Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhjetor 2019
January 30, 2020
PËRMBAJTJA
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
- Punëdhënësi e ka obligim që të ofrojë siguri dhe shëndet në punë për punonjësit e tij nga çdo aspekt lidhur me punën
PUNËTORET NË INDUSTRINË E TEKSTILIT
– Punëtoret në industrinë e tekstilit nga Dellçeva kanë punuar në kushte të papërshtatshme shëndetësore dhe higjienike pa ofruar masa përkatëse për siguri dhe shëndet në punë nga punëdhënësi
DISKRIMINIMI
- Diskriminim në bazë seksi dhe gjinie në libër shkollor të Sociologjisë
për vitet e dyta të shkollave të mesme
DHUNË NË FAMILJE DHE NË BAZË GJINORE
- Me mbrojtje përkatëse deri te parandalimi i vrasjes së grave (femicid)
DHJETOR 2019
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
Punëdhënësi e ka obligim që të ofrojë siguri dhe shëndet në punë për punonjësit e tij nga çdo aspekt lidhur me punën
Në muajin dhjetor, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka regjistruar 16 raste të shkeljes së të drejtave të punëtorëve, të cilat raste kanë përfshirë përafërsisht 522 punonjës. Gjatë këtij muaji, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka dhënë ndihmë lidhur me:
- Procedurën për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës;
- Të drejtat e punëtorëve në rastet kur është hapur procedurë falimentimi te punëdhënësi;
- Mospagimin e pagave dhe kontributeve;
- Lëndimet në vendin e punës;
- Të drejtën e regresit për pushim vjetor;
- Të drejtën e pagimit për punën e kryer jashtë orarit; dhe
- Realizimin e të drejtave te punëdhënësi dhe mundësinë për mbrojtjen e tyre gjyqësore.
- Aktgjykim i Gjykatës së Apelit Shtip në dobi të punëtorit
Përfaqësues i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut ka monitoruar një konflikt nga sfera e marrëdhënies së punës për anulimin e aktvendimit për largim nga puna, lëndë e cila ishte nën kompetencë të Gjykatës themelore civile në Sveti Nikole.
Në fakt, gjatë muajit shkurt të vitit 2019, Kryetari i Komunës së Llozovës ka nxjerrë aktvendim me të cilin një punonjëse i shqiptohej masë disiplinore – ndërprerje e marrëdhënies së punës. Masa disiplinore ishte shqiptuar për shkelje të kryer disiplinore të parashikuar në nenin 73 paragrafi 1 të Ligjit për nëpunës administrativ, respektivisht për shkak të moskryerjes së detyrave të punës, kryerjes së papërgjegjshme dhe jo në kohë të detyrave të punës. Kundër këtij aktvendimi, punonjësja ka parashtruar ankim në Agjencinë për administratë. Agjencia e ka refuzuar ankimin dhe e ka konfirmuar aktvendimin për ndërprerje të marrëdhënies së punës. Për shkak të këtij vendimi, punonjësja ka inicuar proces gjyqësor para gjykatës kompetente, me kërkesë për anulimin e aktvendimit të Kryetarit të Komunës së Llozovës dhe vendimit të Agjencisë për administratë.
Gjykata themelore në Sveti Nikole me aktgjykim të datës 18.IX.2019 e ka pranuar si të vlefshme kërkesën e punonjëses dhe i ka anluar aktvendimin dhe vendimin si joligjore. Ky aktgjykim i shkallës së parë është konfirmuar në datën 6.XII.2019 me aktgjykim të Gjykatës së Apelit në Shtip. Të dyja gjykatat kanë konstatuar se veprimet e punonjëses gjatë punës së saj nuk përmbajnë elemente të shkeljes së detyrave të punës, si shkelje e rëndë e obligimit zyrtar dhe dispilinës së punës. Sipas gjykatave, punonjësja nuk i ka shkaktuar dëm të qëllimshëm punëdhënësit, madje as nga pakujdesia.
Në mënyrë shtesë, Gykata e Apelit në Shtip ka vendosur se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka konstatuar se punonjësja duhet të kthehet në vendin e njëjtë të punës ku edha ka punuar deri në atë kohë. Gjykata e Apelit e ka modifikuar aktgjykimin në këtë pjesë dhe ka gjykuar se punonjësja duhet të kthehet në vend pune që i përshtatet shkallës së saj të përgatitjes profesionale, respektivisht shkallës së arsimit.
