October 7, 2020

Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut – shtator 2020

PËRMBAJTJA

KONTEKSTI POLITKO-SHOQËROR 

TË DREJTAT E PUNËTORËVE

Pushuan të vlejnë masat për parandalim dhe mbrojtje nga virusi korona, të sëmurët kronikë të lënë në (jo) mëshirën e virusit

Interpretim i paplotë i dispozitave ligjore për punonjësit e sëmurë me Kovid-19

Qeveria e miratoi paketën e katërt të masave ekonomike

Mbi Ligjin e ri për marrëdhëniet e punës

PUNONJËSET NË PUNËTORITË E TEKSTILIT 

Në muajin shtator, 50 punonjëse në punëtoritë e tekstilit denoncuan shkelje të të drejtave të punëtorëve

DISKRIMINIMI     

Diskriminim bazuar në seks dhe gjini në MPB – nëpunëse e policisë është penguar të avancohet në vendin e punës

Interpretim diskriminues i dekretit për pushim lehonie

DHUNA ME BAZË GJINORE

Vallë mungesa e reagimit të institucioneve rezultoi me femicid? 

TORTURA DHE TRAJTIMI JOHUMAN

Privim i pabazë nga liria, përdorim i forcës së tepruar dhe mjeteve të detyrimit ndaj një djali në Shkup

E dënojmë veprimin brutal të policisë dhe bëjmë thirrje për sjellje jodiskriminuese ndaj romëve

GJUHA E URREJTJES

Nevojiten masa urgjente për të trajtuar gjuhën e urrejtjes 

KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR

Komiteti i Helsinkit vazhdoi të monitorojë masat qeveritare, sidomos në kontekst të respektimit të të drejtave themelore në kuadër të Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore. Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në raportin e tij për muajin shtator jep një përmbledhje për respektimin e të drejtave të punëtorëve, rastet e diskriminimit, dhunën me bazë gjinore, torturën dhe trajtimin johuman, por edhe për situatën me gjuhën e urrejtjes.

Korniza e bisedimeve që u prezantua nga presidenca gjermane për bisedimet midis Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut konstatoi se parakusht kryesor i anëtarësimit janë “institucionet e qëndrueshme që garantojnë demokraci, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, si dhe respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të bashkësive jo shumicë.” Për këtë, Komiteti i Helsinkit pret që përbërja e re e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut do t’i riaktivizojë të gjithë mekanizmat e bashkëpunimit dhe konsultimit ndërmjet të gjitha palëve të interesuara në fushën e sundimit të ligjit, duke pasur parasysh se nga fillimi i vitit 2020 u krijua e ashtuquajtura “Qeveria e Përzhinos” dhe shteti u përball me një pandemi globale, që njëherit rezultoi me një seri njoftimesh për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vendin tonë, për t’u përballur me Kovid-19. Kjo situatë ka kontribuar në ridestinimin e burimeve për t’u përballur me krizën, megjithatë, përvoja e Komitetit në fushën e ndihmës juridike falas dhe numri i ankesave të marra nga ana e  qytetarëve, tregon mungesën e seriozitetit dhe integritetit të skajshëm të institucioneve, veçanërisht atyre që kanë ofruar shërbime për qytetarët. Parimi i bartjes së fajit dhe justifikimit me pandeminë globale, duhet të kufizohen plotësisht, d.m.th të largohen.

Duke pasur parasysh rishikimin e përgjithshëm të procesit të përafrimit në fushën e kapitujve politikë, procesi i negociatave do të fillojë dhe do të përfundojë me grupin e parë themelor (domethënë Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore). Propozimi i Kornizës së bisedimeve ka për qëllim të mundësojë kohë dhe resurse të mjaftueshme për vendosjen e infrastrukturës së domosdoshme juridike për zbatimin e të drejtës së BE-së dhe ndërtimin e një dosie suksesi në zbatimin e reformave të ndërmarra para përmbylljes së bisedimeve dhe nënshkrimit të Marrëveshjes për aderim në Bashkimin Evropian. Kjo është e mundshme duke i riaktivizuar të gjithë kapacitetet e vendit në dispozicion për përgatitjen e fillimit të bisedimeve dhe zbatimit të suksesshëm të proceseve reformuese që i ka dhënë vetes Qeveria në Programin e saj të punës për periudhën 2020-2024.

Ngjashëm si muajt e kaluar dhe në vijë të drejtë me prirjen e konstatuar, kujdesi duhet të drejtohet kah përballja e krizës socio-ekonomike si rezultat i pandemisë – mbrojtjen e bashkësive të margjinalizuara, zbatimin përkatës të masave, mbikëqyrjen dhe zbatimin e duhur. Ajo që e shënoi këtë muaj është sërish rritja e gjuhës së urrejtjes në mediat sociale në kontekst të qeverisë së re të koalicionit midis Lidhjes Socialdemokrate (LSDM) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe numrit të lartë të rasteve të bazuar në përkatësinë etnike, të cilët kërkojnë një reagim urgjent nga ana e institucioneve përgjegjëse. 

TË DREJTAT E PUNËTORËVE 

Pushuan të vlejnë masat për parandalim dhe mbrojtje nga virusi korona, të sëmurët kronikë të lënë në (jo) mëshirën e virusit

seancën e katërt, Qeveria vendosi se nga data 23 shtator nuk do të vlejnë më masat për parandalim dhe mbrojtje nga virusi korona që kanë të bëjnë me punëtorët e sëmurë kronikë, të punësuarit që kanë shfrytëzuar masën për vazhdimin e pushimit të lehonisë dhe prindërit e fëmijëve deri në moshën 10 vjeç. Masa për lirim nga puna vazhdoi të vlejë vetëm për punonjëset shtatzëna. Në këtë mënyrë, punëtorët me sëmundje kronike që ishin liruar nga detyrat e punës, duke filluar nga 23 shtatori 2020 u kthyen në vendet e tyre të punës dhe në kryerjen e rregullt të detyrave të punës. Përjashtimi i vetëm i parashikuar në këtë drejtim është në lidhje me personat që kanë një sëmundje malinje dhe/ose te të cilët sëmundja është në fazë përkeqësimi dhe të cilët duhet ta dëshmojnë atë me një fletëkonstatim dhe mendim nga ana e specialistit.

Pushoi të vlejë edhe masa për vazhdimin e pushimit të lehonisë, andaj punonjësit që u liruan nga puna mbi këtë bazë, sërish filluan t’i kryejnë detyrat e tyre të punës. Ky vendim u miratua në seancën e qeverisë, përkundër faktit se vetëm disa ditë më parë u njoftua se Komisioni për Sëmundje Infektive i paraqiti Qeverisë një propozim që afati i vlefshmërisë së masës për vazhdimin e pushimit të lehonisë të zgjat deri në fund të vitit. Në vendet e tyre të punës u kthyen edhe punonjësit që kishin  shfrytëzuar masën për lirimin nga puna të një prindi me fëmijë deri në moshën 10 vjeç, e që përcjellin mësimin në cilindo nivel të procesit edukativo-arsimor (çerdhe ose shkollë fillore).

Ky vendim shkaktoi një varg reagimesh te punëtorët që i kanë shfrytëzuar këto masa. Përmes protestave të organizuara para Qeverisë më 17 dhe 21 shtator, ata e shprehën mospajtimin e tyre me vendimin, duke bërë me dije se ata kanë nevojë për largpamësi juridike. Përfaqësues të Qeverisë realizuan takim me prindërit, në të cilin për kërkesën e  masës për vazhdimin e pushimit të lehonisë prej një deri në dy muaj për të adaptuar t’u adaptuar më lehtë me situatën e posakrijuar, prindërit morën premtim se Qeveria do t’i dëgjojë dhe i kupton kërkesat e tyre. Megjithatë, kjo nuk ndodhi, prandaj prindërit e interesuar, fëmijët e tyre si dhe punëtorët e sëmurë kronikë mbetën pa mbrojtje sistemore sa i përket përballjes me pasojat e shkaktuara nga virusi korona.

Interpretim i paplotë i dispozitave ligjore për punëtorët e sëmurë me Kovid-19

Goditja nga kriza ekonomike dhe shëndetësore që e përjetuan punëtorët në cilësinë e jetës dhe ekzistencës së tyre mund të vërehet edhe nga situatat e pashpresa në të cilat ndodhet çdo ditë një punëtor maqedonas. I tillë është edhe shembulli i një punonjëse në punëtori tekstili, e cila disa herë me rradhë kishte pasur rezultat pozitiv të virusit korona dhe ishte detyruar të qëndrojë në shtëpi për shkak se ishte e penguar që t’i kryejë detyrat e punës në vendin e punës. Punëdhënësi i kishte paguar kompensimin e pagës për pengim në punë për shkak të sëmundjes dhe mjekimit medicinal për 15 ditët e para, por Fondi i Sigurimit Shëndetësor e kishte refuzuar kërkesën e saj për kompensim page për ditët e tjera, sepse nuk e kishte përmbushur kushtin që të jetë në marrëdhënie të pandërprerë pune të paktën 6 muaj te i njëjti punëdhënës.

Meqenëse detyrat e punës të parashikuara për vendin e saj të punës janë të një natyre të tillë që ato nuk mund të kryhen nga shtëpia, asaj iu desh të përdorte pushim mjekësor për këto ditë derisa ishte e penguar të punojë. Në të kundërtën, ajo do vazhdonte të shkonte në punë, por kjo do të thoshte shkelje të vendimit për mjekim dhe izolim në kushte shtëpiake, e dhënë nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor.

Në këtë rast, megjithëse kjo sëmundje sipas Rregullores për listën e sëmundjeve profesionale është trajtuar njësoj sikur me të gjitha situatat e tjera të ndalimit për në punë, duhet të kihet parasysh se kjo është një pandemi me të cilën nuk jemi përballur deri më sot. Përhapja e virusit është e rrezikshme për tërë shoqërinë dhe të gjithë punëtorët dhe si e tillë dallon nga cilado sëmundje tjetër që e prek personalisht punëtorin. Për këtë arsye, nuk duhet të lejohet që punëtori të detyrohet ose të qëndrojë në shtëpi pa asnjë kompensim dhe me ekzistencë të rrezikuar ose të vazhdojë të shkojë në punë dhe t’i rrezikojë bashkëpunëtorët e tij, që njëherit paraqet edhe vepër penale dhe është e dënueshme sipas Kodit Penal.

Fondi i Sigurimit Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë me rastin e vendimmarrjes duhet ta kenë parasysh specifikën e situatës në të cilën ndodhen aktualisht punëtorët dhe të mos i interpretojnë aq ngushtë aktet juridike në një situatë që është precedent më vete.

Qeveria e miratoi paketën e katërt të masave ekonomike

            Më 28 shtator 2020, Qeveria njoftoi se është miratuar paketa e katërt e masave ekonomike si vazhdimësi e tri paketave të mëparshme, destinuar për të mundësuar mbështetje të drejtpërdrejtë financiare, mbështetje për likuiditetin e sektorit privat dhe stimulimin e ndërmarrjeve për t’i kthyer dhe mbajtur punëtorët e tyre në vendet e punës. Paketa e katërt e masave ekonomike përfshin mbështetjen e ndërmarrjeve private për pagesën e pagave për tremujorin e fundit të vitit, por përsëri nuk është tejkaluar rreziku nga keqpërdorimi, duke pasur parasysh se fondet nuk u paguhen direkt punëtorëve. Qeveria shpalli shumë pak informacione edhe sa i përket faktit nëse këto masa do t’i shfrytëzojnë edhe ndërmarrjet e mëdha që kanë realizuar fitim të madh në kurriz të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe punëtorëve të tyre, siç ishte rasti me paketat paraprake të masave.

Qëllimi i mbështetjes financiare shtetërore të ndërmarrjeve për t’u përballur me krizën e shkaktuar nga Kovid -19 medoemos duhet të jetë ruajtja e vendeve të punës të punëtorëve, e jo punëdhënësit të përfitojnë në mënyrë të paligjshme në kurriz të punëtorëve gjatë kohës së krizës më të madhe shëndetësore, sociale dhe financiare me të cilën po përballemi.

Mbi Ligjin e ri për marrëdhëniet e punës

Ligji i ri për marrëdhëniet e punës filloi të hartohet që nga gjysma e parë e vitit 2018, por ai edhe më tej nuk gjendet në procedurë kuvendore. Pas një periudhe të gjatë, më 23 shtator 2020 u mbajt takim koordinues i grupit të punës për përgatitjen e këtij ligji. Grupi i punës për hartimin e ligjit ra dakord të veprojë përmes takimeve javore të punës me praninë fizike të përfaqësuesve të bartësve përkatës. Ministri i Punës dhe Politikës Sociale propozoi që të ketë nga një përfaqësues nga secila palë përkatëse e interesit në grup, duke i parë sindikatat përfaqësuese si aktorë të veçantë, kurse organizatat e shoqërisë civile si një, që do të thotë se organizatat e shoqërisë civile do të veprojnë së bashku, pas takimeve të ndërsjella dhe paraprakisht të koordinuara.

Takimi koordinues diskutoi përpjekjen për të arritur një kompromis mbi disa nene të diskutueshme të ligjit të ri, për të cilët përfaqësuesit e punëtorëve dhe Organizata e Punëdhënësve kanë pikëpamje krejtësisht të kundërta. Në takim u diskutua gjithashtu edhe nevoja për një përpunim më të hollësishëm të pjesëve të ligjit që do të rregullojnë orarin fleksibil të punës dhe institutin “puna nga shtëpia” – një nevojë e imponuar nga situata specifike në të cilën u gjetën punëtorët, shkaktuar nga vitusi korona.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ndau pritjet e saj se ligji i ri do të hyjë në procedurë kuvendore në muajin janar të vitit të ardhshëm dhe të miratohet në tremujorin e parë të vitit 2021.

