Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedinisë së Veriut – dhjetor 2020

January 22, 2021

PËRMBAJTJA

KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR 

TË DREJTAT E PUNËTORËVE

Leksionet e pa mësuara u kushtojnë shtrenjtë punëtorëve

Përgjegjësi për inspektorët e punës që shkelin parimet e punës gjatë kryerjes së mbikëqyrjeve inspektuese

GRATË PUNËTORE NË INDUSTRINË E TEKSTILIT 

-53 raste të shkeljeve të të drejtave të punës të grave punëtore në industrinë e tekstilit

DISKRIMINIMI       

Nënat e fëmijëve deri në moshën tre vjeç punojnë natën dhe jashtë orarit pa pëlqimin e tyre 

DHUNA ME BAZË GJINORE

Kërkesë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në qendrat për punë sociale në Strugë dhe Resnjë 

INSTITUCIONET E MBYLLURA

Emërimi i kuadrove joadekuate është në kundërshtim me përpjekjet për një sistem më të mirë ndëshkimor-korrektues (penitenciar)

Pengesat për akses në mbrojtje shëndetësore në institucionet ndëshkimore-korrektuese 

GJUHA E URREJTJES 

Gjuha e urrejtjes në bazë etnike më e përhapur edhe në muajin dhjetor 

KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR 

Komiteti i Helsinkit vazhdoi të monitorojë masat e Qeverisë, veçanërisht në kontekstin e respektimit të të drejtave themelore në kuadër të Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore. Komiteti i Helsinkit në raportin e tij për muajin dhjetor 2020 i referohet këtyre fushave/sferave: të drejtat e punëtorëve, diskriminimi, dhuna me bazë gjinore, institucionet e mbyllura dhe gjuha e urrejtjes.

Duke pasur parasysh rishikimin e përgjithshëm të procesit të qasjes në pjesën e kapitujve politikë, procesi i negociatave do të fillojë dhe do të përfundojë me grupin/kllasterin e parë themelor (në fakt edhe Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore). Megjithëse vendi nuk ka filluar zyrtarisht negociatat e anëtarësimit, Komiteti i Helsinkit thekson rëndësinë e Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore si një katalizator i proceseve reformuese në vitin 2021. Komiteti gjithashtu thekson rëndësinë e avancimit të zbatimit të legjislacionit kundër gjuhës së urrejtjes dhe planit të veprimit për zbatimin e Konventës së Stambollit. Gjuha e urrejtjes është ende një sfidë kryesore për vendin në periudhën e ardhshme, duke pasur parasysh trendin e mbi 100 denoncimeve në muaj që nga fillimi i pandemisë në muajin mars të vitit 2020. Në këtë kontekst, një rëndësi të veçantë ka zbatimi i legjislacionit në luftën kundër korrupsionit, si një element themelor në sigurimin e sundimit të ligjit. Një përparësi kryesore mbetet zbatimi i plotë i kornizës ligjore për luftën kundër diskriminimit.

Në vitin 2020, Komisioni Evropian publikoi raportin për Republikën e Maqedonisë së Veriut mbi procesin e aderimit, i cili gjithashtu duhej të shërbente si bazë për fillimin e negociatave për aderim. Propozimi i Kornizës së negocimit (bisedimeve), i propozuar nga presidenca gjermane, kishte për qëllim krijimin e infrastrukturës së nevojshme ligjore për zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe ndërtimit të një dosje suksesi në zbatimin e reformave të ndërmarra përpara përfundimit të negociatave dhe nënshkrimit të Marrëveshjes për anëtarësim.

Megjithatë, përkundër insistimit të presidencës gjermane dhe negociatave intensive midis delegacioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, Këshilli i Bashkimit Evropian në muajin dhjetor nuk arriti unanimitet për fillimin e negociatave dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në muajin dhjetor. Pavarësisht insistimit për të përfshirë kërkesat e Bullgarisë në Kornizën e negocimit, vendet e tjera anëtare njëzëri refuzuan këtë kërkesë. Megjithëse më në fund u arrit një konsensus fillestar mbi miratimin e një pakete konkluzionesh për vendet në proces aderimi, me insistimin e Sllovakisë dhe Republikës Çeke brenda Këshillit Evropian, konkluzionet nuk u miratuan. 

TË DREJTAT E PUNËTORËVE 

Punëtorët i vuajnë pasojat e të metave të një sistemi të korruptuar

Leksionet e pa mësuara u kushtojnë shtrenjtë punëtorëve

Pasi Drejtoria e të Hyrave Publike (DHP) në muajin korrik publikoi të dhëna për 708 punëdhënës të cilët për muajt prill dhe maj kishin marrë mbështetje financiare në shumë totale prej 384.730,00 euro, por nuk ua kishin paguar pagat 1706 punonjësve, së bashku me disa sindikata dhe shoqata të qytetarëve ne reaguam duke apeluar që ndihma financiare në të ardhmen duhet të drejtohet drejtpërdrejt ndaj punëtorëve, për të shmangur mundësinë që ajo të abuzohet përsëri.

