Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut korrik 2020

August 7, 2020

PËRMBAJTJA

KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR

TË DREJTAT E PUNËTORËVE

  • Punëdhënësit fituan në mënyrë të paligjshme në kurrizin e punëtorëve gjatë kohës së krizës më të madhe me të cilën po përballemi;
  • Mbi nevojën për politika transformuese me bazë gjinore për mbrojtjen e punonjëseve;
  • Punëtorët mbetën pa „ndihmën“ shtetërore që duhej të ishte destinuar për ta

DISKRIMINIMI

  • Deklarata për dhënien përparësi miratimit të Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi;
  • 50% paga më të ulëta për nënat e fëmijëve deri në moshën 10-vjeçare

PUNONJËSET NË INDUSTRINË E TEKSTILIT

  • Punëtoria e tekstilit nga Çeshinovo nuk ua paguan pagën minimale punonjësve të saj;

BARAZIA GJINORE

  • Ngacmim seksual i një kandidateje gjatë dhënies së provimit për patent shofer

GJUHA E URREJTJES

  • Gjuha e urrejtjes – Zgjedhjet 2020;

KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut vazhdoi të monitorojë masat e Qeverisë, sidomos në kontekst të respektimit të të drejtave themelore në kuadër të Kapitullit 23 – Sistemi gjyqësor dhe të drejtat themelore. Duke pasur parasyh këtë më lartë dhe duke ndjekur zhvillimin e ngjarjeve, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në raportin e tij për muajin korrik, në veçanti thekson zbatimin e masave dhe ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve. Ngjashëm si në muajt e kaluar dhe në përputhje me trendin e vendosur, vëmendja duhet të përqëndrohet kah trajtimi i krizës socio-ekonomike si rezultat i pandemisë – mbrojtjen e komuniteteve të margjinalizuara, zbatim të mirëfilltë të masave, mbikëqyrje dhe zbatim përkatës. Ajo që e shënoi këtë muaj është rritja e sërishme e gjuhës së urrejtjes në mediat sociale në kontekst të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe numrit të lartë të rasteve me KOVID-19 përgjatë tërë muajit. Gjithashtu, gjatë këtij muaji u vërejt një rritje tejmase e qytetarëve të infektuar me KOVID-19, që shkatoi diskurs negative i cili njëherit mori edhe karakter etnik si rezultat i numrit të të infektuarve sipas komunave.

Në planin politik mbizotëroi diskutimi rreth mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 15 korrik 2020[1]. Këto zgjedhje u mbajtën gjatë periudhës së pandemisë botërore dhe nën masa për mbrojtjen e qytetarëve. Partitë politike bënë një progres sa i përket prezantimit të platformave të tyre politike përmes mediave sociale, megjithatë tubimet tradicionale nuk munguan. Përveç rekomandimeve për mbrojtje, përmes monitorimit tonë në mediat sociale, mosrespektimi i masave është vërejtur nga një pjesë e të pranishmëve, si dhe mosmarrja e masave të duhura nga ana e institucioneve kompetente. Gjetjet preliminare të OSBE/ODIHR përmes misionit të saj vëzhgues vunë në dukje se zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik u zhvilluan në përgjithësi në mënyrë efektive, pavarësisht përshtatjeve në përgjigje të pandemisë Covid-19, por stabiliteti ligjor u çrregullua nga rishikimet thelbësore të Kodit Zgjedhor dhe ad hoc rregullativës së miratuar gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Fushata, megjithëse me një ton negativ, ishte me të vërtetë konkurruese dhe pjesëmarrësit ishin në gjendje të përcillnin mesazhet e tyre përkundër kufizimeve në komunikimin e zakonshëm. Informimit mediatik të zgjedhjeve i mungonte mbulimi kritik i platformave, kurse dispozitat në lidhje me reklamimin e paguar politik i favorizonin tri partitë më të mëdha. Dita e zgjedhjeve u zhvillua pandërprerë, përkundër sfidave teknike në shpalljen e rezultateve dhe vërejtjeve në lidhje me regjistrimin e votuesve.

