Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedinisë së Veriut – nëntor 2020

December 10, 2020

PËRMBAJTJA

KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR

 TË DREJTAT E PUNËTORËVE

Zjarrfikësit luftuan për të drejtat e tyre të punës

Punëtorët me sëmundje kronike kanë mbetur pa mbrojtje sistemike

Pasiguri në vendin e punës gjatë krizës më të rëndë shëndetësore dhe të punës

GRATË PUNËTORE NË INDUSTRINË E TEKSTILIT

Po vazhdojnë shkeljet e të drejtave të punës të grave punëtore në industrinë e tekstilit

DISKRIMINIMI      

Thirrje për zgjedhje transparente dhe cilësore të Komisionit të ri për mbrojtje nga diskriminimi dhe Avokatit të Popullit

 DHUNA ME BAZË GJINORE

Mosveprimi (dështimi) i institucioneve në rastet e dhunës në familje

-Rasti në Tetovë

-Rasti në Kërçovë

TORTURA DHE TRAJTIMI ÇNJERËZOR

Përdorim force ndaj një personi të burgosur

GJUHA E URREJTJES

Akoma numër i lartë i denoncimeve bazuar në përkatësinë etnike

KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR

Komiteti i Helsinkit vazhdoi të monitorojë masat e Qeverisë, veçanërisht në kontekstin e respektimit të të drejtave themelore nga Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore. Komiteti i Helsinkit në raportin e tij të muajit nëntor jep një përmbledhje të këtyre fushave: të drejtat e punëtorëve, gratë punëtore në industrinë e tekstilit, diskriminimi, dhuna me bazë gjinore, torturat dhe trajtimi çnjerëzor dhe gjuha e urrejtjes.

Sipas raportit të Komisionit Evropian, përparimi i vendit në muajin nëntor u konfirmua edhe nga ana e Parlamentit Evropian. Vihet re se korniza ligjore për mbrojtjen e të drejtave themelore është kryesisht në përputhje me standardet evropiane.

Korniza e bisedimeve që u prezantua nga presidenca gjermane për bisedimet midis Bashkimit dhe Maqedonisë së Veriut konstatoi se parakusht kryesor i anëtarësimit janë “institucionet e qëndrueshme që garantojnë demokraci, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të bashkësive jo shumicë.” Duke marrë në konsideratë rishikimin e gjithëanshëm të procesit të përafrimit në pjesën e kapitujve politikë, procesi i bisedimeve do të fillojë dhe do të përfundojë me grupin e parë themelor (pra edhe Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat themelore). Komisioni gjithashtu thekson  se me rëndësi të madhe për vendin është avancimi i zbatimit të legjislacionit kundër gjuhës së urrejtjes dhe planit të veprimit për zbatimin e Konventës së Stambollit. Gjuha e urrejtjes është ende një sfidë kryesore për vendin në periudhën e ardhshme, duke pasur parasysh trendin e mbi 100 denoncimeve në muaj që nga fillimi i epidemisë në muajin mars të vitit 2020.

Propozimi i Kornizës negociuese ka për qëllim të mundësojë kohë dhe resurse të mjaftueshme për krijimin e infrastrukturës së nevojshme juridike për zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe të ndërtojë një dosje suksesi në zbatimin e reformave të ndërmarra para mbylljes së bisedimeve dhe nënshkrimit të Marrëveshjes për Aderim në Bashkim. Sidoqoftë, edhe përkundër insistimit të Presidencës gjermane dhe negociatave intensive ndërmjet delegacioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, më 16 nëntor Këshilli i Bashkimit Evropian nuk arriti unanimitet për fillimin e negociatave dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në muajin dhjetor. Pavarësisht insistimit për të përfshirë kërkesat e Bullgarisë në kornizën e negociatave, megjithatë, vendet e tjera anëtare refuzuan unanimisht këtë kërkesë. Bashkimi Evropian, i përfaqësuar nga presidenca gjermane, theksoi se çështjet bilaterale duhet të mbahen jashtë kornizës negociuese.

TË DREJTAT E PUNËTORËVE

21 denoncime, 70 punëtorë të përfshirë

 71% gra 29% burra

Zjarrfikësit luftuan për të drejtat e tyre të punës

Pas protestave të zjarrfikësve që u mbajtën muajin e kaluar, duke kërkuar që pagat e tyre të harmonizoheshin me nivelin e pagave të përcaktuara me ligj, Qyteti i Shkupit informoi publikun se ishte arritur një zgjidhje e përkohshme sa i përket këtij problemi. Gjegjësisht, shtesa e pagës prej 20 përqind për shkak të llojit dhe natyrës së punës që kryejnë zjarrfikësit profesionistë, e parashikuar me Ligjin për zjarrfikjen dhe e konfirmuar me aktvendime të gjykatës, do të paguhet në bazë të ndryshimeve në rregulloren e pagave. Bazuar në rregulloren e ndryshuar, paga bazë e zjarrfikësve do të harmonizohet që nga muaji dhjetor dhe kjo zgjidhje e përkohshme do të jetë e vlefshme derisa të miratohet një zgjidhje ligjore afatgjatë në Kuvend për të rregulluar këtë çështje.

Në këtë mënyrë, procedurat gjyqësore për shtesat e papaguara të pagave do të shmangen, dhe Qyteti i Shkupit nuk do të rëndohet me pagimin e borxheve, interesave, shpenzimeve gjyqësore, të avokatëve dhe shpenzimeve të përmbaruesve.

Punëtorët me sëmundje kronike kanë mbetur pa mbrojtje sistemike

Punëtorët me disa probleme të caktuara shëndetësore dhe sëmundje kronike u kthyen në vendet e tyre të punës dhe në kryerjen e rregullt të detyrave të tyre të punës në muajin shtator, kur Qeveria vendosi që kjo masë të pushojë së zbatuari. Shkalla e personave të sapo diagnostikuar arrin 364 në 100.000 banorë për një periudhë prej një jave, dhe për të njëjtën periudhë, në 27.8% të rasteve të ekzaminuara epidemiologjikisht është konstatuar prania e kushteve kronike shëndetësore. Kjo do të thotë që ndërprerja e vlefshmërisë së kësaj mase ka lënë punëtorët me sëmundje kronike pa mbrojtje sistemike në një nga momentet më kritike të pandemisë.

Në këtë drejtim edhe Shoqata e specialistëve dhe mjekëve të rinj parashtroi propozime konkrete për trajtimin e krizës dhe dhanë kontributin e tyre në lehtësimin e procesit të miratimit të masave dhe rekomandimeve të reja për parandalimin e virusit korona. Midis këtyre, u bë një propozim për t’i liruar punëtorët me sëmundje kronike nga puna dhe obligimet e tyre në vendin e punës. Përkundër premtimeve të Qeverisë se do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të gjithë punëtorët dhe vendet e tyre të punës, publiku nuk është informuar nëse kjo çështje konkrete është duke u shqyrtuar.

Pasiguri në vendin e punës gjatë krizës më të rëndë shëndetësore dhe të punës

Më 31 tetor, rreth dyzet motrave medicinale, të cilat kanë punuar për më shumë se dy vjet në ISHP Qendra Shëndetësore Shkup, u është ndërpre marrëdhënia e punës, për shkak të skadimit të afatit të kontratatave të punës që i kanë lidhur për kohë të caktuar. Zgjatja e kontratave të tyre të punës kërkonte pëlqimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore si institucioni kompetent për miratimin dhe aprovimin e buxhetit për angazhimin e stafit mjekësor. Vetëm një ditë pasi historia e motrave medicinale të cilave u kishin skaduar kontratat e punësimit për kohë të caktuar dhe si rezultat nuk shkonin në punë u shpërnda në rrjetet sociale më 23 nëntor, Fondi dha pëlqimin për vazhdimin e kontratave të tyre.

