Raporti Mujor mbi të Drejtat e Njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut – Gusht 2019
September 17, 2019
PËRMBAJTJA
DHUNA NË FAMILJE DHE NË BAZË GJINORE
- Fëmijët dëshmitarë të marrëdhënieve të dhunshme familjare janë viktima të dhunës në familje
INSTITUCIONE TË MBYLLURA
- Keqpërdorimi i masës së paraburgimit në procedurat penale
GJUHA E URREJTJES
- Rasti „Zhvatja “ si shkas për gjuhë të urrejtjes në mediat sociale
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
- Mbrojta e punëtorëve në punë në kushtet e valës së nxehtësisë
DISKRIMINIMI
- Fond diskriminues shpërblyes në garat e tenisit
TË DREJTAT E PERSONAVE ME PENGESA
- Fëmijët me pengesa kanë të drejtë të mbështetjes për pjesëmarrje të barabartë në procesin arsimor
gusht 2019
DHUNA NË FAMILJE DHE NË BAZË GJINORE
FËMIJËT DËSHMITARË TË MARRËDHËNIEVE TË DHUNSHME FAMILJARE JANË VIKTIMA TË DHUNËS NË FAMILJE
Gjatë muajit gusht deri te Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut janë drejtuar katër viktima të dhunës në familje duke kërkuar ndihmë juridike falas.
Në të gjitha rastet bëhet fjalë për viktima që për kohë të gjatë kanë qenë të ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe/ose psiqike në shtëpi, nga ana e partnerëve të tyre martesorë, jomartesorë ose nga ana e prindërve. Vështirësi shtesë për marrjen e veprimeve vërehen te viktimat e dhunës në familje që janë prindër të fëmijëve të mitur, të cilët shpesh janë dëshmitarë të dhunës.
Dy nga viktimat e kishin denoncuar dhunën në polici dhe në qendrën për punë sociale, kurse dy nga viktimat janë drejtuar deri te Komiteti i Helsinkit me qëllim të marrjes së informacioneve se në ç’mënyrë mund ta denoncojnë dhunën dhe se cilat hapa duhet ti ndërmarrin për mbrojtjen e tyre.
Gjatë procedimit të rasteve, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka regjistruar lëshime në punën e Qendrës për punë sociale. Më saktë, njëra nga viktimat gjatë kohë e ka duruar dhunën e ushtruar nga partneri martesor, të cilin edhe e ka denoncuar shumë herë. Për shkak të situatës së padurueshme ka qenë e detyruar ta lëshojë shtëpinë, me çrast katër fëmijët e saj të mitur kanë mbetur te babai i tyre i cili është edhe autori i dhunës, ndërsa që atëherë po përpiqet të gjejë mënyrë për ti kontaktuar fëmijët.
Qëndra për punë sociale me pëlqimin e saj ka parashtruar propozim për shqiptimin e masave të përkohshme për mbrojtje nga dhuna në familje deri te gjykata kompetente, e cila me vendim i ka shqiptuar masat e përkohshme.
Edhe pse ekipi profesional i Qendrës për punë sociale ka parashtruar propozim deri te gjykata kompetente, ky ekip ka bërë edhe një varg lëshimesh gjatë procedimit, në këtë mënyrë nuk e ka njoftuar viktimën mbi të drejtën e saj për tu akomoduar në Shtëpinë e sigurt. Ky ekip nga Qendra për punë sociale duke pasur parasysh faktin se jeta, shëndeti dhe siguria e saj kishin qenë skajshmërisht të rrezikuara nuk ka kryer vlerësim përkatës të rrezikut.
Në mënyrë shtesë, në përputhje me nenin 10 të Ligjit për parandalimin, pengimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, fëmija është viktimë kur përjeton dhunë të drejtpërdrejtë, kur është prezent gjatë marrëdhënieve të dhunshme ndërmjet anëtarëve të familjes së tij ose kur jeton në mjedis ku ekzistojnë marrëdhënie të dhunshme. Në këto raste, Qendra për punë sociale ka obligim të kujdeset për interesat e fëmijëve dhe ti mbrojë nga dhuna në familje, ndërsa sipas vlerësimit të rrezikut, të kufizojë ose ti ndalojë marrëdhëniet personale dhe kontaktet e drejtpërdrejta me autorin e dhunës. Në rastin konkret, Qendra duke mos i respektuar këto dispozita ligjore i ka shkelur të drejtat për mbrojtjen e fëmijëve që janë të lënë në rrezik nga viktimizimi dhe riviktimizimi nga ana e babait të tyre me të cilin për momentin jetojnë.
