Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut shkurt 2020
PËRMBAJTJA
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
- Punëtoret shtatzënë gëzojnë mbrojtje të veçantë sipas legjislacionit të punës
- Protesta e ish-punëtorëve të fabrikës „Ohis“
PUNËTORET NË INDUSTRINË E TEKSTILIT
- Procedimi i ngadaltë i Inspektoratit shtetëror të punës
DISKRIMINIMI
- Diskriminimi në bazë të përkatësisë etnike dhe ngjyrës së lëkurës
- Vazhdon trendi i diskriminimit të punëtoreve shtatzënë në bazë gjinore, seksi dhe statusi personal.
BARAZIA GJINORE
- Viktimizimi i dyfishtë i viktimave të mitur
GJUHA E URREJTJES
- Raporti mujor në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare
shkurt 2020
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
PUNËTORET SHTATZËNË GëZOJNË MBROJTJE TË VEÇANTË SIPAS LEGJISLACIONIT TË PUNËS
Gjatë muajit shkurt, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka dhënë ndihmë juridike në 16 raste të shkeljes së të drejtave të punëtorëve. Komiteti i Helsinkit i ka njoftuar punëtorët dhe u ka dhënë këshilla juridike për:
- Procedurën për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës;
- Prishjen me marrëveshje të kontratës së punësimit;
- Shkeljet në vendin e punës;
- Pagat dhe kontributet e papaguara;
- Rastet ku punëtori mund të rivendoset në një vend tjetër pune;
- Moslajmërimin dhe mospagimin e punës jashtë orarit dhe
- Afatet në proceset e kontesteve nga sfera e marrëdhënieve të punës dhe mundësinë për parashtrimin e kërkesës për mbrojtje të të drejtës për gjykim në afat të arsyeshëm deri te Gjykata supreme.
Përveç kësaj, gjatë këtij muaji, një punëdhënës na ka kontaktuar duke kërkuar informacion për pagimin e kontributeve për sigurim shëndetësor për një punëtor i cili është duke e shfrytëzuar të drejtën e tij të mungesës së papaguar për shkak të kujdesit prindëror.
- Punëtoret shtatzënë gëzojnë mbrojtje të veçantë
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka regjistruar një rast të pushimit nga puna të një punëtoreje shtatzënë gjatë kohës kur ka qenë në pushim mjekësor.
Në fakt, bëhet fjalë për një grua punëtore e cila është pushuar nga puna, menjëherë pasi që e ka njoftuar punëdhënësin se është shtatzënë. Punëdhënësi e ka shqiptuar pushimin nga puna, gjatë kohës kur punëtorja e ka shfrytëzuar të drejtën e pushimit mjekësor, me pretekst kinse ka munguar nga puna pa arsyetim në periudhën e më parshme. Në kundërshtim me Ligjin për marrëdhëniet e punës,[1] punëdhënësi e ka bërë këtë pa i dhënë paraprakisht punëtores paralajmërim për përmirësim në punë ose madje, pa inicuar procedurë disiplinore kundër saj.
Punëtorja e ka kontaktuar Komitetin e Helsinkit për të drejtat e njeriut duke kërkuar ndihmë juridike falas. Përfaqësues të Komitetit e kanë shoqëruar punëtoren në Inspektoratin shtetëror të punës, ku ajo e ka denoncuar këtë shkelje të të drejtave të saja të punës. Pas kryerjes së mbikëqyrjes inspektuese, Inspektorati me anë të një Aktvendimi e ka urdhëruar punëdhënësin që ta anulojë vendimin për pushim nga puna dhe ta kthejë punëtoren në punë. Menjëherë pas kësaj, ajo e ka pranuar vendimin për anulimin e pushimit nga puna dhe është kthyer në vendin e punës.
Punëtoret shtatzënë gëzojnë mbrojtje të veçantë në legjislacionin maqedonas të punës dhe punëdhënësi nuk guxon t’ia anulojë kontratën e punësimit punëtores gjatë kohës së shtatzënisë. Punëdhënësi do mundej ta anulonte kontratën e saj, vetëm nëse ajo do të kryente shkelje më të rënda të detyrimeve kontraktuese dhe vetëm pas pranimit të dakordimit nga sindikata ose nga Inspektorati shtetëror i punës.