Autore: Arbnora Memeti

Në vitin 2018, madje 25,8 përqind e numrit të përgjithshëm të të punësuarve kishin lidhur kontrata me afat të caktuar, që do të thotë se sot më shumë se çdo i katërti punonjës në Maqedoni është i angazhuar përmes këtij lloji të kontratës. Për punonjësit shëndetësorë të cilëve kontratat me afat të caktuar u skadojnë gjatë një krize ekonomike të këtyre përmasave, kjo është një goditje e konsiderueshme për ta, si një nga kategoritë më të prekura të punëtorëve. Ata po luftojnë në vijën e parë të frontit kundër virusit korona, të privuar nga njëra nga shtyllat e të drejtave të punëtorëve – siguria në vendin e punës.

Ligji i ri për marrëdhëniet e punës, i cili duhet të jetë në procedurë parlamentare në fillim të vitit 2021, parashikon që një kontratë pune me kohë të caktuar mund të lidhet, me ose pa ndërprerje, për një afat maksimal prej tre vjetësh. Kjo nënkupton një ulje të kufirit aktual ku kufiri i sipërm është vendosur në pesë vjet. Për më tepër, Ligji i ri parashikon se një kontratë punësimi me kohë të caktuar është një përjashtim dhe se me një kontratë të tillë nuk mund të punësohen më shumë se 20 përqind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve te punëdhënësi. Përkundër faktit që edhe afati tre-vjeçar është shumë i gjatë dhe i mban punëtorët në një pozitë të palakmueshme, ulja pothuajse e dyfishtë është një ndryshim pozitiv sa i përket mbrojtjes të të drejtave të punëtorëve.

GRATË PUNËTORE NË INDUSTRINË E TEKSTILIT

Po vazhdojnë shkeljet e të drejtave të punës të grave punëtore në industrinë e tekstilit

Në muajin nëntor, Komiteti i Helsinkit regjistroi 88 raste të shkeljes së të drejtave të punës të grave punëtore në industrinë e tekstilit dhe parashtroi katër kërkesa për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në fabrikat e tekstilit për shkelje të të drejtave të punës të grave punëtore në industrinë e tekstilit. Në një prej rasteve bëhet fjalë për paga të papaguara. Gjegjësisht, punëdhënësi nuk uw ka paguar punëtorëve pagat për muajt korrik, gusht, shtator dhe nëntor. Në dy prej rasteve bëhet fjalë për mospagim të pagës minimale në përputhje me ligjin. Në këtë rast, punëdhënësit u kishin paguar punonjësve paga më të ulëta se paga minimale e përcaktuar ligjërisht për muajin shtator dhe tetor. Në rastin e fundit, punëdhënësi kishte themeluar kontrata punësimi me punonjësit e tij me kohë të pjesshme prej 4-orësh, kurse punonjësit kishin punuar me orar të plotë pune prej 8-orësh. Komiteti i Helsinkit për të gjitha rastet e përmendura ka nisë procedura për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese para Inspektoratit Shtetëror të Punës.

PËRFUNDIM:            Gratë punëtore në industrinë e tekstilit vazhdojnë të mbeten një nga kategoritë më të prekura të qytetarëve, të drejtat e punës së të cilëve janë më të ekspozuar ndaj shkeljeve gjatë kohës së pandemisë me KOVID-19.

REKOMANDIM:       Ne i bëjmë thirrje Inspektoratit Shtetëror të Punës që të veprojë në kohë dhe në mënyrë efikase në lidhje me kërkesat e parashtruara për mbikëqyrje inspektuese, duke respektuar afatet ligjore të veprimit dhe duke njoftuar parashtruesin e kërkesës në përputhje me Ligjin për mbikëqyrje inspektuese. 