- Sulm fizik nga kolegu në vendin e punës
Një punonjëse në një ent publik shëndetësor n’a ka njoftuar se kishte qenë e sulmuar fizikisht nga kolegu i saj në vendin e punës. Pas një mosmarrëveshje të shkurtër verbale, ai është afruar drejt saj, e ka shtyrë në dysheme dhe e ka goditur në pjesën e barkut. Të njëjtën ditë, punonjësja e ka denoncuar rastin në stacionin e policisë. Drejtori i repartit në të cilin ajo punon, asaj dhe dhunuesit u ka shqiptuar masë disiplinore në formë të vërejtjes publike për shkak të parregullsisë së dukshme disiplinore.
Punëdhënësi nuk e ka identifikuar këtë ngjarje si shkelje në vendin e punës dhe nuk e ka njoftuar Inspektoratin shtetëror të punës. Në këtë mënyrë, ka vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 36 paragrafi 1 të Ligjit për siguri dhe shëndet në punë. Dispozita parashikon se punëdhënësi është i obliguar që menjëherë, ose më së voni 48 orë pas ngjarjes, t’a njoftojë me shkrim Inspektoratin e punës për çdo ndodhi që paraqet rrezik indirekt ose që rrezikon sigurinë e punonjësve në punë.
Punëdhënësi mund të anulojë kontratën e punësimit të punonjësit për shkak të shkeljes së rendit dhe disiplinës në punë me afat largimi nga puna, ndër të tjerat edhe nëse punonjësi shkakton rrëmujë dhe sillet dhunshëm gjatë orarit të punës. Sjellja e dhunshme, respektivisht sulmi i dhunshëm ndaj koleges, sigurisht paraqet shkelje të rendit dhe disiplinës në punë, në bazë të së cilës punëdhënësi mund dhe duhet të anulojë kontratën e punësimit të punonjësit.
Dhuna ndaj grave kuptohet si shkelje e të drejtave të njeriut dhe formë e diskriminimit ndaj grave. Maqedonia, si shtet anëtar i Konventës së Stambollit, ka për obligim që të përmbahet nga pjesëmarrja në çfarëdo akti të dhunës ndaj grave dhe të sigurojë që organet shtetërore, funksionarët, nëpunësit, institucionet dhe akterët e tjerë që veprojnë në emrin e shtetit të veprojnë në përputhje me këtë obligim.
Për këtë shkak, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut kërkoi që Inspektorati shtetëror i punës të zbatojë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese dhe të hetojë nëse punëdhënësi ka vepruar në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe dispozitat e legjislacionit maqedonas të punës për mbrojtje nga dhuna ndaj grave. Në veçanti ka të bëjë me obligimin e punëdhënësit që të ofrojë siguri dhe shëndet në punë për punonjësit e tij nga çdo aspekt lidhur me punën.
Rekomandim: Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut kërkon nga Inspektorati shtetëror i punës që t’i ndërmerr të gjitha masat përkatëse inspektuese që i ka në kompetencë dhe të inicojë procedura penale kundër punëdhënësve në rastet kur mosrespektimi i detyrimeve të tyre shkakton dëm serioz mbi sigurinë dhe shëndetin e punonjësve.
PUNËTORET NË INDUSTRINË E TEKSTILIT
Punëtoret në industrinë e tekstilit nga Dellçeva kanë punuar në kushte të papërshtatshme shëndetësore dhe higjienike pa ofruar masa përkatëse për siguri dhe shëndet në punë nga punëdhënësi
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ishte njoftuar se punonjësit në punëtorinë e tekstilit në Dellçevë kishin punuar pa ngrohje përkatëse në repartet e prodhimit dhe se kishin punuar me materiale për të cilat janë të domosdoshme pajisje për mbrojtje personale të punonjësve, e të cilat nuk i kishin. Përveç kësaj, punonjësit në këtë punëtori tekstili nuk i kishin marrë as edhe përllogaritjet mujore të pagave.
Këta punonjës për disa muaj me rradhë nuk i kishin marrë përllogaritjet mujore të pagave nga punëdhënësi, me ç’rast nuk kishin njohuri se sa ishte paga e tyre mujore deri në momentin e tërheqjes në bankë, madje nuk kanë pasur asnjë informacion rreth mënyrës së përllogaritjes së pagave dhe nëse të njëjtat janë përllogaritur në përputhje me ligjin. Për shkak të kësaj shkelje nga ana e punëdhënësit, punonjësit nuk kishin njohuri madje as për faktin nëse është përllogaritur dhe arkëtuar shtesa për përvojën e punës dhe shtesa për punën jashtë orarit në përputhje me ligjin dhe marrëveshjen kolektive.