PUNONJËSET NË PUNËTORITË E TEKSTILIT

Në muajin shtator, 50 punonjëse në punëtoritë e tekstilit denoncuan shkelje të të drejtave të punëtorëve

Në muajin shtator, 50 punonjëse në punëtoritë e tekstilit nga disa qytete të vendit denoncuan shkelje të të drejtave të punëtorëve. Numri më i madh i rasteve i referohen pagesën e pagës nën shumën e përcaktuar ligjore të pagës minimale, problem që po zgjat që nga fillimi i krizës së shkaktuar nga virusi KOVID-19.

Në rastin më indikativ, disa punonjëse nga një fabrikë tekstili në Shtip, e cila punëson më shumë se 100 punonjëse tekstili, denoncuan se nuk u ishte paguar fare paga e tyre për muajin gusht. Pas marrjes së këshillave juridike, punonjëset ishin të motivuara për ta denoncuar rastin në Inspektoratin Shtetëror të Punës. Punonjëset vendosën të bisedojnë paraprakisht me punëdhënësin, para se ta denoncojnë rastin. Punëdhënësi i siguroi punonjëset se ditën e ardhshme do t’ju paguhet një pagë minimale, duke i paguar ato me një pagë në vlerë prej 7.000 denarë, një shumë tepër më e ulët se paga minimale e përcaktuar me ligj.

Përfundim: Mospagimi i pagës minimale është ende një problem akut në industrinë e tekstilit. Me zvogëlimin e vëllimit të punës në fabrikat e tekstilit në periudhën vijuese, ka shumë të ngjarë që kjo prirje negative do të vazhdojë.

Rekomandim: Komiteti i Helsinkit për këtë rast inicoi procedurë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese. I bëjmë thirrje Inspektoratit Shtetëror të Punës të vazhdojë praktikën e veprimit në lidhje me kërkesat e tilla dhe nëse konstaton shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe parregullsi, të obligojë punëdhënësin që të paguajë pagën minimale për punonjësit e fabrikës së tekstilit. Njëkohësisht i bëjmë thirrje edhe Drejtorisë për të Hyra Publike që të vendosë bashkëpunim më të mirë me Inspektoratin Shtetëror të Punës që ta informojë në kohë Inspektoratin për rastet e mospagimit të pagës minimale nga ana e punëdhënësve. 

DISKRIMINIMI

Diskriminim bazuar në seks dhe gjini në MPB – nëpunëse e policisë është penguar të avancohet në vendin e punës

Një nëpunëse policie e punësuar në vitin 2013 në Ministrinë e Punëve të Brendshme po përballet me diskriminim bazuar në seks dhe gjini në vendin e punës, për shkak të pamundësisë për t’u avancuar në karrierë ose të trajnohet profesionalisht për punën që bën.

Në fakt, nëpunësja është e punësuar në vendin e punës Police për operacione, Kategoria E, Niveli E4 në Njësinë për detyra të posaçme. Sipas këtij vendi pune, ajo duhet të marrë një pagë në vlerë prej 520 pikë dhe një shtesë page prej 45%.

Në ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar një Rregullore të re për sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Për shkak të këtyre ndryshimeve dhe bazuar në nenin 11, paragrafi 1, pika 2 të Ligjit për punë të brendshme, policët e gjinisë mashkullore të gjeneratës së nëpunëses së policisë që kanë qenë në vendin e njëjtë të punës si vendi i saj, kishin marrë vendime për caktimin e vendeve të punës, për të cilët vende është paraparë pagë në vlerë prej 580 pikë dhe një shtesë page prej 10 pikë.

Në gjeneratën e nëpunësve policorë të palës, gratë e vetme në pozicionin e saj të punës janë ajo dhe një punonjëse tjetër, të cilat, megjithëse i plotësojnë të gjitha kushtet, nuk kanë marrë vendime për vendet e punës sipas Rregullores së re. Kundër tyre asnjëherë nuk janë ngritur procedura disiplinore, përkundrazi, ata deri më tani me ndërgjegje dhe profesionalizëm i kanë kryer angazhimet e tyre të punës brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Për shkak të miratimit të Rregullores së re për sistematizimin e vendeve të punës, nëpunësja kishte parashtruar kërkesë për rritjen e shumës së pikëve për pagë, respektivisht përcaktimin e saj në vendin e punës në përputhje me Rregulloren e re. Ekzemplar të kërkesës e punësuara nuk posedon, kurse përgjigje me shkrim nga ana e Udhëheqësit të Njësisë nuk ka marrë akoma. Është njoftuar gojarisht se një vendim të tillë nuk do ta merr, sepse e ka shfrytëzuar kinse të drejtën e saj të pushimit të lehonisë dhe se në Njësinë për detyra të posaçme gratë nuk janë të mirëseardhura.

