September 7, 2020

Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut – gusht 2020

PËRMBAJTJA

KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR 

TË DREJTAT E PUNËTORËVE

-Xehetaria paraqet bazën e zhvillimit të industrisë së një vendi, por sa vlen jeta e një minatori në Maqedoni?

– (Mos) vazhdimi i pushimit mjekësor të punonjëseve për shkak të lehonisë

DISKRIMINIMI
-Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi kërkon zgjedhjen e profesionistëve dhe personave kompetentë në institucionin Avokati i Popullit 

PUNONJËSET NË INDUSTRINË E TEKSTILIT

– Punonjëset në industrinë e tekstilit vazhdojnë të përballen me shkeljet e të drejtave të tyre gjatë kohës së pandemisë

PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA

– Arsim për fëmijët me aftësi të kufizuara

GJUHA E URREJTJES

– Rritje e gjuhës së urrejtjes mbi bazën e përkatësisë etnike

KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut vazhdoi me monitorimin e masave të Qeverisë, veçanërisht në kontekst të respektimit të të drejtave fundamentale në kuadër të Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të drejtat fundamentale. Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në raportin e tij për muajin gusht jep një përmbledhje të situatës me të drejtat e punëtorëve, diskriminimin, punonjëset në industrinë e tekstilit, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe gjuhën e urrejtjes.

Korniza e bisedimeve që u prezantua nga presidenca gjermane për bisedimet midis Bashkimit dhe Maqedonisë së Veriut konstatoi se parakusht kryesor i anëtarësimit janë “institucionet e qëndrueshme që garantojnë demokraci, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të bashkësive jo shumicë.

Duke marrë në konsideratë rishikimin e gjithëanshëm të procesit të përafrimit në pjesën e kapitujve politikë, procesi i bisedimeve do të fillojë dhe do të përfundojë me grupin e parë themelor (pra edhe Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat fundamentale). Metodologjia e re dhe propozimi i Kornizës së bisedimeve ka për qëllim:

– të mundësojë kohë dhe resurse të mjaftueshme për krijimin e infrastrukturës së nevojshme ligjore për zbatimin e të drejtës së BE-së,

– krijimin e strukturave të domosdoshme në përputhje me strukturën administrative të BE-së dhe përshtatjen graduale të tyre në përmbushjen e detyrimeve për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe

– ndërtimin e një dosje suksesi në zbatimin e reformave të ndërmarra para përmbylljes së bisedimeve dhe nënshkrimit të Marrëveshjes për aderim në Bashkimin Evropian.

Ngjashëm si muajt e kaluar dhe në vijë të drejtë me prirjen e konstatuar, kujdesi duhet të drejtohet kah përballja e krizës socio-ekonomike si rezultat i pandemisë – mbrojtjen e bashkësive të margjinalizuara, zbatimin përkatës të masave, mbikëqyrjen dhe zbatimin e duhur. Ajo që e shënoi këtë muaj është sërish rritja e gjuhës së urrejtjes në mediat sociale në kontekst të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe formimit të qeverisë së re të koalicionit midis Lidhjes socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimit demokratik për integrim (BDI). 

TË DREJTAT E PUNËTORËVE 

Xehetaria paraqet bazën e zhvillimit të industrisë së një vendi,[1] por sa vlen jeta e një minatori në Maqedoni? 

„Me rastin e një aksidenti në minierën „Suvodoll“ në KXE Manastir, ndërsa punonte me makinë ndërtimi, jetën e humbi një punëtor 60 vjeç.“ – për fat të keq, lajmet e tilla u bënë gjithnjë e më të shpeshta në vendin tonë. I njëjti rast ishte edhe me minatorin që humbi jetën vetëm tetë ditë para shënimit të 28 gushtit – Ditës së minatorëve.