Gjatë muajve gusht dhe shtator, Qeveria njoftoi se po mbante takime të rregullta me dhomat (odat), organizatat e punëdhënësve, sindikatat, profesorët universitarë dhe praktikantët për të miratuar paketën e katërt të masave ekonomike. Kjo paketë u miratua më 27 shtator si vazhdim i tre paketave paraprake dhe shuma e saj totale u vlerësua në 470 milion euro. Paketa e masave kishte për qëllim sigurimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare, ndihmën e likuiditetit të sektorit privat dhe stimulimin e ndërmarrjeve për kthimin dhe mbajtjen e punëtorëve në vendet e punës. Pjesë e kësaj pakete ishte edhe masa për të mbështetur ndërmarrjet për të paguar pagat e punonjësve për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor. Një risi e kësaj mase është përcaktimi shkallëzues (gradual) i mbështetjes sipas rënies së të ardhurave të ndërmarrjeve – sa më e madhe të jetë rënia e të ardhurave, aq më e madhe do të jetë mbështetja nga shteti për pagimin e pagave.

Përfaqësuesit e dhomave (odave) të tregtisë ishin të kënaqur që edhe këtë herë ata ishin të përfshirë në krijimin e masave dhe se Qeveria pranoi një numër të madh propozimesh të tyre. Për dallim nga to, nevojat e punëtorëve që u pasqyruan në kërkesat e sindikatave dhe organizatave të shoqërisë civile nuk u morën parasysh edhe në këtë paketë masash. Masat financiare që në dukje kanë për qëllim të ndihmojnë dhe mbështesin punëtorët, përsëri nuk u janë paguar drejtpërdrejt atyre, dhe kështu ka mbetur rreziku real që të abuzohen përsëri.

Leksionet e pa mësuara u kushtojnë shtrenjtë punëtorëve dhe në mënyrë shtesë rrezikojnë edhe vetë ekzistencën e tyre. Në muajin dhjetor, Drejtoria e të Hyrave Publike publikoi një Analizë të mbështetjes financiare të punëdhënësve për pagimin e pagave të punonjësve për muajin tetor 2020. Prej gjithsej 179 punëdhënësish të cilët kishin marrë mbështetje financiare në vlerë prej 5.271.771,00 denarë, nuk e kanë përmbushur detyrimin për të paguar pagën e muajit tetor për 338 të punësuar.

Këta punëdhënës janë nga këto veprimtari: 

  • 40 punëdhënës nga veprimtaria tregti me pakicë kanë marrë ndihmë financiare prej254,00 denarë, kurse 63 punonjësve nuk ua kanë paguar pagat.
  • 23 ndërmarrje që kryejnë përgatitje të shujtave dhe shërbime ushqimi kanë marrë ndihmë financiare prej614,00 denarë, kurse 55 punonjësve nuk ua kanë paguar pagat.
  • 12 ndërmarrje nga veprimtaria transport, kanë marrë ndihmë financiare prej512,00 denarë, kurse 25 punonjësve nuk ua kanë paguar pagat.
  • Këtu përfshihen edhe veprimtaritë tregti me shumicë, ndërtim ndërtesash, tregti me shumicë dhe pakicë me mjete motorike dhe motoçikleta. 

Sipas rajoneve, numri më i madh i ndërmarrjeve që nuk i kanë paguar pagat janë nga: Shkupi 52, Tetova 41 dhe Gostivari 15. 

Sa i përket ndërmarrjeve që nuk kanë paguar pagat për muajt prill, maj dhe qershor të vitit 2020, DHP-ja informoi se është kryer pagesë e detyruar për shkak të pagave të papaguara. Për këta punëdhënës janë dërguar të dhëna të hollësishme në Prokurorinë Publike, për inicimin e procedurave penale.

  • prill – 55 punëdhënës nuk i kanë paguar pagat;
  • maj – 48 punëdhënës; dhe
  • qershor – 82 punëdhënës.
  • 149 punëdhënës nuk i kanë paguar pagat vetëm për një muaj;
  • 25 punëdhënës nuk i kanë paguar pagat për dy muaj; dhe
  • 5 punëdhënës nuk i kanë paguar pagat për të tre muajt (prill, maj dhe qershor).

 

Punëdhënësit që kanë marrë mbështetje financiare nga shteti, por nuk i kanë paguar pagat e punëtorëve të tyre do t’i nënshtrohen kontrolleve të hollësishme nga Drejtoria dhe Inspektorati Shtetëror i Punës. Kontrollet do të shoqërohen me mbikëqyrje inspektuese të ndërmarrjeve që kanë paguar një pagë më të ulët se shuma minimale e përcaktuar ligjërisht. Lista e ndërmarrjeve që kanë keqpërdorur mbështetjen financiare nga shteti është dorëzuar në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë, për t’i publikuar mospaguesit publikisht dhe në mënyrë transparente dhe kjo listë nuk mund të ndryshohet, pavarësisht nëse pas publikimit ndonjë tatimpagues do të paguajë pagat e punonjësve të tij.

