Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut – qershor 2020
PËRMBAJTJA
KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
- Kriza e punës në mënyrë disproporcionale i ka goditur më shumë gratë punëtore;
DISKRIMINIMI
- Brutaliteti dhe arbitrariteti policor ndaj qytetarëve të pastrehë;
GRATË PUNËTORE NË INDUSTRINË E TEKSTILIT
- Qeveria medoemos duhet të ofrojë mbrojtje të vazhdueshme për gratë punëtore gjatë kohës së pandemisë;
BARAZIA GJINORE
- Ndryshime dhe plotësime të Ligjit për mundësi të barabarta midis burrave dhe grave;
- Aplikacion celular për denoncimin e dhunës me bazë gjinore;
GJUHA E URREJTJES
- Gjuha e urrejtjes në periudhën parazgjedhore;
krime nga urrejtja
- incidente të shpeshta nga urrejtja për shkak të përkatësisë politike
KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR
Më 30 maj 2020, kryetari i shtetit edhe një herë e vazhdoi gjendjen e jashtëzakonshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut me arsyetim se “…Opinioni tashmë është i informuar se numri i të infektuarve të rinj, për fat të keq edhe i bashkëqytetarëve tanë të vdekur filloi të rritet gjatë ditëve të fundit. Është e saktë se në numrin më të madh të komunave situata është e qëndrueshme, por për disa komuna ekzistojnë shqetësime serioze.” Së fundmi, kryetari u bëri thirrje “Udhëheqësve politikë që marrin pjesë në të ashtuquajturat takime të liderëve – vendi nuk ka kuvend, ekziston qeveri teknike e cila ka autorizime të kufizuara, gjendja është tepër serioze. Kjo është arsyeja pse unë kërkoj nga të gjithë ata që të jenë në kulmin e përgjegjësisë së tyre historike dhe të bien dakord për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, në mënyrë që të kemi institucione me kapacitet dhe legjitimitet të plotë politik. Shteti thjesht nuk mund dhe nuk guxon që me muaj të funksionojë vetëm nëse ka gjendje të jashtëzakonshme.”
Që nga fillimi i krizës në muajin mars 2020, Komiteti i Helsinkit ka monitoruar rregullisht masat e Qeverisë, veçanërisht në kontekstin e respektimit të të drejtave themelore në kuadër të Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore. Duke pasur parasysh zhvillimet e mësipërme, Komiteti i Helsinkit në raportin e tij për muajin qershor në veçanti jep një përmbledhje për zbatimin e masave dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të tyre te qytetarët. Ngjashëm me muajt e kaluar dhe në përputhje me trendin e përcaktuar, duhet t’i kushtohet vëmendje trajtimit të krizës socio-ekonomike si rezultat i pandemisë – mbrojtes së bashkësive të margjinalizuara, zbatimit përkatës të masave, mbikëqyrjes dhe zbatimit përkatës. Ajo që e shënoi këtë muaj ishte rritja e sërishme e gjuhës së urrejtjes në mediat sociale, e cila është një rezultat i drejtpërdrejtë i lehtësimit të masave mbrojtëse dhe heqjes së orës policore, mosrespektimit të masave qeveritare nga disa drejtues fetarë dhe rritjes së numrit të rasteve me Covid -19 në fund të muajit. Poashtu, gjatë muajit u vërejt një rritje e madhe e numrit të qytetarëve të infektuar me Covid-19, gjë që shkaktoi një diskurs negativ i cili njëherit mori edhe karakter etnik si rezultat i rritjes së numrit të infektuarve nëpër komuna.
Në planin politik mbizotëroi diskutimi rreth mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Më 15 qershor u arrit një konsenzus politik për mbajtjen e zgjedhjeve më 15 korrik 2020. Të njëjtën ditë, kryetari i shtetit e vazhdoi gjendjen e jashtëzakonshme për 8 ditë të tjera duke argumentuar se “…vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme po miratohet me qëllim që të mundësohet përgatitja e pandërprerë e zgjedhjeve, në veçanti zbatimi i masave për mbrojtje të shëndetit publik gjatë kohës së procesit zgjedhor … gjendja e jashtëzakonshme me kohëzgjatje prej 8 ditëve do të mundësojë që procesi zgjedhor të zhvillohet pa ndërprerje, të miratohet vendimi për zgjedhjet nga ana e kryetarit të Kuvendit dhe të ndryshohen afatet nga ana e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve për mbajtjen e zgjedhjeve më 15 korrik 2020”.
