Komiteti i Helsinkit: Është e drejtë që qytetarët me ligj të obligohen për vaksinim
May 15, 2019
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut vlerëson se është e drejtë që qytetarët të detyrohen me ligj që të marrin vaksina kundër sëmundjeve, parandalimi i të cilave është në interes të shoqërisë. Prej atje thuhet se vaksinimi i detyrueshëm, i parashikuar me nenin 33, paragrafi 2 i Ligjit për Mbrojtjen e Popullsisë nga sëmundjet infektive, në asnjë moment nuk mund të vihet në pikëpyetje që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
“Kjo ka të bëj veçanërisht për nenin 39 paragrafi 2 dhe nenin 40 paragrafit 3 të Kushtetutës, i cili përcakton që qytetari ka të drejtë dhe detyrë të ruajë dhe promovojë shëndetin e tij dhe shëndetin e të tjerëve dhe që prindërit kanë të drejtë dhe detyrë për t’u kujdesur për mirëmbajtjen e fëmijëve. Nga fryma e dispozitave kushtetuese është e qartë se në rast të refuzimit të vaksinimit nga ana e prindërve, ata jo vetëm që rrezikojnë shëndetin e fëmijëve të tyre, por edhe shëndetin e personave të tjerë të cilët për shkak të kundërindikacioneve mjekësore nuk janë vaksinuar dhe kështu atyre u mohohet e drejta për një jetë të shëndetshme. Me qëllim të sigurimit të së drejtës në fjalë, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut konsideron se është e drejtë që me ligj të detyrohen qytetarët të vaksinohen kundër sëmundjeve, parandalimi i të cilave është në interes të shoqërisë”, thuhet në deklaratën e Komitetit të Helsinkit, lidhur me ndalimin e regjistrimit të fëmijëve të pavaksinuar në shkollë.
Siç thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vaksinimin e detyrueshëm, shtojnë nga atje, se vaksinimi i rregullt është një nga masat specifike të mbrojtjes nga sëmundjet infektive.
“Obligueshmëria e saj përcaktohet vetëm për sëmundje të caktuara infektive dhe në një moshë të caktuar të përcaktuar nga kalendari i imunizimit, për të cilin ka vërtetim mjekësor./Telegrafi/