Raport vjetor për të dejtat e njeriut në vitin 2012
June 26, 2013
Në vitin 2012 u konstatuan shkelje serioze të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, si dhe shkelje të rënda të parimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit. Ajo që është veçanërisht shqetësuese është se gjatë vitit raportues shkeljet e regjistruara të të drejtave dhe lirive të njeriut tregojnë jo vetëm probleme sistemike në funksionimin e organeve dhe institucioneve, por edhe abuzim të kompetencave të tyre. Raporti vjetor është një përmbledhje e analizave të situatës së konstatuar me të drejtat e njeriut në këto fusha: sistemi gjyqësor, legjislacioni, veprimi i policisë, lustrimi, diskriminimi, liria e mediave dhe liria e shprehjes, institucionet e mbyllura, të drejta ekonomike dhe sociale, të drejta dhe liritë civile dhe politike, dhe komuniteti LGBTI.
Komiteti i Helsinkit konstaton se më 24.12.2012 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë ndodhi një goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues. Gjegjësisht, Komiteti përgatiti një raport të veçantë për ngjarjet brenda dhe para ndërtesës së parlamentit në këtë ditë dhe konstatoi shkelje serioze të parimeve themelore të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Ngjarjet paraqesin një precedent të paparë dhe të frikshëm në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.
Lidhur me situatën në sistemin gjyqësor, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut arriti në përfundimin se është shkelur e drejta për gjykim brenda një kohe të arsyeshme nga ana e organeve administrative dhe Gjykata Administrative. Duke ndjekur punën e gjykatave në Republikën e Maqedonisë, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut konstatoi se pushteti gjyqësor është nën ndikimin e vazhdueshëm të pushtetit ekzekutiv, për shkak të së cilës gjykatat nuk arrijnë të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe as nuk sigurojnë një gjykim të drejtë në një pjesë të procedurave. Mungesa e transparencës së gjykatave në rastet e dëshmitarëve tashmë të mbrojtur vërehet gjithashtu si një problem, dhe gjykatat nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur rasteve të dhunës në familje.
Sa i përket legjislacionit, ky raport adreson pikat problematike në Ligjin për regjistrin e posaçëm të personave të dënuar për pedofili, Ligjin për përgjimin e komunikimeve, Ligjin për policinë, zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe Ligjin për punësim dhe sigurim në rast të papunësisë.
Gjatë vitit 2012, Komiteti reagoi lidhur me rastin e një vrasjeje të dyfishtë në Gostivar të kryer nga një nëpunës policie i cili ka nuk ka qenë në detyrë dhe për mënyrën se si ishte kryer hetimi policor për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.
Procesi i lustrimit edhe në vitin 2012 vazhdoi të zhvillohej jashtë kornizës së vendimeve të miratuara të Gjykatës Kushtetuese, por gjithashtu në kundërshtim edhe me mendimin e Komisionit të Venedikut, i cili thekson qartë të gjitha ato mospërputhje në ligj të cilat i kishte theksuar Komiteti i Helsinkit dhe në bazë të së cilit ai e bazoi Iniciativën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit mbi kushtet shtesë për ushtrimin e funksionit publik, e cila u parashtrua në Gjykatën Kushtetuese në muajin shtator të vitit 2012.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut aktivisht ka monitoruar situatën me diskriminim në Republikën e Maqedonisë gjatë gjithë vitit 2012 dhe konstatoi se përkundër faktit se kanë kaluar 2 vjet nga zbatimi i Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, ende nuk flitet për një mbrojtje efektive në fushën e diskriminimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për grupet e margjinalizuara. Ligji për parandalimin dhe mbrojtje nga diskriminimi mbeti i pandryshuar pavarësisht kritikave nga opinioni i ekspertëve dhe sektori joqeveritar, veçanërisht për pjesët që lejojnë punonjësit e administratës shtetërore të jenë anëtarë të Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi, por edhe për mos përfshirjen e orientimit seksual dhe identitetit gjinor si bazë për mbrojtje nga diskriminimi. Intensiteti i punës së Komisionit dhe dukshmëria e tij në publik nuk u shtua as në vitin 2012, gjë që i la qytetarët të painformuar në lidhje me mundësitë e mbrojtjes në rast diskriminimi dhe kompetencat e Komisionit për mbrojtjen e tyre. Fakti që në vitin 2012 ende nuk kishte asnjë proces gjyqësor për të konstatuar diskriminim, tregon vetëdijen e qytetarëve për mekanizmat e mbrojtjes nga diskriminimi.