Në fund të muajit u paralajmërua paketa e pestë e masave ekonomike, edhe kësaj here për ndërmarrjet. Problemet dhe mangësitë që po shpërfillen gjatë zbatimit të masave ekonomike, do të thotë që punëtorët përsëri do t’i vuajnë pasojat e të metave të një sistemi të korruptuar.

 

Përgjegjësi për inspektorët e punës që shkelin parimet e punës gjatë kryerjes së mbikëqyrjeve inspektuese

Rasti i 1-rë:

Në muajin dhjetor, na u drejtua një punëtore që ishte pushuar nga puna ndërsa kishte qenë në pushim mjekësor dhe kundër këtij pushimi nga puna ajo kishte ngritur një procedurë kontestimore për anulimin e tij. Megjithëse ishte miratuar gjatë kohës së pushimit mjekësor të punëtores, vendimi nuk përmbante arsyet e pushimit nga puna. Punëdhënësi nuk e dëshmoi arsyen e pushimit nga puna dhe nuk e kishte specifikuar atë në arsyetimin e vendimit.[1] Për më tepër, punëdhënësi nuk e kishte arsyetuar me shkrim anulimin e kontratës së punës dhe as nuk e kishte respektuar detyrimin ligjor për ta referuar punonjësen për mbrojtje ligjore.[2]

Për shkak të gjithë kësaj, punëtorja e kishte ushtruar të drejtën e saj dhe kishte ngritur iniciativë në Inspektoratin Shtetëror të Punës për një vendim që do të shtynte ekzekutimin e vendimit për pushim nga puna. Punëtorja kishte kërkuar që të shqiptohet një masë e përkohshme për kthimin e saj në punë deri në zgjidhjen përfundimtare të kontestit nga marrëdhënia e punës, i vërtetuar pranë Gjykatës Themelore Civile Shkup.[3]

Inspektori i cili ka vepruar mbi kërkesën e saj, nuk gjeti ndonjë parregullsi në procedurën e anulimit të kontratës së punës dhe kishte ndërprerë procedurën për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese. Jo vetëm që inspektori nuk kishte miratuar një vendim në përputhje me Ligjin për marrëdhëniet e punës, madje edhe më shumë në përgjigjen me shkrim për punëtoren ai nuk kishte arsyetuar përse po e ndërpren procedurën, respektivisht pse ka konsideruar se në këtë rast nuk kishte shkelje të drejtës nga marrëdhënia e punës. Më në fund, inspektori e kishte udhëzuar punëtoren të kërkonte të drejtën nga marrëdhënia e punës para një gjykate kompetente, nëse ajo nuk është e kënaqur me verdiktin e procedurës para Inspektoratit, pavarësisht nga fakti se përveç kërkesës, ajo kishte parashtruar edhe padinë.

Kur punëtorët i drejtohen Inspektoratit Shtetëror të Punës si një mekanizëm parësor i mbrojtjes, është e papranueshme që inspektorët të përgatisin përgjigje të pajustifikueshme për kërkesat, në të cilat thuhet vetëm një fjali, dhe nuk arsyetohet, pse nuk ka pasur shkelje të të drejtave të punës. Duke kontaktuar Inspektoratin, punëtorët presin që nga mbikëqyrja inspektuese të marrin informacion të dobishëm në lidhje me kontestin e punës që ata kanë ngritur para një gjykate kompetente, shkeljet e të drejtave të tyre të punës dhe mbrojtjen ligjore që kanë në dispozicion.

Rasti i 2-të:

Gjatë muajit dhjetor, disa punëtorë në mënyrë anonime raportuan se punëdhënësi ku ata punojnë nuk mban shënime të ndara për punën jashtë orarit, nuk regjistron veçmas orët e punës jashtë orarit në llogaritjen e pagës mujore dhe nuk u paguan atyre punën jashtë orarit. Punëtorëve nuk u ishte paguar asnjë shtesë page, të tilla si shtesa për punë gjatë festave dhe shtesa për punë gjatë ditës së pushimit javor. Për shkak të këtyre shkeljeve, në Inspektoratit Shtetëror të Punës kemi parashtruar kërkesë për zbatimin e një mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese, në mënyrë që Inspektorati të hetojë nëse ka pasur shkelje të rregullave të punës nga punëdhënësi, për këto çështje specifike.