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
KRIZA E PUNËS NË MËNYRË DISPROPORCIONALE I KA GODITUR MË SHUMË GRATË PUNËTORE
Në muajin qershor, muaji i katërt që ballafaqohemi me krizën e shkaktuar nga virusi korona dhe nga pasojat e tij, ne kemi regjistruar 30 denoncime për shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe një denoncim nga një punëdhënës. Në shumicën e rasteve, rastet kishin të bënin me mospagimin dhe/ose uljen e pagave të grave punëtore të cilat ishin liruar nga detyrat e tyre të punës në përputhje me masat qeveritare, si dhe mosmarrjen e veprimeve përkatëse për mbrojtjen e punëtorëve.
Punëdhënësit e keqpërdorën Masën për lirimin e disa grupeve punëtorësh për të paguar paga më të ulta
Gjendja e jashtëzakonshme për herë të fundit në këtë periudhë ishte shpallur nga data 15 deri më 22 qershor. Rrethanat e psandodhura pas 22 qershorit shkaktuan pasiguri te punëtorët sa i përket vazhdimit të masës për lirimin e tyre nga detyrat e punës. Kjo masë i përfshinte të sëmurët kronikë, gratë shtatzënë dhe prindërit e fëmijëve deri në moshën 10 vjeç. Mediat publikuan se pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, një pjesë e punëdhënësve në ndërmarrjet private, por edhe në institucionet shtetërore u kanë bërë thirrje punëtorëve që të kthehen në vendet e punës, përkundër faktit që çerdhet dhe shkollat mbetën të mbyllura. Në seancën e saj të 65-të, Qeveria vendosi që edhe pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme mbeten në fuqi masat që i lironin nga detyrat e punës këto grupe punëtorësh.[1]
Gjatë tërë kohëzgjatjes së masës, një pjesë e punëdhënësve e keqpërdorën masën duke i detyruar punëtorët të marrin pushime mjekësore dhe në atë mënyrë ata të marrin paga në shumë prej 70 përqind. Pjesa tjetër e punëdhënësve në mënyrë të drejtpërdrejtë ua kanë ulur pagat punëtorëve për 30 përqind, kurse një numër i madh punëtorësh madje as nuk ishin liruar nga detyrat e punës. Kjo ulje e pagave të grave punëtore, të cilat objektivisht nuk mund t’i kryejnë detyrat e punës është e jashtëligjshme dhe ndikon mbi ekzistencën e yte dhe familjeve të tyre dhe paraqet keqpërdorim i gjendjes së jashtëzakonshme të shkaktuar nga pandemia. Te ne erdhën një grup grash punëtore që i përkasin grupit me sëmundje kronike, sepse punëdhënësi u kishte paguar pagat në shumë prej 70 përqind. Këtë rast e parashtruam në Inspektoratin Shtetëror të Punës (IShP), icli pas mbikëqyrjes së kryer inspektuese te punëdhënësi kishte konstatuar shkelje të drejtave të punëtorëve. Punëdhënësi veproi në përputhje me udhëzimet e dhëna nga ana e ISHP-së, i largoi parregullsitë dhe grave punëtore me sëmundje kronike ua pagoi pagat në shumë prej 100 përqind.
Asnjë punëtor nuk është i shpenzueshëm. Të gjithë punëtorët kanë rëndësi themelore.
