Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut mars 2020
PËRMBAJTJA
KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
- Punëtorët në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme njëkohësisht luftojnë kundër virusit dhe për mbijetesën e tyre
DISKRIMINIMI
- Ngacmimi seksual i grave punëtore është praktikë e shpeshtë e punëdhënësve
- Diskriminimi i punëtoreve shtatzënë mbetet problem sistemor në Republikën e Maqedonisë së Veriut
BARAZIA GJINORE
- Marshi i 8 marsit „Ti nuk je fajtore!“
DHUNA NË FAMILJE
- Autori i hospitalizuar, viktima e kthyer në shtëpi;
- Dhuna në familje në kushtet e izolimit shtëpiak
INSTITUCIONE TË MBYLLURA
- Udhëzimet e OBSH-së për mbrojtje nga pandemia domosdoeshmërisht duhet të respektohen dhe plotësisht të implementohen në të gjitha institucionet e mbyllura
- Rekomandime për institucionet kompetente për mbrojtje të personave të privuar nga liria në kushtet e pandemisë së virusit COVID-19
SISTEMI GJYQËSOR
- Është miratuar Dekreti për afatet në proceset gjyqësore në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme
GJUHA E URREJTJES
- Gjuha e urrejtjes gjatë kohës së pandemisë
Konteksti politiko-shoqëror
Në kontekst të përhapjes globale të virusit COVID-19 dhe menaxhimit të suksesshëm të përhapjes së infeksionit, Kryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 18 mars 2020 shpalli gjendje të jashtëzakonshme në vendin tonë. Sipas kryetarit, vendimi është miratuar “për mbrojtjen dhe menaxhimin e pasojave nga përhapja e virusit COVID – 19. Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë dhe në momentin kur Kuvendi do të ketë mundësi të mblidhet, vendimi do parashtrohet për konfirmim. Para skadimit të këtij afati 30 ditor, pres që Qeveria të më dorëzojë raport të hollësishëm mbi efektet e masava të ndërmarra deri në atë kohë dhe propozim të arsyetuar për nevojën e zgjatjes së mundshme të gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 30 ditë të tjera.”
Më 25 mars 2020, Këshilli i bashkimit Evropian bazuar në rekomandimet e Komisionit Evropian, pa kushtëzime solli vendim politik për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, Komisioni Evropian mori përsipër që për afat sa më të shkurtër kohor ta përgatisë kornizën negociuese në përputhje me Metodologjinë e re të bisedimeve. Me këtë edhe një herë u konfirmua rëndësia e Kapitullit 23 – Sistemi gjyqësor dhe të drejtat themelore si kusht kryesor në progresin e bisedimeve, si dhe ndikimin e tij ndaj tërë procesit të përafrimit. Si rezultat i kësaj, monitorimi i organizatave qytetare për progresin në Kapitullin 23 është i rëndësisë esenciale. Duke e marrë parasysh këtë më lartë dhe duke e ndjekur zhvillimin e ngjarjeve, Komiteti i Helsinkit adresoi thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut përmes njoftimit të vazhdueshëm dhe transparent të opinionit me informacione të sakta me qëllim të mbikëqyrjes më të madhe ndaj pushtetit ekzekutiv gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme. Porosia e Komitetit është se “shteti nuk guxon që në mënyrë arbitrare ta ndalojë zbatimin e të drejtave të njeriut ose arbitrarisht t’i kufizojë të drejtat e njeriut, për mbrojtjen dhe sigurimin e të cilave është vetë përgjegjëse. Masat duhet të ndërmerren rreptësisht në përputhje me nevojat që i kërkon situata. Sipas standardeve vendore dhe ndërkombëtare, kufizimi i të drejtave dhe lirive në asnjë rast nuk guxon të jetë diskriminues në bazë gjinore, racore, të ngjyrës së lëkurës, gjuhës, fesë, përkatësisë etnike ose sociale, statusit pasuror ose shoqëror”.
Fokusi i këtij raporti mujor është ndikimi i masave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gjendjes së jashtëzakonshme në situatën mbi të drejtat e njeriut. Sipas trendit të përcaktuar, vëmendja duhet të përqendrohet në menaxhimin e krizës socio-ekonomike si rezultat i pandemisë – veçanërisht në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe masave aktive për ta parandaluar dhe sanksionuar dhunën në familje. Komiteti gjithashtu u bën thirrje institucioneve kompetente, veçanërisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, për një qasje proaktive ndaj rritjes alarmante të gjuhës së urrejtjes në mediat sociale.
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
Punëtorët në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme njëkohësisht luftojnë kundër virusit dhe për mbijetesën e tyre
Në mars, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut raportoi 65 denoncime për shkelje të të drejtave të punëtorëve, duke përfshirë afërsisht 1.583 punëtorë. Nga këto, madje 60 denoncime në lidhje me 1554 punëtorë, janë regjistruar menjëherë pas zbatimit të masës së parë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbrojtjen dhe parandalimin e koronavirusit, më 10 mars. [1]
Më 10 mars, Qeveria miratoi një masë që e pezullon procesin arsimor dhe mësimin në të gjitha kopshtet dhe shkollat fillore. Në të njëjtën kohë, Qeveria vendosi që për ta zbatuar këtë masë, njëri nga prindërit, fëmijët e të cilit deri në moshën dhjetë vjeçare ndjekin mësime në kopsht apo shkollë fillore, do të lirohen nga obligimi për të shkuar në punë. Menjëherë pas kësaj, u përcaktuan kategoritë e personave që duhet të lirohen nga puna dhe aktivitetet e punës, për shkak të kushteve të caktuara shëndetësore. Më 14 mars, Qeveria rekomandoi që të gjithë punëdhënësit në vend, në varësi të llojit dhe mundësive të punës, ta organizojnë punën dhe mënyrën e punës së punonjësve përmes institutit “punë nga shtëpia”. Më 18 mars 2020, Republika e Maqedonisë së Veriut shpalli gjendje të jashtëzakonshme në territorin e tërë shtetit.
