Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut Shtator 2019
October 15, 2019
PËRMBAJTJA
DHUNA NË FAMILJE DHE NË BAZË GJINORE
- Nëpunësit policor e kanë për detyrim ta identifikojnë dhunën ndaj grave si dhunë në bazë gjinore
GJUHA E URREJTJES
- Rritje e dyfishtë e trendit të gjuhës së urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
- Inspektorati shtetëror i punës (ISHP) ka ngritur padi penale për fatkeqësi fatale në vendin e punës – janë konstatuar një varg lëshimesh tek punëdhënësi
PUNËTORET NË SEKTORIN E TEKSTILIT
– Kanë punuar gjatë kohës së festës shtetërore pa kompenzim – ISHP ka konstatuar mospagesë të shtesave në pagë
PERSONAT ME PENGESA
- Pamundësia e personave me pengesa, që në mënyrë të barabartë me të tjerët, t’i përdorin pishinat për rehabilitim, konsiderohet diskriminim i drejtpërdrejtë
DISKRIMINIMI
- Dënim i ashpër për fjalorin e gazetarëve dhe mediave që përhapin gjuhë seksiste dhe nënçmuese ndaj grave
– Deklaratë shqetësuese, seksiste dhe mizogjinore e zëdhënësit të VMRO – DPMNE-së
SHTATOR 2019
DHUNA NË FAMILJE DHE NË BAZË GJINORE
NËPUNËSIT POLICOR E KANË për detyrim TA IDENTIFIKOjnë DHUNËN NDAJ GRAVE SI DHUNË NË BAZË GJINORE
Në datë 25.07.2019, Ministria e Punëve të Brendshme e njoftoi publikun se një burrë – drejtues i automjetit taksi, fizikisht dhe verbalisht ka sulmuar një grua. Në rrjetet sociale u shpërnda video regjistrimi i ngjarjes, në të cilin shihet sulmi nga ana e burrit, me çrast gruaja rrëzohet në rrugë.
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut është njoftuar se nga ana e nëpunësve policor që kanë vepruar pas paraqitjes së ngjarjes është konstatuar kundërvajtje të Ligjit për kundërvajtje kundër rregullit dhe qetësisë publike, me çrast për të dy pjesëmarrësit ishin ngritur denoncime për kundërvajtje.
Për këtë veprim joprofesional dhe joligjor, Komiteti i Helsinkit ka parashtruar ankesë në Njësinë për kontroll të brendshëm, hetime penale dhe standarde profesionale të cilët na njoftuan se ngjarja fillimisht e kualifikuar si kundërvajtje është rikualifikuar në vepër të kryer penale „Dhunë” nga neni 386 paragrafi 1 të Kodit Penal.
Nëpunësi policor gjatë veprimit në rastin konkret ka bërë një varg lëshimesh, duke mos e njoftuar njësinë përkatëse organizacionale – Njësinë për krim të dhunshëm në kuadër të Sektorit për punë të brendshme – Shkup dhe poashtu nuk e ka njoftuar as Prokurorinë Themelore Publike. Kundër tij është ngritur procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore në përputhje me Kontratën Kolektive të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Rekomandim: Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut e parashikon krijimin dhe realizimin e një cikli trajnimesh për nëpunësit policor në Ministrinë e punëve të brendshme, të përfshirë në sistemin për parandalimin e dhunës familjare dhe dhunës në bazë gjinore. Objektivi i trajnimeve është identifikimi i dhunës në bazë gjinore, impelementim më të mirë të standardeve që i parashikon Konventa e Stambollit dhe përmirësim të njohurive të personave përgjegjës dhe nëpunësve policor të përfshirë në implementimin e Konventës.
GJUHA E URREJTJES
RRITJE E DYFISHTË E TRENDIT TË GJUHËS SË URRejTJES NË BAZË TË PËRKATËSISË ETNIKE
Gjatë muajit shtator, në portalin www.govornaomraza.mk ishin verifikuar 43 denoncime për gjuhë të urrejtjes në mediat sociale. Numri më i madh, respektivisht 39% prej denoncimeve, i referoheshte gjuhës së urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike dhe tregon rritje për 100% në krahasim me muajin gusht. Me rastin e analizave të denoncimeve të paraqitura, nuk mund të përcaktohej një trend që mund të shkaktonte një diskurs të tillë negativ. Nga kjo mund të konstatohet se gjuha e urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike është prezente në vazhdimësi.
