Gjendja me të drejtat e 1 nëntor 2019 – 30 prill 2020, infografiku i gjysmëvjetorit
April 30, 2020
Të drejtat e punëtorëve janë të drejta të njeriut
Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji, simbolizon luftën për të ruajtur dhe avancuar të drejtat e punëtorëve dhe shënohet në nder të viktimave dhe të plagosurve nga greva e përgjakshme prej 1 deri në 4 maj të vitit 1886 në Çikago. Kjo grevë, është një nga britmat e para të luftës për të përmirësuar pozicionin e punëtorëve dhe punëtoreve nëpër të gjitha vendet e botës. Atëkohë punëtorët kërkuan vendosjen e orarit 8-orësh të punës, por edhepse ky qëllim u arrit pjesërisht për një pjesë të caktuar punëtorësh, shënimi i ditës së punës nuk u ndërpre. Beteja për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve vazhdon dhe 1 Maji mbetet dhe vazhdon të jetë promovimi vjetor i këtyre kërkesave që asnjëherë më të mos vendoset për fatin, të drejtat dhe obligimet e punëtorëve, pa zërin e punëtorëve.
Sot, 134 vjet më vonë, për shumë punëtorë, java 40-orëshe e punës dhe fundjava e lirë janë ende dëshira të paarritshme. Kjo vlen edhe për një numër të madh të punonjësve në Maqedoninë e Veriut, të cilët çdo ditë përballen me një seri shkeljesh të të drejtave të tyre të punës, të cilat sipas Kushtetutës sonë konsiderohen si të drejta të njeriut.
Komiteti i Helsinkit mbetet aleat i punëtorëve
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojë të monitorojë gjendjen e të drejtave të punëtorëve në vend dhe në çdo kohë, organizata është e gatshme të angazhohet në mënyrë konstruktive në të gjitha proceset me palët e interesuara në mënyrë që të sigurojë respektimin e punës.
Në gjashtë muajt e fundit, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka regjistruar 214 denoncime që përfshijnë të paktën 3.432 punëtorë dhe punëtore. Më shumë se 461 punëtorë mbetën pa punë dhe përafërsisht 696 punëtorëve u ishte ulur paga ose, madje nuk e kishin marrë fare. Në këto periudha tejet të paparashikueshme dhe të vështira, të qenit pa paga për shumicën e punëtorëve do të thotë rrezik për ekzistencën e tyre të rëndomtë dhe për këtë arsye nevojitet solidaritet dhe unitet.
Punëtoret dhe punëtorët janë njerëz prej mishi dhe prej gjaku, me të drejtat e tyre të patjetërsueshme të njeriut, me ndjenja, tregime të jetës dhe dinjitet. Është koha e duhur që të gjithë ne të qëndrojmë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe t’i realizojmë kërkesat e vjetra më shumë se një shekull – një jetë dinjitoze për të gjithë, rregullimi i orarit të punës dhe jashtë orarit të punës, siguri sociale dhe shëndetësore.
Sindikatat duhet te tejkalojnë përçarjen
Pasojat e situatës aktuale do të kërkojnë dialog aktiv midis partnerëve social për të gjetur masa dhe hapa përkatës që do të nënkuptonin kapërcimin e krizës dhe ecjen përpara drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Kjo është arsyeja pse organizimi i përçarë sindikal duhet t’i konsolidojë dallimet e tij sa më shpejt të jetë e mundur dhe të sigurojë një përfaqësim adekuat të rreth 800.000 punëtorëve dhe punëtoreve në vend që jetojnë kryesisht nga pagat e tyre. Imazhe si ato të 1 Majit të vitit të kaluar, kur sindikatat e përgjithshme organizuan tre marshe të veçanta proteste, vetëm përkeqësojnë pozitën negociuese të punëtorëve dhe tregojnë për formalizimin e bashkimit sindikal, përgjithësisht për nevojat dhe problemet thelbësore. Prandaj, është absolutisht e nevojshme të ridizajnohet lufta për të drejtat e punëtorëve dhe të krijohen kushte për veprim më efektiv në procesin e sigurimit të drejtësisë sociale.
Institucionet duhet t’i mbrojnë punëtorët nga pasojat e gjendjes së jashtëzakonshme
Punëtorët ishin të parët që u goditën edhe pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në tërë territotin e shtetit për t’u përballur me pasojat e virusit korona. Për këtë arsye, edhe në këtë ditë i riafirmojmë kërkesat e përbashkëta për Qeverinë nga shumë sindikata dhe organizata qytetare lidhur me mbrojtjen e punëtorëve dhe të varfërve, të cilët kurrë nuk kanë hasur në një përgjigje të përshtatshme nga institucionet.
- Moratorium për të gjitha anulimet e kontratave të punësimit nga ana e punëdhënësve (arsye afariste) dhe për të gjitha uljet e pagave gjatë periudhës së kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme;
- Të drejtën e kompensimit monetar për personat e papunë që ta gëzojnë edhe personat të cilëve marrëdhënia e punës u është ndërprerë për shkak të deklaratës të tyre, marrëveshjes ose për shkak të prishjes së disiplinës të pretenduar. Kjo për arsye se shumë punëtorë gjatë periudhës së kaluar ishin mashtruar nga ana e punëdhënësve dhe marrëdhënia e punës u ishte ndërprerë në këtë mënyrë.
- Të mos jepet mbështetje financiare ndërmarrjeve që kanë larguar punëtorë nga fillimi i krizës, gjegjësisht nga fillimi i marsit. Shumë ndërmarrje që kanë larguar punëtorë gjatë javëve të kaluara, sipas zgjidhjes aktuale mund të marrin ndihmë nga shteti edhe përkundër largimeve të punëtorëve.
- Të sigurohet mbrojtje për punëtorët specifikë (me honorare, frilenserët dhe lloje të ngjashme të punëtorëve), të cilët janë kategoria më e pasigurt; dhe nuk kanë pothuajse asnjë sigurim social dhe shëndetësor. Këta punëtorë, duke ndjekur shembullin e artistëve dhe sportistëve të pavarur, duhet të marrin ndihmë financiare për muajt prill dhe maj të vitit 2020, në shumë mujore prej të paktën 14.500.00 denarë.
- Të ndalohet llogaritja e normave të interesit për kohëzgjatjen e krizës nga ana e bankave, shtëpive të kursimit, shoqërive financiare dhe përmbaruesve, respektivisht, të parandalohen që subjektet e përmendura më parë të përfitojnë në këtë krizë në kurrizin e personave kredimarrës.
- Shërbimet shtetërore duhet të inicojnë procedura për të vërtetuar përgjegjësinë në rast të keqpërdorimeve penale nga punëdhënësit në lidhje me shkarkimet kontraktuale dhe largimet tjera të punëtorëve në periudhën e kaluar.
Raporti gjashtëmujor për gjendjen e të drejtave të punëtorëve dhe të dhënat lidhur me të gjitha 214 rastet janë në dispozicion dhe mund të shkarkohen në infografikun e mëposhtëm. Infografiku mbulon periudhën nga 1 nëntor 2019 në 30 prill 2020 dhe është hartuar në kuadrin e projektit “Rritja e produktivitetit nëpërmjet përmirësimit të kornizës ligjore mbi marrëdhëniet e punës në Maqedoni e Veriut”, financuar nga Fondi i Qeverisjes së Mirë të Britanisë. Mendimet dhe qëndrimet e shënuara në këtë përmbajtje nuk i reflektojnë çdoherë mendimet dhe qëndrimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.