DISKRIMINIMI 

Thirrje për zgjedhje transparente dhe cilësore të Komisionit të ri për mbrojtje nga diskriminimi dhe Avokatit të Popullit

Më 17 nëntor, Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi kërkoi nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut që urgjentisht të fillojë procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi dhe zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit.

Për më tepër, Rrjeti bëri thirrje për një zgjedhje transparente të anëtarëve të Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, por gjithashtu t’i kushtohet vëmendje cilësisë së kandidatëve të përzgjedhur. Kërkesa drejtuar Kuvendit thekson nevojën për të zgjedhur kandidatë profesionistë dhe të pavarur të cilët në asnjë mënyrë nuk janë të lidhur me partitë politike. Prandaj, përkatësia etnike nuk duhet të jetë kriteri i vetëm, veçanërisht kuptimi i tij i ngushtë si një ndarje e pozitave midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Është e nevojshme të merret parasysh barazia gjinore dhe të përfshihen përfaqësues të komuniteteve të margjinalizuara (romë, persona me aftësi të kufizuara, LGBTI dhe të tjerë).

Lidhur me zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi theksoi që Kuvendi gjatë zgjedhjes duhet të marrë parasysh që Avokati i Popullit në të ardhmen të jetë një person i cili do të kapërcejë problemet e identifikuara për një kohë të gjatë të institucionit, të cilat i referohen mungesës së shpërndarjes së drejtë të financave dhe burimeve njerëzore, shkallës së ekspertizës dhe kompetencës së një pjese të rëndësishme të stafit të institucionit, shpalljes publike të konflikteve ndërpersonale dhe mobingut në institucion dhe plotësimin e vendeve të lira në përputhje me Rregulloren për sistemimin në shërbimin profesional, në ekipin e Mekanizmit kombëtar të parandalimit, në departamentet e veçanta dhe në zyrat e Avokatit të Popullit. 

DHUNA ME BAZË GJINORE

Mosveprimi (dështimi) i institucioneve në rastet e dhunës në familje

Rasti në Tetovë

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, përmes një teksti të botuar në median SDK.mk më 19 nëntor, mori informacion në lidhje me mosveprimin e nëpunësve policorë pas denoncimit të dhunës në familje. Sipas informacioneve fillestare, bëhet fjalë për një rast dhune në familje në Tetovë, i cili ishte denoncuar në polici për disa herë. Viktima ishte e ekspozuar dhunës nga ana e bashkëshortit të saj, në formën e frikësimit verbal dhe joverbal, përdhunimit, detyrimit, ndjekjes, sulmit fizik, privimit të të ardhurave mujore, etj, ndërsa si viktima indirekte paraqiten edhe fëmijët e tyre të mitur që shpesh ishin dëshmitarë të përdhunimit dhe dhunës fizike në përgjithësi. Në javën para këtij incidenti të fundit, ishte konstatuar se dhunuesi ishte pozitiv me virusin Kovid-19. Më 17 nëntor, rreth orës 22, kur viktima ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, ajo menjëherë rastin e kishte denoncuar në polici. Përgjigja nga stacioni kompetent policor në Tetovë ishte: “Ne nuk mund të kryejmë ndërhyrje në këtë rast konkret, sepse autori i veprës është pozitiv me virusin Kovid-19”. Ndërsa dhunuesi po e maltretonte atë para fëmijëve të tyre, nëpunësit policorë e thirrën me telefon viktimën që ishte në rrezik, në mënyrë që oficerët e shërbimit të dëgjonin se çfarë po ndodhte “drejtpërdrejt” në shtëpi. Megjithëse nëpunësit e policisë e dinin dhe ishin të vetëdijshëm se jeta dhe shëndeti i viktimës ishin në rrezik serioz, ata me vetëdije kishin vendosur të mos ndërhyjnë në shtëpi sepse autori kishte qenë pozitiv me virusin Kovid – 19. Për më tepër, përgjigja nga Ministria e Punëve të Brendshme thotë se Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë ka pajisje mbrojtëse ndaj virusit Kovid – 19 dhe se ato përdoren nga nëpunësit policorë në bazë të një vlerësimi paraprak.

