RAPORT PËR GJENDJEN DHE KUSHTET NË SPITALET PSIKIATRIKE DHE INSTITUCIONET E MBROJTJES SOCIALE
Ky raport është përgatitur në kuadër të projektit “Lufta kundër torturës dhe trajtimit çnjerëzor”, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Për qëllime të projektit është lidhur memorandum bashkëpunimi ndërmjet Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Shoqatës Maqedonase të Juristëve të Rinj dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Në periudhën nga tetori deri në nëntor të vitit 2023 janë realizuar 4 vizita, përkatësisht – ISHP Spitali Psikiatrik “Shkup”, ISHP Spitali Psikiatrik Negorci, ISHP Spitali Psikiatrik Demir Hisar dhe Institucioni Special Demir Kapi. Këto institucione janë përzgjedhur sepse hospitalizojnë persona të ndaluar dhe trajtuar në mënyrë të pavullnetshme, madje kanë edhe reparte gjyqësore ku mbahen dhe trajtohen pacientët me masa sigurie të përcaktuara nga gjykata, pra persona të privuar nga liria.
Gjetjet në këtë raport bazohen në vizitat e kryera nga ekipi i monitorimit, i cili gjatë vizitave ka inspektuar ambientet e institucioneve, ka zhvilluar një bisedë me drejtuesit e institucioneve, si dhe me psikiatër të punësuar, mjekë, psikologë, punonjës socialë, infermierë/e, kujdestarë, ndihmësmjekë, pacientë etj.
Në përputhje me nenin 7 të Konventës Evropiane për parandalimin e torturës dhe trajtimeve ose ndëshkimeve çnjerëzore ose degraduese, dhe për të parandaluar një trajtim dhe ndëshkim të tillë, është e nevojshme të monitorohen të gjitha institucionet ku ka persona të privuar nga liria, përfshirë spitalet psikiatrike dhe institucionet e mbrojtjes sociale.
Në gjetjet dhe rekomandimet e fundit të Komitetit për Parandalimin e Torturës gjatë vizitës në spitalet psikiatrike në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2019, inkurajohen autoritetet përkatëse që të ofrojnë kujdes adekuat në komunitet për pacientët me çrregullime kronike mendore të cilët nuk kanë nevojë për trajtim dhe kujdes spitalor, por për shkak të mungesës së kujdesit të duhur në komunitet, ata qëndrojnë në spital për vite me radhë. Komiteti vëren gjithashtu se: në disa reparte psikiatrike, tualetet, banjat dhe higjiena ishin në nivel shumë të ulët; disa pacientë nuk ishin në gjendje të dilnin jashtë për javë apo edhe muaj; gjendja e personelit ishte e pakënaqshme; ka pasur trajtim të pamjaftueshëm psiko-social; kufizimi mekanik është bërë edhe me zinxhirë metalikë, pa mbikëqyrje të vazhdueshme dhe para pacientëve të tjerë; shumë “pacientë të ndaluar vullnetarisht” u privuan nga liria, pa përfituar nga masat mbrojtëse të parashikuara në ligj për pacientët e ndaluar në mënyrë të pavullnetshme, kurse gjykata nuk ka marrë vendim as për muaj të tërë për pacientët e strehuar me forcë, dhe prej vitesh nuk është bërë as ekzaminim vjetor i pacientëve mjeko-ligjorë nga ana e gjyqtarëve. Diçka e rëndësishme të përmendet është se legjislacioni përkatës i shëndetit mendor nuk parashikon ndonjë procedurë për trajtimin e pavullnetshëm të pacientëve psikiatrikë, dhe në praktikë shpesh nuk është bërë asnjë dallim midis vendosjes së pavullnetshme dhe trajtimit të pavullnetshëm të një pacienti.
Gjatë së njëjtës vizitë, dhe në lidhje me Institucionin e posaçëm për personat me aftësi të kufizuara në zhvillimin intelektual në Demir Kapi, Komiteti shprehu shqetësimin për kushtet materiale të pavijoneve për personat me aftësi dhe pengesa më të rënda intelektuale dhe pamundësinë e tyre për të dalë jashtë për muaj të tërë, kurse kujdesin dentar e vlerësuan si thuajse inekzistent. Gjithashtu, Komiteti rekomandoi që autoritetet përkatëse të fuqizojnë masat e mbrojtjes ligjore
duke u dhënë përfituesve të drejtën efektive për të nisur një procedurë për të pasur ligjshmërinë e akomodimit të tyre.
Për të siguruar një vlerësim gjithëpërfshirës në këto institucione (spitale psikiatrike dhe institucione të mbrojtjes sociale) ku ka persona të privuar nga liria, ekipi i monitorimit, para vizitës, është njohur me metodologjinë e vlerësimit të institucioneve psikiatrike dhe të mbrojtjes sociale dhe ka bërë një analizë të legjislacionit ekzistues, veçanërisht Ligjit për Shëndetin Mendor, Neni 16 dhe Neni 20, paragrafi 7; Ligji për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Neni. 11–32 dhe Neni 44, Ligji për procedurën Jashtëkontestimore, Neni 58–68; Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, neni 58; Ligji i Procedurës Penale, Neni 248; Kodi Penal, Neni 63 dhe Neni 149; Rregullorja për hapësirën, pajisjet dhe personelin e nevojshëm profesional për themelimin, fillimin e punës dhe kryerjen e veprimtarive shëndetësore në objektin shëndetësor (neni 35-42); Ligji për Mbrojtjen Sociale, Neni 94, Neni 95, Neni 97, Neni 261–263; Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Neni 104 dhe rregulloret në spitale dhe institucione për mbrojtje sociale (statuti i institucionit) dhe të tjera