Pasi nëpunësja e ka përfunduar pushimin e lehonisë, puna e saj në terren është zëvendësuar me punë në zyrë, respektivisht Udhëheqësi i Njësisë gojarisht e ka urdhëruar që të punojë në ekipin për planifikim, pozicion i cili nuk është parashikuar fare në Rregulloren e re për sistematizim. Për shkak të kësaj, nëpunësja gjithashtu përballet me pagimin e një page më të ulët se ajo që ajo duhet të marrë në përputhje me vendimin e saj. Ky veprim është një tregues tjetër i sjelljes diskriminuese të udhëheqësit që tenton të heqë gratë nga puna në terren dhe avancimin e tyre në karrierë.

Përveçse nuk ka ndërmarrë veprime për të caktuar punonjëset e policisë për operacione në vende pune me shumë më të lartë pikësh për paga sipas Rregullores së re, udhëheqësi refuzon t’i lejojë gratë të ndjekin trajnime për qëllimet e kualifikimit dhe rikualifikimit të tyre shtesë.

Burrat dhe gratë kanë të drejta të barabarta sa i përket avancimit në vendin e punës dhe kjo është e pranuar edhe nga disa prej institucioneve dhe konventave më të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Përveç kësaj, gratë kanë të drejtë për mundësi të barabarta dhe nën kushte të barabarta me burrat të kenë qasje në punësim, të marrin pjesë në trajnime për qëllime kualifikimi dhe rikualifikimi dhe të jenë të paguara në mënyrë të barabartë për punë të njëjtë ose punë me vlerë të njëjtë. Për këtë arsye, Komiteti i Helsinkit i bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që urgjentisht t’i merr të gjitha veprimet dhe masat për të parandaluar trajtimin e mëtejshëm diskriminues ndaj grave dhe t’ju mundësojë nën kushte të njëjta me burrat t’i gëzojnë të drejtat e tyre në vendin e punës.

Interpretim diskriminues i dekretit për pushim lehonie

Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi korona, më 2 prill 2020 Qeveria e RMV-së miratoi Dekret me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, me të cilin pushimi i lehonisë zgjatet deri në skadimin e masave të përkohshme për mbrojtje nga përhapja dhe parandalim të virusit KOVID – 19, kurse kompensimi për pushimin e lehonisë do të vazhdojë të paguhet. Një punonjëse, të cilës i kishte skaduar kontrata e punësimit për kohë të caktuar në dhjetor të vitit 2019, e kishte shfrytëzuar të drejtën e saj të pushimit të lehonisë deri në muajin prill të këtij viti. Pasi Qeveria e miratoi Dekretin me fuqi ligjore, me kërkesë të punonjëses, Fondi i Sigurimit Shëndetësor e kishte njoftuar gojarisht se ajo ishte përfshirë me masat qeveritare dhe se pushimi i saj i lehonisë do të vazhdojë. Për shkak se punonjësja nuk e kishte marrë pagën për muajt prill dhe maj, ajo ishte drejtuar në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, ku kësaj rradhe e kishin informuar se pushimi i saj i lehonisë nuk është vazhduar sepse kontrata e saj e punësimit paska skaduar në muajin dhjetor të vitit 2019.

Përfundim: Ligji për marrëdhëniet e punës në nenin 170, paragrafi 2 parashikon se punonjëses të cilës iu ka ndërpre kontrata e punësimit për kohë të caktuar për arsye të skadimit të kontratës dhe e cila shfrytëzon kompensimin e pagës gjatë kohës së pushimit për shtatzëni, lindje dhe pushimit prindëror, vazhdon ta gëzojë të drejtën deri në skadimin e pushimit në kurriz të organit përgjegjës për zbatimin e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor. Nga ky fakt, pa përjashtim, të gjitha punonjëseve që iu kanë ndërpre kontrata e punësimit në kohë të caktuar derisa e shfrytëzojnë pushimin e lehonisë, kanë të drejtë të vazhdojnë pushimin e lehonisë dhe të gëzojnë kompensim deri në skadimin e masave të përkohshme.

Rekomandim: Komiteti i Helsinkit është në pritje të përgjigjes zyrtare nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor dhe korrigjimit të kësaj mënyre të interpretimit të Dekretit me fuqi ligjore, i cili interpretim këtë grup punonjësesh i vë në një pozitë të pabarabartë.

DHUNA ME BAZË GJINORE

Vallë mungesa e reagimit të institucioneve rezultoi me femicid?

