Raport vjetor për të dejtat e njeriut në vitin 2015
Kriza e vrullshme politike që shënoi vitin 2015 është temë qendrore në raportin vjetor të Komitetit të Helsinkit, i cili i përmbledh analizat e situatave të konstatuara me të drejtat e njeriut në shumë fusha.
Që nga fillimi i vitit, opozita filloi të publikojë biseda midis zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe doli me informacione se nga ana e pushtetit ishin përgjuar më shumë se 20.000 qytetarë, përfshi gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Një akt i tillë i përgjimit masovik paraqet shkelje të të drejtave të njeriut të shkallës më të lartë dhe keqpërdorim absolut i mundësisë për të përgjuar komunikimet, gjë që rrezikon sundimin e ligjit në vend. Gjatë këtij viti, u organizuan shumë tubime publike për të shprehur revoltën kundër politikave të strukturës aktuale qeverisëse. Në fakt, të inkurajuar nga e drejta e tyre e garantuar me kushtetutë për tubim publik, qytetarët maqedonas për arsye të ndryshme, alarmuan shkeljen sistematike të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend në pothuajse të gjitha segmentet e shoqërisë. Liritë e medias, autonomia universitare, të drejtat e punëtorëve, brutaliteti policor, të drejtat e anëtarëve të komunitetit LGBTI, ishin vetëm disa nga temat rreth të cilave ishte konsoliduar revolta qytetare, respektivisht presioni përmes të cilit qytetarët u përfshinë në procesin e marrjes së vendimeve politike. Nga ana e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ishte konstatuar se veprimet e policisë gjatë disa tubimeve publike u karakterizuan nga përdorimi joproporcional i forcës dhe masave shtrënguese.
Si një ndër organizatat e pakta në Republikën e Maqedonisë që ka përvojë të vazhdueshme shumëvjeçare në monitorimin e proceseve gjyqësore, gjatë vitit 2015 Komiteti kishte monitoruar 50 procese gjyqësore të materies penale dhe civile. Konkludimi i përgjithshëm është se ende ekzistojnë probleme sistematike që gjyqësori nuk arrin t’i kapërcejë, i kapërcen shumë ngadalë ose i thellon më tepër. Problemet kryesore konsistojnë në pavarësinë e pamjaftueshme të gjyqësorit përmes ndërhyrjes së pushtetit ekzekutiv në gjyqësor, ekspertizës dhe trajnimit të pamjaftueshëm të gjyqtarëve, punës jotransparente të gjykatave, paqëndrueshmërisë së praktikës gjyqësore, trajtimit të pabarabartë të qytetarëve kundrejt organeve shtetërore kur ata janë në cilësinë e palës në procedura dhe mungesa e një mbrojtje efektive juridike, veçanërisht përmes aksesit në drejtësi, shkeljes së të drejtës për gjykim në afat të arsyeshëm dhe prezumimit të pafajësisë.
Sa i përket materies kushtetuese dhe ligjvënëse, Raporti vjetor e analizon Ligjin për këshillin për konstatimin e fakteve dhe ngritjen e procedurës për konstatimin e përgjegjësisë së gjykatësit, si dhe zgjedhjen jokushtetuese të ministrit për punë të brendshme.
Duke e përcjellë situatën me institucionet e mbyllura dhe veprimet e policisë në vitin 2015, Komiteti i Helsinkit konstaton se nuk është vërejtur asnjë përparim në mbrojtjen e të drejtave të personave të vendosur në institucione të mbyllura gjatë këtij viti, madje as sa i përket veprimeve policisë. Përkundrazi, jemi dëshmitarë të një shkelje sistematike të të drejtave, integritetit fizik dhe dinjitetit të qytetarëve nga ana e organeve shtetërore. Megjithëse qasja e Komitetit të Helsinkit në burgje është ende një problem, informacioni mbi kushtet dhe trajtimin është siguruar përmes të burgosurve që kanë kontaktuar Komitetin e Helsinkit për ndihmë juridike. Burgjet dhe institucionet psikiatrike përballen me kushte substandarde të jetesës, në kundërshtim me shumë dokumente ndërkombëtare dhe të vendit. Një ndër problemet kryesore që ekziston për shumë vite është mbipopullimi, i cili kërcënon privatësinë dhe në të njëjtën kohë cenon dinjitetin e njerëzve, duke i çuar ata në kushte çnjerëzore dhe johumane të jetesës në institucionet e mbyllura.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në mënyrë aktive e ka monitoruar situatën me diskriminimin në Republikën e Maqedonisë gjatë vitit 2015 përmes monitorimit të proceseve gjyqësore të filluara për mosdiskriminim, përmes kundërshtive të marra nga qytetarët-viktima të diskriminimit dhe përmes procedurave të ngritura para organeve për barazi dhe para gjykatave. Për më tepër, Komiteti i Helsinkit, së bashku me anëtarët e tjerë të Rrjetit për Mbrojtje nga Diskriminimi, parashtroi një Raport në hije mbi diskriminimin ndaj romëve në Komitetin për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor, pjesë e Kombeve të Bashkuara, i cili konstatoi shkelje të të drejtave të romëve dhe diskriminim në shumë sfera dhe i cili ka dhënë rekomandime për tejkalimin e tyre. Përkundër faktit se kanë kaluar pesë vjet nga zbatimi i Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi dhe krijimit të Komisionit, edhe më tej nuk mund të flasim për një mbrojtje efektive në fushën e diskriminimit, në veçanti kur bëhet fjalë për grupet e margjinalizuara.
