May 20, 2019

OJQ-të: Ligji i ri për ndihmë juridike falas me zgjidhje të përmirësuara për qasje në drejtësi

Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Shoqata e juristëve të rinj të Maqedonisë, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, EHO – Organizatë edukative-humanitare, Qendra kombëtare e romëve Izbor (Zgjedhja) dhe Qendra kulturore rinore si organizata të cilat u përfshinë në mënyrë aktive në procesin e krijimit të Ligjit për ndihmë juridike falas e përshëndesin miratimin e tij, njofton Portalb.mk.

“Ligji i ri për ndihmë juridike falas është produkt i një procesi të gjatë dhe i bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë civile dhe Ministrisë së drejtësisë, ndërsa përfshirja aktive e organizatave civile ka kontribuar në krijimin e një zgjidhjeje e cila mund t’u përgjigjet nevojave dhe problemeve juridike të qytetarëve”, thonë organizatat joqeveritare të përfshira në hartimin e Ligjit të ri e përshëndesin miratimin e tij.

Me Ligjin e ri për ndihmë juridike falas, thonë ata, është siguruar përfitim dhe mbrojtje më e madhe për qytetarët: në veçanti, janë lehtësuar kushtet që qytetarët duhet t’i plotësojnë për të marrë ndihmë juridike falas, duke siguruar kështu qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë, veçanërisht për qytetarët më të varfër dhe ata të margjinalizuar.

“Në të njëjtën kohë, ndihma juridike falas, me përjashtime të caktuara, do të parashikohet në të gjitha fushat ligjore, gjë që e rrit mbulimin e njerëzve të rrezikuar dhe të lëndueshëm, e me këtë edhe mundësinë për mbrojtje më të madhe të të drejtave të qytetarëve. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se me Ligjin e ri edhe shpenzimet tjera, të cilat ndërlidhen me procedurën (p.sh. tarifat gjyqësore, tarifat për ekspertizë) nuk do të jenë në shpinë të qytetarëve, por të njëjtat do të përfshihen me ndihma juridike falas. Risi veçanërisht e rëndësishme është edhe financimi i organizatave të autorizuara të cilat sigurojnë ndihmë paraprake juridike – me hyrjen në fuqi të Ligjit, financimi do të realizohet përmes granteve nga buxheti i Ministrisë së drejtësisë me çka ndihma juridike falas ka mundësi për zhvillim afatgjatë dhe të  qëndrueshëm”, thonë OJQ-të.

Ligji i ri për ndihmë juridike falas, sipas tyre, është sukses shumë i madh për të gjitha organizatat e shoqërisë civile të cilat e kanë ndjekur zbatimin e Ligjit të mëparshëm, por natyrisht, mbetemi të përkushtuar për të monitoruar zbatimin e Ligjit të ri, si dhe përcaktimin e mangësive të tij për të propozuar aktivisht zgjidhje të reja më të përshtatshme