Gjatë muajit shtator, në media u shfaq lajmi për vrasjen e një gruaje nga burri i saj në shtëpinë e tyre në Gostivar, i cila nga fillimi i këtij viti do të jetë rasti i tretë i femicidit në vend, respektivisht vrasjes së një gruaje vetëm se ajo është grua, e që paraqet formën më të rëndë të dhunës ndaj grave. Në bazë të informacioneve që u transmetuan nga mediat, ekziston dyshimi se policia nuk ka vepruar pas një denoncimi paraprak për dhunë. Nëse vërtetohet kjo, do të konfirmohet edhe dyshimi se arsyeja më e shpeshtë për femicid është qasja joserioze e institucioneve ndaj dhunës me bazë gjinore, respektivisht reagimit joadekua ndaj denoncimeve për dhunë, fakt që në mënyrë shtesë e rrënon besimin e viktimave për institucionet përgjegjëse.

Hulumtimet në vendin tonë flasin se në mbi 80% të rasteve, vrasja ka ndodhur në shtëpinë e përbashkët ose nëse është hapur procedura e divorcit në shtëpinë e prindërve të viktimës, dhe në të shumtën e rasteve vrasja është kryer nga ana e ish-partnerit ose partnerit aktual, kështu që mosreagimi i institucioneve relevante mund të rrisë gjasat që dhuna të përshkallëzohet në femicid. Republika e Maqedonisë së Veriut në vitin 2017 e ka ratifikuar Konventën e Stambollit, duke marrë kështu detyrimin për të identifikuar femicidin si një vepër e veçantë penale për të cilin do të mbahen statistika të veçanta, si dhe për të harmonizuar legjislacionin kombëtar me Konventën.

Rekomandim: Komiteti i Helsinkit u ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur institucioneve për të zbatuar detyrimet që ata kanë ndërmarrë me ratifikimin e Konventës së Stambollit, dhe në veçanti për të miratuar me urgjencë Ligjin për parandalim dhe mbrojtje kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, i cili ishte parashikuar të votohet deri në fund të vitit 2019, por për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk u vu në procedurë kuvendore për votim.

TORTURA DHE TRAJTIMI JOHUMAN

Privim i pabazë nga liria, përdorim i forcës së tepruar dhe mjeteve të detyrimit ndaj një djali në Shkup

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut mori një ankesë për brutalitet policor ndaj një djali në muajin shtator nga nëpunësit e policisë të punësuar në Stacionin Policor Butel. Gjegjësisht, më 26 gusht 2020, rreth orës 3:00 të mëngjesit, ndërsa djali po kthehej në shtëpinë e tij nga një festë ditëlindjeje, ai u takua nga dy nëpunës policie. Ata i kërkuan djalit të identifikohej, e kanë testuar për alkool në mënyrë të paligjshme, ia kanë vënë prangat dhe pa asnjë arsyetim e kanë dërguar në stacionin e policisë. Nëpunësit e policisë nuk e udhëzuan fare djalin për arsyet pse po e ndalojnë atë ose për të drejtat e tij gjatë privimit nga liria. Për më tepër, djalit iu morën sendet e tij personale, respektivisht telefoni celular dhe portofoli dhe për këtë arsye ai nuk pati mundësi të kontaktojë madje as familjen e tij.

Personi është mbajtur në stacionin e policisë deri në ora 05:30 të mëngjesit dhe në ndërkohë gjatë tërë kohës ka qenë me pranga në duar. Në disa intervale kohore personi ka qenë i goditur me shuplaka dhe grushta në pjesën e kokës nga ana e një nëpunësi policor, derisa të tjerët qeshnin ndaj veprimit të tillë, madje edhe duke drejtuar edhe kërcënime të ndryshme ndaj personit në fjalë.

Para se të dilte nga stacioni i policisë, personit iu kthyen sendet e tij personale dhe është kërcënuar që të mos i tregojë askujt për atë që kishte ndodhur. I dëmtuar, i çorientuar dhe i frikësuar, djali menjëherë e kishte kontaktuar prindin e tij dhe pastaj e ka marrë edhe ndihmën mjekësore.

Rasti të njëjtën ditë është denoncuar në Departamentin për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga ku u ngritën kallëzime penale në prokurorinë kompetente kundër nëpunësve policorë të punësuar në Stacionin Policor Butel. 