Nën hijen e zgjedhjeve ishte krijimi i Kornizës së bisedimeve midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, e cila u prezantua nga ana e Presidencës gjermane me Bashkimin Evropian, më 1 korrik 2020. Korniza e bisedimeve është një rezultat i metodologjisë së re për bisedimet e përafrimit që u miratua në muajin mars të vitit 2020. Në aspektin e përmbajtjes, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet angazhimit politik të procesit, veçanërisht në zbatimin e pjesës së parë të kapitujve që kanë të bëjnë me demokracinë dhe sundimin e ligjit, veçanërisht harmonizimit me politikat e Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore.

 TË DREJTAT E PUNËTORËVE

Punëdhënësit fituan në mënyrë të paligjshme në kurrizin e punëtorëve gjatë kohës së krizës më të madhe me të cilën po përballemi

Në muajin korrik, dëshmitë e punonjëseve në 27 raste të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve kryesisht flisnin për mosrespektimin e masave qeveritare për lirim nga puna të kategorive të caktuara të punonjëseve; për përdorim të detyruar të pushimit mjekësor në rastet kur punonjëset do të duhej të lirohen nga puna; për uljen dhe/ose mospagimin e pagave të atyre punonjëseve që janë të liruara nga detyrat e punës; si dhe për punëdhënësit që kanë ushtruar presion mbi punonjëset që të ktheheshin në vendet e tyre të punës, nën kërcënimin se kontratat e tyre të punës me afat të caktuar nuk do të ripërtriheshin.

Mbi nevojën për politika transformuese me bazë gjinore për mbrojtjen e punonjëseve

Një nga masat qeveritare të ndjeshme ndaj gjinisë për t’u ballafaquar me pandeminë Covid-19 është lirimi nga detyrat e punës i prindërve që kanë fëmijë deri në moshën 10 vjeç. Me sa duket, kjo masë njeh ndarjen e të drejtave dhe detyrimeve të prindërve sa i përket shtëpisë dhe kujdesit të fëmijëve, por denoncimet për shkelje të të drejtave të punëtorëve tregojnë se këtë masë më së shumti e përdorin nënat. Sipas këtyre të dhënave, përsëri doli në shesh pabarazia gjinore në shoqërinë tonë, që është rezultat i drejtpërdrejtë i përkushtimit dhe punës së pamjaftueshme në këtë sferë përgjatë periudhës para krizës.[2]

Inspektorati Shtetëror i Punës zakonisht ka vepruar për shkeljen pikërisht të kësaj mase, respektivisht këto denoncime kanë përfaqësuar 28 përqind të numrit të përgjithshëm të denoncimeve për shkeljen e të drejtave të punëtorëve, gjatë muajve të parë të krizës.[3] Punonjëset përballeshin me situata ku punëdhënësit nuk i lironin nga detyrat e punës ose kur nuk i lironin, ua ulnin pagat e tyre. Disa prej punëdhënësve shkonin deri në ekstrem duke i kërcënuar punonjëset me largim nga puna dhe mosripërtrirje të kontratave të punësimit. Këto ishin edhe shkeljet më të shpeshta të të drejtave të punëtorëve, të denoncuara te ne gjatë muajit korrik.

Për një prej rasteve të tilla kemi ngitur procedurë para Inspektoratit Shtetëror të Punës. Në fakt, një punonjëse tekstili – nën fëmijësh deri në moshën 10 vjeçare, na ka informuar se është liruar nga detyrat e punës, por punëdhënësi në mënyrë të paligjshme i ka paguar vetëm 50 përqind të pagës së plotë për muajin prill dhe maj të vitit 2020. Gratë dominojnë në përfaqësimin e fuqisë punëtorë në industrinë e tekstilit,[4] e cila industri është më pak e paguar, që do të thotë se punonjëset në industrinë e tekstilit shumë shpesh marrin paga që është pak më e lartë se paga minimale. Për shkak të këtyre keqpërdorimeve dhe pagesave të paligjshme të pagave më të ulëta, në industrinë e tekstilit ndodh që punonjëset me fëmijë deri në moshën 10 vjeçare të marrin paga në shumë prej rreth 7500 denarë. Një situatë e tillë e sjellë këtë kategori punëtorësh në pozitë të pabarabartë kundrejt punëtorëve burra. Gratë e mbajnë barrën më të madhe për kryerjen e obligimeve në shtëpi dhe për kujdesin e fëmijëve, kurse nëpër qytete ku industria e tekstilit mbizotëron si burim kryesor i të ardhurave, ato njëherit janë edhe bartësit kryesorë të të ardhurave në familje (breadwinners).[5] Si rezultat i kësaj, ulja e paligjshme e pagave për punonjëset paraqet një shumë që nuk është e mjaftueshme për t’i përmbushur as nevojat themelore ekzistenciale të një familje.