Në rastet kur dhuna në familje mbetet e pa denoncuar ose institucionet përkatëse, siç është Ministria e Punëve të Brendshme, nuk i sigurojnë mbrojtje adekuate viktimës, rriten gjasat që dhuna të rezultojë në një femicidit. Prandaj, është e papranueshme që nëpunësit e policisë të cilët duhet të jenë në vijat e para për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje, të mos mbajnë pajisjet e nevojshme mbrojtëse ndaj virusit Kovid-19 dhe kështu të veprojnë në mënyrë të pamatur i shkelin të drejtat e njeriut të viktimave duke i vënë jetët e tyre në rrezik.

Në rastin në fjalë, nëpunësit e policisë shkelën rëndë dispozitat e Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna në familje, ku Neni 29 parashikon që: “Kurdoherë që ka një raport të dhunës në familje, dhe për të eleminuar rrezikun e menjëhershëm dhe serioz për jetën dhe integritetin fizik të viktimës dhe anëtarëve të familjes së saj, oficeri i policisë është i detyruar të shkojë në vendin e ngjarjes dhe të përgatisë një raport policor menjëherë, jo më vonë se 12 orë pas ndërhyrjes në ngjarje. I njëjti nen në paragrafin 2 parasheh se “Nëpunësi i policisë në rastet e dhunës në familje, kur ndërmerr punë policore dhe zbaton kompetenca policore, masa operative-teknike dhe parandaluese të përcaktuara me Ligjin për Policinë, gjithmonë bën një vlerësim të rrezikut të jetës dhe integritetit fizik të viktimës dhe rrezikut të përsëritjes së dhunës, në mënyrë që të mbrohet viktima, përmes menaxhimit të duhur të rrezikut.”

Më 20 nëntor, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ngriti padi penale pranë Njësisë së specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me kompetenca policore dhe anëtarë të policisë së burgjeve në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër nëpunësve të policisë nga Stacioni policor në Tetovë për kryerjen e veprës penale “Neglizhencë gjatë punës në shërbim” nga neni 353-c paragrafi 2 i Kodit Penal. Komiteti i Helsinkit propozoi, pas një hetimi të hollësishëm, marrjen e provave të nevojshme materiale dhe verbale dhe konstatimin e gjendjes së përgjithshme faktike, që Prokuroria Themelore Publike të parashtrojë një aktakuzë në gjykatën kompetente kundër nëpunësve të raportuar të policisë nga Stacioni policor i Tetovës për një vepër penale, me një rekomandim që të shpallen fajtorë dhe të ndëshkohen me një dënim parësor që do të ketë një parandalim të veçantë, por edhe një parandalim të përgjithshëm që nëpunësit policorë në të ardhmen të mos kryejnë vepra të tilla dhe të ngjashme penale.

Rasti në Kërçovë

Më 10 nëntor, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, përmes medias TV 21, mori informacion në lidhje me dhunën në familje të kryer ndaj një gruaje nga Kërçova nga ana e bashkëshortit të saj nga fshati Luboten i Shkupit. Komisioni kontaktoi avokatin e viktimës nga i cili morëm informacion në lidhje me rastin dhe na informoi se Ministria e Punëve të Brendshme kishte filluar dy procedura penale para Prokurorisë Themelore Publike – Kërçovë kundër autorit të veprës. Procedurat penale u referohen veprave penale nga neni 130 paragrafi 2 dhe neni 149 i Kodit Penal. Për më tepër, ne morëm informacion se Ministria e Punëve të Brendshme po heton edhe për tri vepra të tjera të dhunës në familje të kryera nga dhunuesi ndaj viktimës dhe familjes së saj. Sidoqoftë, edhe pse dy procedime penale për dhunë në familje ishin filluar në zyrën e prokurorit kompetent kundër kryesit të veprës penale, hetimet po zhvillohen brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe për tri vepra të tjera në lidhje me dhunën në familje, dhe më 16 nëntor, Gjykata Themelore në Kërçovë vendosi masa të përkohshme kundër kryesit të veprës për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, i dyshuari ende po lëvizte lirshëm, po vinte akoma para banesës së viktimës, duke kërcënuar dhe duke vazhduar të sillet dhunshëm. Jeta e viktimës, fëmijës së saj të mitur dhe jeta e anëtarëve të familjes së saj janë në rrezik të vazhdueshëm për çdo ditë.

Duke marrë parasysh se reagimi me vonesë i institucioneve mund të sjellë pasoja fatale për viktimën, Komiteti i Helsinkit më 17 nëntor në Prokurorinë Themelore Publike – Kërçovë ka parashtruar kërkesë për veprim, me qëllim që të parandalohet dhuna e mëtejshme dhe të mundësohet mbrojtje e viktimës dhe familjes së saj. Duke pasur parasysh se Prokuroria Themelore Publike ka një ndër rolet kryesore në këtë procedurë për mbrojtjen e viktimës dhe familjes së saj, duhet të veprojë në kohë, shpejt dhe në mënyrë efikase për të zbatuar procedurat për ngritjen e aktakuzave para gjykatave kompetente, në mënyrë që autori i dhunës të shpallej fajtor dhe të ndëshkohej nga ana e gjykatës për veprat e kryera. Ajo që është e nevojshme, deri në përfundimin e plotëfuqishëm të këtyre procedurave, dhe për të mbrojtur sigurinë dhe shëndetin e viktimës dhe familjes së saj, si dhe zhvillimin e qetë të procedimeve penale, është sigurimi i pranisë së tij ose paraqitja e një propozimi në gjykatë për vendosjen e masës së paraburgimit kundër autorit të veprës.

Më 16 nëntor, Komiteti i Helsinkit ka angazhuar edhe një monitorues gjykate për gjykimin në Kërçovë, në të cilin u vendosën masa të përkohshme për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje për viktimën. Komiteti do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e mëtejshëm të masave të vendimit dhe procedurave penale. 

TORTURA DHE TRAJTIMI ÇNJERËZOR 

Përdorim force ndaj një personi të burgosur

Një person i burgosur që vuante një dënim me burg në INK Burgu Prilep iu drejtua Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut sepse, siç pohon ai, ai kishte pësuar torturë dhe trajtim çnjerëzor nga ana e një komandanti i punësuar në këtë institucion.

Gjegjësisht, më 13 nëntor, personi i dënuar kishte marrë pjesë në seancën gjyqësore në cilësinë e të pandehurit. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, rrugës për ekzekutimin e tij në INK Burgu Prilep, ai ishte sulmuar fizikisht nga ana e komandantit që po e shoqëronte. Në të njëjtën ditë, rreth orës 22, personi i dënuar ishte dërguar në ISHP Spitali i Përgjithshëm – Prilep ku kishte marrë kujdesin e nevojshëm shëndetësor, dhe ishte konstatuar se ai kishte lëndime të dukshme në formën e një mavijosje në pjesën e prapme të shtyllës kurrizore dhe një mavijosje në zonën e nyjes së bërrylit të majtë.

Sa i përket nëse kjo çështje është një tjetër e serisë së tejkalimit të kompetencave të anëtarëve të policisë së burgjeve duke përdorur forcë të tepruar që nuk është e justifikuar dhe as proporcionale, ne menjëherë kërkuam informacion nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe Mekanizmin kombëtar të parandalimit ​​pranë Avokatit të Popullit, prej ku jemi akoma në pritje të një përgjigje zyrtare.

