November 18, 2019

Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut Tetor 2019

TË DREJTAT E PUNËTORËVE

INSPEKTIM PËR mospagim të REGRESit PËR PUSHIM VJETORPUNËTORËT TË DENONCOJNË RREGULLISHT

Gjatë muajit tetor, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka regjistruar 9 raste të shkeljes së të drejtave të njeriut.

Me kërkesë të Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, Inspektorati shtetëror i punës (IShP), në muajin tetor ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese nga sfera e marrëdhënieve të punës në Agjencinë Private për Punësim – MOTIVI Shkup.

Konkretisht, gjatë vitit 2018, dy punëtore ishin punësuar për kohë të caktuar në Agjencinë me qëllim që përkohësisht të punojnë për punëdhënësin – Komuna Qendër. Marrëdhënia e punës ishte ndërprerë pas skadimit të kohës së caktuar dhe gjatë asaj periudhe punëtoret e kishin shfrytëzuar të drejtën e regresit për pushimin vjetor të vitit 2018. Me rastin e mbikëqyrjes nga ana e IShP-së është konstatuar se regresi nuk iu ishte paguar punëtoreve, siç është parashikuar në nenin 35 të Kontratës së përgjithshme kolektive për sektorin privat nga sfera e ekonomisë. Në bazë të gjendjes së konstatuar, Inspektorati ka sjellë vendim me të cilin urdhërohet personi përgjegjës i punëdhënësit që t’i largojë mangësitë dhe parregullsitë e konstatuara. Pastaj, punëdhënësi ka vepruar në përputhje me vendimin e IShP-së dhe punëtoreve ua ka paguar regresin për pushim vjetor.

Më tej, ish punëtorët e fabrikës „Ohis”, në datë 29.10.2019 e kanë mbajtur protestën e tyre të 139. Punëtorët janë të revoltuar për shkak se nuk ua kanë paguar 24 paga (për 16 prej tyre nuk janë paguar as kontributet) të cilat i kanë fituar me punë duke qenë të ekspozuar ndaj kimikateve, me ç’rast një numër i madh i tyre kanë edhe probleme shëndetësore. Punëtorët e kërkojnë pagimin e shumës prej 5.000 euro për punëtor në emër të pagave. Në shenjë mbështetjeje, përfaqësues i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut merr pjesë në protestat e punëtorëve që mbahen dy herë në javë, çdo të martë dhe të premte.

Deri te Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka arritur edhe një parashtresë anonime nga një grup punëtorësh që na njoftuan se ekziston dyshimi se punëdhënësi i tyre nuk po ua paguan punën jashtë orarit duke i anashkaluar aktet e legjislacionit të punës. Konkretisht, në përllogaritjet e pagave, punëdhënësi i evidenton orët e punuara jashtë orarit dhe njëherit është parashikuar edhe kompenzim shtesë për suksesin e punëtorëve. Nga përllogaritjet e pagave që i siguroi Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut rezultoi se ç’doherë që punëtorët kanë punuar jashtë orarit të punës, shuma e kompenzimit për suksesin e punëtorëve ishte më e ulët, respektivisht, kur punëtorët nuk kanë punuar jashtë orarit të punës, shuma e këtij kompenzimi ishte më e lartë. Në këtë mënyrë, punëdhënësi u paguan pothuajse pagë të njëjtë për çdo muaj. Nga ky fakt, lind pyetja për mënyrën se si punëdhënësi e vlerëson dhe e paguan efikasitetin e punëtorëve si dhe në raport me faktin se a ekziston ndonjë lidhshmëri ndërmjet pagimit të punës jashtë orarit dhe shumës shtesë për sukses. Kjo më lartë e bën problematik pagimin e punës jashtë orarit, respektivisht lind pyetja vallë e njëjta faktikisht paguhet ose punëdhënësi përllogaritjen e kryen vetëm në letër. Për këtë arsye, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut e kërkoi zbatimin e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme inspektuese nga ana e Inspektoratit shtetëror të punës te punëdhënësi.

Rekomandim: Suksesi në punë përcaktohet duke i marrë parasysh sjelljen e mirë, cilësinë dhe vëllimin e punëve të kryera, për të cilat punëtori e ka nënshkruar kontratën e punësimit. Apelojmë që Inspektorati shtetëror i punës t’i rrisë mekanizmat e tij kontrolluese me rastin e konstatimit se si është definuar standardi i punës dhe në çfarë mënyre funksionon sistemi për monitorimin e suksesit të punëtorëve, vallë punëdhënësit kanë sistem të implementuar për zbatimin e treguesve kryesorë për sukses dhe cilat kritere i marrin parasysh punëdhënësit gjatë vlerësimit të suksesit të punëtorëve.