Qeveria miratoi edhe masa ekonomike për menaxhimin e pasojave nga koronavirusi, që parashikojnë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare të likuiditetit të ndërmarrjeve mikro, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga ana e Bankës së zhvillimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.[2] U miratua edhe një masë, e cila kishte të bënte me mbështetjen e ndërmarrjeve në aspektin e pagimit të pagave me anë të subvencionimit të kontributeve për punëtorët e ndërmarrjeve të prekura.[3]
Paralelisht me rritjen e numrit të rasteve të regjistruara me koronavirus, shkeljet e të drejtave të punëtorëve ishin në rritje. Menjëherë pas zbatimit të masës së parë nga Qeveria, Komiteti i Helsinkit i regjistroi parregullsitë e para të raportuara nga shumë punëtorë.
Duke e keqpërdorur gjendjen e jashtëzakonshme, punëdhënësit filluan që t’i anulojnë kontratat e punësimit të një numrit të madh të punëtorëve, kurse atje ku kishin mundësi ju bënin ndikim për ta ndërprerëe marrëdhënien e punës me marrëveshje.
Një pjesë të punëtorëve ua zvogëluan pagat në mënyrë të konsiderueshme. Agjencia për punësim në Ohër ka pranuar denoncime për çlajmërimin e rreth 3000 punëtorëve në fabrikat e tekstilit, fabrikat për prodhimin e këpucëve, hotelet dhe restorantet.
Disa prej punëdhënësve i anuluan kontratat e punësimit për arsye afariste. Kështu për shembull, Shoqëria për produksion dhe post-produksion të video dhe materialeve filmike FHZH DOO Shkup njoftoi 20 punëtorë se do t’u anulohen kontratat e punësimit për arsye afariste dhe se do të heqë një njësi të tërë organizacionale.
Punëdhënësi i ka njoftuar punëtorët se: „…Analizat e realizuara dhe të gjitha indikacionet e tjera nuk tregojnë për mundësinë e ndryshimit të këtij trendi për këtë dhe vitet që vijnë. Duke marrë parasysh se për shkak të pandemisë botërore të Covid-19 dhe ndërprerjes së punës për kohë të pacaktuar të studiove më të mëdha në Holivud, këto vështirësi të kompanisë janë edhe më të theksuara. Me këtë vëllim të zvogëluar të aktiviteteve të këtij lloji, ekzistimi i kësaj njësie në kuadër të tërë vendosjes organizacionale të kompanisë është e paqëndrueshme dhe ndikon në racionalizimin, ekonomizimin dhe efikasitetin e plotë të punës.“
Qëndrimi jokorrekt i punëdhënësve ndaj të punësuarve të tyre në këtë periudhë krize u konfirmua edhe një herë nga kompania për tregti dhe shërbime KAST INVEST DOO Shkup. Atje, punëdhënësi i ka ndërprerë me gojë kontratat e punës së 120 punonjësve për arsye afariste, të cilët ishin informuar se do të hapet një procedurë falimentimi për kompaninë. Vendimi i pushimit nga puna nuk ka përmbajtur asnjë sqarim të arsyeve afariste, për të cilat kanë janë anuluar edhe kontratat e punësimit. Në kundërshtim me Ligjin për marrëdhëniet e punës[4], punëdhënësi nuk filloi një procedurë konsultimi me përfaqësuesit e punëtorëve, të paktën një muaj para fillimit të largimeve kolektive nga puna, madje as nuk ua siguroi punëtorëve të gjithë informacionin e rëndësishëm për të arritur një marrëveshje[5]. Punëdhënësi nuk ka dorëzuar as njoftim në shërbimin përgjegjës për ndërmjetësim në punësim në lidhje me largimet e planifikuara kolektive nga puna dhe për konsultimet me përfaqësuesit e punëtorëve.[6] Rrjedhimisht, punëtorët nuk kanë qenë të njoftuar me mënyrën e zbatimit dhe rrjedhën e procedurës së anulimit të kontratave të tyre të punës për arsye afariste dhe për këtë arsye nuk kanë mundur t’i mbrojnë në mënyrë përkatëse të drejtat e tyre të punës dhe interesat juridike.
Për më tepër, punëdhënësi nuk e ka specifikuar as afatin minimal të pushimit nga puna, që vlen në rastet e largimeve kolektive nga puna[7]. Disa nga punëtorët nuk kanë marrë as aktvendim për pushim nga puna, ndaj të cilit do të mund të parashtronin kundërshtim.
Numri i 4566 punëtorëve nuk korrespondon as për së afërmi me numrin e vërtetë të punëtorëve të prekur nga keqpërdorimi i gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e punëdhënësve.
Në lidhje me çlajmërimet në Agjencinë për punësim në Ohër, sipas të dhënave të regjistruara nga Komiteti i Helsinkit dhe ato të publikuara nga mediat, më e prekur është industria e tekstilit ku janë të prekur të paktën 4.128 punëtorë. Duke pasur parasysh që gratë punëtore janë më të përfaqësuara në industrinë e tekstilit, ky problem pashmangshëm merr edhe dimension gjinor.
Konkluzion: Gjendja e jashtëzakonshme për disa punëdhënës paraqet justifikim për t’i shkelur të drejtat e punëtorëve. Në këtë kohë jashtëzakonisht të paparashikueshme dhe të vështirë, të qenit pa pagë për shumicën e punëtorëve do të thotë rrezik për mbijetesën e tyre.