„Asnjë punëtor nuk është i shpenzueshëm. Të gjithë punëtorët kanë rëndësi themelore, pa marrë parasysh se cila kategori zbatohet mbi to nga ana e shtetit ose e biznesit. Secili punëtor ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga ekspzimi ndaj rreziqeve në vendin e punës, përfshi edhe virusin korona.“, thonë ekspertët e të drejtave të njeriut pranë Kombeve të Bashkuara. Punëdhënësit tanë i kishin injoruar thirrjet për marrjen e masave parandaluese dhe të kujdesit dhe po vazhdojnë që t’i keqpërdorin detyrimet ligjore për ofrimin e sigurisë dhe shëndetit në punë për punëtorët, nga cilido aspekt i lidhur me punën. Ky obligim është në veçanti i theksuar në kushtet e pandemisë, e cila paraqet kërcënim ndaj vetë jetës së punëtorëve.
Më 1 qershor, në Shtip u mbyllën pesë punëtori tekstili, pasi që në qytet, kah fundi i muajit maj ishte mbyllur një fabrikë për shkak të rasteve pozitive të punëtorëve me COVID-19. Shtabi i krizës pranë Komunës së Shtipit të njëjtën ditë propozoi që të mbyllen fabrikat kur në komunë ishin regjistruar 27 persona pozitivë – numri më i madh deri në ato çaste. Ky vendim u pranua nga ana e Komisionit për sëmundje infektive dhe nga Shtabi i krizës pranë Qeverisë.
Në pesë fabrikat e tekstilit, ku punojnë rreth 500 gra punëtore, u paraqitën disa raste të infektuarish me virusin korona. Infektimi me virusin përhapej për shkak se punëdhënësit kishin organizuar transportin nga shtëpia deri në vendin e punës dhe anasjelltas, me të njëjtit autobusë, së bashku me gratë e infektuara nga fabrika e parë. Kryetari i Komunës së Shtipit deklaroi se në fabrikën e parë, që numëron 110 punëtorë, te gjysma e punëtorëve (55 persona) ishte konstatuar prezenca e virusit korona.
Inspektorati Shtetëror i Punës, në koordinim me policinë kishte realizuar kontrolle të përforcuara në rajonin e Komunës së Shtipit ku Shtabi kryesor për koordinimin e krizës ndaloi punën e fabrikave të tekstilit dhe lëkurës, për periudhën kur vlente ndalesa. Nga inspektimet ishte konstatuar se punëdhënësit e këtyre dy veprimtarive në Shtip, plotësisht e kishin respektuar ndalesën.
Megjithatë, mediat raportuan për dëshmi të grave punëtore nga këto fabrika për presionet e bëra ndaj tyre nga ana e punëdhënësve të tyre: „Më thoshte – të infektuar, të painfektuar, do të rrini këtu, kush do të mbijetojë, do të mbijetojë. Vendosa të mos shkoj në punë, por nuk e di se kush do t’i ushqejë fëmijët, sepse edhe ashtu mbeten pa baba.“ dhe „Ju nuk mund t’i tregoni atij se sa jemi të frikësuara. Po udhëtojmë me autobusin në të cilin udhëtonin pesë gratë që tashmë ishin të infektuara. Frikohem se nëse e kupton se po ankohemi, do të mbetem pa asnjë denar, dy fëmijë i kam.“ Punëdhënësit nuk u siguruan grave punëtore maska mbrojtëse, preparate dezinfektimi ose distancën e nevojshme prej dy metrash, duke pasur parasysh faktin se u detyruan të udhëtojnë me disa autobusë. Nuk ka informacion nëse Inspektorati Shtetëror i Punës ka ngritur kallëzime përkatëse penale për këtë shkelje të rëndë të të drejtave të punëtorëve, e cili arrin nivelin e një trajtimi mizor, çnjerëzor dhe poshtërues.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP) gratë janë një ndër grupet më të rrezikuara të punëtorëve – ato gjenden në vijën e parë të frontit për faktin se përfaqësohen me 70 përqind të forcës së punës në sektorin e shëndetësisë dhe sektorin për siguri sociale. Gjithashtu, gratë janë kryesisht të përfaqësuara në industritë prodhuese, ndër të cilat edhe ajo e tekstilit. Nga ky fakt, duke pasur parasysh se edhe te ne gratë në mënyrë dominuese si forcë pune përfaqësohen në industrinë e tekstilit, Këto shkelje të të drejtave të punëtorëve njëherit paraqesin edhe shkelje të drejtave të grave, që në mënyrë shtesë e konfirmon karakterin shumëdimensional dhe ndërsektorial të këtij problemi. Gratë janë të shtypura në mënyrë strukturore nga fakti se ato janë forca mbizotëruese e punës në industri, e cila deri më tani është industria më pak e paguar. Për më tepër, në një krizë të kësaj madhësie, ato janë të parat që goditen, sepse sistemi që është krijuar për t’i lejuar dhe/ose vënë ato në një pozicion të tillë vartës dhe të shtypur, nuk ka asnjë mekanizëm për t’i mbrojtur ato.