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ONP) i ka theksuar të katër sektorët ku kriza e virusit ka pasur ndikim më të madhe, edhe atë në akomodimin dhe industrinë e ushqimit, paluajtshmëritë, sektorin administrativ dhe të biznesit, industrinë e përpunimit të tekstilit dhe tregtinë. Në vitin 2020, 527 milionë gra (ose 41 përqind e numrit të përgjithshëm të punonjëseve) janë të punësuara në këto sektorë, krahasuar me 35 përqind të numrit të përgjithshëm të punëtorëve burra. Kjo tregon se kriza më rëndë do ta godasë fuqinë femërore të punës, kurse në vendet më të varfra ekziston rreziku se do të zhduken shumë vende pune, pikërisht në industrinë e përpunimit.[6]

Burimi: International Labour Organization “The COVID-19 response: Getting gender equality right for a better future for women at work” (2020).

       Për shkak të gjithë kësaj, i bashkangjitemi përpjekjeve të ONP-së për implementimin e politikave transformuese me bazë gjinore që do ta adresonin pozitën e veçantë të punonjëseve dhe njëkohësisht do të mundësonin që sistemi aktual shoqëror dhe i punëa t’i mbrojë në mënyrë të barabartë të gjithë punonjëset, pavarësisht statusit të tyre në proceset e punës (formal ose joformal).

Punëtorët mbetën pandihmën shtetërore që duhej të ishte destinuar për ta

Në muajin mars të këtij viti, Qeveria miratoi masa ekonomike për përballje me pasojat e virusit korona, që parashikonin mbështetje të drejtëpërdrejtë financiare likuiditeti për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme nga ana e Bankës së Zhvillimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.[7] Në këtë mënyrë u miratua edhe një masë tjetër, e cila i referohej mbështetjes për kompanitë në pjesën e pagesës së pagave duke subvencionuar kontributet për punonjësit në kompanitë e prekura.

Qeveria parashikoi mbështetje për ndërmarrjet në pjesën e pagesës së pagave duke subvencionuar kontributet për punonjësit në ndërmarrjet e sektorëve turizëm, transport, hoteleri dhe ndërmarrje të tjera të prekura, për muajt prill, maj dhe qershor të vitit 2020, me subvencion për një të punësuar në shkallë prej 50% të pagës mesatare të paguar në vitin 2019, me kusht që ndërmarrja të kos e ul numrin e të punësuarve nën numrin e të punësuarve të regjistruar në muajin shkurt të vitit 2020 dhe kjo të vlejë nga dita e shfrytëzimit të masës; pastaj, ndërmarrja të mos paguan dividentë gjatë vitit 2020, deri në ditën e parashtrimit të raportit vjetor, respektivisht raporteve financiare për vitin 2020 dhe ndërmarrja të mos paguan shpërblime-bonuse pas hyrjes në fuqi të kësaj mase. Vetëm ndërmarrjet që kanë realizuar fitim si rezultat financiar nga puna gjatë vitit 2020 duhej të kthenin në emër të subvencioneve për kontribute në shumë prej 50% të fitimit para tatimimit, që do të thotë se masa ishte destinuar drejtpërdrejt që t’ju ndihmojë ndërmarrjeve që kanë realizuar rezultate më të dobëta financiare në vitin 202 për shkak të virusit korona.

Drejtoresha e Drejtorisë për të Hyra Publike (DHP), Sanja Llukarevska, deklaroi se bëhet fjalë për 281 punëdhënës që në muajin prill kanë marrë mbështetje financiare në shumë prej 9.995.565 milionë denarë, por që nuk e kanë përmbushur detyrimin e pagesës ssë pagave për 722 punonjës. Llukarevska theksoi se 427 ndërmarrje në muajin maj, fare nuk kanë paguar paga për 984 punonjës, përkundër faktit që kishin marrë mbështetje financiare në shumë prej 13.698.998 milionë denarë. Ndërmarrje të tjera, 52.465 punonjëseve nuk ua kanë ulur edhe pagën minimale dhe në llogaritë e tyre kanë derdhur 1.5 milionë euro më pak.