Rekomandim: Për shkak të kësaj, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut bën thirrje për nevojën urgjente të një moratoriumi për të gjitha anulimet e kontratave të punës nga ana e punëdhënësve (për arsye afariste) dhe për të gjitha uljet e pagave gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme. Për më tepër, është jashtëzakonisht e rëndësishme, në këtë moment, që Inspektorati Shtetëror i Punës ta luajë rolin e tij të rëndësishëm si një shtyllë parësore në mbrojtjen e të drejtave të punës. Kudo që Inspektorati të konstatojë shkelje të të drejtave të punëtorëve, është i detyruar që t’i thërret në përgjegjësi punëdhënësit që nuk i respektojnë ose i shkelin rekomandimet e Qeverisë.
DISKRIMINIMI
Ngacmimi seksual i grave punëtore është praktikë e shpeshtë e punëdhënësve
Gratë punëtore jo rrallë ballafaqohen me diskriminim në bazë gjinore dhe seksi si në vendin e punës, ashtu edhe gjatë punësimit. Gjatë punësimit, grave shpesh u parashtrohen pyetje nëse janë të martuar, nëse kanë fëmijë, nëse planifikojnë të krijojnë familje, madje ballafaqohen edhe me pyetje dhe komente të pakëndshme që nuk kanë lidhje me arsimimin dhe përvojën e tyre të punës. Konkurset për punësim edhe pse duhet të jenë të paanshme sa i përket gjinisë, shpesh shpallen për vende të punës ku konkretisht kërkohen burra ose gra.
Një rast i ngacmimit seksual u raportua në Komitetin e Helsinkit në muajin mars, pas aplikimit në një konkurs punësimi për sekretare afariste të drejtorit të përgjithshëm në një ndërmarrje private. Në konkurs kanë aplikuar dy kandidate që e kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm. Pasi kanë aplikuar në konkurs, ato menjëherë kanë marrë përgjigje nga personi që e ka prezantuar veten si administrator i ndërmarrjes. Korrespondenca midis kandidateve dhe administratorit të ndërmarrjes është zhvilluar ndaras, përmes postës elektronike. Administratori së pari u ka ofruar kandidateve një takim për një intervistë, pastaj ua ka shpjeguar detyrat dhe obligimet e punës dhe në fund të dyja kandidateve u ka konfirmuar se të dyjat janë të punësuara. Ai jo vetëm që e ka konfirmuar punësimin e tyre, por gjithashtu u ka ofruar edhe një pagë më të lartë se ajo e parashikuar në konkursin, dhe në mënyrë të qartë i ka njoftuar se detyrat e punës do t’i kryejnë në zyrën e tij.
Në fund të komunikimit, siç ka deklaruar ai, për të qenë në gjendje t’i vlerësojë cilësitë e tyre, u ka kërkuar kandidateve që në intervistat e planifikuara t’i shfaqin aftësitë e tyre organizative si dhe ato orale. Nga deklaratat e të dyja kandidateve, nën “aftësi gojore” administratori i ndërmarrjes nuk ka nënkuptuar aftësi pune, por këtë e ka thënë në një konotacion seksual, gjë që ka qenë shqetësuese për të dyja kandidatet.
Rasti ishte raportuar në Komitetin e Helsinkit për të drejtat e njeriut nga të dyja kandidatet dhe për këtë rast është inicuar procedurë para Inspektoratit Shtetëror të Punës.
Ngacmimi seksual nënkupton çdo sjellje verbale, joverbale ose sjellje fizike të një natyre seksuale që e shkel dinjitetin personal, veçanërisht kur shkakton frikësim, refuzim, degradim, poshtërim ose sjellje abuzive[8]. Ky lloj ngacmimi që jo rrallë u ndodh grave në vendet e punës ose gjatë punësimit, paraqet dhunë me bazë gjinore që është një shkelje serioze e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, dinjitetit të individit dhe paraqet diskriminim ndaj grave, vetëm për faktin se ato janë gra.
Në Maqedoninë e Veriut, në mënyrë të konsiderueshme më shumë gra (68%) janë përballur me diskriminim gjatë punësimit sesa burrat (58%). Nga viktimat e ngacmimit seksual në vendin e punës, 45% nuk e kanë ndarë ose raportuar përvojën; 29% i kanë thanë një shoku/shoqes ose një të njohuri; kurse 20% e kanë ndarë përvojën e tyre me një anëtar të familjes. Një përqindje më e vogël e kanë raportuar përvojën në një instancë më formale, respektivisht 10% i kanë njoftuar eprorët e tyre, 4% e kanë raportuar atë në mekanizmin zyrtar të vendit të punës dhe 1% e kanë raportuar atë në polici[9].
Konkluzion: Ky rast e pasqyron situatën e grave në tregun e punës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila mbetet në nivel të ulët. Një nga arsyet për këtë është roli i pabarabartë i burrave dhe grave në shoqëri, kurse një shembull për këtë është edhe trajtimi i grave si objekte seksuale nga punëdhënësit meshkuj, të cilët kështu i mbajnë gratë nën kontroll duke përdorur kërcënime dhe dhunë, madje arrijnë ta kontrollojnë edhe statusin e tyre ekonomik.
