Shkup: Dy viktima nga dhuna në familje gjatë pandemisë – nuk raportohen rastet
May 16, 2020
Për dallim nga shumë vende të të botës të cilat kanë raportuar rritje të rasteve të dhunës në familje, gjatë kohës së pandemisë, të dhënat e dikasterit të policisë në Maqedoninë e Veriut tregojnë ulje të rasteve.
Madje, hulumtimi që ka realizuar organizata joqeveritare NEXUS-Koncepti Qytetar, duke pasur në fokus ndikimin e pandemisë në jetën e grave dhe vajzave si dhe nevojat, përgjegjësitë, dhe mënyra e jetesës së tyre, pjesa më e madhe e grave thonë se izolimi ka ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet bashkëshortore ose me partnerin.
Megjithëse, një pjesë e konsiderueshme e grave të anketuara gjatë periudhës kur është realizuar hulumtimi prej 29 prill deri 1 maj 2020, kanë theksuar se periudha e izolimit në kohën e pandemisë së koronavirusit ka nxitur sjellje destruktive brenda familjes.
“Ndërsa dhuna në familje në nivel global është rritur në këtë periudhë e pandemisë, në shtetin tonë, sipas sondazhit e NEXUS-it, në pyetjen a është rritur dhuna familjare në shtëpi në këtë kohë të pandemisë dhe sidomos gjatë orës policore, një përqindje jashtëzakonisht e lartë ose 82% thonë se nuk ka dhunë në familje dhe se kjo situatë i ka ofruar ata më shumë, por 17% prej 1790 të anketuarve, ose 304 gra dhe vajza, një numër që nuk duhet të anashkalohet, thonë se jo shumë shpesh, por megjithatë ka përleshje që çojnë në sjellje destruktive”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Afrodita Musliu, drejtuese ekzekutive e organizatës joqeveritare NEXUS.
“Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në periudhën nga 12 mars deri në 12 prill 2020, janë regjistruar 79 vepra penale të dhunës në familje, që është një shifër për 28% më e ulët në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në nivel javor, rritje është vërejtur vetëm në javën e parë të muajit prill, kurse gjatë javëve të tjera, rastet e dhunës në familje ishin në stagnim, krahasuar me shumë vende të Evropës, por edhe në nivel global, ku rritja e dhunës në familje që nga fillimi i izolimit arriti mbi 25%”, theksohet në raportin e Komitetit të Helsinkit në Shkup.
Gjatë periudhës së izolimit, si rrjedhojë e pandemisë së koronavirusit, në Maqedoninë e Veriut e kanë humbur jetën 2 gra si pasojë e dhunës së ushtruar nga partnerët e tyre gjatë qëndrimit në shtëpi.
Urania Pirovska nga Komiteti i Helsinkit, për Radion Evropa e Lirë, duke komentuar uljen e numrit të denoncimeve në organet e sigurisë, thekson se në Maqedoninë e veriut në asnjë mënyrë numri i parashtresave nuk korrespondon me gjendjen faktike, por shton se problemet ekonomike përkatësisht sigurimi i të ardhurave për ekzistencë ka lënë në plan të dytë dhunën fizike dhe atë psikike që përjetojnë gratë.
“Gjatë kësaj krize ne përballemi me rritje gjithnjë e më të madhe të shkallës së varfërisë për shkak të humbjes së vendeve të punës, uljes së pagave në sektorin e prodhimtarisë ku gratë janë më shumë ë përfshira. Pra familjet përballen me cështje ekzistenciale dhe kjo mendoj se ka bërë që dhuna në familje të kaloj në plan të dytë dhe jo se ajo nuk është e pranishme, e dini gjatë kësaj perudhe kishim dy raste të femicidit”, thotë Pirovska.
Nga ana tjetër, Nora Kaliqi nga organizata “AJO”, që në fokus ka të drejtat e grave për radion Evropa e Lirë thotë se qeveria ka siguruar kushte për denoncuar dhunën gjatë pandemisë, por më e rëndësishme nuk ka siguruar mbështetje financiare dhe institucionale për këto gra që do të marrin guximin ta denoncojnë atë.
“Viktimat e dhunës në familje janë të bllokuara brenda katër mureve brenda dyerve të shtëpisë dhe shumë pak kanë hapësirë qasjeje për të komunikuar për shkak të kufizimit të lëvizjes, por edhe për shkak të gjendjes së rënduar financiare”.
“Jemi dëshmitarë që një pjesë shumë e madhe e grave që kanë marrë guximin për të denoncuar dhunën në familje ata nga institucionet nuk e kanë marrë mbështetjen e duhur dhe është dashur të kthehen në të njëjtën shtëpi me dhunuesin për shkak të gjendjes financiare”, thekson Kaliqi.
Fushatës për të inkurajuar gratë dhe vajzat të denoncojnë para organeve të drejtësisë çfarëdo lloj dhune që ushtrohet ndaj tyre i është bashkangjitur dhe bashkëshortja e presidentit të shtetit, Elizabeta Gjeorgjievska Pendarovska.
Përmes një video-mesazhi ajo ka porositur se gratë të paraqesin dhunën në polici, në qendrat e punës sociale, në linjat SOS, tek organizatat qytetare, si dhe tek mjekët amë.