Konkludim dhe rekomandim: Reagimi i Inspektoratit Shtetëror të Punës, i cili konstatoi shkelje të të drejtave të punëtorëve në rastin e shpjeguar më parë të punëtorëve, është një hap pozitiv drejt mbrojtjes së punëtorëve në këtë periudhë të pasigurt dhe të vështirë. Sidoqoftë, Inspektorati Shtetëror i Punës nuk arrin të ushtrojë autoritetin e tij për t’i thirrë në përgjegjësi të gjithë punëdhënësit që i rrezikojnë jetët e punëtorëve, në dobi të fitimit.
DISKRIMINIMI
brutaliteti dhe arbitrariteti policor ndaj qytetarëve të pastrehë
Komiteti i Helsinkit së bashku me anëtarët e tjerë të Rrjetit për mbrojtje nga diskriminimi reagoi për brutalitetin dhe arbitraritetin policor ndaj qytetarëve të pastrehë, për të cilën raportuan shumë media. Në fakt, më 10 qershor 2020, në shumë media u shfaq një reportazh ku qytetarë deklaruan se kishin qenë viktima të dhunës nga ana e nëpunësve policorë. Bëhet fjalë për persona të pastrehë që jetojnë në afërsi të objektit PIOM në Shkup dhe sipas përkatësisë etnike të tyre, ata ishin romë(e). Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës së „orës policore“, kur, sipas deklaratave, rreth njëzet pjesëtarë të policisë intervenuese kishin ushtruar forcë fizike ndaj të gjithë personave që kishin qenë në vendndodhjen e përmendur, përfshi edhe forcën ndaj grave, fëmijëve dhe personave të moshuar të cilët fare nuk kishin qenë të përfshirë në ngjarje.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme lëshuan njoftim deri te mediat se nga ana e nëpunësve policorë nga Stacioni policor Aerodrom ishin ndërmarrë masa dhe veprime për shkelje të konstatuara të orës policore nga një grup qytetarësh që ishin grumbulluar në vend publik dhe që e kishin prishë rendin dhe qetësinë publike duke lëshuar muzikë të zëshme. Sipas deklaratës së MPB-së, pesë persona së pari u sollën në mënyrë të vrazhdë ndaj policëve, pas së cilës ata sulmuan fizikisht, dhe njëri prej tyre hodhi një gur në furgonin e tyre të policisë. Bazuar në këto ngjarje, filluan procedura kundër pesë personave për përcaktimin e kundërvajtjes ose përgjegjësisë penale. Sipas informacionit nga Ministria e Punëve të Brendshme, ky është një rast nga i cili mund të konstatohet përgjegjësia personale e disa personave që jetojnë në vendin e specifikuar. Ata tashmë janë identifikuar, privuar nga liria dhe ndaj tyre janë ndërmarrë akte fillestare për konstatimin e përgjegjësisë. Prandaj, forca e përdorur ndaj njerëzve (burra, gra, fëmijë, të moshuar) të cilët nuk janë përfshirë në asnjë mënyrë në këtë ngjarje tregon se policia përdori forcën për të zbrapsur një sulm imagjinar.