 

Me kërkesën tonë, Inspektorati Shtetëror i Punës na dorëzoi vetëm një Njoftim (i cili nuk është një akt administrativ dhe nuk mund të apelohet), dhe aq më tepër përgjigja me shkrim përmbante konkluzione kontradiktore, për shkak të gjendjes faktike të konstatuar gabimisht. Gjegjësisht, një nga shkeljet që ne kërkuam të hetohet është se punëdhënësi nuk ka shënuar në mënyrë të veçantë orët shtesë të punës jashtë orarit në llogaritjen mujore të pagës së punëtorëve. Për më tepër, ne kërkuam të hetohet nëse punëdhënësi lëshon llogaritjet e pagave mujore për punëtorët. Në Njoftimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës thuhej:

Nga inspektimi i llogaritjeve me shkrim të pagave të punëtorëve nuk është e mundur të përcaktohet saktësisht llogaritja e shtesës dhe pagës për punën gjatë festave dhe punën jashtë orarit, për këtë shkak është kërkuar nga punonjësja në kontabilitet që të deklarohet me shkrim në lidhje me mënyrën e llogaritjes së shtesave dhe kompensimeve të pagës.

Në deklaratën me shkrim thuhet se sistemi i llogaritjes së pagave është një sistem i vjetër dhe nuk ka mundësi për mbështetje softuerike për ndryshim, por që ndërkohë është blerë një softver i ri për llogaritjen e pagave (…) i njëjti është në fazën e implementimit dhe do të jetë aktiv në fillim të vitit 2021. Deklarata me shkrim konfirmon se llogaritja dhe pagesa e të gjitha shtesave për punonjësit kryhet në përputhje me Ligjin për marrëdhëniet e punës dhe Marrëveshjen kolektive “.

Për inspektorin e punës që ka kryer mbikëqyrjen inspektuese, ky ishte një konfirmim i mjaftueshëm se ishin paguar të gjitha shtesat e punonjësve dhe orët e punës jashtë orarit. Përveç faktit se vetëm në fjalinë paraprake thuhet se nga inspektimi i llogaritjeve me shkrim për pagën e punëtorëve nuk është e mundur të përcaktohet saktësisht llogaritja e shtesës dhe kompensimit të pagës për punën gjatë festave dhe punën jashtë orarit.

Këto dy konstatime janë plotësisht kontradiktore me njëra-tjetrën. Inspektori i cili ka vepruar në këtë rast nuk ka guxuar të mbështetet vetëm në konfirmimin me shkrim nga punëdhënësi se janë paguar të gjitha shtesat e pagave, kur në të njëjtën kohë ka denoncime me shkrim nga punëtorët (të cilët për shkak të rasteve të tilla dhe të ngjashme të mosndëshkimit të punëdhënësve dëshirojnë të mbeten anonim). Pse këto denoncime për shklje të të drejtave të punëtorëve nuk vlerësohen njësoj sikur është vlerësuar vërtetimi me shkrim nga ana e punëdhënësit? Kjo vetëm forcon edhe më shumë mosbesimin e punëtorëve ndaj masave mbrojtëse në dispozicion të tyre, siç është Inspektorati Shtetëror i Punës, dhe për më tepër thellohen edhe më shumë marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit midis punëdhënësve dhe punëtorëve.

Përfundim nga të dy rastet:

Inspektorët janë përgjegjës nëse nuk kryejnë detyrat ose nuk marrin masa, të cilat me ligj janë të detyrueshme për t’i kryer, respektivisht të ndërmarrin në procedurën e mbikëqyrjespra t’i marrë, në procedurën e mbikëqyrjes.[4] Për më tepër, për shkak të shkeljes së parimeve të veprimit të inspektorëve gjatë zbatimit të mbikëqyrjeve inspektuese, ne i kërkuam drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Punës që të fillojë procedura disiplinore kundër inspektorëve që kanë vepruar në këto dy raste, nëse nuk i eliminojnë parregullsitë e kryera. Në rastin e pushimit nga puna të punonjëses, ne u informuam se kanë filluar procedurat disiplinore kundër inspektorit, ndërsa për rastin tjetër përgjigja është në pritje e sipër.

  • Parimi i barazisë, paanësisë dhe objektivitetit:: Inspektori gjatë kryerjes së mbikëqyrjes inspektuese siguron barazi, paanshmëri dhe objektivitet ndaj subjekteve të mbikëqyrjes inspektuese [8]

GRATË PUNËTORE NË INDUSTRINË E TEKSTILIT

53 raste të shkeljeve të të drejtave të punës të grave punëtore në industrinë e tekstilit

Në muajin dhjetor, Komiteti i Helsinkit regjistroi 53 raste të shkeljes së të drejtave të punës të grave punëtore në industrinë e tekstilit dhe parashtroi tri kërkesa për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në fabrikat e tekstilit për shkelje të të drejtave të punës të grave punëtore të tekstilit. Në një prej rasteve bëhet fjalë për paga të papaguara, kurse në dy prej rasteve bëhet fjalë për mosndërmarrjen e masave parandaluese për mbrojtje nga KOVID-19 në vendet e punës.