Pastaj, 14 denoncime, ose 25%, kishin të bënin me gjuhë të urrejtjes në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Nga 9 denoncime, ose 16%, kishin të bënin me gjuhë të urrejtjes në bazë të përkatësisë politike dhe në bazë të seksit dhe gjinisë.
Pasqyrë e denoncimeve të verifikuara për gjuhë të urrejtjes për muajin shtator 2019
Ajo që ishte regjistruar nga ana e ekipit të Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut ishte rritja e trendit të gjuhës së urrejtjes në mediat sociale lidhur me ndodhitë aktuale politike në shtetin tonë. Trendi i gjuhës së urrejtjes në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, respektivisht seksit dhe gjinisë, si gjatë periudhës së kaluar, ka vazhduar edhe gjatë muajit shtator, që ndërlidhet me rastin “Zhvatja”.
Trendi i gjuhës së urrejtjes për muajin shtator 2019
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
ISHP KA NGRITUR PADI PENALE PËR FATKEQËSI FATALE NË VENDIN E PUNËS – JANË KONSTATUAR NJË VARG LËSHIMESH TEK PUNËDHËNËSI
Gjatë muajit shtator, 13 punëtorë janë drejtuar tek Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut duke kërkuar informacione juridike lidhur me:
- Procedurën për mbrojtje nga ngacmimi në vendin e punës;
- Lëndimet në vendin e punës;
- Arkëtimin e regresit për pushim vjetor (K15);
- Afatin prej 30 ditëve për vendimmarrje të gjykatës së shkallës së dytë në procedura për konteste të marrëdhënies së punës dhe
- Mundësinë për caktimin e punëtorit në një vend tjetër pune, në pajtim me shkallën e tij të përgatitjes profesionale, në përputhje me Kontratën kolektive për arsimin fillor.
Gjatë muajit shtator, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka regjistruar një rast të lëndimit në vendin e punës i cili ka përfunduar me vdekjen e punëtorit. Komiteti ka kërkuar informacione nga Inspektorati shtetëror i punës (ISHP) për inspektimin e kryer dhe për parregullsitë e mundshme në rast të shkeljes së dispozitave të Ligjit për marrëdhënie të punës dhe Ligjit për siguri dhe shëndet në punë. Inspektorati na ka njoftuar se inspektorë të tyre menjëherë pas fatkeqësisë kanë dalur në terren dhe kanë konstatuar se punëtori kishte kryer punë në mbulimin e pullazit dhe punë me llamarinë, me çrast ka rënë prej lartësisë prej rreth tetë metra dhe për një kohë të shkurtër ka ndërruar jetë në Spitalin e përgjithshëm në Strugë. ISHP ka konstatuar se punëtorit të ndjerë nuk i është kryer kontrolli mjekësor për punë nën kushte të veçanta as edhe trajnimi përkatës nga fusha e sigurisë dhe shëndetit në punë. Pastaj, në njësinë rajonale të ISHP-së nuk është dërguar Njoftim për fillimin e punëve ndërtimore dhe Plan për siguri dhe shëndet në punë, e që është detyrim nga Rregullorja për punë në kantierët e përkohshme të ndërtimit. Gjithashtu, nuk ishte kryer vlerësimi i rrezikut në vendin e punës (montues i paneleve) dhe nuk ishte përgatitur deklarata për siguri me të cilën precizohet mënyra dhe masat që duhen të ndërmerren. Duke i konstatuar të gjithë këto parregullsi, Inspektorati ka ngritur padi penale kundër kryerësit si person juridik dhe kundër personit përgjegjës në subjektin juridik. Është inicuar edhe procedurë kundërvajtjeje kundër kryerësit të punimeve.
Rekomandim: Duke e pasur parasysh numrin e madh të fatkeqësive në vendin e punës në shtetin tonë dhe pasojat e shpeshta fatale në lokacione ndërtimore, apelojmë për veprim të menjëhershëm të Inspektoratit shtetëror të punës në të gjitha rastet e lëndimeve në vendin e punës. Komiteti i Helsinkit e thekson domosdoshmërinë e procesimit adekuat të këtyre rasteve tek institucionet kompetente. Gjithashtu, e ftojmë ISHP-në që t’i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme inspektuese në kompetencë të tij dhe të inicojë procedura penale kundër punëdhënësve kur për to ka arsye. Njëkohësisht, ju apelojmë punëdhënësve që në përpikmëri t’i respektojnë ligjet dhe rregulloret me të cilat ofrohen kushte të sigurta të punës, si mënyrë e vetme e parandalimit të këtyre dhe incidenteve të ngjashme.