Rekomandim: Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut i bën thirrje Inspektoratit Shtetëror të Punës që ta hetojë çështjen e raportuar në tërësi dhe në kohë dhe për rastet e raportuara të ngacmimit seksual në vendin e punës të veprojë seriozisht dhe në mënyrë efektive. Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që e konsiderojnë veten viktimë të ngacmimit seksual në vendin e punës, ngacmimit dhe diskriminimit në vendin e punës, ta raportojnë atë në Komitetin e Helsinkit për të drejtat e njeriut.
diskriminimi i punëtoreve shtazënë mbetet problem sistemor në republikën e maqedonisë së veriut
Në muajin mars, Komiteti i Helsinkit regjistroi 2 raste të reja të diskriminimit ndaj punëtoreve shtatzënë në bazë të seksit, gjinisë dhe statusit personal në marrëdhëniet e punës. Në njërin prej rasteve të regjistruara të punëtores shtatzënë, kontrata e saj e punës për kohë të caktuar nuk u vazhdua, kurse për pozicionin e saj është hapur konkurs i ri për punësim në të cilin kërkohej punëtorë/punëtore me të njëjtat kualifikime si të sajat. Në rastin tjetër, punëtores shtatzënë i ishte ndërprerë në mënyrë të paligjshme marrëdhënia e punës, menjëherë pasi që e ka njoftuar punëdhënësin se është shtatzënë.
Konkluzion: Një prirje e tillë shumëvjeçare e diskriminimit sistematik ndaj punëtoreve shtatzënë me bazë gjinore, seksi dhe statusi personal po vazhdon edhe në vitin 2020. Rastet e tilla e tregojnë mosfunksionimin absolut të mekanizmave mbrojtës kundër diskriminimit dhe shkeljeve të të drejtave të grave punëtore në rastet e tilla.
Rekomandim: Bëjmë thirrje për një qasje më aktive dhe procedim më efikas të Inspektoratit Shtetëror të Punës në rastet e këtilla. Kjo praktikë negative flet edhe më tepër për nevojën urgjente të ndryshimit të Ligjit për marrëdhëniet e punës në drejtim të harmonizimit të legjislacionit vendas të punës me legjislacionin evropian të punës dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Transponimi i direktivave të Bashkimit Evropian dhe Konventat e Organizatës Ndërkombëtare në Ligjin për marrëdhëniet e punës do të mundësojnë mbrojtje më të mirë të të drejtave të punës të punëtoreve shtatzënë.
BARAZIA GJINORE
marshi i 8 marsit „ti nuk je fajtore!“
Në ditën ndërkombëtare të gruas, 8 Mars, për herë të katërt në Shkup u mbajt Marshi për të drejtat e grave në organizimin e Platformës për barazi gjinore, ku anëtarë është edhe Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut. Duke marrë parasysh që marshi çdo vit përqendrohet në një temë specifike që në vitin e kaluar është aktualizuar në fushën e barazisë gjinore, marshi i këtij viti u mbajt nën sloganin “Ti nuk je fajtore!”. Slogani u frymëzua nga niveli shqetësues i viktimizmit të dyfishtë, me të cilin përballen viktimat e dhunës me bazë gjinore në vend, të nxitur nga skandali me rastin “Dhoma Publike”, respektivisht grupit me të njëjtin emër në aplikacionin Telegram, në të cilin 13,000 anëtarë kanë ndarë, shikuar dhe janë tallur me materiale, foto dhe video me përmbajtje seksuale të disa grave dhe vajzave konkrete, pa pëlqimin e tyre. Edhe pse ky është një shembull i dukshëm i dhunës në bazë gjinore në internet, kjo nuk është adresuar qartë dhe në mënyrë të duhur për publikun, gjë që vetëm na kujton përsëri se institucionet, publiku dhe mediat nuk janë të njoftuar me dhunën me bazë gjinore, veçanërisht të këtij lloji, dhe faji, si deri më tani, u ishte adresuar vetë viktimave.
Në këtë marsh për nder të 8 marsit, qartë ishin adresuar kërkesat për drejtësi për të gjitha gratë viktima të dhunës, për institucionet që në vend që të kryejnë viktimizim të dyfishtë, të jenë gjithnjë në anën e viktimës, si dhe për një angazhim të qartë për barazinë gjinore nga shteti si nënshkrues i Konventës së Stambollit i cili e ka për detyrim ta parandalojë dhe luftojë dhunën me bazë gjinore. Në të njëjtën kohë, kërkesat e theksuan edhe nevojën për parandalimin, mbrojtjen dhe mbështetjen adekuate, në kohë dhe efikase të viktimave të dhunës me bazë gjinore nga të gjitha institucionet që janë pjesë e sistemit për mbrojtje dhe sanksionim të rreptë të çdo mosveprimi. Dhuna me bazë gjinore ka pasoja të afatgjata dhe serioze mbi shëndetin, veçanërisht mbi shëndetin mendor dhe mirëqenien e viktimave, prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme t’u lejohet grave dhe vajzave që të ndihen të sigurta edhe në rrugë, edhe në shtëpi, por edhe në internet
DHUNA NË FAMILJE
AUTORI I HOSPITALIZUAR, VIKTIMA E KTHYER NË SHTËPINË E SAJ
Vitin e kaluar në dhjetor, në Komitetin e Helsinkit për të drejtat e njeriut është denoncuar një rast i dhunës disavjeçare në familje e kryer nga ana e bashkëshortit ndaj bashkëshortes së tij.
Dhuna fizike dhe psikologjike është kryer para syve të nëntë fëmijëve të tyre, kurse viktima shpesh ka pësuar lëndime trupore dhe lëndime të rënda fizike. Për t’i shtuar në peshë edhe më shumë rastit, ka ndikuar edhe papunësia e të dy anëtarëve të çiftit të martuar, të cilët shumicën e kohës e kanë kaluar në shtëpinë e tyre. Kjo rrethanë e ka rritur edhe më shumë rrezikun për viktimën, e cila vazhdimisht ka qenë në prani të dhunuesit.
