Kovidi-19 nuk e heshti gjuhën e urrejtjes!

March 2, 2021

Përkatësia etnike edhe më tej është baza më e përfaqësuar, e theksuar në 611 raste, pas të cilës renditet urrejtja në bazë të përkatësisë politike me 340 raste, thuhet në raportin e Komitetit të Helsinkit

Omer XHAFERI

Shkup, 2 mars – Mosdurimi etnik vazhdon të mbetet në maje të gjuhës së urrejtjes të përdorur në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2020. Të dhënat e fundit të publikuar nga Komiteti i Helsinkit, mes tjerash tregojnë në vitin 2020 janë regjistruar gjithsej 1119 raste të gjuhës së urrejtjes. Përkatësia etnike edhe më tej është baza më e përfaqësuar, e theksuar në 611 raste, pas të cilës renditet urrejtja në bazë të përkatësisë politike me 340 raste. “Duke e analizuar gjendjen e gjuhës së urrejtjes në nivel kombëtar, mund të arrihet në përfundimin se prania më e shpeshtë e gjuhës së tillë është e lidhur ngushtë me shoqërinë dhe me ngjarjet politike. Në vitin 2020, disa ngjarje të rëndësishme kanë shkaktuar ortek komentesh nëpër mediat sociale. Ato ngjarje i shënuan të ashtuquajturat ‘kulme’ në ngjarjet e dokumentuara të gjuhës së urrejtjes në vitin 2020 në nivel kombëtar dhe lokal”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

Në përshkrimin e ngjarjeve të vitit të kaluar, të cilët sipas Komitetit të Helsinkit, kanë ndikuar në gjuhën e urrejtjes – përmendet shpërbërja e Parlamentit në muajin shkurt, gjegjësisht votimi i Ligjit për Prokurorinë Publike. Sipas tyre, këto dy ngjarje kanë shkaktuar një valë të gjuhës së urrejtjes ndaj disidentëve politikë dhe e pranishme ishte edhe gjuha e urrejtjes midis grupeve të ndryshme etnike. “Në muajin prill, kriza shëndetësore dhe dimensioni ndëretnik, por edhe padurimi ndërmjet grupeve të ndryshme etnike – ishte lehtësisht e dukshme. Në këtë periudhë, gjatë kohës së festave të pashkëve, filloi rendi i një sërë masave restriktive që e rritën padurimin edhe në plan etnik. Prej këtu, nga 112 rastet e raportuara të gjuhës së urrejtjes, 53 raste janë në bazë të përkatësisë etnike. Mbajtja e mbledhjes në muajin maj me rastin e festës myslimane ‘Ramazan Bajrami’, i ndezi pasionet dhe shkaktoi gjuhë të urrejtjes të bazuar në mënyrë etnike dhe fetare. Gjatë muajit maj, 46% e rasteve janë gjuhë e urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike, dhe 20% e rasteve janë gjuhë e urrejtës në bazë të përkatësisë politike”, thonë të dhënat statistikore të Komitetit të Helsinkit.

Përpos në rrjetet sociale dhe platformat e ndryshme on-line, Komiteti i Helsinkit ka konstatuar se gjuha e urrejtjes në qytete si Manastiri, Shtipi e Tetova është prezent edhe në shkrimet apo grafitet e lagjeve. Zhvillimi i teknologjisë, sipas Komitetit, ka çuar në zhvillim të shpejtë të mediave sociale që janë bërë hapësira kryesore për shkëmbimin e informacioneve dhe mesazheve me shpejtësi të madhe, respektivisht në këtë mënyrë është mundësuar edhe përhapja e shpejtë edhe e gjuhës së urrejtjes. Ata vlerësojnë se është i nevojshëm ndryshim në legjislacionin në mënyrë të tillë që forma të caktuara më të lehta të gjuhës së urrejtjes – do të mund të ishin të trajtuara si kundërvajtje, si edhe ndarje e qartë dhe kualifikim ligjor për të gjitha format e gjuhës së urrejtjes. (koha.mk)