January 25, 2024

RAPORT GJITHËPËRFSHIRËS PËR REFORMAT NË SISTEMIN PENITENCIAR NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT

Në kontekstin e institucioneve të vuajtjes së dënimit (institucionet penitenciare), autoritetet e burgjeve kanë detyrimin e përgjithshëm të mbrojnë personat e dënuar nga çdo lloj dhune, si dhe nga përdorimi i tepruar i forcës.

Tortura, si fenomen i pranishëm në institucionet e vuajtjes së dënimit, përfshin dhunën si një aspekt të rëndësishëm, por edhe një sërë faktorësh të tjerë, si kushtet materiale dhe mënyrën e veprimit në respektimin e të drejtave të personave të dënuar.

Dhuna në institucionet e vuajtjes së dënimit është një fenomen i vështirë për t’u përcaktuar, para së gjithash, për shkak të raportimit më të rrallë të saj. Shumë shpesh, raportimi i dhunës në institucionet ndëshkimore-korrektuese shoqërohet me hakmarrje. Situata në të cilën ndodhen personat e dënuar e ndërlikon edhe më shumë vendimin për denoncim, sepse ato janë të privuar nga liria, dhe për këtë arsye duhet të qëndrojnë në të njëjtin institucion me atë që ka kryer ose është ende duke ushtruar dhunë, një situatë, që nga ana tjetër, mundëson hakmarrjen e tij.

Për të mundësuar forcimin e mbrojtjes së të drejtave të personave të dënuar të parashikuar në nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut me mjete jogjyqësore dhe vizita të karakterit parandalues, është miratuar Konventa evropiane për parandalimin e torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese. Neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut plotësohet me ekzistencën e vetë Konventës, e cila shihet përmes faktit se përmes saj themelohet një komitet i pavarur ekspertësh – Komiteti Evropian për Mbrojtjen nga Tortura dhe Trajtimet ose Ndëshkimet Çnjerëzore ose Degraduese.

Të drejtat e personave të dënuar, në përputhje me dispozitat e CPT-së dhe praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, konsiderohen nga disa aspekte në fushëveprimin e nenit 3. Si rezultat, merren parasysh: kushtet e akomodimit, kushtet higjienike, veshja dhe shtrati, ushqimi, ushtrimet fizike dhe rekreacioni, kontrolli, transferimi i personave të dënuar, kujdesi mjekësor, regjimi i veçantë në burg (përdorimi i dhomës së izolimit).

Nëpërmjet raporteve të shumta për gjendjen në institucionet ndëshkimore dhe korrektuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut, CPT-ja ka evidentuar mangësi në aspektin e kushteve materiale, praktika të caktuara që hyjnë në sferën e torturës, si dhe disa probleme të tjera të rëndësishme në sistemin penitenciar.

Më tej, CPT-ja në raportet e saj të përgjithshme dhe të veçanta qysh para vitit 2018 kishte theksuar nevojën për kontroll të jashtëm civil, duke theksuar se në shumë vende mekanizmat për ankesa ose nuk ekzistojnë ose kanë mangësi. Në të njëjtën kohë rekomandohet që këto të jenë organe të jashtme tek të cilat personat e dënuar mund t’i paraqesin drejtpërdrejt ankesat e tyre.

Me ndryshimet në Ligjin për prokurorinë publike në vitin 2018, u krijua Departamenti i specializuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me kompetenca policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve. Ky departament është i përfshirë edhe në Ligjin e ri për prokurorinë publike të vitit 2020.

Me ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit në vitin 2018, Avokati i Popullit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, së bashku me përfaqësuesit e organizatave (shoqatave) kompetente, në kuadër të Mekanizmit të kontrollit civil, duhet të ndërmarrin veprime dhe masa për të siguruar mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimave dhe të drejtave të tyre dhe të përfaqësojnë interesat e tyre në të gjitha proceset që zhvillohen në organet e administratës shtetërore, si dhe në procedimet në prokurori dhe gjykata. E gjithë kjo duhet të arrihet përmes një hetimi efikas dhe transparent të sjelljes së personave me kompetenca policore dhe pjesëtarëve të policisë së burgjeve për vepra penale gjatë kryerjes së një akti zyrtar dhe për krime të kryera jashtë shërbimit me përdorimin e kërcënimit të rëndë, forcës apo mjetet e shtrëngimit me pasojë vdekjen, lëndimin e rëndë trupor, lëndimin trupor, privimin e paligjshëm nga liria, torturën dhe trajtimin dhe dënimin tjetër mizor, çnjerëzor ose poshtërues, nëse me ligji parashikohet ndjekje penale sipas detyrës zyrtare. Por, ky Mekanizëm ende nuk është funksional, edhe pse thirrja për përzgjedhjen e organizatave kompetente që do të jenë pjesë e tij është shpallur në shkurt të vitit 2023, kurse Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për përzgjedhjen e dy shoqatave në seancën e mbajtur më 02 nëntor 2023. Mosfunksionimi i tij dhe bllokimi i miratimit të metodologjisë së punës ka zgjatur që nga viti 2019.

Dokumentet