Sipas rrëfimeve të punonjësve, në repartet e prodhimit të punëdhënësit nuk kishte as ngrohje përkatëse. Përveç kësaj, punonjësit kishin punuar me materiale specifike, ngjyrëra dhe materie të rrezikshme për të cilat duhet të merren masa të posaçme për mbrojtje të sigurisë dhe shëndetit të punonjësve. Në procesin e prodhimit kishte pasur edhe zhurmë të madhe, për të cilën arsye punonjësve është dashur gjithashtu t’ju sigurohet pajisje për mbrojtje të shëndetit të tyre.
Duke u bazuar në këto njohuri, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka parashtruar iniciativë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese te Inspektorati shtetëror i punës, duke kërkuar që Inspektorati të zbatojë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese dhe të konstatojë nëse ekzistojnë shkeljet e përmendura të drejtave të punëtorëve.
Rekomandim: Kërkojmë që Inspektorati shtetëror i punës të zbatojë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese te punëdhënësi i denoncuar dhe të konstatojë nëse punëdhënësi i ka dhënë përllogaritjet mujore të pagave të punonjësve, nëse punonjësit punojnë në kushte përkatëse shëndetësore dhe higjienike dhe nëse punëdhënësi i ka marrë masat e nevojshme për siguri dhe shëndet në punë. Njëherit, edhe më tej i inkurajojmë punonjëset dhe punonjësit në industrinë e tekstilit që të vazhdojnë t’i denoncojnë shkeljet e të drejtave të tyre të punëtorëve, si hap i parë drejt përmirësimit të gjendjes.
DISKRIMINIMI
DISKRIMINIM NË BAZË SEKSI DHE GJINIE në libër shkollor të sociologjisë për vitet e dyta të shkollave të mesme
Gjatë muajit dhjetor, në rrjetet sociale qarkullonte fotografi e një libri shkollor të Sociologjisë për vitet e dyta të shkollave të mesme, botuar në vitin 2002 nga autorët Nellko Stojanovski, Mileva Gjurovska dhe Zoran Matevski, që janë profesorë universitarë. Përmbajtja e librit ka shkaktuar valë reagimesh te opinioni më i gjerë, për shkak të shkeljes së të drejtës së arsimimit me përmbajtje diskriminuese të librit në bazë seksi dhe gjinie.
Në libër, ndër të tjerat, thuhet se nëse gruaja është e mbyllur në shtëpi, ajo nuk do të ketë mundësi të kryejë vepra penale, kurse përmendet njëashtu se edhe tradhtia bashkëshortore dhe abortusi janë vepra penale, që është në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili rregullon se cilat veprime paraqesin vepra penale.
Përmbajtja kontestuese thotë: „Nëse gruaja është e mbyllur në shtëpi dhe nuk ka role publike, ajo nuk do të ketë mundësi të kryejë vepra penale. Gruaja në atë mënyrë është e mbrojtur nga komunikimet e shumta, përgjegjësitë, angazhimet, garat, konfliktet dhe është e parasupozuar të kujdeset për familjen dhe me këtë është më pak e ekspozuar ndaj ndikimit të faktorëve objektivë kriminogjenë.“
Në vazhdim të tesktit, njëashtu thuhet se „Një grua që ka dëshirë t’i ndryshojë partnerët e dashurisë (dashnorët), komuniteti e quan grua të pamoralshme, grua të “lehtë”.
Me këtë lloj teksti promovohen vlerat patriarkale dhe kufizohet pjesëmarrja e gruas në sferën publike, çka paraqet diskriminim në bazë seksi dhe gjinie.
Libri i njëjtë edhe para disa vitesh ka ngjallur reagime te opinioni kur u publikua një pjesë e përmbajtjes së tij, në të cilën thuhet se: „përfaqësuesit e shtresave më të larta i detyrojnë fëmijët e tyre që të mbarojnë shkolla elitare edhe pse nuk kanë arsye ekonomike për të dhe se ata mund t’i punësojnë fëmijët e tyre pa mbaruar ndonjë shkollim të veçantë “.
