Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedinisë së Veriut – tetor 2020

November 10, 2020

PËRMBAJTJA

KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR 

TË DREJTAT E PUNËTORËVE

  • Mbrojtja gjyqësore duhet të jetë mekanizmi i fundit për ushtrimin e të drejtave të punëtorëve, mirëpo për shumë punëtorë, gjykatat vazhdojnë të jenë mundësia e vetme për mbrojtje nga keqpërdorimi

DISKRIMINIMI       

  • Edhe një rast i brutalitetit policor ndaj romëve në Manastir
  • MPPS-ja e keqinterpreton dekretin për zgjatjen e pushimit të lehonisë

DHUNA ME BAZË GJINORE

  • Reagimi i vonuar i institucioneve rezultoi me femicid

GJUHA E URREJTJES

  • Nevoja për mbrojtje ligjore të viktimave të gjuhës së urrejtjes 

KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR

Komiteti i Helsinkit vazhdoi të monitorojë masat e Qeverisë, veçanërisht në kontekstin e respektimit të të drejtave themelore brenda Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore. Komiteti i Helsinkit në raportin e tij të muajit gusht jep një përmbledhje të respektimit të të drejtave të punëtorëve, diskriminimit, dhunës me bazë gjinore dhe gjuhës së urrejtjes.

Në muajin tetor të vitit 2020, Komisioni Evropian e publikoi raportin për Republikën e Maqedonisë së Veriut për procesin e përafrimit. Sipas këtij raporti të Komisionit Evropian, vihet në dukje se masat juridike për mbrojtjen e të drejtave themelore kryesisht janë në përputhje me Standardet Evropiane. Megjithatë, nëse në raportin e vitit 2019 vërehet se vendi ka bërë progres të mirë, por në vitin 2020 vërehet se progresi është i kufizuar.

Korniza e bisedimeve që u prezantua nga presidenca gjermane për bisedimet midis Bashkimit dhe Maqedonisë së Veriut konstatoi se parakusht kryesor i anëtarësimit janë “institucionet e qëndrueshme që garantojnë demokraci, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të bashkësive jo shumicë.” Duke marrë në konsideratë rishikimin e gjithëanshëm të procesit të përafrimit në pjesën e kapitujve politikë, procesi i bisedimeve do të fillojë dhe do të përfundojë me grupin e parë themelor (pra edhe Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat fundamentale). Në vitin 2020, Komisioni vlerëson se është bërë progres i mirë në nivel kapitulli që është parakusht për hapjen e bisedimeve në Konferencën e parë ndërqeveritare e cila duhet të mbahet në muajin dhjetor të vitit 2020. Propozimi i Kornizës Negociuese ka për qëllim të mundësojë kohë të mjaftueshme dhe resurse për krijimin e infrastrukturës së nevojshme juridike për zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe të ndërtojë një dosje suksesi në zbatimin e reformave të ndërmarra para mbylljes së bisedimeve dhe nënshkrimit të Marrëveshjes për Aderim në Bashkim.

Vonesën që e ka konstatuar Komisioni e ka konfirmuar edhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut përmes monitorimit të rregullt të situatës në vend, veçanërisht zhvillimit të situatës lidhur me virusin Kovid-19. Komisioni gjithashtu e thekson rolin e Avokatit të Popullit duke forcuar kapacitetin administrativ të institucionit. Numri më i madh i ankesave kanë të bëjnë me gjyqësorin, të drejtat e konsumatorit, të drejtat e fëmijëve, kujdesin shëndetësor, etj. Megjithatë, si në raportet e kaluara të Komisionit, edhe më tej mungon një sistem gjithëpërfshirës institucional në vend për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

Arsyeja më e madhe për tonin e përmbajtur dhe kufizimin e progresit të Komisionit është vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi për shkak të lëshimeve procedurale. Vlerësohet se ende mungon një kornizë gjithëpërfshirëse për mbrojtje nga diskriminimi. Kërkohet një veprim urgjent nga institucionet kompetente dhe miratimi i ligjit në bashkëpunim me të gjithë aktorët, përfshi edhe organizatat e shoqërisë civile. Më 28 tetor 2020, u miratua Ligji për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi.