Së bashku me disa sindikata dhe shoqata qytetarësh, i dënojmë të gjithë punëdhënësit që kanë marrë mbështetje financiare nga shteti dhe nuk e kanë përmbushur obligimin për pagimin e pagave të punonjësve të tyre. Qëllimi i mbështetjes financiare shtetërore e përcaktuar me dekretin qeveritar për përballje me krizën e shkaktuar nga Kovid -19 ishte të ruheshin vendet e punës të punonjëseve dhe jo që punëdhënësit në mënyrë të paligjshme të fitojnë në kurrizin e tyre gjatë kohës së krizës më të madhe shëndetësore, sociale dhe financiare me të cilën po përballemi. Një sjellje e tillë e punëdhënësve është e palejushme, e padrejtë, e paligjshme, çnjerëzore dhe kemi kërkuar:

  • Drejtoria për të Hyra Publike me urgjencë dhe në afat sa më të shkurtër në përputhje me autorizimet e saj ligjore të kryejë pagesën e pagave të punonjëseve në ndërmarrjet që kanë marrë mbështetje financiare shtetërore dhe të cilët nuk e kanë përmbushur obligimin për pagesën e pagave në muajt për të cilët kanë marrë mbështetjen ose që kanë paguar paga më të ulëta për këto muaj.
  • Drejtoria për të Hyra Publike, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Pusnës, kurse në përputhje me Ligjin për kontributet nga sigurimi i detyrueshëm social, punëdhënësve të cekur t’u shqiptojë gjobë për kundërvajtje të kryer dhe t’i detyrojë punëdhënësit që t’i kthejnë fondet e mara të mbështetjes financiare shtetërore.
  • Prokuroria Themelore Publike të inicojë procedurë sipas zërit të dëgjuar kundër të gjithë punëdhënësve që kanë marrë mbështetje financiare shtetërore dhe që nuk i kanë paguar pagat e punonjëseve të tyre për veprën e kryer mashtrim sipas nenit 247 të Kodit Penal.
  • Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut si bartës i masave dhe urdhërpagues i mbështetjes financiare shtetërore, në mënyrë publike t’i publikojë ndërmarrjet që kanë shfrytëzuar mbështetje financiare shtetërore dhe që nuk i kanë paguar pagat për punonjësit e tyre.[8]
  • Në të ardhmen, të gjitha masat financiare për ndihmë dhe mbështetje të punëtorëve t’u paguhen drejtpërdrejt punëtorëve, e jo punëdhënësve, në mënyrë që të shmangen keqpërdorimet e tilla dhe të ngjashme.

DISKRIMINIMI

Deklarata për dhënien përparësi miratimit të Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në kuadër të Rrjetit për mbrojtje nga diskriminimi u ka bërë thirrje partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare që ta mbështesin deklaratën për dhënien e përparësisë miratimit të Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi nga ana e përbërjes së re parlamentare.

Qëllimi i deklaratës është që partitë politike të obligohen se këtë Ligj do ta miratojnë menjëherë pas formimit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pa vonesa shtesë dhe që pastaj, në përputhje me afatet ligjore do ta zgjedhin përbërjen e re të Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi. Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi, së bashku me 9 rrjete shoqatash qytetare, që bashkarisht numërojnë mbi 100 sosh, u bënë thirrje të gjitha partive politike, pavarësisht prapavijës së tyre ideologjike, që ta mbështesin këtë deklaratë dhe të obligohen se do të angazhohen për miratim urgejnt të Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi.

