May 28, 2014

Raport vjetor për të dejtat e njeriut në vitin 2013

Raporti për vitin 2013 është një përmbledhje e punës së Komitetit gjatë gjithë vitit në aspekt të monitorimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, për të cilat njoftojmë në raportet mujore. Vlerësimi është se edhe në vitin 2013, si në vitet e mëparshme, u konstatuan shkelje serioze të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, si dhe shkelje të rënda të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Ajo që është veçanërisht shqetësuese është se gjatë vitit raportues shkeljet e regjistruara të të drejtave dhe lirive të njeriut tregojnë jo vetëm probleme sistemike në funksionimin e organeve dhe institucioneve, por edhe abuzim të kompetencave të tyre. Raporti vjetor është një përmbledhje e analizave të situatës së konstatuar me të drejtat e njeriut në këto fusha: sistemi gjyqësor, legjislacioni, veprimi i policisë, lustrimi, diskriminimi, liria e mediave dhe liria e shprehjes, institucionet e mbyllura, të drejta ekonomike dhe sociale, të drejta dhe liritë civile dhe politike, dhe komuniteti LGBTI.

Nga puna e Komitetit si vëzhgues i proceseve gjyqësore u konstatuan këto mospërputhje/mangësi: shkelje e prezumimit të pafajësisë; praktika e shqiptimit të vendimeve kolektive, identike dhe stereotipike të paraburgimit; fshehja e përbërjes së këshillit gjyqësor; mosrespektimi i vendimeve të Kryetarit të Gjykatës Supreme për regjistrimin e seancave kryesore; përjashtimi i publikut gjatë marrjes në pyetje të një dëshmitari të rrezikuar/mbrojtur dhe tejkalimi i afateve për hartimin e vendimeve; shkelja e së drejtës për gjykim në afat të arsyeshëm; tejkalimin e afateve për botimin dhe përgatitjen e aktgjykimeve. Komiteti i Helsinkit i Republikës së Maqedonisë veçon rastin e Martin Neshkovskit, për shkak të hetimit joefektiv të vrasjes nga policia dhe prokuroria publike, si dhe refuzimit të gjykatave për të zbatuar procedura gjyqësore. Për atë arsye, Komiteti i Helsinkit paraqiti një ankesë e cili iu dërgua Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Nga aspekti i iniciativave dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Komiteti i Helsinkit i Republikës së Maqedonisë konstaton se puna e gjykatës shkel parimin e ndarjes së pushteteve dhe cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor nga pushteti ekzekutiv. Gjegjësisht, Gjykata Kushtetuese vendosi të mos fillojë një procedurë për vlerësimin e të ashtuquajturit Ligj mbi lustrimin, gjë që i dha legjitimitet padyshim ligjit më antikushtetues të miratuar ndonjëherë në Maqedoni.

Komiteti i Helsinkit vë në dukje përdorimin e theksuar të procedurës së shkurtuar e cila shmang pjesëmarrjen e publikut dhe ekspertëve, veçanërisht kur ligjet e propozuara nuk janë përpunuar në mënyrë të mjaftueshme dhe përmbajnë shumë risi. Ky është rasti me Ligjin për provimin gjyqësor ku përdoren zgjidhje që nuk korrespondojnë me sistemin tonë juridik. Në atë linjë kritikash ndaj procesit të miratimit të ligjeve me procedurë të shkurtuar, veçohet edhe miratimi i Ligjit për ndërprerjen e shtatzënisë.

Në lidhje me institucionet e mbyllura, është e rëndësishme të theksohet se masa e paraburgimit dhe vendimet për zgjatjen e paraburgimit ndonjëherë përdoren si masë ndëshkimore ose si një metodë frikësimi, siç u konfirmua në rastin “Syri i Gjarprit”, në të cilin Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut përfaqësonte të pandehurit para Gjykatës së Strasburgut, ku kjo praktikë maqedonase u karakterizua si një praktikë në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas ankesave të pranuara, Komiteti i Helsinkit arriti në përfundimin se gjatë gjithë vitit 2013 më i pranishëm ishte diskriminimi bazuar në përkatësinë politike, përkatësinë etnike ndaj komunitetit rom dhe diskriminimi për shkak të orientimit seksual. Gjatë vitit 2013, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut regjistroi 116 vepra të kryera nga urrejtja. Rreth 84% e veprave të urrejtjes kishin ndodhur për shkak të përkatësisë etnike të ndryshme të viktimës. Vitin e kaluar, veprat nga urrejtja ku orientimi seksual dhe identiteti gjinor janë shfaqur si motiv ishin të dytët në listën e rasteve të raportuara dhe statistikave që mban Komiteti i Helsinkit. Por, përkundër dhunës homofobike në disa raste, institucionet dështuan të përgjigjen si duhet. Për më tepër është rënduese që orientimi seksual dhe/ose identiteti gjinor nuk janë dhënë në mënyrë të qartë si bazë për diskriminim, dhe gjykatat dhe Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi nuk e zbatojnë atë si bazë ose indirekt në Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, megjithëse kërkohet nga e drejta evropiane e kësaj fushe.

Komiteti i Helsinkit nuk regjistroi ndonjë përparim as në fushën e të drejtave ekonomike dhe sociale, megjithëse publiku ka përshtypjen se ka një avancim, veçanërisht në fushën e të drejtave të mbrojtjes sociale, të drejtave të punës, të drejtave të kujdesit shëndetësor. Në lidhje me të drejtën e asocimit dhe lirinë e shprehjes në formën e protestës ose tubimit publik, Komiteti ndoqi disa protesta në të cilat policia kishte reaguar në mënyrë të parakohshme ose joprofesionale, dhe identifikoi shkelje ose përpjekje për të penguar një tubim publik, duke treguar praktika të kufizimit të së drejtës së garantuar kushtetuese për të protesta.

Dokumentet