ANALIZË PËR PËRCAKTIMIN E ZBRAZËTIRËS INSTITUCIONALE NË LIDHJE ME REGJISTRIMIN DHE PËRPUNIMIN E RASTEVE TË GJUHËS SË URREJTJES NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT

February 6, 2024

Një fjalë e bukur e josh njeriun. Përkundrazi, fjala e shëmtuar dhe për më tepër e pavërtetë ngjall shqetësim dhe konflikte. Njeriu është një qenie grupore dhe këtë e dëshmon nëpërmjet: faktit që nuk e toleron vetminë (e madje ka frikë prej saj); faktit që është më i ndjeshëm ndaj zhurmës së turmës se çdo tingulli tjetër, dhe faktit që është shumë i ndjeshëm ndaj udhëheqësit të turmës, por edhe ndaj mendimit të shokëve të tij. Edhe në rastin e asketëve dhe vetmitarëve fetarë, nuk mund të thuhet se e kanë izoluar veten në vetmi, sepse besojnë se në këtë mënyrë do të komunikojnë me një tjetër – me hyjninë e tyre. Ajo që është e lindur te njeriu, por edhe te një numër i madh i kafshëve, është sistemi i komunikimit apo i të folurit dhe ai mund të praktikohet vetëm në një grup të të njëjtit lloj.[1]

Liria e fjalës si cilësi themelore demokratike nënkupton fjalën – në kuptimin e plotë të fjalës, por edhe lirinë e: shprehjes, shkrimit dhe publikimit. Sipas definicionit, liria është aftësia shoqërore për të vepruar, për të ecur në çdo drejtim, për t’u sjellë në përputhje me aq
alternativa sa shoqëria lejon, e megjithatë për të mbetur i drejtë. Mund të thuhet se shoqëria është më e mira kur ajo ofron numrin më të madh të alternativave.[2] Liria kufizohet nga privimi i ndjenjave të brendshme, mungesa e dashurisë në fëmijëri dhe rini, represioni seksual ose politik dhe ndëshkimet pa bazë. Të gjithë këta faktorë pakësojnë alternativat.

Edhe pse thuhet se liritë janë të lindura dhe të drejtat fitohen, pa trajtimin e duhur penal, liria rrezikohet. Dhe së pari kërcënohet liria individuale, e më pas liria shoqërore, sepse thelbi i lirisë është në tërësinë njerëzore dhe tërësinë e tij. Një shoqëri e lirë është ajo që nuk debaton për problemin e lirisë, por lejon veprimin e fjalën e lirë.[3] Por kjo liri mund të shpërdorohet. Më pas vjen gjuha e urrejtjes. Pas shqyrtimit të konstelacionit midis lirisë së fjalës si një e drejtë themelore e njeriut dhe kufizimeve legjislative për gjuhën e urrejtjes, është e qartë se për këto dy kategori emëruesi i përbashkët është “fjala”. Nuk bëhet fjalë për sinonime apo homonime. Këto janë sfera krejt të ndryshme që prekin në konkurrencë. E shprehur në mënyrë alegorike mund të thuhet se edhe zjarri është i gjallë sepse ka flakë “të gjalla”, por nuk do të thotë – jetë. Përkundrazi, do të thotë shkatërrim. Epo, pikërisht kështu janë vendosur gjërat mes lirisë së fjalës dhe gjuhës së
urrejtjes, që në këtë rast do të barazohej me zjarrin.

Në kontekstin e Evropës Juglindore, në kriminalizimin e gjuhës së urrejtjes kanë ndikim të drejtpërdrejtë: nacionalizmi, rëndësia gjeopolitike, propaganda strategjike e huaj dhe tensionimet politike. Ky është një rajon ku takohen fe dhe religjione të ndryshme, por edhe mentalitete (racionalizmi evropian kundrejt mospërfilljes mesdhetare), klima natyrore (mesdhetare kundrejt asaj kontinentale), por edhe shkenca dhe empirizmi përballë bestytnive dhe mitologjisë. Gadishulli është një çelës gjeografik për tre kontinente. Është një mikrokozmos politik kompleks[4], me politikë të paparashikueshme. Megjithatë, është kurioze që, sipas disa hulumtimeve relevante, në republikat e dala nga ish-Jugosllavia, racizmi është më pak i theksuar në krahasim me pjesën tjetër të Evropës[5], ndërsa Kroacia[6] konsiderohet më pak “islamofobe”.[7] Por, për fat të keq, gjuha e urrejtjes mbulon një gamë më të gjerë të kategorive të mbrojtura, duke përfshirë përkatësinë etnike, fenë dhe përkatësinë politike. Këtu te ne, sa i përket Maqedonisë së Veriut, mjafton të themi se para disa vitesh doli lajmi se
jemi “bombarduar” nga gjuha e urrejtjes.[8]

Teorikisht, gjuha e urrejtjes është ende një zonë gri për shkak të mosmarrëveshjeve dhe polemikave rreth përkufizimit dhe fushështrirjes
së saj. Prandaj, në praktikë, ky term/nocion ende nuk e ka përkufizimin e vet të prerë para organizatave ndërkombëtare. Çdokush mund të jetë viktimë e krimit të gjuhës së urrejtjes, megjithëse pjesëtarët e komuniteteve pakicë janë viktimat më të shpeshta dhe më të zakonshme.[9]
Në këtë punim do të bëhet një përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjes komplekse të ndërtimit të një strategjie – një përgjigje sistematike
ndaj parandalimit dhe sanksionimit të gjuhës së urrejtjes si në median tradicionale ashtu edhe në atë «online». Në veçanti, janë elaboruar
aspektet kriminalistike «tokësore», të cilat duhet të merren parasysh gjatë ndërtimit të asaj strategjie. Por, për të krijuar një përgjigje efektive, dukuria dhe madhësia e saj duhet të njihen paraprakisht mirë. Në të kundërtën, përgjigja do të jetë e butë, e zbehtë, kurse gjuha e urrejtjes do të marrë përmasa mitike. Kjo është arsyeja pse statistikat nevojiten si instrument.

Për të regjistruar dhe përpunuar gjuhën e urrejtjes, nëse kuptohet përpunimi elementar statistikor, së pari duhet të ekzistojë një realitet
legjislativ i përshtatshëm dhe i favorshëm në shtet që do të autorizojë zyrtarët të regjistrojnë të dhënat që hasin duke punuar në ato institucione shtetërore që kanë autoritetin për të luftuar kundër gjuhës së urrejtjes si një fenomen. Më pas, në përputhje me aktet ligjore pozitive për punën administrative dhe arkivimin, çdo autoritet shtetëror ka për detyrë të kujdeset për këto të dhëna dhe sipas nevojës shteti t’i   kanalizojë ato në një qendër të vetme. Ultima ratio nëse nënkuptohet “përpunimi” në kuptimin e veprimit dhe luftës kundër krimeve të tilla dhe nëse ekziston edhe një klimë e favorshme legjislative për këtë, në atë rast këta zyrtarë nuk duhet të qëndrojnë pasivë dhe vetëm të regjistrojnë këto raste, por duhet të veprojnë në mënyrë parandaluese ose represive në përputhje
me Ligjin. Janë pikërisht këto gjëra që do të diskutohen në këtë analizë.