Këto veprime të punëdhënësit paraqesin diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj punëtores në bazë të gjinisë së saj dhe cilësimit personal dhe këto veprime janë të ndaluara me Ligjin për marrëdhëniet e punës dhe Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi.[2]
- Protestat e ish-punëtorëve të fabrikës „Ohis“
Më 11 shkurt, një grup ish-punëtorësh të fabrikës „Ohis“ ka vazhduar të protestojë për shkak të 24 pagave dhe kontributeve të papaguara.[3] Gjatë këtij muaji janë mbajtur tri protesta në shoqëri të vazhdueshme nga përfaqësuesit e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, të cilët, e mbikëqyrin çdo protestë të grupit në shenjë mbështetjeje dhe i shoqërojnë anëtarët e këshillit nismëtar para institucioneve kompetente.
PUNËTORET NË INDUSTRINË E TEKSTILIT
PROCEDIMI I NGADALTË I INSPEKTORATIT SHTETËROR TË PUNËS
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në fund të muajit shkurt ka pranuar dy njoftime nga Inspektorati shtetëror i punës për ngritje të procedurës për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në dy punëtori tekstili nga Dellçeva nga dhjetori i vitit 2019. Lëndë e këtyre dy mbikëqyrjeve të jashtëzakonshme inspektuese ishin mospagesat e shtesave të pagës për punë jashtë orarit, stazhit dhe mosdhënien e përllogaritjeve të pagave nga ana e dy punëdhënësve. Në një prej rasteve, Inspektorati ka konstatuar parregullsi dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve nga ana e punëdhënësit dhe e ka urdhëruar punëdhënësin që t’i largojë mangësitë e konstatuara, kurse në rastin e dytë Inspektorati nuk ka konstatuar shkelje të të drejtave të punëtorëve.
Rekomandim: Duke e marrë parasysh faktin se në të dy rastet konstatimi i gjendjes faktike mund të bëhet duke e kontrolluar dokumentacionin e brendshëm të punëdhënësve, konsiderojmë se kohëzgjatja e procedurave nga ana e Inspektoratit prej dy muajve është tepër e gjatë dhe zgjat panevojshëm shumë. Apelojmë që në këto raste, Inspektorati shtetëror i punës t’i procedojë më shpejtë iniciativat e pranuara për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese me qëllim të mbrojtjes së duhur dhe efikase të të drejtave të punëtoreve në industrinë e tekstilit.
DISKRIMINIMI
DISKRIMINIMI NË BAZË TË PËRKATËSISË ETNIKE DHE NGJYRËS SË LËKURËS
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka dokumentuar një rast të diskriminimit në bazë të përkatësisë etnike dhe ngjyrës së lëkurës, respektivisht të përkatësisë etnike rome lidhur me aksesin në transportin publik. Ngjarja ka ndodhur kur pala ka tentuar të hyjë në autobus dhe ka qenë i shtyrë nga një person. Pala i ka thënë personit se nuk ka nevojë për shtyrje, me çrast personi i është përgjigjur me sharje. Pala ndaj kësaj ka reaguar dhe i ka treguar personit që mos të sillet në atë mënyrë. Pasi kanë hyrë në autobus, personi i panjohur është ulur afër dy kontrollorëve të Ndërmarrjes publike të transportit (JSP), të cilët e kanë pyetur diçka. Njëri prej kontrollorëve është ngritur dhe nga tërë udhëtarët në autobus i ka kërkuar biletë vetëm palës. Pala e ka pyetur përse vetëm atij ia kërkon biletën, por jo edhe të tjerëve. Kontrollori i ëstë përgjigjur se ashtu dëshiron ai. Pala i ka bërë me dije se kjo është diskriminim dhe se është student dhe ka biletë vjetore. Pastaj e ka paralajmëruar kontrollorin se do ta thërrasë policinë. Derisa pala përmes telefonit ka qenë duke e lajmëruar ngjarjen në polici, kanë vijuar një varg kërcënimesh nga ana e kontrollorëve se do ta godisnin. Ata i kanë bërtitur dhe janë sjellur dhunshëm me të. E kanë kapur për dore dhe me dhunë e kanë larguar nga autobusi, me çrast ka rënë edhe telefoni i palës. Gjatë tërë kësaj kohe, pala ka biseduar në telefon me nëpunësin policor. Ai është zbritur me dhunë në stacionin e autobusëve në Gazi Babë. Pasi e kanë zbritur në stacionin, gjithashtu me dhunë ia kanë marrë edhe biletën e autobusit. E kanë kontrolluar dhe e kanë vërejtur se ka pasur biletë vjetore dhe pastaj biletën ia kanë hedhur në tokë. Pala ka thënë se këtë do ta fotografojë dhe do t’ia tregojë policisë. Njëri prej kontrollorëve e ka ndezur një cigare dhe e ka kërcënuar se cigaren do t’ia fik në ballë. Para se të largohen i janë kërcënuar duke thënë se nuk e di se me kë ka punë.