Komisioni gjithashtu thekson  se me rëndësi të madhe për vendin është avancimi i zbatimit të legjislacionit kundër gjuhës së urrejtjes dhe planit të veprimit për zbatimin e Konventës së Stambollit. Gjuha e urrejtjes është ende një sfidë kryesore për vendin në periudhën e ardhshme, duke pasur parasysh trendin e mbi 100 denoncimeve në muaj që nga fillimi i epidemisë në muajin mars të vitit 2020. 

TË DREJTAT E PUNËTORËVE 

Mbrojtja gjyqësore duhet të jetë mekanizmi i fundit për ushtrimin e të drejtave të punëtorëve, mirëpo për shumë punëtorë, gjykatat vazhdojnë të jenë mundësia e vetme për mbrojtje nga keqpërdorimi

Këtë muaj e shënuan protestat paqësore të zjarrfikësve të Shkupit. Zjarrfikësit kanë protestuar që nga 26 tetori, duke kërkuar që të rregullohen pagat e tyre, siç parashikohet me Ligjin për zjarrfikje. Ligji përcakton që paga e tyre duhet të jetë 20% më e lartë se paga e punonjësve të tjerë me trajnim të duhur profesional në administratën komunale, për shkak të llojit dhe natyrës së punës që kryejnë zjarrfikësit.[1]

Burimi: MIA Agjencia informative mediatike

Sindikata e Pavarur e Zjarrfikësve të Maqedonisë që në muajin shtator kërkoi një rritje të pagave të zjarrfikësve të Shkupit në nivelin e parashikuar me ligj, dhe kjo tashmë është konfirmuar edhe nga praktika gjyqësore. Në shtator të vitit 2020, Gjykata Themelore Civile Shkup në disa aktgjykime vendosi që Qyteti i Shkupit duhet t’u paguajë zjarrfikësve një shtesë rroge bazuar në punën jashtë orarit, një shtesë për punë në ditë pushimi dhe një shtesë prej 20% të pagës për shkak të llojit dhe natyrës të punës së kryer nga zjarrfikësit profesionistë. Në këto aktgjykime, gjykata e shkallës së parë zbatoi drejtpërdrejt nenin 13 të Ligjit për zjarrfikje, ku ka konstatuar shkeljen e tij nga Qyteti i Shkupit dhe e ka urdhëruar punëdhënësin që t’i dëmshpërblejë punëtorët.

Zjarrfikësit i bëjnë thirrje institucioneve kompetente për të gjetur një zgjidhje sistemike për problemin e tyre, në mënyrë që të mos ketë nevojë që përmes gjykatave t’i realizojnë pretendimet monetare që kanë nga Qytetit të Shkupit. Mbrojtja gjyqësore nuk është një zgjidhje efektive për problemin me të cilin përballen këta punëtorë, sepse paratë që marrin si kompensim gjyqësor nuk përfshihen në llogaritjen e bazës së pensionit, duke marrë parasysh se pensioni i pleqërisë përcaktohet nga paga mesatare mujore e marrë nga punëtorët e regjistruar në sigurimet shoqërore.[2] Mbrojtja gjyqësore duhet të jetë mekanizmi i fundit për ushtrimin e të drejtave të punëtorëve. Kur janë në cilësinë e punëdhënësit, institucionet në nivel kombëtadhe lokal duhet të jenë shembull për sektorin privat, të mundësojnë ushtrimin e pandërprerë të të drejtave të punëtorëve dhe të veprojnë si mbrojtës të tyre.

Për më tepër, pretendimi i shtesave të papaguara të pagave në gjykatë nënkupton një barrë në buxhetin lokal, sepse për secilin rast komuna e Qytetit të Shkupit, përveç borxhit kryesor, paguan kamata, shpenzime gjyqësore dhe avokatie dhe shpenzime përmbarimore. Kjo konfirmohet nga ekspertiza e ekspertëve në procedurat gjyqësore, sipas të cilave Qytetit të Shkupit do t’i kushtonte më pak nëse rregullonte pagën e zjarrfikësve në nivelin e parashikuar me ligj, sesa të paguante kompensim për punëtorët bazuar në vendimet e gjykatës. Kostoja e kompensimit të gjykatës do të rritet ndjeshëm nëse marrim parasysh llogaritjen që përfshin edhe punëtorët në të gjitha brigadat e zjarrfikësve në të gjithë vendin.