Xehetaria edhe më tej paraqet një nga industritë më të rrezikshme në vendin tonë, me përqindjen më të lartë të dëmtimeve të regjistruara në vendin e punës. Instituti i shëndetit publik, në raportin e tij për vitin 2019 vë në dukje se janë vërejtur gjithsej 1.121 dëmtime në vendin e punës gjatë vitit të kaluar, që paraqet një rritje në raport me vitin paraprak, madje për 25 përqind. Në strukturën e dëmtimeve të regjistruara për vitin 2019, numri më i madh është regjistruar në industri dhe xehetari, edhe atë gjithsej 309 dëmtime ose 27.6 përqind nga numri i përgjithshëm i dëmtimeve të regjistruara. Në raport me vitin 2018, numri i tyre është rritur për 3 përqind.[2]

Rastet fatale nëpër miniera shpesh janë si rezultat i mungesës së masave për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve, mungesën e pajisjeve personale për mbrojtje, problemeve teknologjike në lidhje me sistemin e ajrosjes dhe të ngjashme. Kjo do të thotë që shumica e dëmtimeve fatale mund të shmangen nëse respektohen dispozitat e përshkruara për mbrojtjen e minatorëve. Për këtë arsye rikujtojmë se Qeveria dhe punëdhënësit kanë obligim që ta mbrojnë të drejtën e jetës së punëtorëve që punojnë nëpër miniera dhe theksojmë se edukimi i duhur i punëtorëve dhe zbatimi i teknologjisë së re në miniera janë një ndër masat kryesore që duhet të zbatohen për parandalimin e aksidenteve të tilla në miniera. Minatorët nuk janë inpute në prodhimtari, nuk janë vegla për gjenerimin e fitimeve, nuk janë vegla që duhet të sigurojnë produktivitetin e ndërmarrjeve. Ata janë punëtorë, njerëz të mishit dhe gjakut, me ndjenja, me historitë e tyre të jetës, me dinjitetin e tyre dhe jemi të detyruar që t’ju ofrojmë kushte sa më të mira në punë.

(Mos) vazhdimi i pushimit mjekësor të punonjëseve për shkak të lehonisë

Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi korona, në datë 02.04.2020, Qeveria miratoi Dekret me të cilin pushimi mjekësor për shkak të shtatzënisë vazhdohet deri në skadimin e masave të përkohshme për mbrojtje nga përhapja dhe parandalimi i virusit KOVID – 19, kurse kompensimi për pushimin mjekësor do të vazhdojë të paguhet.

Një punonjëse, të cilës kontrata e punës e themeluar për kohë të caktuar ka skaduar në dhjetor 2019, e kishte ushtruar të drejtën e saj të pushimit mjekësor për shkak të lehonisë, deri në muajin prill të këtij viti. Pasi që Qeveria e miratoi dekretin me fuqi ligjore, me kërkesë të punonjëses, Fondi për sigurim shëndetësor e kishte njoftuar gojarisht se ajo ishte e përfshirë me masat qeveritare dhe se pushimi i saj mjekësor për shkak të shtatzënisë është vazhduar. Mirëpo, për shkak faktit se punonjësja nuk e ka marrë kompensimin e pagës për muajt prill dhe maj, ajo sërish i është drejtuar Fondit për sigurim shëndetësor, ku kësaj here e kanë njoftuar se pushimi i saj mjekësor i shtatzënisë nuk është vazhduar sepse kontrata e saj e punësimit kishte skaduar në muajin dhjetor të vitit 2019.

Ligji për marrëdhëniet e punës, në nenin 170, paragrafi 2 parashikon se punonjëses të cilës i është ndërprerë kontrata e punësimit për kohë të caktuar për shkak të skadimit të kontratës dhe gëzon kompensimin e pagës gjatë kohës së pushimit mjekësor për shkak të shtatzënisë, lehonisë dhe atësisë, vazhdon të ushtrojë të drejtën deri në skadimin e pushimit mjekësor me shpenzimin e institucionit përgjegjës për zbatimin e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor. Kjo nënkupton se të gjitha punonjëset, të cilave u janë ndërprerë kontratat e punësimit për kohë të caktuar ndërsa kanë ushtruar të drejtën e pushimit mjekësor për shkak të shtatzënisë, pa përjashtim, kanë të drejtë vazhdimin e pushimit mjekësor për shkak të shtatzënisë dhe të gëzojnë kompensim deri në skadimin e masave të përkohshme.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut është në pritje të përgjigjes zyrtare nga ana e Fondit për sigurim shëndetësor dhe korrigjim të mënyrës së tillë të interpretimit të Dekretit, gjë që e vë këtë grup punonjësesh në një pozitë të pabarabartë, duke i pamundësuar ato në ushtrimin e të drejtës së tyre për pushim mjekësor për shkak të shtatzënisë. 