Kohë më parë në Shtip (më 12 maj, në rrugën e Radanit), mediat raportuan për një incident të ngjashëm me policinë, ku ishte përdorur forca ndaj një grup qytetarësh për shkak të një mjeti motorik i ngarkuar me drunj, i drejtuar nga romë.
Konkludim: Kjo tregon se trajtimi joprofesional, brutaliteti dhe arbitrariteti policor në trajtimin e romëve dhe kategorive të tjera të qytetarëve të varfër dhe të margjinalizuar është një praktikë e zakonshme e policisë. Ky lloj veprimi është i motivuar nga paragjykimet raciste dhe mosrespektimi i dinjitetit të romëve. Për më tepër, është veçanërisht shqetësuese që policia vepron në mënyrë diskriminuese në atë mënyrë që ata përdorin forcë në mënyrë selektive ndaj qytetarëve që gjenden në margjinat e shoqërisë dhe nuk veprojnë në rastet kur pasojat, dëmet ose përfitimet janë në shkallë të madhe. Një trajtim i tillë nga policia kundër grupeve të cenueshme të qytetarëve nuk do të rivendosë besimin e policisë, dhe përkundrazi, do ta shkatërrojë atë, duke kontribuar që qytetarët të ndjehen të kërcënuar dhe të frikësuar, duke vuajtur stres psikologjik, në vend që të ndjehen të mbrojtur nga ana e oficerëve të policisë.
Rekomandim: Komiteti i Helsinkit dhe anëtarët e tjerë të Rrjetit për mbrojtje nga diskriminimi kërkojnë konstatimin e përgjegjësisë personale për secilin oficer policie nëse ai i ka tejkaluar autorizimet e tij zyrtare, si dhe nga për të gjithë personat që kanë dhënë një urdhër të tillë. Ne kërkojmë nga Sektori për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme që të fillojë një procedurë për hetimin e rastit dhe, nëse konstatohet keqpërdorim i autorizimeve të oficerëve të policisë, të ngritet procedurë penale dhe ndaj tyre të shqiptohet dënimi më i rreptë nga sfera e marrëdhënies së punës.
GRATË PUNËTORE NË INDUSTRINË E TEKSTILIT
QEVERIA MEDOEMOS DUHET TË OFROJË MBROJTJE TË VAZHDUESHME PËR GRATË PUNËTORE GJATË KOHËS SË PANDEMISË
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut reagoi ashpër ndaj njoftimeve se disa fabrika të tekstilit në Shtip do të punojnë gjatë kohës së orës policore gjatë fundjavës më 6 dhe 7 qershor. Sipas informacioneve të marra nga terreni, në vigjilje të orës policore fabrikat e tekstilit kishin nxjerrë ose ishin në proces të marrjes së lejeve të punës, dhe punëdhënësit paraprakisht i kishin njoftuar punonjëset e tyre se do të punonin gjatë orës policore. Puna gjatë orës policore, në ditët kur numri i pacientëve në vend është rritur më shumë që nga fillimi i pandemisë, është një vendim jashtëzakonisht i papërgjegjshëm që rrezikon drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e punëtorëve të tekstilit. Ky vendim u njoftua në një kohë kur nevojitej një përgjegjësi dhe solidaritet më i madh shoqëror nga ana e punëdhënësve, institucioneve dhe punëtorëve.
Është e palejueshme që në një qytet i cili ishte 80 orë në karantinë si rezultat i rritjes së numrit të të infektuarve me virus, nga i cili numri më i madh nga industria e tekstilit, të lejohet zhvillimi i punës në fabrikat e tekstilit. Ishte veçanërisht shqetësuese që shkeljet më të mëdha të masave parandaluese për të mbrojtur dhe parandaluar përhapjen e virusit në Shtip kanë ndodhur gjatë transportit të punëtorëve të tekstilit gjatë orës policore, në autobusë të papërshtatshëm, duke mosrespektuar dispozitat për uljen e kapacitetit të transportit prej 50% nga Dekreti për transportin publik të udhëtarëve dhe pamundësia për të ruajtur distancën e rekomanduar.