Gjatë këtij viti, Komiteti monitoroi dhe dokumentoi situatën edhe me gjuhën e urrejtjes në të gjitha sferat e shoqërisë. Monitorimi është kryer përmes disa metodave, respektivisht përmes ngjarjeve të raportuara në platformën www.govornaomraza.mk (e themeluar në vitin 2014), përmes monitorimit të përditshëm të rrjeteve sociale, portaleve në internet dhe hapësirave të tjera publike, si dhe përmes statistikave nga organet kompetente shtetërore për ndjekjen penale dhe trajtimin e gjuhës së urrejtjes. Gjatë vitit 2015, ishin denoncuar 33 raste të gjuhës së urrejtjes, dhe arsyet më të zakonshme për rastet e denoncuara të gjuhës së urrejtjes ishin orientimi seksual dhe identiteti gjinor në radhë të parë, përkatësia etnike dhe fetare në vendin e dytë, dhe përkatësia politike shfaqet si e treta me bazë për gjuhë të urrejtjes. Në të njëjtën periudhë, Komiteti i Helsinkit kishte regjistruar 44 vepra të kryera nga urrejtja. Krahasuar me incidentet e regjistruara në vitin 2013 dhe 2014, ndryshimi më i madh ka të bëjë me viktimat, shumica e të cilëve janë refugjatë.
Në vitin 2015, Komiteti i Helsinkit kishte regjistruar një numër të madh kundërshtish për shkelje të të drejtave ekonomike dhe sociale, kryesisht si rezultat i shkallës së lartë të papunësisë në vend, varfërimit të popullsisë dhe shkeljeve të të drejtave të punës, të drejtave sociale dhe shëndetësore. Konstatim i përgjithshëm është se Fondi i Sigurimit Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë dhe Ministria e Shëndetësisë nuk veprojnë në përputhje me aktet pozitive ligjore dhe nuk i respektojnë afatet ligjore për përgatitjen e vendimeve, dhe duke mos vepruar, drejtpërdrejt i rrezikojnë të drejtat e qytetarëve që garantohen nga Ligji për mbrojtje shëndetësore dhe Ligji për sigurim shëndetësor. Qendrat për punë sociale si një shërbim publik i qytetarëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për lehtësimin e qasjes në ushtrimin e të drejtave sociale të qytetarëve që janë në rrezik shoqëror, dështojnë në punën e tyre.
Gjatë këtij viti, Komiteti i Helsinkit kishte regjistruar pesë raste të reja të femicidit – respektivisht vrasje të grave nga ana e bashkëshortëve aktualë ose të mëparshëm ose partnerëve të ngushtë. Komiteti i Helsinkit me shqetësim bën me dije se po vazhdon të rritet numri i madh i rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje që kanë rezultuar me vdekje në dy vitet e fundit.
Këtë vit e shënoi gjithashtu edhe kriza e refugjatëve. Kah fundi i vitit 2014 dhe fillimi i vitit 2015, Maqedonia dëshmoi një fluks të paparë refugjatësh deri më tani, që tranzitonin nëpër territorin e vendit kah shtetet-anëtare të Bashkimit Evropian. Nga fillimi i regjistrimit shtetëror në qershor të vitit 2015 e deri në fund të vitit, ishin regjistruar rreth 390.000 refugjatë. Për fat të keq, shteti e nënvlerësoi krizën e refugjatëve dhe përgatitjet për pritje të organizuar i filloi shumë vonë, gjë që rezultoi në një numër shkeljesh të të drejtave të refugjatëve.