MARSH PËR TË DREJTAT E GRAVE – “VIJA E KUQE: TË DREJTAT E GRAVE NUK JANË TË NEGOCIUESHME”

March 6, 2024

Marsho me ne këtë 8 Mars!

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Luftën Ekonomike, Politike dhe Sociale për Barazi të Grave – 8 Mars (e premte), ju ftojmë në aksion kolektiv, protestë kolektive dhe marshim kolektiv në luftën e përbashkët për barazi gjinore. Këtë vit po marshojmë me sloganin “Vija e kuqe: Të drejtat e grave nuk janë të negociueshme”, duke filluar nga ora 17:00 në Sheshin Skënderbe.

Ky marsh është një reflektim proteste ndaj situatës në vendin tonë, kundër pakujdesisë institucionale dhe sociale ndaj grave dhe vajzave, duke filluar nga rritja e niveleve të dhunës, femicideve, padrejtësive të përditshme sociale dhe shëndetësore e deri te shkalla e lartë e pasigurisë ekonomike dhe varfëria që na prek të gjithëve, veçanërisht gratë. Në një periudhë kur po zhvillohen negociata intensive politike, ekonomike dhe sociale, ju kujtojmë se të drejtat e grave nuk janë të negociueshme! Ne vendosim vija të kuqe për të drejtat tona shëndetësore, arsimore, të punës, kulturore, politike dhe ekonomike!

Marshojmë së bashku, sepse të gjithëve duhet të na garantohen të drejta dhe mundësi të barabarta – qasje në shërbime shëndetësore, pa humbur të drejtën tonë për të zgjedhur, disponueshmëri e ekzaminimeve gjinekologjike falas në të gjitha vendbanimet, si dhe produkte menstruale dhe higjienike, kushte të mira spitalore dhe ekspertizë mjekësore, paga të barabarta për të njëjtën punë, përfshirje në vendimmarrje, siguri në vendin e punës, vlerësim i punës së papaguar shtëpiake, jetë pa dhunë – fizike dhe digjitale, siguri në hapësirën publike dhe private, trajtim i drejtë dhe i paanshëm institucional. Pavarësi, drejtësi dhe siguri – në të gjitha segmentet e ekzistencës sonë!

Shprehim solidaritetin tonë për motrat dhe bashkëluftëtaret tona në Zagreb, Sarajevë, Beograd, Prishtinë, Podgoricë, Tiranë, Lubjanë, të cilat po përballen me të njëjtat padrejtësi dhe ju kujtojmë se mbështetja dhe bashkëpunimi rajonal do të na ndihmojë të kapërcejmë pengesat së bashku.

Prandaj, ju ftojmë të marshojmë sëbashku dhe të ngremë zërin për të drejtat e grave dhe vijat e kuqe që nuk duhen kapërcyer.

Marshojmë së bashku ditën e premte – 8 mars në orën 17:00 në Sheshin Skënderbe, ku do të nisim itinerarin tonë dhe do të përfundojmë marshimin në Parkun e Gruas, me fjalimet përfundimtare për publikun dhe institucionet.

Shihemi në marsh!