Për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e punëtorëve të tekstilit, dhe për të parandaluar dhe trajtuar përhapjen e virusit, ne kërkuam nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që të vendosë një ndalim të plotë të funksionimit të fabrikave të tekstilit në Shtip gjatë orës policore. Në të njëjtën kohë, ne bëmë thirrje që Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor që të vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën në terren dhe të sanksionojnë të gjithë punëdhënësit që nuk do t’i përmbahen masave.
Konkludim: Pas këtij reagimi dhe thirrjeje, Shtabi kryesor për koordinim për të siguruar koordinim të plotë në lidhje me parandalimin e përhapjes së virusit korona e shqyrtoi dhe pranoi kërkesën për futjen e ndalimit të funksionimit të fabrikave të tekstilit dhe të lëkurës në Shtip, respektivisht të ndalojë lëshimin e lejeve të punës gjatë fundjavës për fabrikat e industrisë së tekstilit dhe lëkurës në zonën e Komunës së Shtipit.
Rekomandim: Nisur nga gjasat që pandemia do të vazhdojë për një kohë të gjatë, me të edhe nevoja për të zbatuar masa për parandalimin e përhapjes së virusit korona, i bëjmë thirrje Qeverisë për krijimin dhe zbatimin më gjithëpërfshirës dhe në kohë të masave të tilla në mënyrë që të parandalojë në mënyrë më efektive përhapjen e virusit dhe krijimin e kllasterëve të rinj në industrinë e tekstilit.
BARAZIA GJINORE
NDRYSHIME DHE PLOTËSIME TË LIGJIT PËR MUNDËSI TË BARABARTA TË GRAVE DHE BURRAVE
Ligji ekzistues për mundësi të barabarta të grave dhe burrave (LMBGB) duhej të ofronte sistem efikas të integrimit të themeleve për mundësi të barabarta ndërmjet grave dhe burrave në procesin e krijimit, zbatimit dhe monitorimit të politikave, programeve dhe buxheteve në të gjitha sferat. Më tej, LMBGB rivendosi struktura për makineri gjinore në nivel qendror dhe lokal, përgjegjës për përfshirjen e barazisë gjinore në kornizën e plotë juridike dhe politike, por edhe përfshirjen e barazisë gjinore në punën e institucioneve.
Përveç përpjekjeve pozitive të shtetit për të miratuar një Ligj bashkëkohor për mundësi të barabarta ndërmjet grave dhe burrave, i cili do të sigurojë integrimin e plotë të barazisë gjinore, raportet dhe analizat ekzistuese kanë treguar që politikat qendrore dhe lokale nuk janë të ndjeshme ndaj gjinisë.
Ndryshimet dhe plotësimet e LMBGB-së si një përparësi me rëndësi të mesme janë parashikuar në Programin e punës së Qeverisë së RMV për vitin 2019, ku thuhet se është e nevojshme që të harmonizohet Ligji me direktivat e reja të BE-së, për sa i përket barazisë dhe mosdiskriminimit dhe në drejtim të legjislacionit më efektiv për barazi gjinore.
Pastaj, Komiteti për eliminimin e diskriminimit ndaj grave (në vazhdim Komiteti CEDAW) në Shqyrtimet përfundimtare për raportin e 6-të periodik për Maqedoninë e Veriut për implementimin e Konventës për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (CEDAW) si prioritet e vë në theks reformën e makinerisë kombëtare në nivel qendror dhe lokal dhe kërkon që Qeveria të njoftojë Komitetin CEDAW për veprimet e ndërmarra në këtë pjesë për një afat 2-vjeçar, respektivisht deri në muajin nëntor të vitit 2020.
Në përputhje me këtë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka formuar një grup pune që do të punojë për ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji. Takimi i parë i grupit të punës, në të cilin mori pjesë një përfaqësuese e Komitetit të Helsinkit, u mbajt më 12 qershor 2020.