Deklaratën për dhënien përparësi miratimit të Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi e kanë nënshkruar 17 parti politike. Partitë politike që qëndrojnë si nënshkrues të kësaj Deklarate janë (sipas rradhitjes së alfabetit): Aleanca për Shqiptarët, VMRODPMNE, Zëri për Maqedoninë, DEMOKRATËT, Lidhja Demokratike (DS), Partia e Gjelbër Ripërtrirja Demokratike e Maqedonisë (DOM), Partia Liberal Demokrate (LDP), Partia e Re Socialdemokrate (NSDP), Partia e Bashkuar për Barazi të Romëve (OPER), Partia për Lëvizjen e Turqve (THP), Partia për Prosperitet Demokratik të Romëve (PDPR), Partia për Ndryshime Ekonomike 21 (PEP21), Partia e Pensionistëve (PP), Partia për Emancipim të Plotë të Romëve (PCER), Lidhja e Romëve të Maqedonisë, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (SDSM) dhe Partia Yte.

Përfundim: Nga njëra anë jemi të kënaqur që numër i madh partish politike e mbështetën deklaratën. Midis partive mbështetëse ka parti politike me prapavijë të ndryshme ideologjike, madhësi të ndryshme, fuqi dhe përvojë në shtëpinë ligjvënëse. Por, nga ana tjetër, për fat të keq, pas Но, од друга  viteve nga miratimi i Ligjit të parë për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi edhe më tej ka parti politike që nuk e mbështesin betejën tonë për një shoqëri të barabartë dhe pa diskriminim. Barazia e qytetarëve nuk është çështje e vullnetit politik, por paraqet një detyrim kushtetues për të gjithë deputetët dhe  dhe për çdo qeveri, dhe parakusht për progres, demokraci dhe mirëqenie. Avancimi i gjendjes në vendin tonë në çdo sferë nuk do t’i jep rezultatet e dëshiruara nëse të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve, nuk do të qasen dhe nën kushte të barabarta t’i gëzojnë, të drejtat, shërbimet dhe mundësitë.

Rekomandim: Përsëri i bëjmë thirrje përbërjes së re të Kuvendit që menjëherë të miratojë Ligjin e ri për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi dhe i njoftojmë se në mënyrë aktive dhe vigjilente do t’i rikujtojmë për këtë obligim dhe premtim.

50% PAGA MË TË ULËTA PËR NËNAT E FËMIJËVE DERI NË MOSHËN 10-VJEÇARE

Një nga masat qeveritare të ndjeshme ndaj gjinisë për t’u ballafaquar me pandeminë Covid-19 është lirimi nga detyrat e punës të prindërve që kanë fëmijë deri në moshën 10 vjeç. Me sa duket, kjo masë e njeh ndarjen e të drejtave dhe detyrimeve të prindërve sa i përket shtëpisë dhe kujdesit të fëmijëve, por denoncimet për shkelje të të drejtave të punëtorëve tregojnë se këtë masë më së shumti e përdorin nënat. Sipas këtyre të dhënave, përsëri doli në shesh pabarazia gjinore në shoqërinë tonë, që është rezultat i drejtpërdrejtë i përkushtimit dhe punës së pamjaftueshme në këtë sferë përgjatë periudhës para krizës.[9] Inspektorati Shtetëror i Punës zakonisht ka vepruar për shkeljen pikërisht të kësaj mase, respektivisht këto denoncime kanë përfaqësuar 28 përqind të numrit të përgjithshëm të denoncimeve për shkeljen e të drejtave të punëtorëve, gjatë muajve të parë të krizës. Punonjëset përballeshin me situata ku punëdhënësit nuk i lironin nga detyrat e punës ose kur nuk i lironin, ua ulnin pagat e tyre. Disa prej punëdhënësve shkonin deri në ekstrem duke i kërcënuar punonjëset me largim nga puna dhe mosripërtrirje të kontratave të punësimit. Një rast i tillë, muajin e kaluar ishte denoncuar edhe në Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Punonjëse e punësuar në industrinë etekstilit na ka informuar se si një nënë e fëmijëve deri në moshën 10-vjeçare është liruar nga detyrat e punës, por paga për muajt prill dhe maj në mënyrë të paligjshme ishte ulur dhe shuma e pagës ishte vetëm 50% e pagës së plotë.