E dënojmë veprimin brutal të policisë dhe bëjmë thirrje për sjellje jodiskriminuese ndaj romëve

Më 24 shtator 2020 në mediat sociale u publikua një video ku qartë shihet se si në Manastir, nëpunës policorë rrahin njerëz me përkatësi etnike rome. Brutaliteti policor, sidomos ndaj romëve po bëhet një praktikë e zakonshme, për të cilën kemi reaguar shumë herë. Kërkojmë nga MPB-ja që të punojë në mënyrë intensive për ta zbardhur rastin dhe të veprojë konform autorizimeve dhe përgjegjësive të tyre të përcaktuara me ligj, si dhe të njoftojnë Prokurorinë Publike për rastin, me qëllim që të inicohen procedura penale kundër nëpunësve policorë, të cilët qartë kanë vepruar jashtë autorizimeve të tyre dhe kështu duke i shkelur të drejtat themelore të njeriut. Në të njëjtën kohë, kërkojmë që publiku të informohet në kohën e duhur për të gjithë procesin e hetimit dhe veprimet e ndërmarra kundër nëpunësve të policisë. Praktikat e mosndëshkueshmërisë së nëpunësve policorë që e shkelin ligjin janë shkaku kryesor për këtë sjellje brutale dhe keqpërdorim të pushtetit për të maltretuar dhe poshtëruar anëtarët e grupeve të margjinalizuara. Kërkojmë nga MPB-ja që menjëherë të hap proces gjithëpërfshirës të ndryshimeve të Ligjit për polici dhe Rregullores për mënyrën e kryerjes së punëve policore, si dhe të miratojë akte nënligjore që do ta adresonin problemin e veprimit racist. Sipas deklaratave të personave të përfshirë, ngjarja ka ndodhur të martën më 22 shtator 2020, kur tre romë me automjet kanë bërë aksident trafiku, duke goditur në një mur betoni. Në afërsi të aksidentit ndodhej policia e trafikut, të cilët pa ndonjë arsye i kanë nxjerrë personat nga makina dhe kanë filluar t’i rrahin brutalisht, pa i pyetur nëse kishin nevojë për ndihmë mjekësore. Për më tepër, ata u mbajtën në stacionin policor deri në orën 5 të mëngjesit, të fyer dhe të ngacmuar me shprehje nga më të ndryshmet. Personat kanë dashur që rastin ta denoncojnë në Departamentin për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale prani Ministrisë së Punëve të Brendshme, por ishin refuzuar. Në veçanti brengos fakti që brutaliteti policor ndaj romëve është praktikë, e jo përjashtim. Vetëm para tre muajve kemi informuar për sjelljen brutale të policisë ndaj romëve të pastrehë në afërsi të Stacionit hekurudhor.

Përfundim: Këto raste na tregojnë  ekzistencën e paragjykimeve raciste dhe e konfirmojnë veprimin arbitrar, joprofesional dhe të paligjshëm të nëpunësve policorë.

Rekomandim: Ashtu si në të gjitha rastet e mëparshme të brutalitetit policor, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut edhe për këto raste do të monitorojë nga afër veprimet e mekanizmave mbrojtës për parandalim dhe mbrojtje nga tortura dhe trajtimi johuman nga nëpunësit policorë deri në verdiktin final të tyre. Presim një rezultat pozitiv duke shqiptuar dënimet më të ashpra kundër nëpunësve policorë, e cila është një nga mënyrat për të ndikuar në të ardhmen që të mos ketë raste të torturave të tilla brutale ndaj qytetarëve dhe për të rivendosur besimin e tyre në polici. 

GJUHA E URREJTJES

Nevojiten masa urgjente për të trajtuar gjuhën e urrejtjes

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në shtator të vitit 2020, ngjashëm si në periudhën e kaluar, ka vërejtur numër të lartë të denoncimeve në lidhje me gjuhën e urrejtjes, të cilët nga kjo shkallë shumë lehtë mund të përshkallëzohen në vepra nga urrejtja. Dy incidente për një javë, të shkaktuara nga një grup tifozësh në Shkup janë më të freskëta ndër dëshmitë e shumta se nuk guxon të shpërfillet më nevoja për veprim të vërtetë e jo vetëm deklarativ për këtë fenomen destruktiv, siç kishte bërë thirrje Komiteti i Helsinkit në komunikatën për media. Edhe përkundër numrit të madh të thirrjeve publike për veprim aktiv në terren dhe në mediat sociale, ende ekziston pasivitet dhe mosveprim nga ana e institucioneve, sidomos nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike.

Megjithatë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e saj të 4-t e shqyrtoi rastin e gjuhës së urrejtjes që ndodhi në sheshin “Maqedonia” dhe “dënon ashpër sjelljen e tifozëve e cila nxit urrejtje, përçarje dhe intolerancë mbi baza etnike.” Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut e mirëpret këtë angazhim politik dhe pret që ai të përkthehet në masa konkrete nga ana e institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe sanksionimin e këtij fenomeni. Gjithashtu, Komiteti i Helsinkit konsideron se duhet të hapet një debat më i gjerë publik mbi këtë çështje në të cilën do të marrin pjesë të gjithë palët e interesuara. Duhet të avancohet procesi i krijimit të politikave publike në këtë fushë, duke marrë parasysh se gjuha e urrejtjes ka trajtimin e saj përkatës në Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore dhe në Kapitullin 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria. Komiteti i Helsinkit konsideron se numri i lartë i vazhdueshëm i rasteve që lidhen me gjuhën e urrejtjes është për shkak të njohjes së pamjaftueshme të materies, trajtimit të saj brenda Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të tij dhe mungesës së praktikës gjyqësore (si dhe mosndëshkueshmërisë së vazhdueshme gjatë shkeljes së Nenit 319 të Kodit Penal).