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut për këto lëshime ka parashtruar kërkesë për mbikqyrje të jashtëzakonshme inspektimi deri te Sektori për mbikqyrje inspektoriale në mbrojtje sociale pranë Ministrisë për punë dhe politikë sociale.
Rekomandim: Fëmijët shumë shpesh janë viktima të dhunës së kryer në familje, me çrast i bënë njësoj viktima të dhunës. Ngjarja ku kanë qenë dëshmitarë ose viktima ka pasoja afatgjata mbi rritjen dhe zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm dhe në formimin e personaliteteve të tyre. Institucionet kompetente, në veçanti policia dhe qendra për punë sociale kanë për obligim që të veprojnë me kujdes të veçantë në rastet ku fëmijët janë viktima të drejtpërdrejta ose dëshmitarë të dhunës, me qëllim të mbrojtjes së tyre.
INSTITUCIONE TË MBYLLURA
KEQPËRDORIMI I MASËS SË PARABURGIMIT NË PROCEDURAT PENALE
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në kuadër të misionit dhe vizionit të tij i monitoron gjendjet në institucionet e mbyllura në aspekt të mbrojtjes së të drejtave të njeriut për personat që janë të privuar nga liria.
Deri te Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut gjatë muajit gusht ka arritur një parashtresë për person që vuan masën e paraburgimit për më tepër se tre muaj në gjendje të rëndë shëndetësore në EDK Burgu Shkup, pa kujdes dhe terapi përkatëse shëndetësore të nevojshme për gjendjen e tij. Në parashtresë është theksuar se personi ka kryer intervenim kirurgjik në gju, me çrast është përpiluar edhe raport dhe mendim ekpertize. Në këtë ekspertizë është konfirmuar se në institucionin ku e vuan masën e paraburgimit nuk ekzistojnë kushte për rihabilitimin e tij dhe për kujdesin përkatës postoperativ. Por, nuk është marrë asgjë parasysh me rastin e vendimit për vazhdimin e masës së paraburgimit dhe për këtë arsye në pikëpyetje është edhe kurimi i tij postoperativ. Si pasojë e intervenimit kirurgjik, personi lëviz me ndihmën e patericave, kurse për shkak të kushteve të papërshtatshme në EDK Burgu Shkup gjatë kryerjes së nevojave higjienike është rrëzuar dhe ka marrë lëndime, pas së cilës është dërguar në kontroll në entin shëndetësor dhe përsëri është kthyer në EDK Burgu Shkup. Mbrojta deri te gjykata ka parashtruar propozim për heqjen e masës së paraburgimit dhe zëvendësim të masës me paraburgim shtëpiak dhe garanci të ofruar në vlerë prej 103.000 euro në kundrvlerë të denarit, për të cilin propozim për më tepër se 4 muaj ende nuk ka vendim përfundimtar. Si dokumente shoqëruese me parashtresën janë dërguar edhe ankesat e parashtruara dhe aktvendimet për propozim vazhdimin e masës së paraburgimit. Nga shqyrtimi i këtij dokumentacioni, mund të konstatohet se të katër aktvendimet janë formale dhe të pabazuara në dëshmi për aryetimet në to, për më tepër secili aktvendim është kopje e aktvendimit paraprak.
Kjo praktikë është evidentuar edhe me rastin e vizitave të enteve të dënimit dhe korrektimit, ku përfaqësuesit kanë regjistruar më tepër raste të përdorimit të masës së paraburgimit në kushte ku ekzistojnë rrethana për shqiptimin e masave të tjera në përputhje me Ligjin për procedurë penale. Në veçanti një fenomen problematik që është vërejtur është mostërheqja e masës së paraburgimit nga ana e gjykatës, respektivisht zëvendësimi i saj me masa të tjera sigurie, në kushte kur personi gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë vizitës së EDK Burgu Prilep, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka regjistruar dy raste ku persona në gjendje të rëndë shëndetësore edhe krahas deklaratave të drejtorisë së burgut se nuk ka kushte për mjekim adekuat të tyre në burg, gjykata kompetente nuk është tërhequr nga zbatimi i masës së paraburgimit.
