Tejkalimi i paragjykimeve, sfidë për gjeneratën e re në Maqedoninë e V.
October 21, 2020
Tejkalimi i paragjykimeve mes të rinjve të dy etnive më të mëdha në Maqedoninë e Veriut, shqiptarëve dhe maqedonasve, mbetet sfidë për vendin, pasi ata me vite paraqesin burim të nxitjes së urrejtjes mbi baza etnike që jo rrallëherë kanë eskaluar dhe me përdorimin e dhunës.
Në bazë të të dhënave të Komitetit të Helsinkit, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 159 raste të dhunës së motivuar mbi bazë etnike.
Në rrjetet sociale gjatë ndeshjeve të futbollit, shpesh shfaqen përmbajtje fyese si “dobar shiptar, mërtov shiptar” (shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur), si dhe shprehja “kauri” (kaurrë) për maqedonasit.
Të rinjtë thonë se burim i stereotipeve është mungesa e njohjes së ndërsjellë.
“Arsyet mendoj se mund t’i gjejmë në dy çështje. Njëra është gjuha. Thjesht nuk e flasim të njëjtën gjuhë. Pavarësisht nga ajo nëse jetojmë me shqiptarët apo spanjollët, nëse nuk e kuptojmë njëri-tjetrin do të ndjehemi thjeshtë si të huaj, pra do ta ndjejmë atë si të huaj. Si arsye tjetër, ato (paragjykimet) rrjedhin nga mosbashkëveprimi i gjuhës së përbashkët ose pamundësisë për të komunikuar që na bën të jemi të lidhur me njerëzit e tjerë, pikërisht frika nga mosnjohja“, thotë për Radion Evropa e Lirë, Pavle Petrovski, student.
Përderisa, Blerina Pollozhani, aktiviste për të drejtat e të rinjve, për Radion Evropa e Lirë thotë se burim i paragjykimeve mbetet nacionalizmi i shprehur si tek maqedonasit ashtu edhe tek shqiptarët.
“Në Maqedoninë e Veriut akoma ekzistojnë paragjykimet etnike. Shkak i gjithë kësaj është dhënia e një rëndësie të madhe të kontekstit të nacionalizmit”, thotë Blerta Pollozhani.
Ndërkaq, Luben Atov, nxënës i shkollës së mesme, thotë se është paradoksale që edhe në shekullin 21 shoqëria në Maqedoninë e Veriut është e ngufatur nga stereotipet.
“Stereotipet duhej që moti të ishin çrrënjosur, mendoj se ata mbeten akoma në shoqëri, për shkak se stereotipet si dukuri, shumë më lehtë shpërndahen, krijohen, kundrejt çrrënjosjes” thotë ai.
Sipas Petrit Saraçinit, ekspert i mediave, Maqedonia e Veriut ka dështuar për sa i përket heqjes së barrierave dhe luftimit të stereotipeve.
“Po e dini si thuhet, faji gjithmonë është jetim dhe askush nuk dëshiron ta pranojë. Mendoj se në shoqëri mund të gjejmë më shumë fajtorë, sepse ne si shoqëri dështuam. Këtu nuk janë vetëm institucionet, partitë politike dhe politika në përgjithësi, nëse e marrim si burim prej ku në vend se të rrjedh bashkimi, rrjedh antagonizmi dhe ndarjet”, tha Saraçini.
Të rinjtë dhe aktivistët e të drejtave të të rinjve, thonë se politika mbetet faktori kyç për thellimin e ndasive etnike.
“Një ndër problemet kryesore në vend është se qeveria fajin e kërkon gjithmonë te populli. Partitë politike janë ato që përmes fushatave bëjnë ndarjen etnike në Maqedoninë e Veriut dhe kështu ballafaqohemi me krizën e legjitimitetit social”, thekson Blerina Pollozhani.
Pavle Petrovski, student, thotë se më shumë duhet investuar në ngritjen e vetëdijes për të kultivuar mirëkuptim mes dy etniteteve në mesin e të rinjve.
“Thjesht nuk kemi gjetur mënyrë që të kuptojmë që duhet të përpiqemi të sillemi mirë dhe miqësisht ndaj etnive të tjera, përkatësisht personave që nuk i përkasin etnisë sonë”, tha Petrovski.
Ndërkohë që Luben Atov, nxënës i shkollës së mesme, thotë se tejkalimi i paragjykimeve nuk është mision i pamundur, por vetëm se kërkon më shumë angazhim nga ana e të gjitha palëve.
“Vlerësoj se tejkalimi i këtyre stereotipeve është një sfidë e madhe, por kjo mendoj se nuk është e pamundur. Për shembull, ato mund të tejkalohen nëse që nga mosha e vogël përzihen fëmijët e të dyja nacionaliteteve, qoftë në kopshte për fëmijë, shkollë apo rrugë”, thotë Atov.
Petrit Saraçini nënvizon se nevojitet që të gjitha institucionet të angazhohen që çdo qytetar ta ndjejë se shteti në mënyrë të barabartë kujdeset për ta.
“Përmes njohjes dhe më shumë informacioneve për tjetrin, thënë kushtimisht, si dhe përmes më shumë pikave të përbashkëta përmes të cilave do të krijojmë paradigma të reja të cilat do të jenë të përbashkëta, dhe jo të huajat apo të miat, do të thotë se ne duhet të punojmë në arsimim, media, politikë, institucione, ekonomi, që qytetarët në vendin tonë të mund të kenë atë ndjesinë se ky vend kujdeset për ta dhe se në të ka mundësi t’i realizojnë ëndrrat e tyre’ thotë Saraçini.
Ndryshe, gjatë pandemisë së koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, ka shënuar rritje të dukshme përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe jotolerancës etnike në rrjetet sociale.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut bën të ditur se gjatë këtij viti, brenda periudhës kohore mars-shtator, ky institucion ka regjistruar 662 denoncime, prej të cilave 353 denoncime i referohen gjuhës së urrejtjes mbi baza të përkatësisë etnike, që paraqet një rritje prej rreth 280 për qind , krahasuar me vitin e kaluar.
Gjatë të njëjtës periudhë kohore mars – shtator 2019, ishin regjistruar 379 denoncime në lidhje me gjuhën e urrejtjes, prej të cilave 130 denoncime kishin për bazë gjuhën e urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike.