RAPORT MBI GJENDJEN DHE KUSHTET NË INSTITUCIONET NDËSHKIMORE-KORREKTUESE NË VITIN 2023

January 25, 2024

Ky raport është përgatitur në kuadër të projektit “Lufta kundër torturës dhe trajtimit çnjerëzor”, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Për qëllime të projektit është lidhur memorandum për bashkëpunim në mes të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Shoqatës Maqedonase të Juristëve të Rinj dhe Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve.

Në periudhën nga muaji maj deri në muajin qershor të vitit 2023, janë realizuar katër vizita të njëpasnjëshme në SHNK Idrizovë, SHNK Shtip, SHNK Prilep dhe Burgun e Kumanovës, bazuar në vlerësimin e ekipit që është përfshirë dhe punon në projekt. Përzgjedhja e institucioneve të vuajtjes së dënimit është për shkak të kushteve të shqyrtuara për akomodimin e personave të dënuar të konstatuara gjatë vizitave të rregullta, por edhe nga indikacionet dhe peticionet e shumta të dorëzuara nga personat e dënuar në Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Gjetjet në këtë raport bazohen në të dhënat e marra nga vizitat e kryera nga grupi monitorues, i cili ka inspektuar ambientet e institucioneve ndëshkimore-korrektuese, ka ofruar asistencë ligjore falas, ka zhvilluar biseda me pothuajse të gjithë drejtuesit e institucioneve, si dhe me punonjës të policisë së burgjeve, punonjës socialë, psikologë, avokatë etj.

Është konstatuar se, përkundër angazhimeve të shumta të shtetit, organizatave ndërkombëtare dhe vendase për përmirësimin e kushteve në institucionet e vuajtjes së dënimit, megjithatë ekzistojnë ende mangësi. Është evidente dhe e qartë se mungon bashkëpunimi i duhur ndërsektorial ndërmjet institucioneve kompetente, i cili është kyç për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen personat e privuar nga liria në këto institucione. Pikërisht për këtë arsye, institucionet e vuajtjes së dënimit nuk përmbushin detyrimet e tyre ligjore për tejkalimin e problemeve të zgjatura prej kohësh dhe pamundësojnë personat e dënuar të gëzojnë të drejtat e tyre dhe të risocializohen në mënyrë adekuate.

Personat e dënuar nuk kanë qasje adekuate në kujdesin shëndetësor, as kushte adekuate materiale të jetesës dhe programet e risocializimit, kushtet për zbatimin e tyre, kurse ndihma pas vuajtjes së dënimit është ende e pamjaftueshme dhe e pazbatueshme. Njëkohësisht, gjatë kësaj periudhe ka pasur një rritje të pakënaqësisë së pjesëtarëve të policisë së burgjeve, të cilët theksuan se u cenohej siguria dhe se po përballeshin me një problem serioz për shkak të rritjes së presioneve dhe kërcënimeve personalisht ndaj tyre, por edhe ndaj familjeve dhe personave të afërm të tyre.

Korrupsioni vazhdon të jetë problem serioz në këto institucione, për të cilin personat e dënuar na informojnë rregullisht. Por nga frika se mos humbasin të drejtat dhe komoditetet e tyre, ata nuk duan t’i raportojnë zyrtarisht këto raste. Po ashtu, ajo që është vënë re dhe që është veçanërisht shqetësuese është numri i vogël i ankesave të parashtruara nga personat e dënuar për vendimet e marra për shqiptimin e masave disiplinore. Praktika tregon raste kur personat e dënuar nuk kanë marrë vendime përkatëse për shqiptimin e masës disiplinore. Për shembull, nëse ndodhen në izolim, vendimi ngjitet në derën e izolimit, kurse personat e dënuar, kontaktin me një organizatë joqeveritare, jurist dhe/ose avokat mund ta arrijnë vetëm pasi të kenë mbaruar vuajtjen e masës disiplinore. Të gjitha institucionet nuk e respektojnë procedurën e rregullt formale për shqiptimin e masës disiplinore, kështu që në disa raste nuk është marrë as vendim për shqiptimin e masës disiplinore.

Si praktikë pozitive vërehet se në disa institucione të vuajtjes së dënimit po bëhen përpjekje për vendosjen e masave dhe aktiviteteve risocializuese, aktiviteteve profesionale, si dhe rritjes së angazhimit në punë të personave të dënuar

Mbipopullimi, veçanërisht në SHNK Idrizovë, ku gjendet numri më i madh i personave të dënuar, shumica e të cilëve paraqesin rrezik për sigurinë, është një problem alarmant për të cilin shteti duhet urgjentisht

të gjejë zgjidhje. Vetëm me zgjidhjen e këtij problemi sistematik mund të presim realizimin e risocializimit si një nga synimet kryesore të dënimit me burg dhe uljen e shkallës së krimit në vend. Vitet e fundit ka pasur një rritje të rasteve dhe lëndëve të probacionit për të cilat është shqiptuar dënim alternativ, që sigurisht është një nga shembujt pozitivë të zgjidhjes së problemit afatgjatë të mbipopullimit në institucionet ndëshkimore-korrektuese dhe nxitjes së risocializimit dhe riintegrimit të personave të dënuar.

Për këtë qëllim, organizatat e shoqërisë civile do të monitorojnë nga afër zbatimin e Strategjisë Nacionale për Zhvillimin e Sistemit Penitenciar në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2021-2025, si dhe të Strategjisë për zhvillimin e Shërbimit të Probacionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2021-2025. Me zbatimin e këtyre strategjive presim zbatimin korrekt të rregulloreve ligjore dhe nënligjore, përmirësimin e kushteve dhe situatës në burgje, por edhe forcimin e kapaciteteve dhe profesionalizmit të stafit të punësuar, si dhe rritjen e mbikëqyrjes në lidhje me funksionimin e institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe në të njëjtën kohë dhe avancimin e sistemit të probacionit.