Përfundim: Të punësuarit në industrinë e tekstilit janë kryesisht gra punëtore, paga e të cilave nuk është më e lartë se paga minimale. Prandaj, një pjesë e punëtorëve, nënave të fëmijëve deri në moshën 10 vjeç në këtë industri, ndërsa janë të liruara nga detyrimet e punës gjatë gjendjes së krizës, marrin një pagë në vlerë prej rreth 7.500.00 denarë. Kjo situatë e vë këtë kategori të punëtorëve në një pozitë të pabarabartë kundrejt punëtorëve burra. Duke marrë parasysh që ato, si gra, mbajnë barrën më të madhe për përmbushjen e përgjegjësive brenda shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët, dhe për këtë arsye e përdorin këtë masë qeveritare, rezulton gjithashtu në një ulje të paligjshme të pagave të tyre, në një shumë që nuk është e mjaftueshme për të përmbushur madje as nevojat themelore ekzistenciale të një familje.

Rekomandim: I bëjmë thirrje Inspektoratit Shtetëror të Punës, ku edhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut e denoncoi këtë rast, të vazhdojë me praktikën pozitive të veprimit të shpejtë dhe efikas të kërkesave për zbatimin e mbikëqyrjeve inspektuese, të zbatojë mbikëqyrje inspektuese dhe të ketë rezultat pozitiv nga realizimi i mbikëqyrjeve inspektuese.

PUNONJËSET NË INDUSTRINË E TEKSTILIT

Punëtoria e tekstilit nga Çeshinovo nuk ua paguan pagën minimale punonjësve të saj

Gjatë periudhës së raportimit, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut arriti të marrë disa informacione se një fabrikë tekstili nga Çeshinovo, numrit më të madh të punonjëseve të saj nuk ua ka paguar pagën minimale në përputhje me Ligjin për pagë minimale, nuk ua ka paguar kompensimet e pagës për punë jashtë orarit dhe për përvojë, si dhe nuk ua ka dhënë përllogaritjet e pagave.  Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut për këtë rast ka inicuar procedurë pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës, ku kërkoi që Inspektorati të konstatojë nëse fabrika e tekstilit në cilësinë e punëdhënësit i paguan pagat e punëtorëve në përputhje me ligjin, vallë fabrika e tekstilit në cilësinë e punëdhënësit i paguan kompensimet e pagës për punë jashtë orarit dhe për përvojë dhe vallë fabrika e tekstilit në cilësinë e punëdhënësit u jep punëtorëve të saj përllogaritjet mujore të pagave.

Përfundim: Problemi i pagesës së pagave minimale mbetet një problem sistematik që vazhdon të prekë punonjëset në industrinë e tekstilit. Megjithë miratimin e një Ligji të ri për pagën minimale dhe heqjen e dispozitës për arritjen e normës në punë si kusht për pagimin e pagës minimale, shteti ende nuk po arrin të gjejë një zgjidhje për një nga problemet më kryesore në industrinë e tekstilit.

Rekomandim: Veprimi i Inspektoratit Shtetëror të Punës në raste të tilla individuale nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar një ndryshim sistemor. Ne bëjmë thirrje për një angazhim më të madh të Drejtorisë për të Hyra Publike, policisë financiare dhe institucioneve të tjera përkatëse shtetërore, si dhe një bashkëpunim më të madh ndërinstitucional në përpjekjen për të kapërcyer këtë problem sistemor.

BARAZIA GJINORE

Një kandidate që bëri provimin për patent shofer muajin e kaluar është ngacmuar seksualisht nga ana e  anëtarëve të komisionit. Gjatë kohës së provimit, njëri prej anëtarëve të komisionit në mënyrë të përsëritur e ka prekur kandidaten duke vendosur dorën e majtë në krahun e saj të djathtë në një kohë kur automjeti ishte në lëvizje. Ky veprim është përsëritur tre herë gjatë zhvillimit të provimit. Kjo situatë e krijuar, kandidates i ka shkaktuar stres dhe shqetësim të madh, dhe anëtari tjetër i komisionit nuk ka reaguar fare për të parandaluar këtë sjellje të kolegut të tij.