Në fillim të muajit shtator, kryetari i Qytetit të Shkupit sqaroi se rritja e pagave të zjarrfikësve ishte planifikuar për një periudhë më vonë. Për më tepër, sipas tij, bëhet fjalë për keqpërdorim të mundshëm ose manipulim të zjarrfikësve. Pasi që zjarrëfikësit i shprehën pakënaqësitë dhe protestat e tyre për situatën aktuale, u mbajtën disa takime midis palëve në fjalë dhe Qeverisë si një lloj ndërmjetësuesi. Konkluzioni i Qytetit të Shkupit ishte se nuk bëhet fjalë për mungesë vullneti, por mungesë e bazës ligjore për t’u paguar paga ashtu siç kërkojnë zjarrëfikësit. Për më tepër, zjarrëfikësve u është ofruar edhe ndërmjetësimi si mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes si zëvendësim të procesev gjyqësore. Zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski, në një konferencë shtypi të mbajtur më 28 tetor, paralajmëroi ndryshime dhe plotësime të Ligjit për zjarrfikje në qershor të vitit 2021, me qëllim që të zgjidhet problemi shumëvjeçar me pagat e zjarrëfikësve. Të pakënaqur nga zgjidhja e ofruar e institucioneve kompetente, zjarrëfikësit vendosën të vazhdojnë me protestat, kurse Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojë të monitorojë dhe ndjekë zhvillimin e ngjarjeve.

Përveç kësaj, është e pashmangshme të theksohet se kjo nuk është shkelja e vetme e të drejtave të punëtorëve me të cilat përballen zjarrfikësit. Gjegjësisht, Qendra për Komunikime Civile në muajin shkurt publikoi një raport se 30 njësive territoriale të zjarrfikësve në vend u mungojnë të paktën 536 zjarrfikës për të pasur të paktën aq punonjës sa minimumi i përcaktuar me anë të ligjit. Vetëm katër nga të gjitha njësitë e zjarrfikësve kanë më shumë zjarrfikës sesa minimumi ligjor, ndërsa gjashtë kanë saktësisht aq sa parashikon minimumi. 20 njësive të tjera u mungojnë gjithsej 536 zjarrfikës për të përmbushur minimumin ligjor. Shumica e zjarrfikësve – më shumë se 200 – i mungojnë kryeqytetit Shkupit.

Përkundër mungesës së zjarrfikësve, situata është e ngjashme edhe me disponueshmërinë e automjeteve të zjarrfikësve në vend. Sipas Qendrës për Komunikime Civile, shteti ka gjithsej 241 kamionë zjarrfikës, me një vjetërsi mesatare të kamionëve prej 28 vjeç. Për krahasim, në vitin 2018 Maqedonia kishte 220 automjete, mesatarisht 27 vjeç të vjetra. Përfundimi i Qendrës është se automjetet e blera në ndërkohë nuk ishin të reja dhe nuk e kanë “ripërtrirë” flotën e automjeteve të zjarrfikësve në vend.

Burimi: Qendra për komunikime civile

Në këtë kontekst, i përsërisim konkludimet e ekspertëve të të drejtave të Kombeve të Bashkuara se

asnjë punëtor nuk shpenzohet. Të gjithë punëtorët janë thelbësorë, pa marrë parasysh se çfarë kategorie u aplikohet atyre nga shtetet ose bizneset. Çdo punëtor ka të drejtë të mbrohet nga ekspozimi ndaj rreziqeve në vendin e punës, përfshi edhe virusin korona.

Këtë obligim për të mbrojtur punëtorët nga ekspozimi i rreziqeve në vendin e punës e kanë punëdhënësit në çdo çast të procesit të punës, si në kushte të jashtëzakonshme, ashtu edhe në kushte normale. 