Me masën e paraburgimit sigurohet prezenca e të akuzuarit dhe drejtimi me sukses i procedurës penale, por njëherit masa e paraburgimit është masa më e rëndë sepse me të kufizohet e drejta e lirisë së njeriut. Masa e paraburgimit paraqet masë të paraqitjes me forcë e cila për shkak të drejtimit të papenguar të procedurës penale ndërhyn në të drejtën e lirisë dhe sigurisë së individit. Kohëzgjatja e paraburgimit duhet të vendoset për kohë sa më të shkurtër të mundshme, të përdoret si masë e kujdesit në situata të jashtëzakonshme dhe jo si mekanizëm dhe dënim represiv. Në këtë drejtim, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut e përsërit rekomandimin dhe i thërret Gjykatat që gjatë shqiptimit të masës së paraburgimit seriozisht dhe me shumë kujdes ti marrin parasysh propozimet dhe rekomandimet e dhëna nga ana e Gjykëtës Evropiane për të drejtat e njeriut.
GJUHA E URREJTJES
RASTI „ZHVATJA“ SI SHKAS PËR GJUHË TË URREJTJES NË MEDIAT SOCIALE
Gjatë muajit gusht, në portalin www.govornaomraza.mk u verifikuan 45 denoncime për gjuhë të urrejtjes në mediat sociale. Numri më i madh, respektivisht 37% të denoncimeve kishin të bënin me gjuhë të urrejtjes për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. 18 denoncime, ose 29% nga numri i përgjithshëm të bazuara në seks dhe gjini, kurse 16% dhe 14% gjuhë të urrejtjes për shkak të përkatësisë etnike dhe politike.
Gjuhë të urrejtjes në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor 23
Gjuhë të urrejtjes në bazë të seksit dhe gjinisë 18
Gjuhë të urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike 10
Gjuhë të urrejtjes në bazë të përkatësisë politike 9
Gjuhë të urrejtjes në bazë të prejardhjes sociale 1
Përqeshje/Tallje të përfaqësuesve të shteteve të huaja 1
Gjuhë të urrejtjes në bazë religjioni dhe bindjeve religjioze 1
Ajo që u regjistrua nga ana e ekipit të Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut ishte trendi në rritje i gjuhës së urrejtjes në mediat sociale lidhur me festimin e ditës së Republikës – Ilinden, në veçanti në kontekst të kremtimit të përbashkët me Republikën e Bullgarisë. Gjithashtu janë evidentuar edhe thirrje për linçim publik të personave publikë. Trendi i gjuhës së urrejtjes mbi baza të orientimit seksual dhe identitetit gjinor ka vazhduar edhe gjatë muajit gusht e që lidhet me rastin “Zhvatja”.
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
mbrojtja e punëtorëve në punë në kushtet e valës së nxehtësisë
Gjatë muajit gusht, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka regjistruar 8 raste të shkeljes së të drejtave të punëtorëve dhe qasjes në punësim. Këto raste kanë përfshirë përafërsisht 74 punëtorë.
Komiteti i Helsinkit i ka informuar dhe këshilluar punëtorët lidhur me:
- Obligimin e punëdhënësit për të mbajtur evidencë të posaçme për punën jashtë orarit, ta njoftojë inspektorin shtetëror rajonal të punës për punën jashtë orarit si dhe obligimin e punëdhënësit që ti kompenzojë me mjete shtesë në pagë për punën e kryer jashtë orarit;
- Njoftimin me gojë për zgjidhjen e kontratës së punësimit, në kundërshtim me dispozitën e nenit 74 të Ligjit për marrëdhënien e punës, e cila dispozitë parashikon se zgjidhja e kontratës së punësimit duhet domosdo të shqiptohet në formë të shkruar;
- Procedurën për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës dhe
- Rekomandimet për mbrojtje të punëtorëve në punë në kushtet e valës së nxehtësisë.
Duke pasur parasysh shpalljen e fazës së portokalltë në territorin e tërë shtetit deri më 14 gusht të këtij viti, punëdhënësit kishin për obligim që të ndërmarrin të gjitha masat me qëllim të parandalimit të pasojave negative mbi shëndetin e punëtorëve që janë të ekspozuar ndaj temperaturave të larta. Plani aksionar për parandalimin e pasojave nga valët e nxehtësisë rekomandon lirim nga obligimet e punës për të gjitha grupet më të ndieshme të popullsisë, siç janë – gratë shtatzëna dhe personat e moshuar mbi 60 vjeç. Plani parashikon zbatimin e masave për mbrojtjen e personave të ekspozuar ndaj nxehtësisë në vendin e punës. Në mënyrë plotësuese, të gjitha subjektet juridike që kryejnë punë në ambiente të hapura, veçanërisht punëtorët në ndërtimtari, duhet ti kishin ndërprerë aktivitetet në periudhën prej orës 11 deri në orën 17.