PUNËTORET NË SEKTORIN E TEKSTILIT
KANË PUNUAR GJATË KOHËS SË FESTËS SHTETËRORE – ISHT ka konstatuar mospagesë të shtesave në pagë
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut parashtroi kërkesë drejtuar Inspektoratit shtetëror i punës për zbatimin e inspektimit të jashtëzakonshëm në shoqërinë tregtare Panovi Plus DOOEL Probishtip. Lëndë e inspektimit ishte përcaktimi i evidencës joadekuate të orarit të plotë të punës dhe punës së papaguar gjatë kohës së festës shtetërore. Pas realizimit të inspektimit, ISHP-ja ka konstatuar se shoqëria tregtare Panovi Plus DOOEL punon në dy lokacione, në njërin prej reparteve nuk kryhet evidencë elektronike e orarit të punës dhe punëtorët gjatë muajit qershor kishin punuar gjatë kohës së festës shtetërore. Puna nuk ishte evidentuar në përllogaritjet mujore të pagave dhe punëtorët nuk e kanë marrë kompenzimin shtesë për punë gjatë kohës së festës shtetërore në pajtim me Ligjin për marrëdhënien e punës. Për këtë arsye, inspektori shtetëror i punës që e ka kryer inspektimin, e ka detyruar punëdhënësin që për një afat të caktuar ta vë në përdorim evidencën elektronike të orarit të punës dhe punëtorëve t’ju paguhet kompenzimi shtesë për punë gjatë festës shtetërore për muajin qershor në pajtim me Ligjin për marrëdhënien e punës.
Rekomandim: Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut e mirëpriti këtë veprim të Inspektoratit shtetëror të punës dhe do ta vazhdojë monitorimin e rastit deri në heqjen e parregullsive në këtë shoqëri tregtare. Ju apelojmë punëdhënësve që t’i respektojnë të drejtat e punëtorëve dhe në përpikmëri ta zbatojnë Ligjin për marrëdhënien e punës. Njëkohësisht, edhe më tej i inkurajojmë punëtoret dhe punëtorët në sektorin e tekstilit që të vazhdojnë t’i denoncojnë shkeljet e të drejtave të tyre të punëtorëve, si hap i parë drejt përmirësimit të gjendjeve.
PERSONAT ME PENGESA
Pamundësia e personave me pengesa, që në mënyrë të barabartë me të tjerët, t’i PËRDORIN pishinat për rehabilitim, konsiderohet diskriminim i drejtpërdrejtë
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, gjatë muajit shtator, ka regjistruar një rast të denoncuar nga një person me pengesa trupore, e cila pas një aksidenti trafiku i ka të amputuara të dyja këmbët.
Për shkak të gjendjes shëndetësore në të cilën gjendet pacientja, nga ana e mjekut specialist i rekomandohet rehabilitim mjekësor në pishinë në ESHP Enti për mjekësi fizikale ose në Spitalin e përgjithshëm të qytetit „8 Shtatori“. Për shkak se vinçat për shfrytëzimin e pishinës në këto ente shëndetësore nuk funksionojnë, ajo kishte qenë e detyruar të rehabilitohet në Banjën e Katllanovës. Shkuarja e pacientes për rehabilitim jashtë bashkësisë ku jeton, është edhe një pengesë në funskionimin e saj tashmë të ndërlikuar të përditshëm dhe njëkohësisht është edhe një shpenzim shtesë financiar për të.
Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut ia garanton asaj të drejtën e mbrojtjes shëndetësore si çdo qytetari (neni 39). Për më tej, Deklarata universale për të drejtat e njeriut garanton se secili e ka të drejtën e standardit të jetesës që do t’i sigurojë shëndet dhe mirëqenie, atij dhe familjes së tij, përfshirë këtu edhe kujdesin mjekësor (neni 25).