DISKRIMINIMI 

Edhe një rast i brutalitetit policor ndaj romëve në Manastir

Vetëm disa javë pas rastit të romëve të rrahur nga oficerët e policisë në Manastir, iniciativa qytetare AVAJA më 20 tetor ndau informacion me publikun në lidhje me një rast të ri në Manastir me indikacione të brutalitetit policor, por edhe me elemente të hakmarrjes nga oficerët e policisë. Sipas organizatës AVAJA, kësaj here policia ka përdorë forcë të tepruar ndaj një gruaje të moshuar rome dhe djalit të saj. Komiteti i Helsinkit dhe Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë, përmes një projekti të përbashkët kanë angazhuar një avokat për këtë rast.

Përfundim: Duke pasur parasysh indikacionet shqetësuese, ne kërkojmë që Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale në Ministrinë e Brendshme të hetojë plotësisht këtë rast dhe nëse vërtetohen konstatimet, oficerët e policisë të përfshirë duhet të dënohen me një masë adekuate disiplinore dhe nëse ka bazë, kundër të njëjtëve të ngriten edhe kallëzime penale.

Rekomandim: Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të marrë të gjitha masat parandaluese për të parandaluar sjelljen joprofesionale, profilizimin racor, brutalitetin policor dhe arbitraritetin në marrëdhëniet me romët dhe kategoritë e tjera të qytetarëve të varfër dhe të margjinalizuar, e cila është padyshim një praktikë e zakonshme e policisë. 

MPPS-ja e keqinterpreton dekretin për zgjatjen e pushimit të lehonisë

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i paraqiti Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale një kërkesë për veprim në mënyrë që të korrigjojë interpretimin e Dekretit me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 90/20). Gjegjësisht, Ministria dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor nuk e lejuan zgjatjen e pushimit të lehonisë për ato gra punëtore që në kohën e miratimit dhe hyrjes në fuqi të Dekretit e kishin shfrytëzuar të drejtën për pushim të rregullt të lehonisë, por kontratat e tyre të punës kishin skaduar gjatë kohëzgjatjes së pushimit të lehonisë. Kjo mënyrë e të vepruarit ishte një arsye për të kërkuar një korrigjim të kësaj mënyre të interpretimit të Dekretit dhe miratimit të vendimeve pozitive retroaktive që do të lejonin zgjatjen e pushimit të lehonisë për këtë grup të grave punëtore i cili do të parashikojë pagimin e shtesave të pagave për periudhën derisa ky Dekret ka qenë në fuqi.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale paraqiti një mendim në Komitetin e Helsinkit duke shpjeguar këtë mënyrë të interpretimit të Dekretit. Në shkresë Ministria shpjegon se punëtorët që ishin në pushim të rregullt të lehonisë në kohën e miratimit të Dekretit, dhe të cilëve u ka skaduar kontrata e punës, nuk kanë pasur detyrim të kthehen në vendet e tyre të punës. Gratë punëtore kanë pasur mundësi të qëndrojnë në shtëpi dhe të kujdesen për shëndetin e tyre dhe shëndetin dhe sigurinë e fëmijës në një kohë kur çerdhet ishin të mbyllura si masë për parandalimin e përhapjes së virusit KOVID – 19, kurse gratë punëtore që kishin qenë ende në marrëdhënie pune nuk e kishin pasur këtë mundësi.

Ju kujtojmë se Dekreti me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës parashikonte që mungesa në punë e një punëtori për shkak të shtatzënisë, lindjes së fëmijës, prindërimit dhe birësimit, vazhdon të rrjedhë dhe kompensimi i pagës vazhdon të paguhet deri në skadimin e masave të përkohshme për mbrojtje kundër përhapjes dhe parandalimit të virusit korona. Zgjatja e pushimit të lehonisë ishte rregulluar nga ana e Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Dekreti nuk parashikonte që pushimi i lehonisë do të zgjatet vetëm për ato gra punëtore që janë në marrëdhënie pune, respektivisht që kanë pasur detyrimin të ktheheshin në vendet e punës pas përfundimit të pushimit. Prandaj, mendimi i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale se kjo e drejtë nuk vlen për ato gra punëtore të cilëve u ka skaduar kontrata e punës për sa zgjasin pushimet e tyre të lehonisë është i gabuar. Ky grup i grave punëtore e kishin fituar të drejtën e pushimit të lehonisë dhe të njëjtën e kishin shfrytëzuar edhe në kohën e miratimit të Dekretit, kështu që ata duhet të gëzojnë të drejtën e pushimit të zgjatur të lehonisë në të njëjtën mënyrë si gratë punëtore që ishin të detyruara të ktheheshin në vendet e tyre të punës pas përfundimit të pushimit. 

