomike brenda dhe midis vendeve. Por mbetet përfundimi, i cili u imponua qysh në muajt e parë të krizës – se njerëzit e varfër dhe të margjinalizuar ishin dhe janë ende në mënyrë disproporcionale më të prekur nga gjendja e krizës. Këtë e dëshmon edhe numri rekord i kërkesave për ndihmë juridike falas të parashtruara në Komitetin e Helsinkit gjatë vitit pandemik 2020.

Shkeljet e rënda të të drejtave të punëtorëve filluan menjëherë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, kur disa ndërmarrje filluan të pushonin punonjësit nga puna përpara se të ndjeheshin efektet reale të krizës. Shumica e numrit të rasteve të denoncuara në Komitet kishin të bënin me ndërprerjen e kontratave të punës, ndërprerjen e detyruar të marrëdhënies së punës, dhe uljen dhe mospagimin e pagave. Shpesh ishin shkelur edhe masat qeveritare për të parandaluar dhe mbrojtur nga koronavirusi, kurse gratë punëtore në industrinë e tekstilit ishin ndër më të ekspozuarat për nga rreziku shëndetësor për shkak të kushteve të papërshtatshme të punës dhe transportit deri në vendin e punës.

Krizës nuk i munguan as përfitimet e institucioneve private të kujdesit shëndetësor, por edhe format e tjera të keqpërdorimit të situatës së krizës. Rastet e përfitimit të paligjshëm nga ndihma buxhetore u vunë re gjatë zbatimit të masave-paketë kundër krizës të Qeverisë së RMV-së, përkundër thirrjeve të shumta se qëllimi i mbështetjes financiare të shtetit duhet të ishte ruajtja e vendeve të punës.

Sa i përket ndryshimeve në legjislacionin e punës, megjithëse Ligji i ri për Marrëdhëniet e Punës filloi të hartohej në gjysmën e parë të vitit 2018, ai nuk hyri në procedurën parlamentare as në vitin 2020. Në muajin dhjetor, teksti i ri i Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje hyri përsëri në procedurën parlamentare, por nuk u miratua deri në fund të vitit. Sidoqoftë, më në fund u miratua Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, pas një procesi të mundimshëm dhe pengesave të shumta, të cilat prekën më së shumti ata që duhet të mbrohen nga këto dispozita ligjore. Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, si një mekanizëm mbrojtës, ishte i paarritshëm për qytetarët nga gushti i vitit 2019 dhe gjatë gjithë vitit 2020, gjë që uli mbrojtjen efektive nga diskriminimi.

Gjatë vitit 2020, Komiteti i Helsinkit vazhdoi të monitoronte reformat dhe punën e gjyqësorit si një anëtar aktiv i Grupit Bluprint. Lidhur me procedurat e përgjithshme për miratimin e zgjidhjeve të reja ligjore, procesi i miratimit të disa prej ligjeve u vlerësua si transparent dhe gjithëpërfshirës, gjë që kontribuon në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet gjyqësore, por në disa prej ligjeve, procedura dhe procesi i miratimit t zgjidhjeve të reja ligjore nuk u vlerësua pozitivisht. Pjesa më e madhe e ligjeve, të parapara për miratim me Strategjinë për Reformën e Sektorit Gjyqësor (2017-2022), të cilët u miratuan dhe hynë në fuqi në periudhën e kaluar, zbatimi i zgjidhjeve ligjore në praktikë vlerësohet si korrekt dhe me kohë. Ministria e Drejtësisë gjithashtu ndërmori aktivitete të rëndësishme në mënyrë që të promovojë Ligjin për Ndihmën Juridike Falas dhe për të rritur shkallën e informimit të qytetarëve. Mirëpo, ka vërejtje sa i përket procesit të zbatimit të Ligjit për Prokurorinë Publike, Ligjit për Kontestet Administrative, Ligjit për Këshillin Gjyqësor të RMV-së, si dhe pjesëve të Ligjit për Ndihmën Juridike Falas.