DISKRIMINIMI 

Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi kërkon zgjedhjen e profesionistëve dhe personave kompetentë në institucionin Avokati i Popullit

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut si pjesë e Rrjetit për mbrojtje nga diskriminimi, në mënyrë të vazhdueshme e monitoron punën e Avokatit të Popullit si një institucion kombëtar për të drejtat e njeriut dhe përgjatë viteve të fundit ka identifikuar shumë pengesa në funksionimin e tërësishëm të tij, që e dobësojnë efikasitetin dhe efektivitetin e tij si institucion dhe e ndalojnë atë në përmbushjen e plotë të kompetencave të tij. Ndër problemet urgjente janë mungesa e shpërndarjes së barabartë të burimeve financiare, njerëzore dhe teknike, si dhe shkalla e profesionalizmit dhe përgatitjes së një pjese të konsiderueshme të stafit. Lajmet e fundit që i raportuan mediat në lidhje me punën e Avokatit të Popullit, respektivisht mosmarrëveshjet midis Avokatit të Popullit Ixhet Memeti dhe zëvendësve të tij, si dhe akuzat për nënçmim, shkurtim të pushimit vjetor dhe privim të të drejtave të tjera, madje edhe të mobingu nga ana e Avokatit të Popullit janë skandaloze dhe shqetësuese. Një situatë e tillë e shkund seriozisht besimin e qytetarëve ndaj institucionit dhe rëndësinë e rolit të tij. Me këtë rast, dëshirojmë të kujtojmë se mandati i dytë i Avokatit të Popullit Ixhet Memeti skadon në fund të vitit 2020, dhe sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, Kuvendi është ligjërisht përgjegjës për të filluar procedurën për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit me anë të shpalljes së konkursit jo më vonë se tre muaj para skadimit të mandatit të Avokatit aktual të Popullit. Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi kërkon nga Kuvendi që zgjedhja e Avokatit të Popullit të jetë një ndër prioritetet e përbërjes së re parlamentare, të zbatohet proces transparent dhe i drejtë i përzgjedhjes së kandidatëve i çliruar nga ndikimi i partive politike dhe të bëhet zgjedhja e kandidatit kompetent dhe të duhur. Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohet një institucion i pavaruar dhe profesional i cili në përpikmëri dhe tërësi do t’i ushtrojë të gjitha kompetencat e tij ligjorë për promocion, avancim dhe mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Njëherit, funksionimi i institucionit varet edhe nga këshilltarët shtetërorë, nga bashkëpunëtorët dhe nga nëpunësit e tjerë që janë të punësuar në të. Sipas raportit të fundit të Avokatit të Popullit për vitin 2019, nga 155 vende pune të parashikuara me Rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës në shërbimin profesional, në ekipin e Mekanizmit kombëtar për parandalim, në departamentet e veçanta dhe zyrat e Avokatit të Popullit janë plotësuar vetëm 90 vende, që do të thotë se, madje 65 vende pune janë të paplotësuara. Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi bën thirrje që për afat sa më të shkurtër kohor të realizohen punësime të reja dhe theksojmë që gjatë procedurës nuk guxon të lejohet asnjë lloj ndikimi partiak.

Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi shfaq shqetësim për faktin se, megjithëse Avokati i Popullit si institucion ekziston për më shumë se 20 vjet, ai nuk ka arritur të përmbushë kriteret e përcaktuara ndërkombëtarisht për institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut, siç janë Parimet e Parisit për institucionet kombëtare për të drejtat e njeriut pranë OKB-së dhe Parimet për mbrojtjen dhe promocionin e Ombudsmanit të Komisionit të Venedikut.

Përfundim: Që të kemi një institucion të fortë dhe të pavarur të Avokatit të Popullit është e rëndësishme edhe për shkak të proceseve të integrimit evropian të vendit tonë, sepse ky është një kriter për përmbushjen e vlerave themelore të BE-së, për sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Për më tepër, vitin e kaluar, Komisioni Evropian na e rikujtoi nevojën për të emëruar anëtarët e organeve të pavarura të bazuara në merita për të siguruar kompetencën dhe integritetin e tyre. Kjo padyshim vlen edhe për Avokatin e ardhshëm të Popullit.