PUNËTORET NË INDUSTRINË E TEKSTILIT

SHTETI DUHET TA NDALOJË SJELLJEN SKLLAVOPRONARE TË PUNËDHËNËSVE NË INDUSTRINË E TEKSTILIT

Gjatë periudhës së raportimit, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka dokumentuar deklarata dhe kërkesa skajshmërisht të patolerueshme të pronarëve të fabrikave – anëtarë të industrisë së tekstilit, sa i përket vazhdimit të orarit të punës, heqjen e festave që të mos ketë diskontinuitet në prodhim, ngrirjen e kontributeve, hapjen e sërishme të temës për njësi të normuar prodhimi, madje edhe kërcënime nebuloze për grevë të punëdhënësve. Konsiderojmë se me deklarimin e këtyre qëndrimeve, drejtpërdrejt po goditet mbi të drejtat e punëtorëve dhe mbi dinjitetin e punëtorëve dhe punëtoreve në industrinë e tekstilit – njëra ndër grupet më të rrezikuara dhe më pak të paguara në shoqëri. Me këtë, vetë punëdhënësit, praktikisht po e pranojnë sjelljen e tyre të deritanishme arrogante ndaj punëtorëve dhe mënyrën se si për çdo ditë i trajtojnë të punësuarit në repartet e tyre.

Deri te Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, në vitin 2019, deri në fund të shtatorit, janë drejtuar gjithsej 1497 punëtore të tekstilit nga 60 fabrika konfeksioni nga 12 qytete të ndryshme. Nga ana jonë janë ofruar 906 këshillime juridike dhe janë inicuar 20 procedura për mbikëqyrje inspektuese. Por, Inspektorati shtetëror i punës vetëm në një rast ka konstatuar mospagim të punës gjatë festës dhe asnjëherë nuk ka konstatuar punë të papaguar jashtë orarit të punës dhe/ose punë jashtë orarit mbi minimumin e parashikuar ligjor.

Rekomandim: Të drejtat e garantuara me Kushtetutë nuk guxojnë të sakrifikohen në emër të profitit të pronarëve. Presim që shteti do të përgjigjet në mënyrë adekuate ndaj këtyre kërkesave dhe se do t’i mbrojë punëtorët nga sjellja e paskrupullt ndaj tyre. Mbi të gjitha, është me rëndësi të përmendet se punëdhënësit në industrinë e tekstilit janë në mënyrë shtesë të privilegjuar me subvencione nga ana e shtetit për pagimin e pagës minimale dhe se gëzojnë levërdi të tjera sa i përket eksportit. Në një situatë të tillë, shteti nuk guxon të lejojë që punëdhënësit t’i trajtonë të punësuarit sikur të jenë skllevër.

DISKRIMINIMI

gjuha e urrejtjes dhe shqetësimi në bazë gjinore nga ana e gazetarit milenko nedellkovski

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në kuadër të platformës për barazi gjinore e ka dënuar ashpër gjuhën plotë urrejtje dhe shqetësimin në bazë gjinore që personi Milenko Nedellkovski po e përhap përmes faqes së tij në Facebook, kryesisht të drejtuara ndaj grave në diskursin publik.

Nedellkovski në faqen e tij shkruan fyerje ndaj grave politikane dhe tallet në veçanti me komente degraduese, plot me mizogjini, seksizëm dhe gjuhë plot me urrejtje. Komentet e tij të drejtuara ndaj pamjes dhe personalitetit të politikaneve janë kërcënuese, veçanërisht ato të drejtuara deputetes Daniella Rangellova, e të cilat nxisin urrejtje dhe shkaktojnë dëme mbi reputacionin e zonjës Rangellova.

Kjo gjuhë plotë me urrejtje dhe komente shqetësuese, paraqet shqetësim, që sipas nenit 10, paragrafit 1 të Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, është definuar si „…veprim i padëshiruar ndaj një personi ose grup njerëzish në baza diskriminuese që ka për qëllim ose pasojë, shkeljen e dinjitetit ose krijimin e mjedisit, qasjes ose praktikës kërcënuese, poshtëruese ose frikësuese.“

Për Milenko Nedellkovskin gjuha diskriminuese dhe gjuha e urrejtjes nuk janë të panjohura. Bëhet fjalë për person publik i cili në mënyrë të vazhdueshme ka mbjellur urrejtje dhe frikë ndaj kategorive të ndryshme të grupeve të margjinalizuara, kurse nga ana tjetër institucionet kompetente nuk po ndërmarrin veprime për ta sanksionuar dhe për ta marrë përgjegjësinë e duhur.

Për fund, rikujtojmë se për momentin Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka Komision për mbrojtje nga diskriminimi. Ekzistimi i këtij organi është thelbësor sa i përket sigurimit se Ligji për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi po zbatohet në përpikmëri. Për këto arsye, apelojmë që sa më shpejtë të formohet Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi, si element kryesor për implementimin e Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi dhe zbatimin konzistent të sanksioneve si përgjigje ndaj këtye fenomeneve.