APLIKACION CELULAR PËR DENONCIMIN E DHUNËS ME BAZË GJINORE
Kriza e shkaktuar nga virusi korona ka bërë që vendet në mbarë botën të gjejnë zgjidhje të reja dhe krijuese që do të rrisin numrin e rasteve të raportuara të dhunës në familje dhe me bazë gjinore përmes lehtësimit të vetë procesit të denoncimit.
Për këtë qëllim, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale në bashkëpunim me UNDP filluan një aktivitet të përbashkët në drejtim të përgatitjes së aplikacionit celular të quajtur BE SAFE, sipas shembullit të vetë aplikacionit që për herë të parë u fut në përdorim në Malin e Zi. Qëllimi i aplikacionit është të mundësojë raportim të lehtë, të shpejtë dhe të sigurt të dhunës me bazë gjinore dhe familjare, e cila do të shërbejë për mbështetjen e viktimave, si gjatë krizës së shkaktuar nga virusi KOVID-19, ashtu edhe gjatë kushteve “normale”. Ministria formoi një grup pune për krijimin e këtij aplikacioni, i cili takimin e parë ku mori pjesë edhe përfaqësuesja e Komitetit të Helsinkit u mbajt më 26.06.2020.
Komiteti i Helsinkit e përshëndet këtë aktivitet të Ministrisë dhe shpreson që për kohë të shpejtë, ky aplikacion do të futet në përdorim, në mënyrë që të mund të përmbushen qëllimet e krijimit të tij, dhe që është denoncim i sigurt dhe i lehtë i dhunës nga viktimat. Përveç këtij aplikacioni, në të ardhmen është e nevojshme që shteti të gjejë zgjidhje të tjera alternative dhe krijuese për denoncimin e dhunës, në mënyrë që të mbrojë me kohë viktimat, por edhe t’i informojë ata për mekanizmat mbrojtës në rast dhune.
GJUHA E URREJTJES
GJUHA E URREJTJES NË PERIUDHËN PARAZGJEDHORE
Ngjashëm si për muajin prill dhe maj të vitit 2020, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut vazhdoi të regjistrojë numër të madh denoncimesh për gjuhë të urrejtjes në mediat sociale, çka rezultoi me gjithsej 105 denoncime të verifikuara për muajin qershor. Numri më i madh i rasteve që ishin regjistruar në muajin qershor iu referoheshin situatës me pandeminë KOVID-19 dhe vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare (të shpallura për 15 korrik 2020). Reagimet në mediat sociale janë rezultat i rritjes drastike të personave të infektuar me Kovid-19 nga fillimi i muajit, të cilët duke marrë edhe dimension etnik shkaktuan rritje të gjuhës së urrejtjes në mediat sociale. Ngjashëm si për muajin prill dhe maj, numri më i madh i denoncimeve është regjistruar pas karantinës së fundit në lidhje me festën e krishterë të Rrëshajëve (java nga data 16 deri më 19 qershor). Ngjashëm si muajin qershor të vitit të kaluar, kur u mbajt Marshi i krenarisë në Maqedoninë e Veriut, në tri ditët e fundit të muajit Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut konstatoi trend në rritje të gjuhës së urrejtjes në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor me rastin e një varg ngjarjesh lidhur me shënimin e muajit të Krenarisë.
Trendi i gjuhës së urrejtjes, qershor 2020
Gjuha e urrejtjes në mediat sociale për muajin qershor 2020.
Numri më i madh i denoncimeve (ose 60% të numrit të përgjithshëm të denoncimeve të verifikuara) kishin të bënin me dy kategori: përkatësia etnike dhe përkatësia politike. Gjithashtu, si rezultat i rritjes së numrit të infektuarve të rinj me Kovid-19 paraqitet edhe kategoria gjuhë e urrejtjes mbi bazën e gjendjes shëndetësore (respektivisht 10% të numrit të përgjithshëm). Kjo është si rezultat i reagimeve negative në mediat sociale pasi që u publikua rritja e numrit të rasteve me Kovid – 10 raste të regjistruara në Komunën e Çairit, kur edhe diskursi shoqëror u drejtua kah lidhja e rasteve të reja me vendimin për zgjedhje të parakohshme. Për këtë situatë ndikuan shumë faktorë: heshtja e institucioneve para arbitraritetit të autoriteteve fetare që vepruan në kundërshtim me të gjitha rekomandimet për mbrojtje të shëndetit publik, funksionimi i shtetit me qeveri teknike, njoftimi selektiv medial dhe prezenca masovike e dezinformatave, por edhe gjuha e urrejtjes mbi baza etnike nga ana e personaliteteve publike.