Komiteti i Helsinkit për të gjitha rastet e përmendura filloi procedurat për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese para Inspektoratit Shtetëror të Punës.

Në mënyrë shtesë, Komiteti i Helsinkit në këtë periudhë ofroi 27 këshilla juridike për gratë punëtore të tekstilit për të ushtruar të drejtën e regresit për pushim vjetor (k15).

PËRFUNDIM: Gratë punëtore në industrinë e tekstilit mbeten një nga kategoritë më të prekura të qytetarëve, ku të drejtat e tyre të punës janë më të ekspozuara ndaj shkeljeve gjatë kohës së pandemisë me KOVID-19. Dhjetori është një muaj në të cilin po rriten rastet e dokumentuara të shkeljeve të të drejtave të regresit për pushim vjetor.

REKOMANDIM: Ne i bëjmë thirrje Inspektoratit Shtetëror të Punës që të veprojë në kohë dhe në mënyrë efikase në lidhje me kërkesat e parashtruara për mbikëqyrje inspektuese, duke respektuar afatet ligjore për veprimin dhe duke njoftuar parashtruesin e kërkesës në përputhje me Ligjin për mbikëqyrje inspektuese. Për më tepër, i bëjmë thirrje Inspektoratit që të intensifikojë mbikëqyrjen sipas detyrës zyrtare për pagimin e regresit për pushim vjetor (k15) nga ana e punëdhënësve. 

DISKRIMINIMI

Nënat e fëmijëve deri në moshën tre vjeç punojnë natën dhe jashtë orarit pa pëlqimin e tyre

Disa gra punëtore nga Velesi, të cilat kanë fëmijë deri në një vjeç, iu drejtuan Komitetit të Helsinkit sepse ata punojnë jashtë orarit të punës natën, kurse disa prej tyre, të cilët kanë fëmijë deri në tre vjeç, punojnë natën duke dhënë pëlqim të imponuar me shkrim.

Gratë punëtore, të cilat janë nëna të fëmijëve deri në tre vjeç, janë në marrëdhënie pune te një punëdhënës, me kontrata të lidhura punësimi për kohë të caktuar. Ata, nga punëdhënësi i tyre ishin kërcënuar se nëse nuk nënshkruajnë një pëlqim me shkrim me të cilin bien dakord për të punuar jashtë orarit natën, kontratat e tyre nuk do të vazhdohen. Nga frika se mos mbeteshin pa fonde për jetesë gjatë një periudhe pandemie, gratë punëtore i kishin nënshkruar pëlqimet. Punëdhënësi e dinte që ata kishin frikë të humbnin vendet e tyre të punës dhe e dinte se nënshkrimet e tyre do ta bënin të vështirë dëshminë para inspektoratit të punës dhe prokurorisë se ata nuk ishin dakord të punonin natën dhe jashtë orarit për shkak të të cilave ai abuzoi me pozicionin e tyre në favor të tij, dhe më tej në kurriz të tyre. Ai, jo vetëm që i ka detyruar ato të punojnë në këtë mënyrë, ai nuk ua kishte paguar atyre as punën shtesë jashtë orarit për të cilën janë konstatuar parregullsi nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Punës, pas denoncimit nga Komiteti i Helsinkit.

Ligji për marrëdhëniet e punës parashikon mbrojtje të veçantë gjatë shtatzënisë dhe prindërimit në lidhje me punën gjatë natës dhe punën jashtë orarit. Në fakt, gjatë shtatzënisë ose me një fëmijë deri në një vjeç, punëtorja nuk duhet të punojë jashtë orarit ose të punojë gjatë natës (neni 164, paragrafi 1). Një punëtore që ka një fëmijë nga një deri në tre vjeç mund t’i kërkohet të punojë jashtë orarit ose të punojë gjatë natës, vetëm me pëlqimin e saj paraprak me shkrim (164, paragrafi 2). Pëlqimi me shkrim nga ana e punëtores duhet të jepet lirisht dhe vullnetarisht pa imponim ose kërcënim.

Kjo mënyrë e të vepruarit të punëdhënësit, i cili fjalë për fjalë i ka detyruar gratë punëtore të punojnë gjatë natës dhe jashtë orarit, paraqet një vepër penale kundër marrëdhënieve të punës dhe shkelen dispozitat për punën gjatë natës dhe jashtë orarit, për të cilat është parashikuar një gjobë në para ose burgim deri në një vit. 

DHUNA ME BAZË GJINORE

Kërkesë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në qendrat për punë sociale në Strugë dhe Resnjë

Një kërkesë për ndihmë juridike falas iu drejtua Komitetit të Helsinkit nga një nënë 25-vjeçare nga Resnja, fëmija 15-muajsh i së cilës, frut i një bashkësi jashtëmartesore, kishte qëndruar të jetonte me babanë e saj në Strugë. Ajo na informoi për mungesën e ofrimit të mbrojtjes dhe sjelljen joprofesionale të Qendrave për punë sociale në Strugë dhe Resnjë.