Rekomandim: Apelojmë që institucionet përgjegjëse të reagojnë në mënyrë adekuate ndaj të gjitha sulmeve seksiste dhe shqetësimeve drejtuar grave. Njëherit, i thërrasim qytetarët dhe mediat t’i identifikojnë sulmet online dhe keqpërdorimin seksist të mediave sociale e që ndikojnë në dinjitetin e gruas dhe apelojmë që të njëjtat të mos i shpërndajnë dhe përhapin me publikun. Rikujtojmë se seksizmi është barriera qendrore për pjesëmarrjen e grave në jetën publike nën kushte të njëjta sikur burrat. Komentet seksiste janë shembull për standardet e dyfishta që ndikojnë negativisht mbi dinjitetin, vetëbesimin si dhe mbi mundësitë e barabarta për pjesëmarrje dhe zhvillim.

deklarata homofobike e kryetarit të bfi-së, sulejman rexhepi

Më 03.10.2019 në shumë media ishin publikuar tituj dhe video regjistrime ku potencohej deklarata e kryetarit të Bashkësisë fetare islame (BFI), Sulejman Rexhepi, i cili gjatë një pyetje të gazetarit rreth ultimatumit të dhënë nga Skender Buzaku ndaj tij për dorëheqje nga pozita, ai përgjigjet se në Bashkësinë Fetare Islame nuk ka vend për „gej“ dhe se të tillët duhen të jenë jashtë saj.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut me anëtarët e tjerë të Rrjetit për mbrojtje nga diskriminimi e kanë dënuar ashpër deklaratën e Sulejman Rexhepit dhe në veçanti jemi të brengosur për faktin që një deklaratë e tillë është dhënë nga kryetari i Bashkësisë Fetare i cili thërret në përjashtimin e njerëzve-gej, posaçërisht që mbështet përjashtimin nga Bashkësia Fetare. Me këtë deklaratë shkelet realizimi i së drejtës së fesë dhe besimit si e drejtë themelore e njeriut, rreptësisht е garantuar në nenin 19 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. E rikujtojmë z. Rexhepin se në cilësinë e kryetarit të bashkësisë fetare, duhet ta dijë se çdokush, madje edhe njerëzit LGBTI dhe kategoritë e tjera të njerëzve që nuk i ka për qejfi ai, kanë të drejtë lirshëm dhe publikisht, individualisht ose në bashkësi me të tjerët, që ta praktikojnë fenë e tyre. Për faktin që deklarata është dhënë publikisht, ajo sjell pasoja të dëmshme për njerëzit-gej të cilët edhe ashtu gjenden në margjinat e shoqërisë sonë dhe për çdo ditë ballafaqohen me përjashtime pothuajse nga të gjitha aspektet e jetës. Bindja fetare e Sulejman Rexhepit nuk e liron nga obligimet që i ka si qytetar sipas Kushtetutës, ligjeve dhe akteve të tjera, çka nënkupton se duhet t’i respektojë të drejtat themelore edhe të njerëzve-gej, ndër të tjerat edhe mbrojtjen nga diskriminimi dhe shqetësimi në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Bashkësia Fetare Islame, por edhe bashkësitë e tjera fetare, intenzivisht i mbrojnë qëndrimet kundër të drejtave të njerëzve LGBTI, përhapin gjuhë të urrejtjes, i demonizojnë dhe stigmatizojnë pakicat seksuale dhe gjinore. Për këtë arsye, publikisht i thërrasim bashkësitë fetare që ta rishikojnë veprimin dhe qëndrimin e tyre në raport me njerëzit LGBTI. Edhe pse në shumicën e feve mund të gjenden tekste dhe vlera që i mbështesin barazinë dhe empatinë, kryetarët e bashkësive fetare te ne zgjedhin ta interpretojnë fenë si kërkesë për shkeljen e të drejtave të njerëzve LGBTI. Kjo sjellje nuk ka asnjë lidhje me lirinë e tyre të besimit fetar, por paraqet keqpërdorim të fesë për mbajtjen e gjendjes status quo, mbajtjen dhe zgjerimin e pushtetit të tyre në llogari të grupeve të margjinalizuara. Kjo quhet fundamentalizëm fetar dhe për të nuk ka vend në asnjë shoqëri demokratike.

Rekomandim: E thërrasim kryetarin e BFI-së, Sulejman Rexhepi, që publikisht t’ju kërkojë falje njerëzve-gej dhe në të ardhmen të përmbahet nga shqetësimet e cilësdo natyre diskriminuese. E thërrasim edhe Bashkësinë Fetare Islame, përmes organeve të saja për mbikëqyrje, të inicojë procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë ndaj kryetarit të BFI-së, Sulejman Rexhepi, për diskriminimin e bërë në bazë të orientimit seksual.

Dokumentet