DHUNA ME BAZË GJINORE 

Reagimi i vonuar i institucioneve rezultoi me femicid

Në muajin shtator, mediat raportuan lajmin mbi vrasjen e një gruaje nga burri i saj në shtëpinë e tyre në Gostivar, për të cilën Komiteti i Helsinkit, përmes Platformës për barazi gjinore, bëri me dije se ekziston dyshimi se arsyeja e përshkallëzimit të dhunës në vrasje është mosveprimi i policisë, pas një denoncimi paraprak për dhunë.

Kundërshtimi i parashtruar për këtë rast nga Komiteti i Helsinkit në Departamentin për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale në Ministrinë e Brendshme, gjatë këtij muaji mori një përgjigje ku thuhej se kontrolli i brendshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka konstatuar se pretendimet në kundërshtim ishin të bazuara, pasi që ishin kryer kontrolle të drejtpërdrejta dhe objektive, ishin mbledhur njoftimet e nevojshme dhe ishte inspektuar i gjithë dokumentacioni. Për shkak të faktit se zyrtari policor nga Stacioni Policor Gostivar kishte bërë një shkelje serioze të rendit dhe disiplinës së punës, Departamenti paraqiti një Iniciativë në SPB Tetovë për të filluar një procedurë për konstatimin e përgjegjësisë disiplinore. Departamenti për kontroll të brendshëm gjithashtu parashtroi edhe një Njoftim në Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit – Departamenti për hetim dhe ndjekje të veprave penale të kryera nga personat me autorizime policore dhe përfaqësuesit e Policisë së burgjeve.

Që nga fillimi i këtij viti, kjo është rasti i tretë i femicidit në vend, pra vrasja e një gruaje sepse ajo është një grua, e cila është një nga format më të rëndë të dhunës ndaj grave. Në rastet kur dhuna në familje nuk raportohet ose institucionet përkatëse nuk i sigurojnë mbrojtje adekuate viktimës, pasi në rastin specifik në Gostivar, dhuna ka shumë të ngjarë që të rezultonte në femicid. Ndërsa përgjigja e shpejtë e Ministrisë së Brendshme për të hetuar sjelljen e oficerëve të policisë në këtë rast është për të mirëpritur, ne besojmë se Ministria duhet të angazhohet në mënyrë sistemike veprimeve të palejuara ndaj denoncimeve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, një praktikë që e ul ndjeshëm besimin e viktimave në institucionet kompetente. Në këtë drejtim, Komiteti i Helsinkit u ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur institucioneve për të zbatuar detyrimet e marra me ratifikimin e Konventës së Stambollit, dhe në veçanti për të miratuar urgjentisht Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, i cili ishte parashikuar të miratohet deri në fund të vitit 2019. 

GJUHA E URREJTJES

Nevoja për mbrojtje ligjore të viktimave të gjuhës së urrejtjes

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në muajin tetor të vitit 2020, ngjashëm me periudhën e mëparshme, vëren përsëri një rritje të trendit të lartë të rasteve të gjuhës së urrejtjes. Veçanërisht theksojmë se gjuha e urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike po rritet në vazhdimësi. Edhe përkundër numrit të madh të thirrjeve publike për veprim aktiv në terren dhe në mediat sociale, ende ekziston një inerci dhe mosreagim nga ana e institucioneve, sidomos nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike.