Konventa për të drejtat e personave me pengesa, nënshkruar nga Republika e Maqedonisë së Veriut në vitin 2007 dhe ratifikuar në vitin 2011, garanton se të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit dhe e kanë të drejtën e mbrojtjes së barabartë, pa asnjë lloj diskriminimi. Duke e pasur parasysh këtë, shtetet-anëtare ndalojnë çfarëdo diskriminimi në bazë të pengesave dhe personave me pengesa u garanton mbrojtje të barabartë dhe efikase ligjore nga diskriminimi në çfarëdo baze. Në drejtim të realizimit të këtij qëllimi, shtetet-anëtare duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat përkatëse për të siguruar përshtatje adekuate. Personat me pengesa kanë të drejtë të jetojnë të pavarur dhe në tërësi të marrin pjesë në të gjitha aspektet e jetës. Nga kjo, shtetet-anëtare kanë për detyrim që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që personave me pengesa t’u sigurohet qasje, në mënyrë të barabartë me të tjerët, drejtuar enteve shëndetësore të dedikuara për rehabilitim. Për më tepër, Konventa parashikon se shtetet-anëtare duhet të ndërmarrin masa efikase dhe përkatëse në drejtim të organizimit, përforcimit dhe përfshirjes së shërbimeve dhe programeve të shumta për habilitim dhe rehabilitim të personave me pengesa. Kjo nënkupton se shtetet-anëtare e kanë për detyrë që të sigurojnë shërbime dhe të zbatojnë programe të cilat e mbështesin pjesëmarrjen dhe përfshirjen në bashkësi, në të gjitha aspektet shoqërore, e mbi të gjitha, ato të jenë në bazë vullnetare dhe të disponueshme për personat me pengesa sa më afër që të jetë e mundur bashkësive të tyre.
Rekomandim: Personat me pengesa kanë të drejtë, në mënyrë të barabartë me të tjerët, t’i përdorin shërbimet shëndetësore, në rastin konkret mundësia për rehabilitim në pishinë në entet publike shëndetësore. Pamundësia e personave me pengesa, që në mënyrë të barabartë me të tjerët, t’i përdorin pishinat për rehabilitim, konsiderohet diskriminim i drejtpërdrejtë. Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut iu drejtua ESHP Entit për mjekësi fizikale dhe rehabilitim dhe Spitalit të përgjithshëm të qytetit „8 Shtatori“ duke kërkuar, që në afat sa më të shkurtër t’i riparojnë vinçat, respektivisht t’i ndërmarrin masat bazike për ofrimin e qasjes në pishina për personat me pengesa dhe në atë mënyrë t’i largojnë praktikat diskriminuese aktuale. Komiteti i Helsinkit do të vazhdojë me monitorimin e gjendjes në këto dy ente shëndetësore.
DISKRIMINIMI
Dënim i ashpër për fjalorin e gazetarëve dhe mediave që përhapin gjuhë seksiste dhe nënçmuese ndaj grave
Në periudhën e raportimit, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka parashtruar ankesa drejtuar Këshillit për Etikë në Media kundër portaleve expres.mk dhe vistina.com.mk për ngacmim në bazë të seksit dhe gjinisë.
Pavarësisht të gjitha apeleve drejtuar mediave që të mos transmetojnë deklarata seksiste pa iu referuar atyre në mënyrë kritike, disa media dhe gazetarë të caktuar edhe vetë janë burime të deklaratave shqetësuese dhe mizogjinore. Në vend se të luftojnë kundër diskriminimit dhe fenomeneve negative në diskursin publik, ata drejtpërdrejt kontribojnë për krijimin e atmosferës në të cilën përqeshet pjesëmarrja e gruas në jetën publike dhe gratë në përgjithësi. Ky lloj raportimi krijon mjedis armiqësor dhe nënçmues ndaj të gjitha gratë.
Në profilin e Fejsbukut të gazetarit Ljupço Zllatev mund të lexohet një porosi[1] e publikuar, e drejtuar prokurores speciale Fatime Fetai, e cila ka për qëllim ta dëmtojë dinjitetin e saj dhe ta diskreditojë profesionalizmit e saj dhe përdor gjuhë shoviniste dhe mizogjinore. Duke e përmendur vendin e banimit të saj në kontekst negativ me të cilën e thekson pozitën e nënshtruar të gruas, „sjelljen fshatareske“ që kinse e ka imponuar dhe dhunën që sipas tij është tipike për fshatrat, gazetari me gjuhën e tij i diskriminon të gjitha gratë që nuk jetojnë ose që nuk kanë prejardhje nga qyteti. Edhe më shqetësues është fakti se përveç karakterit rural të mjedisit, bëhet fjalë për mjedis ku banon popullsi shqiptare dhe në këtë mënyrë, Zllatev prejudikon se dhuna ndaj grave është praktikë e zakonshme në këto mjedise.