Ky rast edhe një herë i konfirmon paragjykimet, stereotipet, stigmën dhe diskriminimet me të cilat ballafaqohet komuniteti rom në të gjitha sferat e shoqërisë dhe të cilat ndikojnë në margjinalizimin e mëtejshëm të Romëve.
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut këtë rast e ka denoncuar te Avokati i Popullit, Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi dhe Qyteti i Shkupit duke kërkuar që rasti të rishikohet, të konstatohet përgjegjësia, të sanksionohen kontrollorët dhe të ndërmerren masa për parandalimin e këtyre rasteve në të ardhmen. Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut për këtë rast do të parashtrojë edhe padi penale kundër autorëve të panjohur për veprën penale Diskriminim racor dhe diskriminim tjetër, në përputhje me nenin 417 të Kodit penal.
Rekomandim: Shteti duhet vërtetë dhe jo vetëm deklarativisht t’i jep prioritet parandalimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi. Një Komision jofunksional për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi e kufizon qasjen e qytetarëve në drejtësinë për mbrojtjen nga diskriminimi dhe e mundëson fenomenin e përsëritjes së diskriminimit në këto raste.
vazhdon trendi i diskriminimit të punëtoreve shtatzënë në bazë gjinore, seksi dhe statusi personal
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut gjatë muajit shkurt ka regjistruar 3 raste të reja të diskriminimit të punëtoreve shtatzënë në bazë të gjinisë, seksit dhe statusit personal në marrëdhëniet e punës. Në dy prej tre rasteve të regjistruara, punëtoreve shtazënë, punëdhënësi nuk ua ka vazhduar kontratat e punësimit në kohë të caktuar dhe për vendet e tyre të punës janë shpallur konkurse të reja ku janë kërkuar punëtorë/punëtore me kualifikime të njëjta si të tyret. Në rastin tjetër, punëtores shtazënë i është ndërprerë marrëdhënia e punës jashtligjshëm, menjëherë pasi e ka njoftuar punëdhënësin se është shtatzënë.
Këto raste tregojnë një trend shumëvjeçar të diskriminimit sistematik të punëtoreve shtatzënë në bazë gjinore, seksi dhe statusi personal dhe tregojnë mosfunksionim absolut të mekanizmave mbrojtëse nga diskriminimi dhe shkelje e të drejtave të punëtorëve në këto raste.
Rekomandim: Kjo praktikë negative edhe më shumë flet për nevojën urgjente të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për marrëdhëniet e punës në drejtim të harmonizimit të legjislacionit vendor të punës me legjislacionin evropian të punës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Transponimi i direktivave të Bashkimit Evropian dhe konventave të Organizatës ndërkombëtare në Ligjin për marrëdhëniet e punës do të mundësojnë mbrojtje më të mirë të të drejtave të punëtoreve shtatzënë.
BARAZIA GJINORE
VIKTIMIZIM I DYFISHTË I VIKTIMAVE TË MITUR
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka reaguar për mënyrën se si fillimisht ishte prezantuar publikisht rasti për vajzën e mitur në shtatzëni të vonshme që ishte vizituar me rastin e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme inspektuese të MPPS-së në shtëpinë e vogël grupore në Berovë. Për vajzën 11-vjeçare, të cilës i është siguruar qëndrim intervent në shtëpinë e vogël grupore nga ana e QPS Koçani për shkak të mbrojtjes në gjendje krize, publikisht u zbuluan informacione konfidenciale, përfshirë edhe vendndodhja ku gjendet personi, që paraqet shkelje të dispozitave për konfidencialitetin e përdoruesve të shërbimeve nga sfera e mbrojtjes sociale, me çrast viktima e mitur ishte viktimizuar në mënyrë shtese. Duke e marrë parasysh faktin se rasti ka qenë denoncuar në polici që më parë dhe është ngritur padi përkatëse penale, është veçanërisht e rëndësishme që personi i mitur të jetë e përkujdesur në mënyrë të sigurt dhe të parandalohet ekspozimi i saj në rreziqe të mëtejshme. Në frymën e Konventës së Stambollit dhe Konventës për të drejtat e fëmijës, MPPS-ja duhet të veprojë në interesin më të mirë për fëmijën, i cili në këtë rast është viktimë dhe të përgatit një plan përkatës individual për veprimin e mëtutjeshëm në këtë rast. Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut do të vazhdojë me monitorimin e veprimeve të organeve kompetente sa i përket këtij rasti, duke përfshirë edhe Ministrinë e punës dhe politikës sociale, Ministrinë e punëve të brendshme dhe Prokurorinë publike.