Megjithëse Qendra për punë sociale në Resnjë ishte njoftuar për kërcënimet dhe shantazhet nga burri ndaj gruas dhe prindërve të saj, Qendra as nuk i kishte regjistruar as vepruar mbi denoncimet për dhunë në familje.

Pala na përshkroi golgotën me të cilën po përballen në luftën për kujdestarinë e fëmijës, e cila, duke pasur parasysh moshën e tij të re, po pëson dëmtime në zhvillimin e saj psiko-fizik për shkak të pamundësisë së nënës për t’u kujdesur për të. Nga dokumentet e paraqitura vërehen veprime joprofesionale dhe të paligjshme të Qendrës për punë sociale Strugë, e cila padyshim e favorizonte babanë. Në fakt, Qendra për punë sociale në Strugë e kishte miratuar kërkesën për dhënien e kujdestarisë babait, kurse për të njëjtën kërkesë të nënës nuk kishte vepruar fare, megjithëse ishte dorëzuar paraprakisht. Kështu, në Vendimin për besimin e fëmijës së mitur babait, Qendra për punë sociale Strugë kishte përcaktuar një arsyetim të pabazë për veprimin e saj: „… duke marrë parasysh moshën e fëmijës, nevojat e zhvillimit në këtë fazë të zhvillimit personal dhe faktin që nëna ka lënë bashkëshortin dhe fëmijën e mitur, ekipi i ekspertëve në këtë organ vendosi t’ia caktojë fëmijën babait për kujdes dhe edukim“. 

Një arsyetim i tillë skandaloz nuk ka asnjë bazë në Ligjin për familje, i cili nuk përcakton një bazë për besimin e fëmijës së mitur babait, sepse nëna ka lënë bashkësinë jashtëmartesore. Përkundrazi, korniza ligjore që rregullon këtë çështje paraprakisht merr parasysh interesat e fëmijës, kurse interesat e fëmijës 15-muajsh nuk përkojnë me jetesën në një bashkësi në të cilin ka ndodhur dhunë familjare, as nuk është në interesin e tij që të privohet nga prania dhe kujdesi i nënës.

Për shkak të arsyeve të përmendura, Komiteti i Helsinkit parashtroi një Kërkesë për zbatimin e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme inspektuese në punën e qendrave për punë sociale në Strugë dhe Resnjë.

INSTITUCIONET E MBYLLURA 

Emërimi i kuadrove joadekuatë është në kundërshtim me përpjekjet për një sistem më të mirë ndëshkimor-korrektues (penitenciar)

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në një seancë të mbajtur më 15.12.2020 e shkarkoi ushtruesin e detyrës drejtor i Institucionit ndëshkimor-korrektues Shkup, Esad Rahiç, dhe për drejtor të ri emëroi Filip Andov, një këshilltar i kryeministrit Zaev, i cili më parë kishte punuar si menaxher i bareve lokale. Në këtë periudhë, me kërkesën e tij ishte shkarkuar edhe drejtori i Shtëpisë edukativo-korrektuese Vollkovi, kurse për drejtor të ri ishte emëruar Daniel Antovski, i cili më parë kishte punuar si mësues.

Drejtorin e institucionit dhe zëvendësin e tij i emëron dhe shkarkon Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me propozim të drejtorit të Drejtorisë. Kushtet e nevojshme që një person duhet të plotësojë për t’u emëruar drejtor ose nëndrejtor i një institucioni penitenciar janë të renditura në Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve, dhe si një nga kushtet shtesë është që personi të ketë të paktën shtatë vjet përvojë pune, nga të cilat katër vjet në fushën e ekzekutimit të sanksioneve ose çështjeve të lidhura. [1]

Laboratori i Raportimit Hulumtues Maqedonia informon se Filip Andov, i cili është emëruar drejtori i ri i INK Shkup, më parë ka qenë këshilltar i kryeministrit Zaev për krijimin e politikave që janë me interes të veçantë për qytetarët e Qytetit të Shkupit, ndërsa ai gjithashtu paralelisht kishte punuar si afarist në sektorin e biznesit.

Kjo ngre pyetjen nëse kompetencat e drejtorëve të sapozgjedhur korrespondojnë me nivelin e detyrës, i cili është menaxhimi i një prej institucioneve më të mëdha të vuajtjes së dënimit dhe i vetmi institucion ndëshkimor-korrektues në vend. Personat që administrojnë këto institucione duhet të kenë përvojë të mëparshme në fushën e ekzekutimit të sanksioneve. Ata duhet ta kuptojnë mirë problematikën në mënyrë që ta përfaqësojnë institucionin, të kujdesen për promovimin e të drejtave të të paraburgosurve dhe të dënuarve, të vendosin për privilegjet dhe detyrimet e tyre, trajtimin dhe angazhimin e tyre në punë në mënyrë që të risocializojnë dhe më tej integrimin e tyre social në jetën shoqërore.