Sulmi i fundit ndaj viktimës ka ndodhur në fillim të vitit 2019, kur ajo ka qenë e akomoduar në Qendrën e strehimit së bashku me disa nga fëmijët e saj. Kundër dhunuesit janë shqiptuar masa të përkohshme për mbrojtje nga dhuna familjare nga ana e Gjykatës Themelore Civile Shkup dhe për shkak se autori nuk i ka respektuar ato, kundër tij është ngritur edhe procedurë penale. Gjatë gjithë periudhës për të cilën viktima ka qenë e kujdesur në Qendrën e strehimit, dhunuesi ka vazhduar me selljen e tij deviante, kështu që kësaj radhe viktima të tij kanë qenë fëmijët që kanë mbetur të jetojnë me të. Për ta bërë situatën edhe më tragjike, njëri prej fëmijëve ka qenë person me një kombinim të aftësive të kufizuara i cili nuk ka qenë në gjendje të ushqehet, ecën, vishet dhe flasë, etj. në mënyrë të pavarur.
Pasi që dhuna ndaj fëmijëve ka qenë e raportuar në shërbimet sociale, ata kanë qenë të kujdesur në të njëjtën Qendër të strehimit me nënën, përveç fëmijës me aftësi të kufizuara që ka mbetur në shtëpi. Duke pasur parasysh personalitetin e dhunuesit, historinë e tij të dhunës dhe varësinë e tij nga alkooli, Komiteti i kërkoi Qendrës për punë sociale që menjëherë të kryejë mbikëqyrje në shtëpi dhe të marrë masa për përkujdesjen e këtij fëmije.
Në ndërkohë, në muajin mars na njoftuan se në gjykatë përsëri është parashtruar propozim për shqiptimin e masave mbrojtëse nga dhuna familjare, këtë herë për mbrojtjen e fëmijëve. Gjykata më në fund e ka kuptuar seriozitetin e këtij rasti, kështu që mes masave të përcaktuara ka qenë edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik. Pas marrjes së vendimit, policia, shërbimet sociale dhe shërbimet e urgjencës mjekësore bashkërisht e kanë dërguar autorin në trajtim psikiatrik në ISHP Spitali psikiatrik – Shkup. Viktima së bashku me fëmijët e saj është kthyer në shtëpi dhe e ka marrë kujdesin e plotë ndaj fëmijës me aftësi të kufizuara.
Edhe pse në këtë rast viktimës dhe fëmijëve askush nuk ua garanton sigurinë, prapë ky është një nga shembujt e paktë pozitiv kur abuzuesi largohet nga shtëpia, kurse viktima dhe fëmijët mbesin në të. Theksojmë se institucionet duhet të jenë seriozisht të kujdesshëm dhe ta ndjekin me shumë vëmendje të madhe këtë rast, veçanërisht pas përfundimit të trjtimit psikiatrik të dhunuesit. ISHP Spitali psikiatrik – Shkup në asnjë rast nuk guxon të lejojë që ky person të largohet vullnetarisht nga institucioni shëndetësor, sepse kështu, rreziku për një femicid tjetër rritet.
DHUNA NË FAMILJE NËN KUSHTET E IZOLIMIT SHTËPIAK
Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzkonshme në vendin tonë, kur vlejnë rekomandimet e Qeverisë që qytetarët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka regjistruar një denoncim të dhunës në familje në Berovë. Viktima e njoftoi Komitetin e Helsinkit se gjatë orëve të vona të mbrëmjes, ndërsa ka qenë në shtëpi me fëmijën e saj që vuan nga epilepsia, ish-partneri i saj në gjendje alkoolike ka ardhur në shtëpinë e tyre. Ai edhe më parë e ka ngacmuar psiqikisht partneren e tij, kurse atë mbrëmje i është drejtuar asaj me një ton të lartë dhe e ka fyer viktimën, gjë që ka shkaktuar ndjenjë të pasigurisë dhe frikës tek ajo dhe fëmija. Rasti është raportuar në polici nga viktima, por sipas saj, nëpunësit policorë fare nuk kanë ardhur në shtëpi.
Konkluzion: Rekomandimet e Qeverisë për vetëizolim që janë në fuqi mund të kontribuojnë në rritjen e rrezikut të dhunës në familje. Prandaj, pas pranimit të raportit, duke pasur parasysh veprimin joprofesional të nëpunësve policorë në këtë rast, Komiteti i Helsinkit kontaktoi menjëherë Stacionin policor – Berovë. Oficerët e policisë u njoftuan për nevojën urgjente për veprim në rast të denoncimit të sërishëm nga ky person, duke pasur parasysh mundësinë e përsëritjes së dhunës, si dhe shkallën e rrezikut në të cilin gjenden viktima dhe fëmija i saj.
Rekomandim: Metoda kryesore e ruajtjes së shëndetit është izolimi shtëpiak, kështu që është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë periudhë që institucionet të reagojnë në mënyrë adekuate dhe në kohë dhe të veprojnë ndaj denoncimeve për dhunë në familje dhe në bazë gjinore, në mënyrë që të shmangen pasojat fatale.
INSTITUCIONE TË MBYLLURA
UDHËZIMET E OBSH-së për mbrojtje nga pandemia domosdoSHMËRISHT duhet të respektohen dhe të implementohen plotësisht në të gjitha institucionet e mbyllura
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka pranuar disa ankesa në lidhje me trajtimin dhe sigurinë e të dënuarve që e vuajnë masën e dënimit në burgun e Kumanovës. Sipas raportimeve në ankesat, rreth 30 shtetas të huaj po vuajnë dënimin me burg në burgun e Kumanovë, të drejtat e njeriut të të cilëve janë shkelur vazhdimisht nga ana e institucionit. Në ankesë thuhet se këtyre personave nuk u ofrohen as kushtet bazike të jetesës, për sa i përket neneve 156, 157, 159 dhe 160 (akomodim përkatës, veshmbathje dhe shtrat të pastër dhe e drejta për higjienë personale) të Ligjit për zbatimin e sanksioneve.