Në rast të gabimeve nga kandidatët, komisioni mund të reagojë ekskluzivisht vetëm përmes komandës së dyfishtë të automjetit dhe ndërhyrjes direkte në rrotullimin e timonit. Prandaj, është e qartë se sjellja e anëtarit të komisionit ka qenë një ngacmim seksual i kandidates, i cili nuk është rasti i parë apo i fundit i ngacmimit të kandidateve femra, të cilat janë kryesisht vajza të reja të moshës 18 vjeç. Ngjarja është denoncuar menjëherë në Qendrën e Provimeve nga ana e kandidates dhe Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ku për kohë të shpejtë morëm një përgjigje pozitive për veprimet dhe masat e marra nga ana e tyre. Pas shqyrtimit të video regjistrimeve dhe bisedës me kandidaten në prani të një përfaqësuesi të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Qendra e Provimeve filloi procedurë disiplinore ndaj anëtarëve të komisionit, dhe kandidates iu lejua të hyjë përsëri në provim por me një përbërje të re komisioni.

PËRFUNDIM: Ngacmimi seksual si një formë e dhunës me bazë gjinore identifikohet rrallë, dhe gratë si viktimat më të zakonshme të këtij lloji të dhunës janë shumë rrallë të vetëdijshme se janë viktima të ngacmimit seksual. Një sjellje e tillë duhet të inkriminohet sa më shpejt që të jetë e mundur si një vepër penale në Kodin tonë Penal, kurse autorët të jenë subjekt i sanksioneve më të rënda. Ngacmimet seksuale kurrë nuk duhet të merren parasysh si kompliment dhe është e një rëndësie të veçantë të rritet ndërgjegjësimi i publikut për raportimin e këtij lloji të dhunës, që kjo dhunë të mos vazhdojë të normalizohet edhe në të ardhmen.

GJUHA E URREJTJES

GJUHA E URREJTJESZGJEDHJET 2020

Siç paralajmëroi Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në raportin e muajit qershor, si rezultat i fushatës parazgjedhore dhe numrit të vazhdueshëm të regjistrimit të rasteve të reja me Kovid-19, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka verifikuar gjithsej 104 denoncime të verifikuara për muajin korrik. Numri më i madh i rasteve përgjatë muajit korrik i referohet mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare (15 korrik 2020) dhe në përgjithësi politikës negative që rezultoi me numër të lartë denoncimesh për gjuhë të urrejtjes në mediat sociale mbi bazën e përkatësisë politike dhe etnike.

Për shkak të mënyrës se si u zhvillua fushata politike si rezultat e masave mbrojtëse nga Kovid-19, numri më i madh i mesazheve të partive politike u transmetuan dhe diskutuan në mediat sociale. Edhe përkundër faktit se pjesa më e madhe e fushatave u zhvilluan në mënyrë virtuale, megjithatë u shoqërua edhe me fushatë tradicionale duke mbajtur tubime në të culët nuk u respektuan plotësisht masat mbrojtëse (sidomos mbajtja e maskave). Kjo kontribuoi në këmbimin e gjuhës së urrejtjes në mediat sociale, që përveç ngjyrimeve politike mori edhe ngjyrime etnike. Vetëm për krahasim, në vitin 2019 nga data 1.04.2019 deri në përfundimin e rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut kishte regjistruar  63 denoncime (prej të cilave 51% kishin të bënin me përkatësinë politike dhe etnike). Gjatë kohës së këtyre zgjedhjeve është vërejtur rritje prej mbi 80% të denoncimeve për këto kategori.

Nga fillimi i vitit 2020, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka parashtruar gjithsej 11 kall[zime penale për përhapje të gjuhës së urrejtjes, në bazë të nenit 319 të Kodit Penal. Është interesante se nga ky numër, 5 kallëzime u parashtruan gjatë muajit korrik të vitit 2020 edhe atë – një kallëzim në Stacionin policor – SPB Manastir kundër autorëve të panjohur për shkruarjen e grafiteve që nxisin dhe përhapin gjuhë të urrejtjes ndaj një personi të një përkatësi etnike dhe kombëtare dhe katër kallëzime në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup (dy kundër një udhëheqësi të një partie politike për shkaktimin e urrejtjes fetare dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes ndaj personi përfaqësues të një grupi, një kundër një personi për nxitjen e ndasive dhe mostolerancës ndaj personave të partive politike me ide të ndryshme dhe një kundër autorëve të panjohur për përhapjen e gjuhës së urrejtjes në rrjetin social Facebook, drejtuar një personi përfaqësues grupi.

Ecuria e gjuhës së urrejtjes, korrik 2020

Gjuha e urrejtjes në mediat sociale për muajin korrik 2020.