Për këtë rast, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka inicuar procedurat e nevojshme para Avokatit të Popullit dhe Inspektoratit shtetëror të arsimit.
Rekomandim: Kërkojmë nga Ministria e arsimit që ta tërheq nga përdorimi librin shkollor „Sociologjia“ për vitet e dyta të shkollave të mesme, në përputhje me nenin 26 paragrafin 2 të Ligjit për librat shkollorë për arsimin fillor dhe të mesëm dhe të fillojë procedurë për botimin e një libri të ri, që do të promovojë dhe respektojë barazinë gjinore, në përputhje me ligjet pozitive të vendit dhe standardet ndërkombëtare për të drejtën e arsimimit.
DHUNË NË FAMILJE DHE NË BAZË GJINORE
ME MBROJTJE PËRKATËSE NË PARANDALIMIN E VRASJES SË GRAVE (FEMICID)
Gjatë muajit dhjetor, te Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut kanë denoncuar tri gra për shkak të dhunës fizike dhe psiqike në familje nga ana e partnerit në kurorë, dhunë psiqike në familje nga ana e ish-partnerit dhe diskriminim në vendin e punës në bazë seksi dhe gjinie.
Nënë e papunë me nëntë fëmijë ka denoncuar te Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut për shkak të dhunës shumëvjeçare fizike dhe psiqike nga ana e partnerit të saj në kurorë, i cili dhunën shpesh e kryente nën ndikimin e alkoolit. Sulmi i fundit fizik ka ndodhur pothuajse para njëmbëdhjetë muajve kur viktima kishte marrë lëndime të rënda trupore, kurse nga ai moment ajo është e përkujdesur në Shelter-qendër. Partneri i saj i kurorës është në liri, kurse ndaj tij për momentin po zhvillohet procedurë penale në Prokurorinë themelore publike. Ai, publikisht është kërcënuar se nëse gjykohet me vendim me burg, do ta vriste bashkëshorten e saj.
Pasi që viktima është përkujdesur në Shelter-qendër, autori i dhunës në familje ka vazhduar të banojë në shtëpinë e tyre të përbashkët me disa prej fëmijëve, tre nga të cilët janë të mitur, kurse njëri me pengesa të kombinuara dhe nuk është në gjendje që të ushqehet vetë, të lëviz, të mbathet dhe t’i kryejë nevojat themelore fiziologjike.
Në muajin nëntor, dhunuesi është përpjekur që me thikë ta sulmojë njërin prej djemve, në prezencë të fëmijëve dhe miqve të tjerë që kishin qenë prezentë me rastin e një ahengu shtëpiak. Nëpunës zyrtarë të Ministrisë së punëve të brendshme, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, kurse Qendra për punë sociale ishte njoftuar ditën e rradhës. Pas njoftimit të Qendrës për punës sociale, tre fëmijët e mitur ishin përkujdesur në Shelter-qendër së bashku me të ëmën e tyre, djali që ishte sulmuar me thikë nga i ati ishte shpërngulur në banesë me qira, kurse dhunuesi kishte mbetur të jetojë në shtëpi së bashku me fëmijën me pengesa.
Duke marrë në konsideratë se bëhet fjalë për person i cili është jashtëzakonisht i dhunshëm dhe shpesh nën ndikimin e alkoolit, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut menjëherë ka kërkuar që të veprojë Qendra për punë sociale. Nga Qendra është kërkuar urgjentisht që të shkohet në vendin e ngjarjes dhe të kryejnë këqyrje në shtëpinë e kësaj familje me qëllim që të konstatohet se në çfarë kushte jetojnë babai dhe djali, vallë nëse babai është në gjendje të kujdeset për fëmijën me pengesa, cila është gjendja e tij shëndetësore dhe për cilat arsye është lejuar që ky fëmijë të jetojë bashkë me të atin e tij dhunues.
Rekomandim: Vrasjet e bazuara në gjini, respektivisht femicidet nuk ndodhin papritmas dhe rastësisht, por paraqesin formën më të rëndë të dhunës ndaj grave, paraprirë me dhunë të vazhdueshme shumëvjeçare. Nëse dhuna në familje nuk denoncohet, ose nëse institucionet relevante nuk ofrojnë mbrojtje përkatëse për viktimën, atëherë është më e madhe gjasa që dhuna të kalojë në femicid.