Në këtë drejtim, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ngriti kallëzim kundër akademik Katica Qulavkova për deklaratën e saj në rrjetet sociale, e cila nxit intolerancën midis bashkësive etnike.
Twitt-i i saj „Çmimin e bashkëjetesës po e paguajmë me jetë “ lë të kuptohet se arsyeja e përhapjes së virusit janë marrëdhëniet ndëretnike, e jo mosrespektimi i përhapur i masave. Komiteti i Helsinkit për të drejtat e Njeriut me shumë shqetësim konstaton se gjendja e krizës e shkaktuar nga paraqitja e Kovid-19, në mënyrë intenzive po kalon në sferën e marrëdhënieve ndëretnike.
Sipas analizës së Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, numri i madh i denoncimeve për gjuhë të urrejtjes në këto dy kategori në mënyrë plotësuese është rezultat i situatës së acaruar politike në vend në kontekst të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Për më tepër, kësaj i kontribuoi edhe deklarata e liderit të BDI-së se është koha për kryeministër shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nga analiza e trendeve të deritanishme, Komiteti i Helsinkit paralajmëron për rritjen e gjuhës së urrejtjes në mediat sociale gjatë fushatës parazgjedhore dhe i u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të tregojnë proaktivizëm në sanksionimin e këtij fenomeni.
Së fundmi, Komiteti i Helsinkit i përsërit parashtrimet ende pa përgjigje të dërguara në Sektorin për krim kompjuterik dhe forenzikë dixhitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike, respektivisht pandëshkueshmërinë e përhapësve të gjuhës së urrejtjes, dhe natyrisht mungesën e çfarëdo dënimi publik të kësaj gjuhe të urrejtjes nga ana e pushtetit.
KRIME NGA URREJTJA
incidente të shpeshta nga urrejtja për shkak të përkatësisë politike
Në muajin qershor 2020 janë regjistruar dhjetë (10) incidente nga urrejtja. Nga numri i përgjithshëm e incidenteve të regjistruara për këtë muaj, më shumë se gjysma (6) janë me indicie se janë kryer për shkak të përkatësisë etnike të viktimës, kurse dy (2) incidente janë kryer për shkak të kombësisë/shtetësisë së viktimës. Në muajin qershor vazhdon trendi i muajve të kaluar i incidenteve të shpeshtuara nga urrejtja me motiv politik. Në fakt, këtë muaj janë regjistruar dy (2) incidente të motivuar nga përkatësia politike.
Konkludim: Në 3 muajt e fundit janë regjistruar gjithsej pesë (5) incidente nga urrejtja e motivuar nga përkatësia politike, duke treguar trendin e viteve të kaluara të incidenteve të tilla gjatë periudhës parazgjedhore. Këto incidente më shpesh janë dëme në pronë (thyerje të shtabeve partiake dhe të ngjashme) dhe rrezikim i sigurisë përmes kërcënimeve online drejtuar politikanëve dhe simpatizantëve partiakë.
[1] Nga detyrat e punës janë liruar prindërit që kanë fëmijë deri në moshën 10 vjeç ose nxënës aktivë në klasën e katërt, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzënë, prindërit vetëushqyes, prindërit e fëmijëve me pengesa që e shfrytëzojnë shërbimin e qendrës ditore, si dhe personat që në vendin e punës shkojnë me shoqërues –persona plotësisht të verbër, personat që lëvizin me karrocë për invalidë dhe personat me pengesa të moderuara dhe të rënda intelektuale, me mundësi, nëse është e realizueshme që detyrat e punës t’i kryejnë nga shtëpia.