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, në datë 09.08.2019 iu drejtua Inspektoratit shtetëror për punë dhe e njoftoi se disa punëdhënës nuk po i respektojnë rekomandimet e dhëna. Të njëjtën ditë, Komiteti i Helsinkit ka regjistruar një rast ku punëtorët kryenin punë ndërtimore në periudhën rreth orës 13:00. Për këtë shkak, Komiteti i Helsinkit kërkoi nga Inspektorati shtetëror për punë që ti shtojë kontrollet e tyre në terren gjatë kësaj periudhe, me qëllim të konfirmimit dhe dënimit të parregullsive.
Punëtorë duke kryer aktivitete ndërtimore në Komunën e Kisella Vodës
Data 09.08.2019, në periudhën rreth orës 13.00
Rekomandim: Stresi nga nxehtësia paraqet kërcënim serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Për këtë arsye, është e domosdoshme që gjatë periudhës së fazës së portokalltë, të zbatohen kontrolle mbi rregullsinë e qarkullimit të ajrit dhe klimatizimin e vendeve të punës, të sigurohet minimalisht një hapësirë e klimatizuar ku punëtorët mund të freskohen gjatë orarit të punës dhe të kenë pushime më të shpeshta gjatë punës me lëngje të mjaftueshme freskuese për ti konsumuar. Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut rekomandon që në kushte të temperaturave të larta, në mënyrë të konsiderueshme të ulet intenziteti i punës dhe normat në prodhimtari, të mos lejohet punë jashtë orarit dhe të ketë ndërprerje të punës në rast nevoje.
Inpektorati i punës ka rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe në procesin e garantimit, respektimit dhe zbatimit të përpiktë të akteve nga fusha e punës. Duke pasur parasysh këtë, duhet që Inspektorati shtetëror i punës ti rrit kontrollet e tyre në terren gjatë periudhës verore dhe të qëndrojë në anën e punëtorëve.
DISKRIMINIMI
fond diskriminues shpërblyes në garat e tenisit
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në rrjetet sociale ka vërejtur një shpallje për ngjarjen Gara e Hapur e Maqedonisë në tenis – seniorë dhe seniore e cila do të mbahet nga data 28.08.2019 deri më 01.09.2019 në Veles. Në vetë shpalljen për këtë ngjarje është përmendur edhe fondi shpërblyes i parashikuar për seniorët dhe senioret që do të merrnin një prej katër vendeve në renditje. Fondi i parashikuar shpërblyes për vendin e tretë për seniorë ishte 6.000 denarë, kurse për seniore 3.000 denarë, për vendin e dytë për seniorë 12.000 denarë, kurse për seniore 6.000 denarë. Për vendin e parë për seniorë ishte 24.000 denarë, kurse për seniore 12.000 denarë. Sipas kësaj, është shumë evidente se fondi shpërblyes për seniorë ishte dyfish më i madh se fondi i parashikuar për seniore për të tre vendet e para në renditje.
Ky lloj fondi shpërblyes është diskriminues në bazë të seksit dhe gjinisë edhe atë për disa arsye. Diskriminimi i drejtpërdrejtë në bazë të seksit ka të bëjë pikërisht me fondin dyfish më të madh të parashikuar për meshkujt nga ai i përcaktuar për femrat, kurse diskriminimi në bazë të gjinisë ka të bëjë me supozimin për sportin si sferë ku pjesëmarrje më të madhe kanë meshkujt, respektivisht si aktivitet tipik i gjinisë mashkullore. Sipas Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi dhe Ligjit për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve, është i ndaluar diskriminimi në bazë të seksit dhe gjinisë në formën e dallueshmërisë, përjashtimit, kufizimit ose dhënies përparësi mbështetur në bazë diskriminimi. Me fondin e parashikuar shpërblyes, organizatori po kryen diskriminim të drejtpërdrejtë mbi këto dy baza, në tërësi duke mos i respektuar parimet për pjesëmarrje të barabartë në garat sportive të meshkujve dhe femrave.
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka reagur publikisht deri te organizatori i turneut dhe deri te Komuna e Velesit, e cila paraqitet si mbështetës i turneut, që ta tërheqin dhe ta korrigjojnë fondin shpërblyes për Garën e Hapur të Maqedonisë në tenis – seniorë dhe seniore në drejtim të përcaktimit të fondit të barabartë shpërblyes si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Lidhur me këtë reagim, organizatori dërgoi përgjigje deri te Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, duke informuar se i pranon vërejtjet e shprehura dhe se fondi shpërblyes do të korrigjohet. Prapëseprapë edhe fondi i korrigjuar shpërblyes paraqet diskriminim indirekt në bazë të seksit dhe gjinisë, sepse lartësia e fondit shpërblyes varet nga numri i paraqitur i pjesëmarrësve në turne.