Për më tepër, personat e gjykuar shtojnë se në burgun e Kumanovës nuk u sigurohet ujë i pastër për të pirë, madje as ujë për mirëmbajtjen e higjienës personale.
Problemi me furnizimin me ujë në burgun e Kumanovës ishte vërejtur edhe gjatë vizitës së burgut më 05.04.2019 nga ana e përfaqësuesve të Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut. Gjatë vizitës, drejtori i burgut na informoi se në bashkëpunim me një ndërmarrje me përgjegjësi shoqërore në rajon, problemi me furnizimin me ujë në burg përkohësisht është zgjidhur, duke bërë rrjet nënujor. Në bisedë me disa prej të burgosurve u kuptua që në burg nuk ka aspak ujë, kurse në të gjitha dhomat e burgut u vërejtën një numër i madh i shisheve të plastikës me ujë. Në të njëjtën kohë, u gjetën edhe shishe boshe të vendosura në hyrjet e toaleteve në kapacitetet e akomodimit, me qëllim që të parandalohet era. Më 19.09.2019 u bë edhe një vizitë në burgun e Kumanovës, ku përsëri në një bisedë me personat e dënuar ishte bërë me dije se akoma nuk ka ujë fare, edhe që të dënuarit mbushin shishe me ujë nga njësia e paraburgimit të institucionit që ndodhet në katin e parë, pas marrjes paraprake të lejes nga policia e burgut.
Konkluzion: Duke e pasur parasysh pandeminë e infeksionit të koronavirusit (COVID-19), sipas mendimit të Komitetiт për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues apo Ndëshkimit (KPT), për të gjitha organet nën juridiksionin e të cilëve janë personat e privuar nga liria, në territorin që e përfshin Këshilli i Evropës “ndërmarrja e të gjitha masave të mundshme për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së të gjithë personave të privuar nga liria duhet të jetë një parim themelor. Ndërmarrja e këtyre masave gjithashtu kontribuon në ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së punonjësve në këto institucione. Udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për mbrojtje nga pandemia, si dhe udhëzimet kombëtare dhe klinike të shëndetit që përputhen me standardet ndërkombëtare, duhet të respektohen dhe të implementohen plotësisht në të gjitha institucionet e mbyllura”.
Rekomandim: Komiteti i Helsinkit dorëzoi një kërkesë pranë Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve për zbatimin e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme në burg. Me anë të mbikëqyrjes kërkohet që të konstatohet nëse personave të dënuar-shtetas të huaj u sigurohen kushtet përkatëse të jetesës dhe mirëmbajtja e higjienës, duke i marrë parasysh pretendimet në këtë ankesë; dhe cilat masa janë ndërmarrë nga institucioni, në kushtet e problemeve me furnizimin me ujë, për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së të gjithë personave të dënuar, personave të paraburgosur dhe punonjësve në burgun e Kumanovës.
rekomandime për institucionet kompetente për mbrojtje të personave të privuar nga liria në kushtet e pandemisë së virusit COVID-19
- Përgatitja e një plani të përbashkët për menaxhimin e COVID – 19 i cili do t’u referohet të gjitha institucioneve ndëshkimore nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe i cili do të përmbajë masa dhe rekomandime të forcuara për mbrojtjen e personave të privuar nga liria si dhe punonjësit në institucionet.
- Të parashikohen hapësira të veçanta në kuadër të çdo institucioni ndëshkimor-korrektues për vetë-izolimin e personave që do të shfaqin simptoma të COVID-19.
- Hapësira për vetë-izolim në të gjitha institucionet ku privohen persona nga liria si dhe në karantinat shtetërore, duhet t’i plotësojnë standardet e Komitetit Evropian për parandalimin e torturës dhe trajtimit ose dënimit johuman ose degradues ose ndëshkimit në lidhje me madhësinë e arsyeshme të dhomës, dritën natyrale, ajrosjen, shtratin e pastër, batanijet, etj.
- Autoritetet në të gjitha institucionet ndëshkuese duhet të sigurojnë që masa e shqiptuar – vetë-izolimi për shkak të shfaqjes së simptomave të COVID – 19, personat e privuar nga liria nuk do ta përjetojnë si ndëshkim disiplinor – vuajtje në qeli.
- Shqiptimi i masës – vetë-izolim, nuk duhet të ngjasojë dhe të barazohet me ndëshkimin disiplinor – mbyllje të vetmuar në qeli dhe është e nevojshme që personat e privuar nga liria kohë pas kohe t’i raportojnë simptomat, duke e arritur kështu produktivitetin e masës, respektivisht parandalimin e përhapjes së virusit tek të gjithë personat e privuar nga liria.
- Të drejtat bazike të personave të privuar nga liria, të tilla si e drejta për mjek, e drejta e ajrit të pastër, e drejta për avokat, nuk duhet të kufizohen dhe autoritetet kompetente duhet të bëjnë përpjekje për t’i siguruar këto të drejta. Kufizimet e takimeve me anëtarët e familjes dhe botën e jashtme duhet të kompensohen me lejen e personave që t’i përdorin telefonat ose të kenë komunikim në internet.
- Institucionet kompetente të veprojnë në përputhje me nenin 224 të Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve dhe t’i paraqesin gjykatësit për ekzekutimin e sanksioneve një propozim për ndërprerjen e vuajtjes së dënimit për personat që janë të rrezikuar ndaj COVID-19, në përputhje me Listën e sëmundjeve kronike me diagnozë që janë të liruar nga detyrat e punës të Ministrisë së Shëndetësisë[11], e cila sipas dokumentacionit përkatës mjekësor do t’i largojë përkohësisht personat e dënuar nga institucioni për një periudhë më të gjatë se 30 ditë.
