Raport vjetor për të dejtat e njeriut në vitin 2016
June 1, 2017
Raporti vjetor për vitin 2016 paraqet një përmbledhje analizash mbi situatat e konstatuara në lidhje me të drejtat e njeriut në këto fusha:
- Të drejtat civile dhe politike;
- Gjyqësori;
- Kushtetuta dhe legjislacioni;
- Institucionet e mbyllura dhe keqtrajtimi;
- Diskriminimi;
- Të drejtat ekonomike dhe sociale;
- Gjuha e urrejtjes;
- Vepra nga urrejtja;
- Dhuna me bazë gjinore dhe
- Kriza e refugjatëve.
Gjatë vitit 2016, duke marrë parasysh intensitetin e krizës politike, u organizuan një numër i madh tubimesh publike me qëllim që të shprehnin revoltën nga politikat e strukturës aktuale qeverisëse. Më saktë, të frymëzuar nga e drejta e tyre e garantuar me kushtetutë për tubime publike, qytetarët për arsye të ndryshme, bënë me dije për shkeljen sistematike të të drejtave dhe lirive të njeriut në pothuajse të gjitha segmentet e shoqërisë. Protestat që filluan në vitin 2015 u intensifikuan këtë vit si përgjigje ndaj vendimit të Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për faljen kolektive të 56 autorëve të dyshuar të veprave penale, për të cilët ishin ngritur kallëzime penale dhe procedura penale, që në fakt janë anëtarë dhe funksionarë të lartë ose bashkëpunëtorë të ngushtë të partive më të mëdha politike në vend.
Sa i përket gjyqësorit, raporti vë në dukje mungesën e paanshmërisë dhe pavarësisë së Këshillit Gjyqësor, rizgjedhjen e paligjshme të kryetarit të Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe procedurën joefikase për zgjedhjen e kandidatëve për trajnimin fillestar në Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë.
Më 15 shtator 2015, Kuvendi me 111 vota “PËR” miratoi Ligjin për Prokurorinë Publike për ndjekjen e veprave penale që lidhen dhe dalin nga përmbajtet e përgjimit të paligjshëm të komunikimeve. Në krye të këtij institucioni ishte zgjedhur prokurorja Katica Janeva nga Prokuroria Themelore Publike Gjevgjeli, një zgjedhje që atëherë i kënaqi në dukje të gjitha palët në skenën politike. Themelimi i këtij institucioni ishte pjesa kyçe e Marrëveshjes së Przhinos, një binar kryesor për daljen nga kriza politike. Që nga muaji mars i vitit 2017, PSP-ja prezantoi 16 raste (lëndë). Sa i përket Prokurorisë Publike, raporti vlerëson se ky institucion nuk i mbron të drejtat dhe liritë e qytetarëve.
Gjykata Kushtetuese, gjatë vitit 2016 kritikohej shpesh nga publiku dhe ekspertët në përgjithësi, dhe për punën e saj shpesh raportohej edhe nga ana e mediave. Flitej për dyshime të bazuara se Gjykata, në vend të një organi që duhet të mbrojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, është shndërruar në një institucion i varur nga pushteti ligjvënës dhe ekzekutiv dhe partitë politike. Kjo shkel seriozisht pavarësinë, paanshmërinë, kompetencën dhe legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese.
Sa i përket sistemit për ndihmë juridike falas, në raport janë identifikuar problemet juridike dhe dobësitë në vetë ligjin për ndihmë juridike falas, të cilat e kufizojnë të drejtën për qasje të barabartë në drejtësi.