Gjatë vitit 2012, Komiteti i Helsinkit në disa raste shprehu shqetësimin e tij rreth situatës në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, të cilat janë kategori të garantuara me kushtetutë në Republikën e Maqedonisë. Në këtë kontekst, mediat, gazetarët dhe e drejta për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias ishte një çështje nën monitorimin dhe interesin e vazhdueshëm të organizatave ndërkombëtare. Respektivisht, kur bëhet fjalë për këtë të drejtë, “Freedom House” konstatoi një rënie drastike të Republikës së Maqedonisë me 20 vende në krahasim me vitin e kaluar. Komiteti i Helsinkit në vazhdimësi i ka monitoruar mediat mediat, rrjetet sociale dhe deklaratat e zyrtarëve të lartë publik dhe përfaqësuesve të partive politike dhe gjithashtu arriti në përfundimin se gjatë vitit 2012, gjuha e urrejtjes shënoi një rritje e cila gjithashtu rezultoi në dhunë fizike që u bë një pjesë e jetës së përditshme në Republikën e Maqedonisë.
Lidhur me situatën në institucionet e mbyllura, Komiteti arriti në përfundimin se autoritetet e burgjeve vonojnë pa nevojë procesin e trajtimit të të dënuarve dhe dërgimin e tyre për trajtim mjekësor, një situatë që dëmton shëndetin e këtyre personave, duke shkelur të drejtën e tyre të garantuar ligjërisht për mbrojtje shëndetësore. Gjatë vitit, një numër i madh i të dënuarve që kontaktuan me Komitetin e Helsinkit në vitin 2012 u ankuan për mosfunksionimin e shërbimeve ligjore në institucionet ndëshkimore-korrektuese. Komiteti gjithashtu reagoi edhe ndaj mosfillimit të rindërtimit të burgjeve megjithë fondet e siguruara, për shkak të të cilave mijëra të dënuar akoma janë të akomoduar në kushte nën standarde. Komiteti ka zhvilluar gjithashtu një varg vizitash në institucionet psikiatrike në vend, duke regjistruar problemet në funksionimin e tyre të përditshëm.
2012-in lirisht mund ta quajmë një vit të luftës kundër padrejtësisë sociale dhe ushtrimit dhe mbrojtjes së të drejtave ekonomike dhe sociale. Ky konstatim buron nga një seri protestash përmes të cilave qytetarët kërkonin që shteti të mbrojë të drejtat e tyre si: konsumatorë (iniciativa qytetare AMAN), punëtorë të falimentuar (Riparimi i hekurudhave, OHIS dhe shoqata qytetare UNIT) dhe punëtorë shëndetësorë (greva e punëtorëve shëndetësorë). Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut gjithashtu vuri në dukje shkelje në ushtrimin e së drejtës për ndihmë financiare sociale, si dhe parregullsi në punën e Komisionit Rregullativ.
Të drejtat civile dhe politike në Republikën e Maqedonisë për vitin 2012 ishin të shprehura veçanërisht përmes ushtrimit të së drejtës për protestë paqësore (tubim publik), lirisë së asociimit dhe lirisë së shprehjes nga disa grupe shoqërore, organizata dhe shoqata joformale të qytetarëve. Një interes i veçantë i Komitetit, në të njëjtën kohë edhe praktikë, u bë vëzhgimi i protestave paqësore me kërkesë të individëve dhe grupeve për shkak të frikës së shprehur, mosmarrëveshjeve me nëpunësit e policisë që sigurojnë të drejtën për protestë paqësore, kërcënime, shantazhe, kufizime të të drejtave , presion në formën e kundër-protestave dhe diskriminimit politik për shkak të anëtarësimit në një parti politike. Në vitin e kaluar, Komiteti i Helsinkit ishte dëshmitar i disa ngjarjeve që tregojnë ndërhyrje serioze të shtetit në ushtrimin e këtyre të drejtave nga ana e qytetarëve. Ky raport adreson gjithashtu edhe të burgosurit politikë, si dhe rastet e presionit politik mbi individë për shkak të anëtarësimit të tyre në një parti politike.
Edhe në vitin 2012, personat e komunitetit LGBTI në Republikën e Maqedonisë gjithashtu u përballën me paragjykime ligjore dhe shoqërore, diskriminim, si dhe një mjedis jashtëzakonisht homofobik që ndikon në qasjen në legjislacion dhe mbrojtjen ligjore. Njerëzit e këtij komuniteti janë të detyruar t’i përshtaten një shoqërie dhe ambienti shumë homofobik dhe transfobik. Është veçanërisht e rëndësishme për Komitetin e Helsinkit, që në vitin 2012 hapi Qendrën për mbështetje LGBTI. Për fat të keq, kjo qendër ishte shënjestrës e dy sulmeve të dhunshme. Institucioneve kompetente u dhanë prova materiale për sulmet dhe Komiteti i Helsinkit pret një hetim cilësor dhe veprime të mëtejshme.