Më 25 mars 2020, Këshilli i Bashkimit Evropian, bazuar në rekomandimet e Komisionit Evropian, pa kushte mori një vendim politik për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian mori përsipër të përgatisë kornizën negociuese në kohën më të shkurtër të mundshme në përputhje me metodologjinë e re të negociatave. Kjo konfirmoi përsëri rëndësinë e Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Fundamentale si një bazë kryesore në përparimin e negociatave, si dhe ndikimin e tij në procesin e përgjithshëm të përafrimit. Prandaj, monitorimi i progresit të organizatave të shoqërisë civile në Kapitullin 23 është e një rëndësie thelbësore. Duke marrë parasysh këtë dhe duke ndjekur zhvillimet e ngjarjeve, Komiteti i Helsinkit bëri thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut duke informuar me kohë dhe në mënyrë transparente publikun me informacion të saktë në mënyrë që të rritet mbikëqyrja publike ndaj pushtetit ekzekutiv gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Përkundër përpjekjeve të presidencës gjermane dhe negociatave intensive midis delegacioneve nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, më 16 nëntor, Këshilli i Bashkimit Evropian nuk arriti të vendosë njëzëri për fillimin e negociatave dhe mbajtjen e konferencës ndërqeveritare në muajin dhjetor. Megjithëse Bullgaria ka insistuar të përfshijë kërkesat e saj në kornizën e negociatave, megjithatë vendet e tjera anëtare kanë hedhur poshtë njëzëri këtë kërkesë bullgare. Bashkimi Evropian, i përfaqësuar nga presidenca gjermane, theksoi se çështjet dypalëshe duhet të mbahen jashtë kornizës negociuese.

Në planin politik, gjithashtu dominoi edhe debati mbi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik. Konstatimet paraprake të OSBE/ODIHR-it përmes misionit të tyre të vëzhgimit vunë në dukje se zgjedhjet e parakohshme parlamentare u kryen përgjithësisht në mënyrë efektive megjithë adaptimeve si përgjigje ndaj pandemisë, dhe që stabiliteti juridik u çrregullua nga rishikimet thelbësore të Kodit Zgjedhor dhe rregullativës vijuese ad hoc të miratuar gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme. Fushata, megjithëse me një ton negativ, ishte me të vërtetë konkurruese dhe pjesëmarrësit ishin në gjendje të përçonin mesazhet e tyre pavarësisht kufizimeve në komunikimin e zakonshëm.

Në një vit të dominuar nga tendencat negative në shumë fusha të jetës njerëzore, ne jemi dëshmitarë të dy rezultateve pozitive sa i përket përfaqësimit ndërkombëtar – aktgjykimi për rastin e Leonit të vogël, çështja e të cilit krijoi një precedent për shkak të pranimit të një aplikimi në emër të një të mituri me aftësi të kufizuara, pa qenë në gjendje të jep dakordin që të përfaqësohet para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Suksesi i dytë është ankesa/kundërshtia, e cila u parashtrua vitin e kaluar nga Komiteti i Helsinkit në Komitetin CEDAW1, i cili më pas konstatoi padrejtësi dhe i dha rekomandime shtetit për ndryshime strukturore dhe çrrënjosjen e praktikave të dëmshme në aksesin në shërbimet gjinekologjike për gratë rome. Diskriminimi i shumëfishtë sistemik i romëve në Maqedoninë e Veriut në vitin 2020 u manifestua edhe përmes rasteve të brutalitetit policor ndaj anëtarëve të këtij komuniteti, si dhe mungesës së qasjes në ujë të pastër, materialeve sanitare dhe kujdesit shëndetësor në kushtet e një pandemie.
Mbyllja e qendrave të kujdesit ditor, mësimi në distancë i papërshtatur, si dhe pamundësia e distancës sociale për njerëzit e varur nga mbështetja në kryerjen e nevojave të përditshme, janë vetëm disa nga sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara. E vetmja rrethanë lehtësuese për ta ishte përjashtimi nga vendimet që parandalojnë lëvizjen, si dhe vendimet e qeverisë për të zvogëluar procedurat administrative.

Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve në përgjithësi është përballur mirë me pandeminë e shkaktuar nga Sars Cov 19. Në verë, gjatë një periudhe masash të zbutura kufizuese, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj kryen vizita në terren për të monitoruar situatën në të gjitha burgjet dhe institucionet ndëshkimore-korrektuese. Përveç sfidave të zakonshme me të cilat përballen këto institucione, ekipet dokumentuan edhe situatën e kujdesit shëndetësor dhe të drejtat e personave të dënuar, të drejta të cilat duhet t’i gëzojnë edhe gjatë kohës së pandemisë.

Një seri masash kufizuese që përfshinë të gjithë popullsinë, përfshirë rekomandimet për vetë-izolim, kanë rritur seriozisht rrezikun e sjelljes së dhunshme në shtëpi. Këto parakushte për dhunën në familje pasohen nga stresi i shkaktuar nga ekzistenca e pasigurt dhe jeta e vështirë e përditshme e njerëzve. Shtëpia nuk është e sigurt për shumë gra, por edhe për shumë njerëz të komunitetit LGBTI të cilët u detyruan të jetojnë në një mjedis homofobik dhe të dhunshëm për shkak të kufizimit të lëvizjes. Nga problemet që i sjell shëndeti i rrezikuar mendor, e deri te masat e llojllojshme për të parandaluar virusin, ky ishte padyshim një vit i vështirë për komunitetin LGBTI.

Stresi nga ekzistenca e rrezikuar, mbyllja e kopshteve, shkollave dhe institucioneve dhe objekteve të tjera publike, e ardhmja e pasigurt, ndikoi fuqishëm në shëndetin fizik dhe mendor të qytetarëve dhe zhvendosi dinamikat kolektive në shoqëri. E gjithë kjo u pasqyrua edhe në komunikimin publik, me tone të intensifikuara negative, veçanërisht në rrjetet sociale. Në vitin 2020, ne regjistruam një rritje prej 130% të denoncimeve të gjuhës së urrejtjes krahasuar me vitin paraprak. Edhe më tej dominon urrejtja në baza etnike, e ndjekur nga përkatësia politike dhe orientimi seksual. Për fat të keq, kriza ka krijuar një bazë të re për gjuhën e urrejtjes – gjendjen shëndetësore. Lidhur me denoncimet tona të pranuara të gjuhës së urrejtjes, përgjigja përkatëse nga institucionet kompetente, veçanërisht nga Prokuroria Publike, ende mungon. Një sjellje e tillë e papranueshme e organeve të akuzës u vu re në çështjen Dhoma Publike, e cila u zbulua në muajt e parë të vitit 2020, për të cilën çështje prokuroria nuk ndërmori asgjë deri në fund të vitit. Mosndëshkimi la të hapur mundësinë e përsëritjes së rasteve të tilla të abuzimit dhe ngacmimit seksual të grave dhe vajzave.

Ndarjet shoqërore të rrënjosura në shoqëri u manifestuan që nga fillimi i trajtimit të pandemisë. Jo vetëm ndarjet klasore, por edhe ato gjinore, seksuale, madje edhe ndarjet sipas moshës. Dhe evazioni i mekanizmave të solidaritetit ndërkombëtar në shpërndarjen e vaksinave, i cili u vu re në fund të vitit, paralajmëroi rrjedhën e paqartë të mëtejshme të luftës kundër rrezikut global dhe zgjerimin e hendekut midis të fuqishmit dhe të pafuqishmit edhe në rrafsh global. Viti 2021 do të jetë padyshim një vit i luftës së gjatë kundër koronavirusit. Ne vetëm mund të shpresojmë se kjo do të sjellë rimëkëmbjen e njerëzve dhe komuniteteve, por edhe një rimendim dhe riformësim të prioriteteve të njerëzimit.

Dokumentet