SITUATA ME TË DREJTAT E NJERIUT ‒ RAPORT MUJOR, Mars 2025
May 22, 2025

Më 8 Mars, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për luftën ekonomike, politike dhe shoqërore për barazinë e grave, në Shkup u zhvillua një Marsh i organizuar nga Platforma për Barazi Gjinore dhe aktivist(e) të pavarura për të drejtat e grave. Në këtë Marsh u prezantuan disa
kërkesa, e para prej të cilave kishte të bënte me drejtësi për të gjitha gratë që humbën jetën për shkak të neglizhencës sistemike dhe vrasjes së grave.
Pas tragjedisë së zjarrit në Koçani, Maqedonia e Veriut u përball përsëri me një sfidë të dyfishtë: luftën për llogaridhënie të vërtetë për jetët e humbura dhe përballjen me rritjen shqetësuese të gjuhës së urrejtjes, veçanërisht në mediat sociale dhe në disa media tradicionale. Në vend të debatit dinjitoz dhe unitetit në kërkim të drejtësisë, ne pamë fyerje, akuza politike, gjuhë urrejtjeje dhe thirrje për dhunë, të cilat u përshkallëzuan në një fushatë të rrezikshme online.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut paralajmëroi se sulme të tilla mund të kenë pasoja serioze për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e qytetarëve, duke kujtuar se gjuha e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë përbëjnë vepër penale. Komiteti u bëri thirrje figurave publike, politikanëve dhe të gjithë përdoruesve të mediave sociale që të jenë të përgjegjshëm në fjalimet e tyre publike.


