MPB-ja shqyrton gjuhën e urrejtjes së tifozëve “shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”

September 14, 2020

Brohoritjet me gjuhë të urrejtjes dhe thirrjet antishqiptare të grupit të tifozëve “Komitët”, të cilat u dëgjuan dje nga qendra e kryeqytetit deri në stadium, kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, në media por edhe tek institucionet. Nga MPB zëdhënësi, Toni Angellovski thotë se kanë marrë masa konkrete ndaj grupit të tifozëve “Komitët” ndërsa informata do të japin pasi të përfundojnë me të gjitha procedurat.

Ndërmerren masa lidhur me këtë rast. Për fat të mirë kjo është dukuri shumë e rrallë por për fat të keq ende e ka në shoqërinë tonë. Ne si Ministri e Punëve të Brendshme por edhe institucionet e tjera që janë kompetente në këtë dukuri të ndërmarrim aktivitete përkatëse që kjo dukuri të largohet përgjithmonë nga shoqëria jonë – tha Toni Angellovski, Zëdhënës i MPB.

Nga Prokuroria Themelore publike thonë se ende nuk kanë pranuar paraqitje të rastit për brohoritjet e djeshme të grupit të tifozëve “Komitët”.

Deri në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup deri në këtë moment nuk është dorëzuar padi penale ose informim për ngjarjen për të cilën shfaqni interes. Pas pranimit eventual të informimit ose padisë penale nga ana e MPB-së si institucion kompetent për zbardhjen e identitetit të kryerësve të veprave penale, Prokuroria do të veprojë sipas kompetencave të saj – thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Sipas ekspertëve dhe sektorit joqeveritar, ngjarjet ku përdoret gjuha së urrejtjes, e cila shkakton edhe tensione ndëretnike, përsëritet shpesh pasi në vendin tonë ajo vazhdon të mos ndëshkohet. Aleksandar Jovanoski nga Komiteti i Helsinkit thotë se i ndjekin dhe vazhdimisht i paraqesin këto raste në polici, por është prokuroria ajo që nuk vepron deri në fund.

Ajo që është edhe më shqetësuese është se nuk ka reagim nga ana e Prokurorisë publike, shpesh këto raste përfundojnë vetëm deri në MPB, më pas dërgohen deri në Prokurori dhe prej atje nuk kemi epilog konkret dhe ndërtojmë një lloj sistemi të pa ndëshkueshmërisë dhe e shikojmë se këto ngjarje në kontinuitet na ndodhin, paraqiten dhe marrin dimension të ndryshëm – deklaroi Aleksandar Jovanoski, Komiteti i Helsinkit.

Sipas analizave të fundit të Komitetit të Helsinkit vetëm gjatë pandemisë gjuha e urrejtjes në baza etnike është rritur për rreth 50%. Gjatë ditës së djeshme një grup i tifozëve “Komitët”, brohorisnin në qendër të qytetit thirrje anti-shqiptare si “shqiptari i mirë, shqiptar i vdekur”.