Në periudhën e fundit, është shënuar njëfarë progresi në drejtim të përmirësimit të kushteve dhe situatave në institucionet e vuajtjes së dënimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kështu, ishte rindërtuar institucioni më i madh i vuajtjes së dënimit në vend – Idrizovë, në objektet e reja të të cilit u transferuan një numër i madh i personave të dënuar. Ka përfunduar edhe rindërtimi i INK Manastirit përfundoi, duke pajisur plotësisht ambientet ku qëndrojnë personat e dënuar, njëherit ishte hapur edhe objekti i ri i Shtëpisë edulativo-korrektuese në Komunën e Vollkovisë. Për më tepër, nuk duhet të neglizhohet fakti se në disa institucione ka akoma probleme sistematike, të cilat vazhdojnë në këtë fushë për një kohë të gjatë. Sistemi penitenciar ende përballet me vështirësi dhe sfida të mëdha, veçanërisht për sa i përket kushteve materiale, shëndetit, arsimit dhe risocializimit të personave të dënuar.

Vite më parë, kemi bërë thirrje për nevojën e emërimit të njerëzve në postet drejtuese të institucioneve të vuajtjes së dënimit, të cilët jo vetëm që kanë ekspertizë dhe përvojë në sistemin e burgjeve, por gjithashtu janë sensibilizuar për nevojën e promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut të personave të dënuar dhe të paraburgosurve. Emërimi i kuadrove joadekuatë është krejtësisht në kundërshtim me përpjekjet e këtilla dhe mund të çojë në regres, në vend të avancimit të sistemit penitenciar në vend.

[1] Ligji për ekzekutimin e sanksioneve („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“ nr. 99/19 dhe 220/19). 

Pengesat për akses në mbrojtje shëndetësore në institucionet ndëshkimore-korrektuese

Kujdesi shëndetësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut është një e drejtë e garantuar e paraparë me dispozitën e nenit 39 paragrafi 1 të Kushtetutës, sipas së cilës çdo qytetari i garantohet e drejta e kujdesit shëndetësor.

Ligji për mbrojtje shëndetësore përcakton, ndër të tjera, që sigurimi i detyrueshëm shëndetësor dhe kujdesi themelor shëndetësor u ofrohen edhe personave që vuajnë dënimin me burg, personave që janë në paraburgim, nëse nuk janë të siguruar për arsye të tjera dhe personave të mitur që janë duke kryer një masë edukative, referim në një shtëpi edukativo-korrektuese.

Përkundër faktit që në vitin 2019 Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve filloi të paguante sigurimin shëndetësor për të gjithë personat e dënuar, qasja në këtë të drejtë themelore të të dënuarve ende nuk ushtrohet normalisht dhe është një nga problemet më të vështira në sistemin e institucioneve ndëshkimore-korrektuese, për të cilin ka nevojë për një qasje sistemore.

Vetëm në muajin dhjetor në Komitetin e Helsinkit u drejtuan katër persona të dënuar nga INK Manastir dhe ShNK Idrizovë duke u ankuar se terapia e tyre mjekësore u është zvogëluar pa një rekomandim nga një mjek specialist, u jepet në sasi më të vogla, nuk u shpërndahet në fundjavë ose të dënuarit detyrohen të paguajnë gjysmën e shumës së terapisë nga mjetet vetanake.

Ligji për ekzekutimin e sanksioneve në nenin 182 përcakton që personave të dënuar u garantohet e drejta e mbrojtjes shëndetësore, dhe shpenzimet për kujdesin shëndetësor bien në kurriz të Buxhetit të RMV-së. Prandaj, është e papranueshme që personat e dënuar, të cilët zakonisht janë të papunë, të paguajnë vetë për terapinë e tyre mjekësore, ta marrin atë në një sasi më të vogël se ajo e përcaktuar nga një mjek specialist ose të mos e marrin atë vazhdimisht gjatë fundjavave për shkak të mungesës së një personi mjekësor në institucion.

Ju kujtojmë se aksesi joadekuat në mbrojtjen shëndetësore mund të çojë në trajtim çnjerëzor dhe johuman të personave të dënuar, për shkak të së cilës në të gjitha këto raste do të kërkojmë të zbatohet mbikëqyrje nga ana e Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve. 

GJUHA E URREJTJES 

Gjuha e urrejtjes në bazë etnike më e përhapur edhe në muajin dhjetor

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në muajin dhjetor 2020, ngjashëm si në vitin 2020, vuri në dukje një numër të lartë të rasteve të gjuhës së urrejtjes në mediat sociale. Gjuha e urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike ishte përsëri në krye të listës, duke përbërë 48% të të gjitha rasteve të regjistruara për muajin aktual. Në të njëjtën kohë, denoncimet e bazuara në orientimin politik, orientimin seksual dhe identitetin gjinor u rritën përsëri në dhjetor, me 30% të numrit të përgjithshëm të denoncimeve.