Edhe një herë, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut e informon opinionin se në vitin 2019, në periudhën ndërmjet 16.03.2019 dhe 20.09.2019, Komiteti ka regjistruar gjithsej 379 denoncime në lidhje me gjuhën e urrejtjes, prej të cilave 130 denoncime të gjuhës së urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike. Sa për krahasim, në vitin 2020, për të njëjtën periudhë kohore janë regjistruar 662 denoncime, prej të cilave 353 denoncime që i referohen gjuhës së urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike, që njëherit paraqet një rritje prej rreth 280%, krahasuar me vitin e kaluar.

Komiteti ka verifikuar gjithsej 90 denoncime për muajin shtator 2020, krahasuar me 45 denoncime për muajin e njëjtë vitin e kaluar. Shumica e rasteve në muajin shtator iu referuan përsëri denoncimeve të gjuhës së urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike, e cila është në rritje të vazhdueshme që nga fillimi i pandemisë globale në muajin mars të këtij viti. Retorika negative u përshkallëzua këtë muaj në mediat sociale, që kontriboi në rritjen e numrit të denoncimeve për gjuhë të urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike, madje  44% të numrit të përgjithshëm të denoncimeve për muajin shtator.

Gjuha e urrejtjes në mediat sociale për muajin shtator 2020

Prirja e gjuhës së urrejtjes në muajin shtator 2020

Kjo është arsyeja pse ne besojmë se është koha për të adresuar thelbësisht këtë problem, dhe, përveç sanksionimit të ashpër të gjuhës dhe veprave të urrejtjes, do të zbatohen edhe masa të tjera nga vendet që kanë zgjidhje pozitive në këtë fushë. Kjo është veçanërisht për grupet e tifozëve, si një gjenerator kryesor i gjuhës së urrejtjes në shoqërinë tonë. Shumë grupe tifozësh huliganë në të gjithë Evropën, sot janë një pjesë konstruktive e komunitetit, kurse dhunën dhe egërsinë e kanë zëvendësuar me aktivitete humanitare dhe mbështetje të kauzave pozitive. Për të qenë në gjendje të lëvizim si në këta shembuj, është thelbësore që institucionet të zbatojnë ligjin pa dallim, në mënyrë rigoroze dhe të përpiktë. Me rëndësi të njëjtë është edhe puna e drejtpërdrejtë me anëtarët e grupeve të tifozëve, zgjidhjen e konflikteve në një mënyrë jo të dhunshme dhe paqësore dhe dhënien e një nxitje për të rimenduar ekzistencën e tyre në një drejtim konstruktiv. Dhe më e rëndësishmja, vullneti politik është i domosdoshëm për të kryer një proces të tillë.

Numri i lartë i denoncimeve, siç ka theksuar Komiteti i Helsinkit në periudhën e mëparshme, lidhet me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe mungesën e reagimit adekuat të institucioneve kompetente. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në veçanti Ministrisë së Punëve të Brendshme që urgjentisht të ndërmarrin masa nën kompetencën e tyre për sanksionimin e këtij fenomeni – respektivisht, të punojë në mënyrë më intensive me organizatat e shoqërisë civile dhe fushata publike për edukim shtesë të qytetarëve.

Lidhur me ndryshimet e thella që janë të domosdoshme për të parandaluar tendencat negative të urrejtjes dhe krimeve në vend, ne e përsërisim angazhimin tonë për reforma thelbësore në procesin arsimor, kulturën dhe komunikimin publik, dhe mbi të gjitha në mënyrën që institucionet kompetente (nuk e) e trajtojnë gjuhën e urrejtjes dhe pasojat e saj. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që në seancat e saj të ndjek në mënyrë të rregullt këtë fenomen dhe në mënyrë adekuate të merr masa që do të kontribuojnë në parandalimin dhe sanksionimin e gjuhës së urrejtjes, sidomos midis të rinjve të cilët njëherit janë një ndër grupet më aktive në mediat sociale.

Reagimet e publikut të cilat janë verifikuar nga Komiteti i Helsinkit janë në dispozicion në: http://www.govornaomraza.mk/reports/.

Dokumentet