- Nëse për kohë të shkurtër nuk mund të sigurohet gjykatës për ekzekutimin e sanksioneve, apelojmë që Drejtoria për ekzekutimin e sanskioneve të veprojë në përputhje me nenin 225 të Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve dhe ta miratojë aktvendim për ndërprerjen e vuajtjes së dënimit në kohëzgjatje deri në 30 ditë, bazuar në paragrafin 3, respektivisht punë të shkaktuara nga fatkeqësi elementare.
- Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve në bashkëpunim me drejtorët e institucioneve të tjera, të paraqesë një propozim në gjykatën kompetente për lirimin me kusht të personave që kanë treguar rezultate në periudhën e provës dhe që i plotësojnë kushtet ligjore me qëllim të zvogëlimit të mbipopullimit në institucionet korrektuese-ndëshkimore dhe njëherit zbatimin e masave më efektive për mbrojtje nga COVID – 19.
- Gjykatësit, masën e paraburgimit ta përdorin vetëm në situata të jashtëzakonshme dhe si masë të fundit, sidomos për shkak se në këtë situatë kur janë të mbyllur kufijt shtetërorë, është ulur rreziku nga ikja e të akuzuarve.
- Gjykatësit me propozim të prokurorit publik në vend të burgut, për veprat penale, ku është e mundshme, të shqiptojnë masa alternative – punë e dobishme për shoqërinë, ndërprerje me kusht të procedurës penale dhe arrest shtëpie gjatë periudhës së pandemisë.
- Edhe në kushtet e pandemisë, sistemi gjyqësor duhet ta garantojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të mbetet funksional dhe efikas, në veçanti kur vendos për lirinë e njeriut si një e drejtë e pacenueshme.
SISTEMI GJYQËSOR
Është miratuar Dekreti për afatet në proceset gjyqësore në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme
Më 30.03.2020, Qeveria e miratoi Dekretin me fuqi ligjore për afatet në proceset gjyqësore gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme për veprim të gjykatave dhe Prokurorive publike.
Sipas Dekretit, afatet ligjore dhe kohore për parashtrimin e aktakuzave në procedurë kontestimore, aktakuzave private në procedurë penale, propozimeve për ndjekje penale, propozimeve për ngritjen e procedurës jashtëkontestimore, parashtrimin e kërkesës për përmbarim me forcë, procedurën për sigurimin e kërkesave, aktakuzave për ngritjen e kontestit administrativ, ngritjen e procedurës para Gjykatës kushtetuese ose ngritjen e ndonjë procedure tjetër gjyqësore, ndalohen të rrjedhin në momentin e hyrjes në fuqi të këtij Dekreti deri në ndërprerjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Afatet ligjore dhe kohore për deklarimin e masave juridike, mjeteve juridike ose për ndërmarrjen e veprimeve procedurale në procedurë pushojnë së rrjedhuri gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme.
Në procedurat penale dhe kundërvajtëse, afatet e paraqitjes së ankesës ose kundërshtimit ndaj vendimit me të cilin mbaron procedura, si dhe për deklarimin e masave të jashtëzakonshme juridike, ndalojnë së rrjedhuri gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme.
Me këtë Dekret, lëshimi i akteve të referencës për shqiptimin e masës së dënimit me burg deri tre vjet shtyhet deri më 1 shtator 2020, përveç rasteve ku ekziston rreziku i parashkrimit të ekzekutimit të dënimit.
Mandate i gjyqtarëve-anëtarëve të jurisë, që skadon gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, në bazë të këtij Dekreti, zgjatet deri në përfundimin e procedurave në lëndën gjyqësore. Gjykatat në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë të detyruara t’i përmbahen Vendimit të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të veprojnë në Gjykatat e Republikës së Maqedonisë së Veriut në kushte të rrezikut të shtuar nga virusi COVID-19, duke filluar nga 17.03.2020. Ky Dekret i detyron prokurorët publik ta organizojnë dhe kryejnë funksionin e prokurorisë publike në përputhje me Udhëzimet e detyrueshme të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të miratuara në lidhje me virusin COVID-19.
GJUHA E URREJTJES
GJUHA E URREJTJES GJATË KOHËS SË PANDEMISË
Në këtë muaj janë regjistruar 110 raste, që është 100% më shumë për të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar 2019. Shumica e rasteve të regjistruara në muajin mars kanë të bëjnë me situatën pandemike me virusin COVID-19, futjen e gjendjes së jashtëzakonshme nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në këtë mënyrë shtetrrethimi, si dhe reagimi i publikut për masat e marra. nga ana e Qeverisë. Më shumë trafik dixhital dhe reagime në rrjetet sociale është vërejtur pas përfundimit të konferencës për shtyp të ministrit të shëndetësisë në emër të Shtabit të krizës.
Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale për muajin mars 2020.
Numri më i madh i denoncimeve (ose 72%) kanë të bëjnë me dy kategori: përkatësia etnike dhe përkatësia politike. Denoncimet në lidhje me përkatësinë politike nuk kanë qenë aq të larta sa vitin e kaluar gjatë mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale. Gjithashtu, 21 denoncime, ose 18%, i referohen gjuhës së urrejtjes për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Numri i lartë i denoncimeve jokarakteristike është për shkak të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend për ta parandaluar përhapjen e virusit Covid – 19. Gjithashtu është vërejtur edhe diskutim aktiv negativ dhe këmbim të toneve të larta midis përkrahësve të partive në pushtet dhe në opozitë, sidomos për mënyrën se si shteti po e menaxhon krizën (edhe nga këndvështrimi shëndetësor, ashtu edhe nga ai ekonomik).
