Të drejtat e punëtorëve në kohën e virusit korona – të dhëna të përmbledhura
July 8, 2020
Menjëherë pas miratimit të masës së parë për të parandaluar virusin korona që prekte drejtpërdrejt punëtorët, ne ishim dëshmitarë të shkeljeve të shpeshta dhe të rënda të të drejtave të punëtorëve. Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së krizës, Komiteti i Helsinkit vazhdoi pandërprerë t’ju ofrojë ndihmë juridike falas të gjithë punëtorëve. Në periudhën nga data 10 mars deri më 30 qershor 2020, kemi regjistruar 197 raste të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, që preknin gjithsej 2723 punëtorë. Më shumë se 60 përqind e denoncimeve u referoheshin grave punëtore dhe në këtë mënyrë kriza mori edhe dimension gjinor.
Më kritike ishin gjashtë javët e para pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, kur u regjistruan 145 raste nga numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara. Punëdhënësit menjëherë filluan me largime masive të punëtorëve, respektivisht ndërprerje të kontratave të tyre të punës. Vetëm në muajin mars, kemi regjistruar 17 raste të këtilla që prekën gjithsej 375 punëtorë. Atje ku patën mundësi, punëdhënësit bënin presion që punëtorët në mënyrë të detyrueshme, por “me marrëveshje” të ndërpresin marrëdhënien e tyre të punës, kështu që në muajin mars dhe pjesën e parë të prillit kemi regjistruar 30 denoncime për 317 punëtorë. Ky trend i denoncimeve për largime nga puna filloi të bie gjatë muajve të ardhshëm dhe nga prilli deri në fund të periudhës së raportit, te ne u regjistruan 85 largime nga puna dhe 5 punëtorë që kishin nënshkruar marrëveshje për ndërprerje të marrëdhënies së punës. Një ndër kategoritë më të cenuara të punëtorëve ishin ata me marrëdhënie të themeluar pune për kohë të caktuar, të cilët për shkak të pozitës së tyre specifike të varësisë, nuk ua kishin vazhduar kontratat e punës.
Punëdhënësit kanë gjetur një mënyrë për të shmangur presionin e publikut për largimet masive nga puna në muajin mars, dhe në periudhën në vijim filluan t’i ulin ose të mos i paguajnë fare pagat e punëtorëve, duke goditur drejtpërdrejt mbi ekzistencën e tyre. Gjatë kësaj periudhe, denoncimet më të zakonshme të regjistruara kishin të bënin pikërisht me këto shkelje – madje 810 punëtorëve iu është ulur paga ose fare nuk i kanë marrë ato.
Në 23 raste kemi regjistruar mosrespektim të masave qeveritare nga ana e punëdhënësve edhe atë në lidhje me (mos)organizimin e procesit të punës në mënyrën që të sigurohet distanca e nevojshme, dezinfektimi i vazhdueshëm i vendeve të punës dhe pajisjet mbrojtëse për 1022 punëtorë.
Më të goditura nga kriza ishin industria e përpunimit, industria e tekstilit dhe industria e lëkurës, ku edhe u regjistruan numri më i madh i shkeljeve të të drejtave të punëtorëve. Duke pasur parasysh se te ne gratë në mënyrë dominuese janë të përfaqësuara si fuqi punëtore në industrinë e tekstilit, këto shkelje të të drejtave të punëtorëve njëkohësisht paraqesin edhe shkelje të të drejtave të grave, që në mënyrë shtesë e konfirmon karakterin shumëdimensional dhe ndërsektorial të këtij problemi.
Gratë janë të shtypura në mënyrë strukturore nga fakti se ato janë forca mbizotëruese e punës në industri, e cila deri më tani është industria më pak e paguar. Për më tepër, në një krizë të kësaj madhësie, ato janë të parat që goditen, sepse sistemi që është krijuar për t’i lejuar dhe/ose vënë ato në një pozicion të tillë vartës dhe të shtypur, nuk ka asnjë mekanizëm për t’i mbrojtur ato.
Infografiku është hartuar në kuadrin e projektit “Rritja e produktivitetit nëpërmjet përmirësimit të kornizës ligjore mbi marrëdhëniet e punës në Maqedoni e Veriut”, financuar nga Fondi i Qeverisjes së Mirë të Britanisë. Mendimet dhe qëndrimet e shënuara në këtë përmbajtje nuk i reflektojnë çdoherë mendimet dhe qëndrimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.