GJUHA E URREJTJES
RAPORT MUJOR NË VIGJILJE TË ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE
Ky raport i përfshin muajt janar dhe shkurt, duke e pasur parasysh fillimin e fazës së dytë të mbikëqyrjes së gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale përmes monitorimit të përforcuar nga ana e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut. Sa për ilustrim, për periudhën e njëjtë kohore në vitin 2019 kur u miratuan ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit kushtetues, votimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve si dhe fatkeqësia e autobusit në autostradën Shkup – Gostivar janë regjistruar 119 raste, kurse për periudhën e njëjtë kohore për vitin 2020 janë regjistruar 140 raste.
Diagram: Gjuha e urrejtjes në mediat sociale për muajin janar dhe shkurt 2020.
Numri më i madh i denoncimeve (ose 64%) u referohen dy kategorive, edhe atë përkatësia etnike dhe orientimi seksual dhe identiteti gjinor (32%). Këto të dhëna janë jashtëzakonisht të larta për këtë periudhë të vitit. Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, sipas analizës së tij nga denoncimet e pranuara ka vërejtur rritje të gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit rom, incidente që ishin shoqëruar edhe nga publiku i cili e dënoi ashpër sjelljen joadekuate dhe diskriminuese ndaj viktimave.
Për incidentet e regjistruara në këtë periudhë, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka reaguar te institucionet kompetente. Është regjistruar gjithashtu edhe rritja drastike e gjuhës së urrejtjes për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor si reaksion i fushatës publike „Diskriminimi përfundon me mua!“ të Rrjetit për mbrojtje nga diskriminimi. Një prej tre video-regjistrimeve promocionale kishin të bënin me avancimin e të drejtave dhe mbrojtjen e komunitetit LGBTI, me çrast shkaktoi gjuhë të urrejtjes në mediat sociale, përdorim të gjuhës dikriminuese dhe gjuhës së nënçmimit.
Kategoria e tretë sipas numrit të denoncimeve të regjistruara është gjuha e urrejtjes për shkak të përkatësisë politike (ose 19%) që është vërejtur në janar dhe është ngushtë e lidhur me pushimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe miratimin e ligjeve, përfundimisht me datën 19 shkurt 2020.
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, mbi bazën e analizës së tij, ka vërejtur rritje të gjuhës së urrejtjes, veçanërisht pas pushimit të Kuvendit dhe fillimit të fushatës politike në vigjilje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ky trend mund të konstatohet bazuar në monitorimin e gjuhës së urrejtjes gjatë kohës së zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019, kur gjatë fushatës dominonte gjuha e urrejtjes mbi bazën e përkatësisë etnike dhe politike. Konform kësaj, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut i thërret qytetarët që ta denoncojnë gjuhën e urrejtjes në mediat sociale, por njëkohësisht apelon që të veprojë edhe Ministria e punëve të brendshme (Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë dixhitale).
[1] Ligji për marrëdhëniet e punës („Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë “ nr. 62/05, 106/08, 161/08, 114/09, 130/09, 50/10, 52/10, 124/10, 47/11, 11/12, 39/12, 13/13, 25/13, 170/13, 187/13, 113/14, 20/15, 33/15, 72/15, 129/15, 27/16, 120/18 dhe „Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut “ nr. 110/19).
[2] Ligji për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi („Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut “nr. 101/2019).
[3] Bëhet fjalë për numër të madh punëtorësh që kanë qenë të punësuar në reparte të ndryshme të fabrikës „Ohis“. Në përgjithësi, grupi prej rreth 11000 ish-punëtorësh ndahet në tri pjesë sa i përket kërkesave të tyre: 1) punëtorë, të cilëve fabrika „Ohis“ u ka borxh 8 paga të papaguara pa kontribute; 2) punëtorë, të cilëve fabrika „Ohis“ u ka borxh 8 paga të papaguara pa kontribute dhe 16 paga të papaguara së bashku me kontributet e këtyre pagave dhe 3) punëtorë, të cilëve fabrika „Оhis“ u ka borxh 24 paga të papaguara së bashku me kontributet e këtyre pagave.