Që të monitorohet në mënyrë efikase gjuha e urrejtjes lidhur me shëndetësinë publike, nga muaji prill Komiteti i Helsinkit do ta implementojë kategorinë e gjuhës së urrejtjes në bazë të statusit shëndetësor, me qëllim të informimit më të mirë në këtë kohë.
Konkluzion: Komiteti i Helsinkit, në bazë të analizave të tij, që nga muaji shkurt ka paralajmëruar dhe vazhdon të alarmojë për rritjen drastike të gjuhës së urrejtjes, veçanërisht në kontekstin e posakrijuar rreth shpalljes së pandemisë dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vendin tonë. Gjithashtu, Komiteti i Helsinkit apelon që të mos keqpërdoren mekanizmat që i ka në dispozicion pushteti ekzekutiv dhe në mënyrë të rregullt ta njoftojnë Kryetarin e shtetit, mediat dhe organizatat qytetare në lidhje me masat e ndërmarra dhe efektet e tyre. Kjo është posaçërisht e rëndësishme, në mungesë të Kuvendit funksional dhe mundësisë për mbikëqyrje efikase mbi punën e pushtetit ekzekutiv gjatë kohës së pandemisë.
Rekomandim: Në përputhje me rrethanat, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut u bën thirrje qytetarëve t’i raportojnë rastet e gjuhës së urrejtjes në mediat sociale në platformën www.govornaomraza.mk ose drejtpërdrejt në Sektorin për Krim Ekonomik dhe Forenzikë Digjitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
[1] Në dhjetor 2019, në qytetin Vuhan, në provincën Hubei në Republikën Popullore të Kinës, paraqitet koronavirusi i ri i cili filloi të përhapet për kohë të shkurtër edhe në pjesë të tjera të botës. Rasti i parë pozitiv në Republikën e Maqedonisë së Veriut është regjistruar më 26 shkurt 2020. Pas paraqitjes së disa rasteve të pacientëve të diagnostifikuar me COVID-19, më 10 mars 2020, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi disa masa për mbrojtje dhe parandalim nga koronavirusi. Më 11.03.2020 OBSH-ja shpalli pandemi për shkak të sëmundjes COVID-19.
[2] Çdo ndërmarrje, varësisht nga numri i të punësuarve, do të mund të merr nga 3 deri në 30 mijë euro. Ndërmarrjet mikro, deri në 10 punëtorë, do të mund të marrin kredi nga 3 deri në 5 mijë euro, ndërmarrjet e vogla me 10 deri 50 të punësuar, do të mund të marrin kredi prej 10 deri në 15 mijë euro dhe ndërmarrjet e mesme me 50 deri në 250 punëtorë, do të mund të marrin kredi prej 15 deri në 30 mijë euro. Kreditë janë pa interes, me normë interesi prej 0 përqind me grejs periudhë prej 6 muaj dhe afat kthimi prej 2 viteve.
[3] Qeveria parashikoi mbështetje për ndërmarrjet në pjesën e pagimit të pagave me anë të subvencionimit të kontributeve për të punësuarit në ndërmarrjet nga sektorët turizëm, transport, hoteleri dhe ndërmarrje të tjera të prekura, për muajt prill, maj dhe qershor 2020, me subvencion të kontributeve për punëtor në shkallë prej 50% të rrogës mesatare të paguar në vitin 2019, me kusht që ndërmarrja të mos e zvogëlojë numrin e punëtorëve nën numrin e regjistruar në muajin shkurt 2020 dhe kjo të vlejë nga dita e shfrytëzimit të masës; më tej, ndërmarrja të mos paguajë dividentë gjatë vitit 2020, deri në ditën e parashtrimit të llogarisë përfundimtare, respektivisht raporteve financiare për vitin 2020 dhe ndërmarrja të mos paguajë shpërblime-bonus pas hyrjes në fuqi të masës. Vetëm ndërmarrjet që kanë realizuar fitim si rezultat financiar nga puna në vitin 2020 do t’i kthejnë subvencionet në shumë prej 50% të fitimit para tatimimit që do të thotë se masa drejtpërdrejt është drejtuar ndihmës së ndërmarrjeve që kanë realizuar rezultate më të dobëta financiare në vitin 2020 për shkak të koronavirusit.
[4] Ligji për marrëdhëniet e punës (LMP) (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 62/05, 106/08, 161/08, 114/09, 130/09, 50/10, 52/10, 124/10, 47 / 11, 11/12, 39/12, 13/13, 25/13, 170/13, 187/13, 113/14, 20/15, 33/15, 72/15, 129/15, 27/16 , 120/18 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 110/19)
[5] Neni 95 paragrafi 2 i LMP-së.
[6] Neni 95 paragrafi 6 i LMP-së.
[7] Neni 88 paragrafi 2 i LMP-së.
[8] Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi neni 10 paragrafi 2 (Gazeta zrtare e RMV-së numër 101/2019)
[9] Hulumtim i Reaktor për diskriminim të bazuar në gjini dhe të drejtat e punëtorëve në RMV nga viti 2019, në dispozicion në: http://www.reactor.org.mk/CMS/Files/Publications/Documents/kwn-final-mk3.pdf?fbclid=IwAR1Paaujc-gf39-W584pIbn2lHsDF-hCJNwgMkYgM9UFhD6E25XZ_jOnZUI
[10] https://rm.coe.int/16809cfa4b
[11] http://zdravstvo.gov.mk/wp-content/uploads/2020/03/LISTA-NA-HRONICHNI-BOLESTI-SO-DIJAGNOZI-KOI-SE-OSLOBODENI-OD-RABOTNI-OBVRSKI.pdf