July 27, 2016

Gjykata Kushtetuese në presionin midis interesave politike dhe të drejtave të njeriut

Në pesë vitet e kaluara, sidomos prej vitit 2013 deri më sot, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë shënon një numër të zvogëluar të lëndëve të marra dhe të përfunduara, numër të zvogëluar të dispozitave të shfuqizuara dhe të anuluara nga ligjet dhe aktet nënligjore, zvogëlim të numrit të të punësuarve dhe mjete të pandryshueshme në buxhetin vjetor. Sipas raporteve vjetore të Gjykatës, numri i lëndëve është në rënie të vazhdueshme dhe në krahasim me vitin 2011 kur janë pranuar 236, në vitin 2015 janë pranuar 128 lëndë (-46%). Krahasimi për të njëjtat vite në raport të lëndëve të përfunduara është 231/150 (-35%); vendime të shfuqizuara/anuluara 32/11 (-66%); dhe kërkesa për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarit 23/13 (-43%). Këta indikatorë negativë dëshmojnë një pasivitet të pazakontë në punën e Gjykatës, zvogëlim të besimit te qytetarët, prirje ndaj politikave të pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv dhe pakujdesi të shtetit për zhvillimin e bastionit të të drejtave të njeriut dhe përparimin e profesionalizmit të gjykatësve kushtetues dhe shërbimit profesional.

Gjykata Kushtetuese gjatë vitit 2015 dhe 2016 është kritikuar shpesh nga opinioni profesional dhe i përgjithshëm, kurse për punën e saj edhe mediat kanë folur shpesh. Në kushte kur është kontestues se a është përbërja e tanishme e Gjykatës Kushtetuese nga radhët e juristëve të shquar, zgjedhja e tyre politike, mosrespektimi i praktikës së mëparshme personale, mbyllja e seancave për opinionin dhe mospranimi i mendimeve të Komisionit të Venecias, u hapën dyshime me bazë se Gjykata në vend që të jetë organ i cili e mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë u shndërrua në institucion i cili është i nënshtruar ndaj pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv dhe partive politike. Kështu është shkelur pavarësia, paanësia, kompetenca dhe legjitimiteti i Gjykatës Kushtetuese. Problemet në funksionimin e Gjykatës janë përmendur edhe në raportet e Komisionit Evropian për përparim të Republikës së Maqedonisë, i cili ka vërejtje për përbërjen e Gjykatës, anësinë e saj dhe prolongimin në marrjen e vendimeve.

Komiteti i Helsinkit është një prej organizatave të rralla në Republikën e Maqedonisë që ka përvojë shumëvjeçare dhe të vazhdueshme në mbikëqyrjen e procedurave gjyqësore dhe seancave. Përveç kësaj, nëpërmjet programit të vet për ndihmë juridike pa pagesë, Komiteti kishte mundësi të shqyrtojë listat të cilat janë pjesë përbërëse e lëndëve të shqyrtuara para Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, mbikëqyrësit e Komitetit të Helsinkit kishin mundësi që procedurat gjatë seancave të Gjykatës t’i mbikëqyrin edhe nga aspekti shkencor-juridik edhe nga aspekti praktik. Kjo analizë ka dalë nga 30 seancat e mbikëqyrura të Gjykatës Kushtetuese në periudhën mars 2015 deri më 18 maj 2016.

Dokumentet