Rekomandim: Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi kërkon nga deputetët e përbërjes së re parlamentare që të fillojnë me kohë procedurat e nevojshme për zgjedhjen e një Avokati të ri të Popullit dhe të zgjedhin një kandidat me përkushtim dhe seriozitet, në mënyrë që institucioni Avokati i Popullit të kryejë funksionin e tij në mënyrë efektive, të pavarur dhe mënyrë profesionale për të gjithë qytetarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të jetë një shembull i vërtetë i një promovuesi dhe mbrojtësi i të drejtave dhe lirive të njeriut, kur ato shkelen nga autoritetet publike. 

PUNONJËSET NË INDUSTRINË E TEKSTILIT

Punonjëset në industrinë e tekstilit vazhdojnë të përballen me shkeljet e të drejtave të tyre gjatë kohës së pandemisë

Komiteti i Helsinkit në muajin gusht ka regjistruar dy raste të shkeljes së të drejtave të punës të punonjëseve në industrinë e tekstilit. Në rastin e parë bëhet fjalë për një fabrikë tekstili nga Probishtipi, e cila për muajin korrik punonjësve të saj u ka paguar pagat në shumë më të ulët se paga minimale e parashikuar ligjërisht, ndërsa disa punonjëseve që kanë qenë në izolim për shkak të kontaktit me person të infektuar me KOVID-19, nuk u ka paguar fare pagën për muajin korrik. Në rastin e dytë bëhet fjalë për një fabrikë tekstili nga Negotina, e cila nuk e paguan shtesën për punë jashtë orarit dhe shtesën e pagës për stazh pune. Për të dy rastet, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka filluar procedurat pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës.

Përfundim: Punonjëset në industrinë e tekstilit vazhdojnë të mbeten njëra ndër grupet më të rrezikuara të punonjëseve, të drejtat e punës të së cilave shkelen në vazhdimësi nga ana e punëdhënësve gjatë kohës së pandemisë.

Rekomandim: I bëjmë thirrje Inspektoratit Shtetëror të Punës që të vazhdojë me punën e përpiktë dhe veprimin në kohë ndaj kërkesave për fillimin e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme inspektuese. Presim që Inspektorati Shtetëror i Punës të kryejë mbikëqyrje inspektuese për rastet e përmendura, të konstatojë parregullsitë dhe të urdhërojë mënjanimin e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve nga ana e  punëdhënësve.

PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA 

Arsim për fëmijët me aftësi të kufizuara

Që nga fillimi i pandemisë KOVID-19, fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, sidomos fëmijët me aftësi të kufizuara, janë përballur me sfida të shumta në procesin arsimor.

Platformat online për mësim nga largësia në vendin tonë, të cilat e zëvendësuan arsimin e rregullt, me fillimin e izolimit i përjashtuan numrin më të madh të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka theksuar rrezikun e rritjes së përjashtimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara nga procesi arsimor si rezultat i krizës aktuale. Vlerësohet se fëmijët me aftësi të kufizuara do të përfitojnë më së paku nga zbatimi i zgjedhjeve alternative për mësim nga largësia, e që pasohet nga mungesa e mbështetjes në shtëpi, mungesa e qasjes në internet, mosekzistimi i softverit të aksesueshëm dhe materialeve arsimore.[3]

Situata me pandeminë vetëm i theksoi mangësitë e shumta në zbatimin e Ligjit për arsimin fillor, i cili u miratua para fillimit të vitit të kaluar shkollor, për të cilin Komiteti i Helsinkit ka paralajmëruar në disa raste. Duke marrë parasysh që akoma nuk është shpallur konkurs për zgjedhjen e asistentëve arsimorë, e drejtë që gjatë vitit paraprak shkollor mund ta gëzonin vetëm një numër i vogël fëmjësh nga ata që kishin nevojë, ekzistojnë indikacione që edhe me fillimin e vitit të ri shkollor, fëmijët me aftësi të kufizuara nuk do të jenë në gjendje të ushtrojnë këtë të drejtë.

