“Secili punëtor është i rëndësishëm dhe duhet të mbrohet nga KOVID-19, pa përjashtim” – ekspertë të të drejtave të KB

June 22, 2020

GJENEVË (18 maj 2020) – Ndërsa vendet fillojnë të lehtësojnë kufizimet e fundit për shkak të pandemisë së virusit korona, një grup ekspertësh të KB për të drejtat e njeriut* u bëjnë thirrje qeverive dhe bizneseve të sigurojnë që të gjithë punëtorët të mbrohen nga ekspozimi ndaj KOVID-19.

“Asnjë punëtor nuk mund të shpenzohet. Secili punëtor është i rëndësishëm, pa marrë parasysh se cila kategori aplikohet për ta nga shtetet ose bizneset. Secili punëtor ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga ekspozimi ndaj rreziqeve në vendin e punës, përfshi edhe virusin korona.

Ne jemi të shqetësuar për numrin e punëtorëve në linjë të parë të rrezikut të cilëve nuk u është dhënë mbrojtje e duhur gjatë periudhave kulmore të infektimit në vende të ndryshme dhe sektorë ekonomikë. Dhe ndërsa qeveritë vazhdojnë të lehtësojnë kufizimet dhe punëtorët fillojnë të kthehen në punë, ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe bizneseve të sigurojnë masa parandaluese dhe kujdesi për të mbrojtur çdo punëtor.

Gjithashtu, jemi thellësisht të shqetësuar për rrezikun disproporcional që u ekspozohet punëtorëve që janë me të ardhura të ulëta, pakicat, migrantët, personat e moshuar dhe ata me gjendje shëndetësore kronike, gratë, sektori joformal si dhe punëtorët në tregun e punës me kontrata punësimi në kohë të caktuar.

U bëjmë thirrje shteteve dhe bizneseve që të bashkëpunojnë me sindikatat dhe përfaqësuesit e tjerë të punëtorëve për t’i ndihmuar në ofrimin e mbrojtjes përkatëse në vendet e punës.

Pas thirrjes sonë në Konferencën Ndërkombëtare të Punës në vitin 2019, ne mirëpresim diskutimet në vazhdim mbi përfshirjen e së drejtës për mbrojtje dhe shëndet në punë si një e drejtë dhe parim themelor i Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Sidoqoftë, edhe pse ONP-ja është vonuar në pranimin e së drejtës për mbrojtje dhe shëndet në punë, ne i bëjmë thirrje organit drejtues të Organizatës që ta njohë këtë të drejtë pa vonesa të mëtejshme, së bashku me të drejtat e tjera të njohura ndërkombëtarisht.

Detyrimi i punëtorëve të cenuar duke mos pasur zgjedhje, që të punojnë në kushte që i ekspozojnë ndaj rrezikut, përfshi edhe mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve të themeluara më herët, mund të nënkuptojë një formë të punës së detyruar, sipas ONP-së.

Ne shprehim respekt dhe admirim për punëtorët në linjën e parë të kësaj pandemie, duke siguruar kujdes shëndetësor, ushqim, ujë, pastërti, mallra dhe shërbime të tjera të nevojshme, dhe shprehim ngushëllimet tona për familjet e atyre që kanë humbur më të dashurit në këto shërbime.

Mesazhi ynë sot është i thjeshtë, por thelbësor: secili punëtor duhet të mbrohet, pa përjashtim.”