Raport i veçantë për gjendjen e të drejtave të njeriut në kohën e Kovid-19

October 13, 2020

Pandemia e virusit KOVID-19 ka shkaktuar efekte globale në përmasa të pakrahasueshme me çfarëdo ngjarje tjetër në historinë e njerëzimit. Kriza shëndetësore në rritje të shpejtë, e cila i ka goditur pothuajse të gjitha vendet në botë, po shkakton pasoja të paparashikueshme ekonomike dhe sociale, nga të cilat njerëzimi gjatë kohë nuk do të rimëkëmbet. Duke marrë parasysh seriozitetin dhe rrjedhën e pasigurt të ngjarjeve, shumë qeveri, ndër to edhe e jona, e konsideruan të nevojshme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për t’u përballur plotësisht me rreziqet dhe dëmet nga virusi i ri korona. Dhe, meqenëse gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, Qeveria mund të ndërmarrë veprime përtej asaj që lejohet në kushte normale, kjo gjithashtu nënkuptonte një alarm për të shtuar vigjilencën mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

Pasi Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut e firmosi Dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme më 18 mars 2020, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, vuri në dukje publikisht se gjendja e jashtëzakonshme në asnjë rast nuk guxon të jetë justifikim që autoritetet përgjegjëse t’i shkelin të drejtat e njeriut.

Komiteti theksoi se masat që do të merren nuk duhet të devijojnë nga detyrimi për të mbrojtur kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve dhe se të drejtat dhe liritë e njeriut duhet të merren në konsideratë. Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme, shteti nuk duhet të parandalojë arbitrarisht ushtrimin e të drejtave të njeriut ose arbitrarisht të kufizojë liritë e njeriut, për ofrimin dhe mbrojtjen e të cilave është vetë përgjegjës. Komiteti i Helsinkit, gjithashtu paralajmëroi se në përputhje me standardet vendore dhe ndërkombëtare, kufizimi i të drejtave dhe lirive në asnjë rast nuk duhet të jetë diskriminues për shkak të seksit, racës, ngjyrës së lëkurës, gjuhës, fesë, origjinës etnike ose sociale, pronës ose statusit shoqëror. Ndërhyrja arbitrare do të ishte në kundërshtim me interesin publik dhe të mirën e përbashkët, dhe kështu dekretet qeveritare me fuqi ligjore do të ishin në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

(постерot na кардула за работа на ХК во нови услови)

Edhe para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Komiteti i Helsinkit e kishte riorganizuar punën e tij në përputhje me rekomandimet për parandalim të Ministrisë së Shëndetësisë. Mundësuam funksionim të pandërprerë të shërbimit për ndihmë juridike falas për qytetarët përmes telefonit dhe postës elektronike, duke lënë mundësi edhe për takime të drejtpërdrejta për rastet urgjente. Andaj, duke marrë parasysh se kufizimet e lirisë së lëvizjes dhe kriza ekonomike nënkuptonin një goditje të pashmangshme mbi të drejtat e njeriut, Komiteti u përqëndrua në monitorimin e të drejtave të punëtorëve, të drejtat e grupeve të rrezikuara dhe të margjinalizuara dhe atyre të privuar nga liria gjatë kohës së pandemisë. Përveç kësaj, organizata ishte vazhdimisht aktive përmes rrjeteve në të cilat ajo është anëtare, kurse gjatë periudhës së kaluar i mbështeti edhe iniciativat e përbashkëta për mbrojtjen e punëtorëve.

Ky raport bazohet në të dhënat e regjistruara nga Komiteti në komunikimin e përditshëm me qytetarët që kërkojnë ndihmë juridike, në analizën e efekteve të dekreteve të miratuara qeveritare në këtë periudhë krize, si dhe në monitorimin e rregullt të situatës në sfera të caktuara.

Kriza shëndetësore është larg përfundimit, kurse kriza ekonomike dhe sociale do të intensifikohet me kalimin e çdo dite të pasigurisë dhe kufizimeve të imponuara. Si rezultat i kësaj, shpesojmë se ky raport i veçantë do të shërbejë si dokument orientues për veprimin e mëtejshëm të vendimmarrësve, sepse me saktësi përcakton se cilat të drejta janë shkelur më shumë gjatë periudhës së kaluar kritike dhe ku nevojitet ndërhyrje urgjente dhe efikase për të parandaluar dëmet e mëtutjeshme.