Gjatë muajit gusht, në Komitetin e Helsinkit për të drejtat e njeriut u denoncua një rast në të cilin një fëmije me aftësi të kufizuara, sipas vlerësimit funksional të bërë gjatë muajit të fundit, është konstatuar nevoja për një asistent arsimor, por pas parashtrimit të kërkesës për shfrytëzimin e kësaj mase në Komunë, familja edhe më tej nuk ka marrë asnjë përgjigje. Pas një komunikimi me Zyrën e UNDP-së, e cila si një organizatë bashkëpunon me komunat për ofrimin e asistencës arsimore, familja mori informacion se UNDP-ja do të mbulojë 80% të shpenzimeve të përgjithshme për sigurimin e asistenit arsimor. Nga ky fakt, familja e ka kontaktuar Komunën prej ku i kanë dhënë shpjegime rreth procedurës administrative për plotësimin e aplikacionit për të siguruar asistencën e nevojshme. Megjithatë, Komuna edhe më tej nuk i ka dorëzuar përgjigje shkollës, as edhe familjes nëse është marrë një vendim për të aprovuar asistencën arsimore dhe për të mbuluar shpenzimet e mbetura.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut parashtroi kërkesë për dorëzimin e informacionit në Komunë, por edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nëse është marrë ndonjë vendim me të cilin aprovohet asistenca arsimore dhe mbulimi i shpenzimeve të mbetura nga ana e Komunës, dhe nëse nuk është marrë vendim, arsyetim se për çfarë shkaqesh nuk është vepruar.

Në prag të vitit të ri shkollor, një numër i madh nxënësish vazhdojnë të mos kenë qasje në internet dhe në pajisje kompjuterike, madje nuk kanë qasje as në materialet përkatëse arsimore për realizimin e mësimit online, që janë të një rëndësie të veçantë për fëmijët me aftësi të kufizuara. Për këtë arsye, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të rëndësishme që gjatë miratimit të vendimit për zgjedhjen e mënyrës së punës nëpër shkolla në vitin e ri shkollor, t’i marrin parasysh edhe nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, respektivisht t’ju ofrojnë kushtet e nevojshme dhe zbatimin e dispozitave ligjore në mënyrë që të përfshihen pa u penguar në procesin arsimor. 

GJUHA E URREJTJES 

Rritje e gjuhës së urrejtjes mbi bazën e përkatësisë etnike

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut edhe gjatë muajit gusht ka vërejtur numër të madh denoncimesh në lidhje me gjuhën e urrejtjes. Komiteti i Helsinkit ka verifikuar gjithsej 97 denoncime për muajin gusht 2020. Shumica e rasteve të denoncuara në muajin gusht u referohen biseimeve për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në veçanti ishte regjistruar retorika negative që rezultoi në rritjen e numrit të denoncimeve për gjuhë të urrejtjes në mediat sociale mbi bazën e përkatësisë etnike dhe politike, madje 45% nga numri i përgjithshëm i të gjitha denoncimeve për muajin gusht.

Komiteti ka paralajmëruar vazhdimisht për numrin e lartë të denoncimeve për gjuhë të urrejtjes dhe mund të konstatohet se reagimi nga ana e institucioneve kompetente është akoma në nivel të pakënaqshëm. Sa për ilustrim, për muajin e njëjtë në vitin 2019 kur u përshkallëzua rasti ‘Zhvatja’ ishin regjistruar 46 denoncime, që në thelb paraqet rritje për rreth 90 përqind për këtë vit. Përmes monitorimit të vendosur nga ana e Komitetit, mund të vërehet se gjuha e urrejtjes përveç në Facebook u përhap edhe në mediat e tjera sociale, sidomos në Twitter, Instagram dhe TikTok.

Diskursi negativ nga periudha paszgjedhore në muajin korrik vazhdoi edhe n muajin gusht me një retorikë jashtëzakonisht të intensifikuar dhe ofenduese. Bisedimet rreth formimit të Qeverisë së re prodhuan gjuhë plot urrejtje, e cila kryesisht ishte me karakter etnik në kontekst të bisedimeve ndërmjet Lidhjes socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimit demokratik për integrim (BDI). Ishte përdorur gjuhë ofenduese drejtpërdrejt ndaj politikanëve të caktuar, duke i quajtur ‘të shitur’, ‘tradhtarë’, etj. Gjithashtu, që nga muaji maj 2020, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka vërejtur jashtëzakonisht gjuhë nacionaliste plot me urrejtje. Numri më i madh i rasteve të gjuhës së urrejtjes është regjistruar më 25 gusht 2020 pas shpalljes së koalicionit paszgjedhor ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së. Njëashtu, pas një periudhe të gjatë kohore është vërejtur edhe një rritje e gjuhës së urrejtjes bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

Prirja e gjuhës së urrejtjes, gusht 2020

Gjuha e urrejtjes në mediat sociale për muajin gusht 2020.

Numri më i madh i denoncimeve (ose 45% nga numri i përgjithshëm i denoncimeve të verifikuara) kishin të bënin me përkatsinë etnike që ishin vërejtur sidomos pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. 40% ose 53 denoncime u referoheshin gjuhës së urrejtjes bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, si dhe gjuhës së urrejtjes për shkak të përkatësisë politike.

Me atë rast, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka publikuar dy reagime të ndara. Në reagimin e parë me titull “Nuk ka vend për homofobi në të majtën[4]”, Komiteti përmes Rrjetin kombëtar për luftë kundër homofobisë dhe transfobisë shprhet se “Apasiev, si përfaqësues i partisë me ideologji të vetëshpallur majtiste duhet të jetë në dijeni se çdo të thotë të jesh i shtypur, i përjashtuar, i margjinalizuar dhe i diskriminuar në një shoqëri si e jona. Përdorimi i homofobisë për diskreditim politik dhe për ndezjen e përçarjes dhe urrejtjes në shoqëri, nuk është asgjë e re në arenën politike të vendit tonë.” Në reagimin e dytë “Mbështetje për aktivistin Blendi Hodai, stop urrejtjes që po shkatërron jetët e të rinjve[5]”, Komiteti bëri me dije se “Si një organizatë e cila rregullisht e monitoron situatën me krimet nga urrejtja, Komiteti i Helsinkit vazhdimisht paralajmëron për lidhjen midis gjuhës së urrejtjes e cila me dekada qëndron dhe ushqehet dhe nga ana tjetër rastet e dhunës, që për fat të keq shpeshherë përfundojnë me pasoja fatale.”

Numri i lartë i denoncimeve, siç është theksuar nga Komiteti i Helsinkit në periudhën e mëparshme, lidhet me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe mungesën e reagimit adekuat të institucioneve kompetente. Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, posaçërisht Ministrisë për Punë të Brendshme, që urgjentisht të marrë masa brenda kompetencës së tyre për të sanksionuar këtë fenomen – respektivisht punë më intensive me organizatat e shoqërisë civile dhe një fushatë publike për edukim plotësues të qytetarëve. Lidhur me ndryshimet e thella që janë të domosdoshme për të parandaluar prirjet negative të urrejtjes dhe krimeve në vend, i përsërisim përpjekjet tona për reforma thelbësore në procesin arsimor, kulturën dhe komunikimin publik, para së gjithash në mënyrën se si institucionet kompetente (nuk) e trajtojnë gjuhën e urrejtjes dhe pasojat e saj. Reagimet e opinionit që janë verifikuar nga Komiteti i Helsinkit janë në dispozicion në: http://www.govornaomraza.mk/reports/.

[1] Kjo pjesë e nëntitullit i referohet deklaratës së ministrit të ekonomisë, me rastin e shënimit të Ditës së minatorëve.

[2] Raport i Institutit për shëndet publik – Të dhëna për dëmtime në punë për vitet 2018-2019.

[3] https://www.un.org/sites/un2.un.org/files/sg_policy_brief_on_persons_with_disabilities_final.pdf

[4] https://mhc.org.mk/news/nema-mesto-za-homofobija-vo-levicata/

[5] https://mhc.org.mk/news/poddrshka-za-aktivistot-blendi-hodai-stop-za-omrazata-koja-unishtuva-mladi-zhivoti/

Dokumentet