April 17, 2020

Kovid-19: Stigmatizimi kontribuon që edhe persona të sëmurë të mos kërkojnë ndihmë nga mjekët

A jeni pyetur ndonjëherë se si ndjehen personat e sëmurë ose bartës të virusit korona, ose si ndjehen ata të cilët janë në vetizolim ose në karantinë shtetërore? Me çfarë ballafaqohen ata dhe familjet e tyre të cilët do të mund të ishin të ardhshmit në radhën? Titujt në mediat janë përplot me informacione (ndonjëherë të sakta, ndonjëherë të rrejshme) vetëm për ata që i kanë shkelur rregullat e vetizolimit, orës policore dhe ngjashëm, por rrallëkush pyet nëse u nevojitet ndihmë, bisedë ose kanë ndonjë nevojë personat ose familjet të cilat në numër më të madh i kanë respektuar masat shëndetësore dhe të shtetit.

Përveç asaj që përballen me sëmundje eventuale, këta persona për shkak të pandemisë dhe kufizimeve nuk guxojnë të dalin askund nga shtëpia e tyre e as, nga ana tjetër, të furnizohen me produktet themelore që u nevojiten. Për ta çdo ditë është sfidë e re, në çfarëdo aspekti, nga ai shëndetësor, psikologjik, social… Është e vërtetë se në opinion janë shpërndarë numra të telefonit për ndihmë psikologjike, por a ndjehet secili i lirë për të ndarë diçka personal për veten dhe për jetën e tij me dikë të panjohur nga ana tjetër e aparatit telefonik.

Ditëve të fundit shumë persona të cilët ishin të infektuar me virusin korona, të cilët janë në vetizolim, izolim, po madje edhe në karantinë shtetërore, dolën në opinion duke rrëfyer historitë e tyre. Një gjë është e përbashkët e ajo është se virusi është i tejdukshëm dhe se thuajse asnjëherë nuk e di kur mund të sëmuresh.

Ndërsa pjesa më e madhe e atyre që janë të sëmurë, virusin e kanë marrë pa vetëdije, padashur, disa madje edhe duke i zbatuar të gjitha rekomandimet e autoriteteve shëndetësore. Nga ana tjetër, ata të cilët janë në vetizolim janë hasur në situatë të tillë meqë gjithashtu duke mos e ditur, pa vetëdije janë hasur në kontakt me dikë që në të shumtën e rasteve nuk e ka ditur se është i sëmurë ose i infektuar …