Në nivel të ngjashëm janë edhe artikujt në portalet expres.mk dhe vistina.com.mk ku komentohet përbërja e kabinetit të Ministres së re për financa. Pas deklaratave të papranueshme të zëdhënësit të VMRO DPMNE-së me rastin e zgjedhjes së Nina Angelovska, këto media plasojnë komente nënçmuese për Ana Marija Makeska, koordinatore për media sociale dhe marrëdhënie me publikun pranë Ministrisë së Financave. Duke e komentuar pamjen e saj fizike me qëllim që ta diskreditojë profesionalizmit e saj, ato i diskriminojnë të gjitha gratë, duke i nënçmuar aftësitë e tyre të punës.
I dënojmë ashpër këto lloj raportimesh dhe krijimesh të teksteve dhe deklaratave që gratë i vënë në pozitë të nënshtruar dhe që e shkelin parimin e barazisë ndërmjet burrit dhe gruas.
Rekomandim: Apelojmë që Këshilli për etikë në media dhe Shoqata e gazetarëve në mënyrë të ashpër t’i dënojnë këto raportime dhe deklarata të gazetarëve, si dhe të apelojnë për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Njëkohësisht apelojmë që sa më shpejtë të bëhet zgjedhja e anëtarëve të Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, i cili në përputhje me kompetencat e tij ligjore do të mund të inicojë procedurë për mbrojtje nga diskriminimi dhe të konstatojë ngacmim të bazuar në seks dhe gjini.
DEKLARATË SHQETËSUESE, SEKSISTE DHE MIZOGJINORE E ZËDHËNËSIT TË vmRO DPMNE-së
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut bashkë me anëtarët e tjerë të Rrjetit për mbrojtje nga diskriminimi në mënyrë të ashpër e dënon deklaratën shqetësuese, seksiste dhe mizogjinore të zëdhënësit të VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski, drejtuar Ministres së financave, Nina Angelovska.
Në profilin e tij në Fejsbuk, mund të lexohet një shkrim nga data 3.9.2019, i cili është plot me porosi që shfaqin ngacmim në bazë të seksit dhe gjinisë, përhapjes së mizogjinisë dhe seksizmit dhe përforcim të stereotipeve rreth pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike. Duke përdorur gjuhë primitive dhe nënçmuese, në përpjekjen që ta diskreditojë Ministren e financave, zëdhënësi i VMRO DPMNE-së e paraqet ministren si grua promiskuitete dhe e paaftë, „detyra e vërtetë” e së cilës është t’i plotësojë nevojat seksuale të politikanëve meshkuj, e cila do të thotë stereotip seksist gjithëpërfshirës për gratë me arritje profesionale në të gjitha sferat shoqërore.
Nga njëra anë këto deklarata kanë ndikim negativ në opinionin publik, në veçanti kur vijnë nga ana e zëdhënësit të partisë më të madhe opozitare. Nga ana tjetër, me këto deklarata krijohet mjedis armiqësor dhe nënçmues për pjesëmarrjen e grave në jetën publike, dëmtohet dinjiteti dhe ofendohen gratë.
Politikanët meshkuj duhet të jenë partnerë aktivë, mbështetës dhe promovues për përfshirjen e grave në jetën publike dhe politike dhe për përforcimin e barazisë gjinore në të gjitha sferat e shoqërisë.
Përsërisim se vendi i gruas është kudo që ajo dëshiron, fuqia politike ju takon grave, njësoj siç kujdesi ndaj familjes ju takon burrave. Pjesëmarrja e grave në jetën publike është parakusht për zhvillim, mirëqenie dhe demokraci.
Për këto arsye e ftojmë zëdhënësin e VMRO DPMNE-së Naum Stoilkovski publikisht të kërkon falje për deklaratën e tij shoviniste, seksiste dhe mizogjinore.
Rekomandim: Ju apelojmë mediave që të mos i transmetojnë, pa iu referuar atyre në mënyrë kritike, këto deklarata senzacionale dhe seksiste me të cilat bëhet ngacmim dhe dëmtim i dinjitetit të grave dhe inkurajohen paragjykimet gjinore.