Numri më i madh i denoncimeve (ose 65% të numrit të përgjithshëm të denoncimeve të verifikuara) kanë të bëjnë me dy kategori: përkatësia etnike dhe politike që veçanërisht ishin vërejtur pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Rritje më të madhe të gjuhës së urrejtjes shkaktuan tvitet e këngëtares së njohur Dua Lipa[10] për të cilat kishte reagime të ndryshme të opinionit vendas, duke i vlerësuar reagimet e saj si nacionaliste. Reagimet në Facebook dhe Twitter, si shkas i këtij reagimi, morën ngjyrim etnik duke marrë në konsideratë prejardhjen e këngëtares. Gjithashtu, për këtë muaj vërehet sërish rritje e denoncime për gjuhë të urrejtjes mbi bazën e orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Numri i lartë i denoncimeve, siç ka theksuar periudhën e kaluar edhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, janë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Reagimet e opinionit që u verifikuan nga ana e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut janë në dispozicion në: https://www.govornaomraza.mk/reports/.

[1]  https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/IP_20_1021

[2] Reaktor – hulumtim në veprim, „Puna e paguar dhe papaguar, diskriminimi në bazë gjinore dhe të drejtat e punëtorëve gjatë kohës së Kovid – 19“ (2020); në dispozicion në <https://reactor.org.mk/publication-all/платена-и-неплатена-работа-родово-баз/>.

[3] Reaktor – hulumtim në veprim, „Punna e paguar dhe papaguar, diskriminimi në bazë gjinore dhe të drejtat e punëtorëve gjatë kohës së Kovid – 19“ (2020); në dispozicion në <https://reactor.org.mk/publication-all/платена-и-неплатена-работа-родово-баз/>.

[4] Madje 90 përqwind e numrit të përgjithshëm të punëtorëve në fabrikat e tesktilit në Shtip janë gra – Center for Research and Policy Making “Macedonian Clothes for Europe” (2006); në dispozicion në <https://www.crpm.org.mk/wp-content/uploads/2012/03/MACEDONIAN-CLOTHES-FOR-EUROPE1.pdf>.

[5] Maria Mies “Patriarchy and Accumulation on a World Scale: Women in the International Division of Labor” (1986).

[6] International Labour Organization “The COVID-19 response: Getting gender equality right for a better future for women at work” (2020); достапно на <https://www.ilo.org/wcmsp5/groups/public/—dgreports/—gender/documents/publication/wcms_744374.pdf>.

[7] Secila ndërmarrje, varësisht nga numri i të punësuarve, mund të përfitonte nga 3 deri në 30 mijë euro. Ndërmarrjet mikro, deri në 10 të punësuar, mund të merrnin kredi nga 3 deri në 5 mijë euro, ndërmarrjet e vogla me 10 deri në 50 të punësuar, mund të merrnin kredi prej 10 deri në 15 mijë euro dhe ndërmarrjet e mesme me 50deri në 250 të punësuar, mund të merrnin kredi prej 15 deri në 30 mijë euro.

[8] Drejtoria e të Hyrave Publike në datë 30.7.2020 shpalli listen e ndërmarrjeve që kanë shfrytëzuar mbështetjen financiare shtetërore, por që nuk ua kanë paguar pagat punëtorëve të tyre, në dispozicion në <https://vlada.mk/sites/default/files/dokumenti/analiza-neplateni_fin_poddrska_finalno_0.pdf>.

[9][9] Puna e paguar dhe e papaguar, diskriminimi me bazë gjinore dhe të drejtat e punëtorëve gjatë kohës së Kovid – 19, Reaktor – hulumtim në veprim, 2020, në dispozicion në: https://reactor.org.mk/publication-all/%d0%bf%d0%bb%d0%b0%d1%82%d0%b5%d0%bd%d0%b0-%d0%b8-%d0%bd%d0%b5%d0%bf%d0%bb%d0%b0%d1%82%d0%b5%d0%bd%d0%b0-%d1%80%d0%b0%d0%b1%d0%be%d1%82%d0%b0-%d1%80%d0%be%d0%b4%d0%be%d0%b2%d0%be-%d0%b1%d0%b0%d0%b7/

[10] https://twitter.com/DUALIPA/status/1284928447912050688