Komiteti verifikoi një total prej 110 denoncimesh për muajin dhjetor 2020, që paraqet një rritje prej 130% krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2019. Shumica e rasteve në muajin tetor iu referuan përsëri denoncimeve të gjuhës së urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike, e cila ka qenë në rritje të vazhdueshme që nga fillimi i pandemisë globale. Rritja më e madhe e denoncimeve të tilla u vu re në periudhën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut siguroi fonde për të mbështetur punën e komunës së Haraçinës, vendim që u prit me kritika të ashpra dhe diskutim publik sepse iu dha një shenjë etnike-politike.

Gjithashtu, zhvillimet e brendshme politike kanë çuar në thellimin e retorikës negative, e cila shpesh bazohet në keqinformim dhe lajme të rreme pa kontrolluar faktet për diskutim të mëtejshëm. Mund të konkludohet se shpesh kur nuk ka informacion të mjaftueshëm nga institucionet kompetente për një vendim ose propozim të caktuar, diskutimi shoqëruar me urrejtje në mediat sociale përshkallëzohet. Kjo ishte veçanërisht e dukshme gjatë njoftimit të draft konceptit për reformimin e një pjese të proceseve arsimore nga ana e Ministrisë së Arsimit.

Ashtu si në periudhën e kaluar, Komiteti i Helsinkit vazhdoi të regjistronte një ton jashtëzakonisht homofobik në ligjërimin publik, duke përdorur gjuhë fyese dhe diskriminuese. Gjatë kësaj periudhe, pati një rritje të gjuhës së urrejtjes bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor pas njoftimit për formimin e Grupit ndërparlamentar për mbështetjen e të drejtave të komunitetit LGBTI brenda përbërjes së re parlamentare.

Më në fund, pamundësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të filluar negociatat për aderim në Bashkimin Evropian kontribuoi në futjen shtesë të retorikës negative në ligjërimin publik, e cila reflektohet në numrin e denoncimeve të bazuara në përkatësinë politike.

 

 

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, posaçërisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, që urgjentisht të marrë masa brenda kompetencës së tyre për të sanksionuar këtë fenomen – respektivisht punë më intensive me organizatat e shoqërisë civile dhe një fushatë publike për edukim shtesë të qytetarëve.

Lidhur me ndryshimet e thella që janë të domosdoshme për të parandaluar tendencat negative të urrejtjes dhe krimeve në vend, ne përsërisim angazhimin tonë për reforma thelbësore në procesin arsimor, kulturën dhe komunikimin publik, dhe mbi të gjitha në mënyrën si institucionet kompetente (nuk ) trajtojnë gjuhën e urrejtjes dhe pasojat e saj. Mund të konkludohet se një nga arsyet kryesore të përhapjes së gjuhës së urrejtjes është mungesa e informacionit të verifikuar dhe përhapja e dezinformatave dhe lajmeve të rreme. Një faktor shtesë për këtë situatë është mosveprimi në rastet e gjuhës së urrejtjes, veçanërisht nga ana e Prokurorisë Publike.

Reagimet e publikut që janë verifikuar nga Komiteti i Helsinkit janë në dispozicion në: https://www.govornaomraza.mk/reports/.

[1] Neni 72 i Ligjit për marrëdhëniet e punës („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë“ nr.62/05, 106/08, 161/08, 114/09, 130/09, 50/10, 52/10, 124/10, 47/11, 11/12, 39/12, 13/13, 25/13, 170/13, 187/13, 113/14, 20/15, 33/15, 72/15, 129/15, 27/16, 120/18 dhe „Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“ nr. 110/19 dhe 267/20).

[2] Neni 74 i Ligjit për marrëdhëniet e punës.

[3] Nëse inspektori i punës konstaton se vendimi përfundimtar i punëdhënësit shkel të drejtën e punëtorit, me kërkesë të punëtorit, ai me anë të një vendimi do të shtyjë ekzekutimin e këtij vendimi, nëse punonjësi ka ngritur një kontest pune, derisa të merret një vendim i formës së prerë nga ana e gjykatës. – Neni 262, paragrafi 1 i Ligjit për marrëdhëniet e punës.

[4] Neni 9 i Ligjit për mbikëqyrjen e punës („Gazeta Zyrtare e Maqedonisë” бр. 35/97, 29/02, 36/11, 164/13, 44/14, 33/15, 147/15 dhe 21/18).

[5] Neni 7 i Ligjit për mbikëqyrje inspektuese („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 102/19).

[6] Neni 8 i Ligjit për mbikëqyrje inspektuese.

[7] Neni 9 i Ligjit për mbikëqyrje inspektuese.

[8] Neni 11 i Ligjit për mbikëqyrje inspektuese.