Megjithëse tema e gjuhës së urrejtjes trajtohet nga Komisioni Evropian në raportet e tij të rregullta, këtë vit për herë të parë gjuha e urrejtjes merr një trajtim të veçantë dhe bëhet pjesë e rekomandimeve kryesore në nivel të Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore. Sipas metodologjisë së re të negociatave të miratuar në fillim të vitit, përmbushja e këtyre rekomandimeve është një parakusht për hapjen e një grupi që lidhet me kapitujt që i referohen demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Një nga rekomandimet kryesore të Komisionit është ekzistojnë mospërputhje ligjore në rregullimin e gjuhës së urrejtjes. Kërkohet një rishikim i kornizës ligjore në përputhje me praktikat më të mira evropiane. Komisioni arrin në përfundimin se gjuha e urrejtjes është një vepër penale, por që është e përhapur gjerlsisht në mediat sociale[3]. Gjithashtu, Komiteti i Helsinkit përmes monitorimit të tij bie dakord që korniza ligjore duhet të rishikohet dhe të merren masa konkrete për ta sanksionuar atë duke ndërtuar kapacitetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Publike. Konfirmohen konstatimet e Komitetit të Helsinkit se mekanizmat parandalues ​​kombëtarë për trajtimin e gjuhës së urrejtjes janë joadekuate[4].

Ajo që përsëritet që nga viti 2019 është konstatimi se nuk ekziston bazë të dhënash për dokumentimin sistemor të rasteve të gjuhës së urrejtjes. Pozitive është fakti se po njihet roli i organizatave të shoqërisë civile, përfshi edhe Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në grumbullimin, dokumentimin dhe procesimin e denoncimeve.

Komiteti kishte verifikuar gjithsej 104 denoncime për muajin tetor 2020, që paraqet një rritje për 10% në krahasim me muajin e kaluar. Numri më i madh i rasteve në muajin tetor iu referuan përsëri denoncimeve në lidhje me gjuhën e urrejtjes bazuar në përkatësi etnike, e cila është në rritje të vazhdueshme që nga fillimi i pandemisë globale në muajin mars të këtij viti. Retorika negative u përshkallëzua këtë muaj në mediat sociale që kontribuoi në një numër të lartë denoncimesh të gjuhës së urrejtjes në mediat sociale bazuar në përkatësinë etnike, madje 46% të numrit të përgjithshëm të të gjitha denoncimeve për këtë muaj.

Trendi i gjuhës së urrejtjes, tetor 2020

Gjuha e urrejtjes në mediat sociale për muajin tetor – viti 2020 

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, posaçërisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, që urgjentisht të marrin masa brenda kompetencës së tyre për të sanksionuar këtë fenomen – respektivisht punë më intensive me organizatat e shoqërisë civile dhe një fushatë publike për edukim shtesë të qytetarëve.

Sa i përket ndryshimeve të thella që janë të domosdoshme për të parandaluar tendencat negative të urrejtjes dhe krimeve në vend, ne e përsërisim angazhimin tonë për reforma themelore në procesin arsimor, kulturën dhe komunikimin publik, dhe mbi të gjitha në mënyrën se si institucionet kompetente e (nuk)trajtojnë gjuhën e urrejtjes dhe pasojat e saj. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që rregullisht të monitorojë këtë fenomen në seancat e saj dhe të marrë masat e duhura që do të kontribuojnë në parandalimin dhe sanksionimin e gjuhës së urrejtjes, veçanërisht në mesin e popullatës së re, e cila është gjithashtu një nga grupet më aktive në rrjetet sociale.

Reagimet e publikut që ishin verifikuar nga Komiteti i Helsinkit janë të disponueshme në: https://www.govornaomraza.mk/reports/.

[1] Neni 13 i Ligjit për zjarrfikje („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë“ nr. 67/04, 81/07, 55/13, 158/14, 193/15, 39/16  „ Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“ nr. 152/19).

[2] Neni 20 paragrafi 1 i Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 98/12, 166/12, 15/13, 170/13, 43/14, 44/14, 97/14, 113/14, 160/14, 188/14, 20/15, 61/15, 97/15, 129/15, 147/15, 154/15, 173/15, 217/15, 27/16, 120/16, 132/16, 35/18, 220/18, 245/18 dhe 180/19 dhe „Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“ nr. 275/19 dhe 31/20).

[3] Raporti i Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut. https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/north_macedonia_report_2020.pdf, fq.30.

[4] Ibid, fq. 33