Në bazë të monitorimit të situatës në institucionet e mbyllura, në vitin 2016 personat e dënuar që kontaktuan me Komitetin e Helsinkit vunë në dukje shkallën e lartë të korrupsionit midis shërbimeve të burgjeve dhe të burgosurve, vazhdon dhuna nga shërbimet e burgjeve, dhe është vënë re madje edhe sjellje raciste ndaj të burgosurve me përkatësi etnike rome. Gjatë këtij viti, Komiteti i Helsinkit përgatiti një raport të veçantë mbi situatën në IP Demir Kapi, sipas të cilit gjendja e këtij institucioni të veçantë dhe të personave të strehuar në të është më shumë se alarmante.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut aktivisht e ka monitoruar situatën me diskriminimin në Republikën e Maqedonisë gjatë vitit 2016 duke vepruar në rastet e raportuara të diskriminimit dhe procedurat e ngritura para organeve të barazisë dhe gjykatave, si dhe përmes monitorimit të mediave dhe rrjeteve sociale dhe monitorimit të proceseve gjyqësore. Komiteti konstatoi se numri më i madh i tyre i referoheshin diskriminimit për shkak të përkatësisë etnike, gjinisë, përkatësisë politike, aftësive të kufizuara dhe religjionit.
Gjatë vitit 2016 në Komitetin e Helsinkit u regjistruan një numër i madh ankesash për shkelje të të drejtave ekonomike dhe sociale, e cila kryesisht është rezultat i shkallës së lartë të papunësisë në vend, varfërimit të popullsisë dhe shkeljeve të të drejtave të punës, sociale dhe shëndetësore. Këtë vit, vëmendje e veçantë iu kushtua të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, të cilët në Komitetin e Helsinkit kanë dorëzuar një numër të madh ankesash për shkak të pamundësisë për t’i ushtruar të drejtat e tyre që janë përcaktuar ligjërisht për këtë kategori personash. Sa i përket të drejtave të personave me aftësi të kufizuara nuk ka asnjë progres dhe këta njerëz për çdo ditë po përballen me vështirësi në jetën e tyre të përditshme. Një problem veçanërisht i rëndësishëm është edhe problemi i të pastrehëve, për të cilët shteti ende nuk ka një zgjidhje. Edhe një problem tjetër që është regjistruar gjatë vitit 2016, dhe i cili është prezent për shumë vite, është problemi me shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të punëtorëve dhe mobingu i punëdhënësve ndaj grave punëtore në industrinë e tekstilit.
Në kohën e krizës më të thellë politike dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë, gjatë vitit 2016 u vu re edhe përhapja dhe promovimi i gjuhës së urrejtjes në përmasa të papara. Në të njëjtën kohë, vazhdoi qëndrimi shpërfillës dhe qasja selektive e autoriteteve kompetente, gjë që kontribuoi në rritjen serioze të gjuhës së urrejtjes, përmes mosndëshkimit të autorëve dhe paaftësisë për të marrë përgjegjësi shoqërore për përhapjen e këtij fenomeni negativ. Në periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2016, Komiteti i Helsinkit regjistroi 70 vepra të kryera nga urrejtja.
Gjatë këtij viti u raportuan edhe pesë raste të tjera të vrasjes së grave (femicid). Kjo situatë është veçanërisht shqetësuese nëse merret parasysh se shteti nuk ofron mbrojtje të veçantë për të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, madje as nuk mban shënime të ndara për rastet e vrasjeve të grave (femicideve). Këto kushte janë përcaktuar në Konventën e Stambollit, e cila përfaqëson dokumentin e parë gjithëpërfshirës ndërkombëtar për mbrojtjen e grave nga dhuna, të cilin Republika e Maqedonisë e ka firmisur, por akoma nuk e ka ratifikuar.
Që nga fillimi i vitit 2014, kriza e refugjatëve e cila e ka trazuar të gjithë botën, nuk e uli intensitetin e saj gjatë vitit 2015 dhe 2016. Republika e Maqedonisë u gjend thellësisht e prekur gjatë gjithë krizës së refugjatëve, si një nga vendet kalimtare (tranzitore) të të ashtuquajturës “Rruga Ballkanike”. Duke u marrë me krizën e refugjatëve, paralelisht me krizën e saj politike dhe shoqërore, Republika e Maqedonisë, përmes akteve individuale ose praktikave të vendosura nuk arriti të sigurojë respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të refugjatëve që kalojnë nëpër territorin e vendit.