June 8, 2020

Komiteti i Helsinkit: Kriza shëndetësore nuk guxon të shndërrohet në krizë ndëretnike

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut me shqetësim të madh konstaton se gjendja e krizës e shkaktuar nga shfaqja e virusit të ri, këto ditë në mënyrë intensive po kalon në sferën e marrëdhënieve ndëretnike. Në javët e para të fillimit të gjendjes së jashtëzakonshme, u bënë deklarata diskriminuese kundër atyre që ishin të infektuar me Kovid-19, përmes kërkesave për të publikuar të dhënat personale, shkeljes të të drejtave të pacientëve dhe formave të ngjashme të stigmatizimit.

Tensionet e shkaktuara nga masat kufizuese gradualisht u zhvendosën në sferën e nacionalizmit në masë të madhe për shkak të faktit se gjendemi në një periudhë parazgjedhore. Për fat të keq, të gjitha thirrjet për solidaritet dhe mirëkuptim në kushtet e fatkeqësisë që po i prek të gjithë qytetarët, bëhen të pakuptimta kur krizës shëndetësore dhe krizës ekonomike u ngjitet edhe kriza në marrëdhëniet ndëretnike.

Për këtë situatë kanë kontribuar shumë faktorë: heshtja e institucioneve para arbitraritetit të autoriteteve fetare që vepruan në kundërshtim me të gjitha rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit publik, funksionimi i shtetit me një qeveri teknike, informimi selektiv i mediave dhe prezenca masive e dezinformatave, por edhe nxitja e gjuhës së urrejtjes në bazë etnike nga ana e personaliteteve publike.

Në këtë drejtim, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut sot ngriti një denoncim kundër akademik Katica Qulafkova për deklaratën e saj në rrjetet sociale, e cila nxit intolerancën midis bashkësive etnike. Tweet-i i saj, “Ne po e paguajmë çmimin e bashkëjetesës me jetë”, nënkupton se arsyeja e përhapjes së virusit janë marrëdhëniet ndëretnike dhe jo mosrespektimi në masë të madhe i masave. Duke pasur parasysh faktin që në vendin tonë dominon gjuha e urrejtjes në baza etnike, përhapja dhe nxitja e një gjuhe të tillë ka një peshë të veçantë sepse çon në krime nga urrejtja, respektivisht në ndezjen е pasioneве nacionaliste që sipas дефиниционит janë shkatërruese për bërthamën e cenueshme sociale. Në veçanti është e rrezikshme kur një gjuhë të tillë e përdorin intelektualët, politikanët, gazetarët dhe persona të tjerë me ndikim më të madh shoqëror.

Megjithëse praktika tregon se prokuroria dhe gjykata pothuajse kurrë nuk i procesojnë rastet e gjuhës së urrejtjes, ne e konsiderojmë të domosdoshme që të dënohen veprimet e të gjithë figurave publike që ndikojnë në thellimin e përçarjeve dhe nxitjen e urrejtjes. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve të tjerë në shoqëri që të tregojnë vetëdije dhe përgjegjësi më të lartë dhe të mos lejojnë përshkallëzimin e këtyre fenomeneve jashtëzakonisht negative.