Rekomandim: Apelojmë deri te organizatorët e manifestimeve sportive që në të ardhmen të krijojnë fonde të ndieshme dhe jodiskriminuese në bazë gjinore, me të cilët do të nxisin pjesëmarrje të barabartë në sport të meshkujve dhe femrave.
TË DREJTAT E PERSONAVE ME PENGESA
PERSONAT ME pengesa KANË TË DREJTË TË MBËSHTETJES PËR PJESËMARRJE TË BARABARTË NË PROCESIN ARSIMOR
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, gjatë muajit gusht ka regjistruar një rast të denoncuar nga një prind i fëmijës i cili për shkak të ngecjes në zhvillimin psiqik është vënë në kategorinë e fëmijëve me spektër autik të çrregullimeve. Fëmija këtë vit shkollor do të fillojë rregullisht shkollimin në shkollën fillore në Komunën Qendër.
Në të vërtetë, me rastin e regjistrimit të fëmijës në shkollë, prindërit kishin qenë të ftuar në bisedë me pedagogun dhe defektologun, me qëllim të kryerjes së testimit preliminar të fëmijës. Prindërve ju është dhënë një formular për pranim në klasën e parë, në të cilin është shënuar se fëmija ka nevojë për shoqërues në procesin e mësimdhënies. Në mënyrë shtesë, janë njoftuar se komuna do ta sigurojë shoqëruesin për fëmijën e tyre. Dy javë para fillimit të vitit shkollor, shkolla i ka njoftuar prindërit se komuna ka sjellë vendim për angazhimin e një shoqëruesi për fëmijë që ka vështirësi më serioze dhe i kanë këshilluar ato dhe prindërit e tjerë me fëmijë me pengesa që të angazhojnë shoqërues për fëmijët e tyre me mjete vetanake.
Për mbështetje të arsimimit të nxënësve me pengesa, në përputhje me nenin 19 të Ligjit për arsim fillor, shkolla fillore siguron: ndihmës/asistent arsimor, ndihmës/asistent personal, mbështetje përkatëse profesionale nga qendra për mbështetje të mësimit, ekip inkluziv dhe teknologji asistuese me rekomandim të ekipit të ekspertëve për vlerësim dhe në përputhje me planin individual të arsimit ose programit të modifikuar.
Marrë në konsiderim këtë, Komiteti i Helsinkit i është drejtuar komunës me kërkesë për informacione për mënyrën se si sigurohet mbështetje në mësim për fëmijët me pengesa; vallë numri i asistentëve të angazhuar arsimor dhe personal është adekuat me numrin e nxënësve me pengesa që ndjekin mësimet nëpër shkolla; dhe, vallë me stafin ekzistues (asistentë arsimor dhe personal) përmbushet qëllimi i arsimit inkluziv, respektivisht, zhvillimi maksimal i potencialeve dhe ofrimi i mundësive të barabarta arsimore për të gjithë fëmijët.
Rekomandim: Arsimi fillor është i organizuar në mënyrë institucionale, kadrovike dhe përmbajtësore me qëllim të mbështetjes së arsimit inkluziv për të gjithë fëmijët në arsimin e rregullt fillor. Arsimi inkluziv është proces i cili i merr parasysh nevojat e ndryshme individuale për zhvillimin e nxënësve, duke ju dhënë mundësi të barabarta për realizimin e të drejtave themelore të njeriut për zhvillim dhe arsim cilësor. Arsimi inkluziv përfshinë ndryshime dhe përshtatje të përmbajtjeve mësimore, qasjes, strukturat dhe strategjitë, për fëmijët me pengesa, me vizion të përbashkët dhe bindje se shteti ka për obligim që të ofrojë arsimim për të gjithë fëmijët.
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut apelon që komunat dhe shkollat fillore ta respektojnë obligimin e tyre për ofrimin e arsimit inkluziv, të parashikuar me ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare[1]. Në veçanti, theksojmë se shteti ka për detyrë që ta përshtat procesin e tërësishëm të arsimit dhe mësimit kah nevojat dhe aftësitë e secilit fëmijë, me qëllim që të zhvillohen maksimalisht potencialet dhe të ofrohen mundësi të barabarta arsimimi për të gjithë fëmijët. Fëmijët me pengesa kanë të drejtë të mbështetjes për pjesëmarrje të barabartë në procesin arsimor.
[1] Konventa për të drejtat e personave me pengesa, Konventa për të drejtat e fëmijës dhe Deklarata e UNESKO-s për arsim të bazuar në nevoja të veçanta, nga Sallamanka