Forca e përdorur nga oficerët e policisë dhe anëtarët e policisë së burgjeve duhet të jetë gjithmonë e nevojshme, e justifikuar, e barabartë dhe proporcionale. Të gjitha format e torturave, trajtimeve mizore dhe çnjerëzore me përdorimin e forcës dhe mjeteve të detyrimit janë absolutisht të ndaluara. Çdo veprim i tillë rapaqet torturë, trajtim çnjerëzor dhe poshtërues që duhet të sanksionohet në mënyrë të ashpër. 

GJUHA E URREJTJES 

Akoma numër i lartë i denoncimeve bazuar në përkatësinë etnike

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në muajin nëntor 2020, ngjashëm si në periudhat e mëparshme, vazhdoi të regjistrojë një numër të madh rastesh të gjuhës së urrejtjes në mediat sociale. Veçanërisht e stërtheksojmë se gjuha e urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike është në rritje të vazhdueshme dhe regjistron një numër rekord të denoncimeve, në fakt 57% e të gjitha rasteve të regjistruara janë mbi këtë bazë. Komiteti i Helsinkit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës më 16 nëntor 2020, publikoi një seri thirrjesh publike për institucionet kompetente për veprim aktiv në terren dhe në mediat sociale.

Mesazhi i Komitetit të Helsinkit është se ne jetojmë në një pjesë të botës që është përballur me pasojat shkatërruese të intolerancës dhe produkteve të tij shumë herë në të kaluarën: urrejtjen dhe dhunën. Prandaj, duhet të përsëritet gjithmonë dhe kudo që toleranca është thelbësore për ruajtjen e paqes dhe për përparimin ekonomik dhe shoqëror të të gjithë njerëzve, dhe kjo vlen veçanërisht për shoqëritë që janë multietnike dhe multikulturore. Nga ana tjetër, pabarazia shoqërore, diskriminimi, gjuha e urrejtjes dhe veprat nga gjuha e urrejtjes, të cilat vijnë pikërisht nga intoleranca ndaj të tjerëve dhe njerëzve të ndryshëm, nuk duhet të shpërfillen.

Fatkeqësisht, në këtë periudhë jemi dëshmitarë të rritjes së nacionalizmit ekstrem dhe diskriminimit për arsye të ndryshme që vazhdojnë pavarësisht nga vetëdija për dëmet dhe pengesat që ato shkaktojnë. Gjithashtu, bazuar në analizën tonë, ne ritheksojmë se popullata më e re (18-26 vjeç) është më e ekspozuar ndaj manipulimit dhe keqinformimit dhe shpesh është kategoria më aktive që përdor gjuhë urrejtjeje në mediat sociale.

Në muajin nëntor 2020 Komiteti i Helsinkit ka verifikuar gjithsej 112 denoncime, që paraqet një rritje prej 10% krahasuar me muajin e kaluar. Retorika negative për këtë muaj ishte përshkallëzuar në mediat sociale, që kontribuoi në numrin e madh të rasteve të denoncuara të gjuhës së urrejtjes.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, posaçërisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, që urgjentisht të marrin masa brenda kompetencës së tyre për të sanksionuar këtë fenomen – respektivisht punë më intensive me organizatat e shoqërisë civile dhe një fushatë publike për edukim shtesë të qytetarëve.

Sa i përket ndryshimeve të thella që janë të domosdoshme për të parandaluar tendencat negative të urrejtjes dhe krimeve në vend, ne e përsërisim angazhimin tonë për reforma themelore në procesin arsimor, kulturën dhe komunikimin publik, dhe mbi të gjitha në mënyrën se si institucionet kompetente e trajtojnë gjuhën e urrejtjes dhe pasojat e saj.

Reagimet e publikut që ishin verifikuar nga Komiteti i Helsinkit janë të disponueshme në: https://www.govornaomraza.mk/reports/.