Punëtorët e Shredinger-it

October 26, 2020

Vildan Drpljanin

Përkufizimi në Ligjin për marrëdhënie pune, ku vetëm ata që kanë kontratë pune të nënshkruar konsiderohen punëtorë, në fakt është i pasaktë dhe margjinalizon shumë punëtorë që punojnë pa ose me një formë të ndryshme të kontratës (gojore, kontratë në vepër, etj.)

Kur një person shkon në punë çdo ditë, në fundjavë ose për festa shtetërore, fiton “pagë” dhe ka detyra pune, do të ishte krejtësisht e pritshme të thuhet se bëhet fjalë për punëtor. Sidoqoftë, në Maqedoni, të gjithë këto elementë nuk do të thonë asgjë nëse ai person nuk ka lidhur një kontratë pune me shkrim, për punësim. Ligji për marrëdhënie pune përcakton kornizën e përgjithshme për mbrojtje në lidhje me punën dhe parashikon që punëtori është “person fizik i cili është i punësuar në bazë të një kontrate pune” (neni 5 (1) -2)]. Kjo do të thotë që legjislacioni ynë i jep më shumë rëndësi një cope letre sesa situatës reale në terren. Kështu, numër i madh i njerëzve janë vendosur në situatë të paqartë – ata në fakt janë punëtorë, por ligjërisht nuk konsiderohen të punësuar dhe nuk gëzojnë mbrojtje sistemike. Kjo situatë i ngjason një eksperiment mendimi “Macja e Shredingerit” për shkak se kap paradoksin që mund të ndodhë midis teorisë dhe praktikës, kur ndjekja e pakushtëzuar e asaj që është shkruar në realitet, rezulton me pasoja në kundërshtim me mendjen e shëndoshë.

Përkufizimi si parakusht për mbrojtje

Rëndësia e kësaj çështje shihet përmes faktit se nga klasifikimi nëse një person i caktuar është punëtor apo jo fillimisht varet nëse ligji do të vlejë për atë person dhe nëse ai person do të ketë sigurimi shëndetësor dhe pensional. Prandaj, ata që janë “vetëm” fizikisht punëtorë, pa pasur kontratë pune me shkrim, nuk kanë asnjë garanci se do të paguhen për punën e tyre dhe mund të mbeten pa punë në çdo kohë. Për më tepër, nëse këta punëtorë të paparaqitur lëndohen ose rrezikojnë të humbin jetën e tyre, nuk mund të raportojnë parregullsi dhe të kërkojnë dëmshpërblim sepse shërbimet e inspektimit nuk mund të veprojnë dhe rrezikojnë të ndëshkohen sepse “nuk janë punëtorë”.

Ky përkufizim teknik, ku vetëm ata që kanë lidhur kontratë pune të shkruar konsiderohen punëtorë, në fakt është i pasaktë dhe margjinalizon shumë punëtorë që punojnë pa ose me një formë tjetër të kontratës (gojore, kontratë në vepër dhe të ngjashme). Në praktikë, kjo zgjidhje do të thotë që mijëra punëtorë nuk janë në dijeni të faktit se ata nuk i nënshtrohen mbrojtjes ligjore sepse sistemi nuk i konsideron ata aspak si të punësuar. Zakonisht, ata e kuptojnë këtë shumë vonë, kur asgjë nuk mund të bëhet më në aspektin institucional, përkatësisht kur nuk do të paguhen për atë që kanë punuar, kur do të lëndohen dhe / ose kur kanë nevojë për sigurim shëndetësor dhe pensional. Duke pasur parasysh se pothuajse gjysma e punëtorëve maqedonas nuk janë të njohur me përmbajtjen e kontratës së tyre të punës bëhet e qartë se ky është një problem serioz në shoqërinë tonë.

Përveç asaj që punëdhënësit kanë detyrim ligjor të paraqesin çdo punëtor dhe Inspektorati Shtetëror i Punës paraqet çdo vit numër të konsiderueshëm të kallëzimeve për kundërvajtje në lidhje me punëtorët e pa paraqitur, fakti që në Maqedoni madje 18,5 përqind të punëtorëve punojnë të pa paraqitur sugjeron se sistemi nuk funksionon dhe se përkufizimi duhet të zgjerohet.

Çfarë mund të bëhet?

Në pritje të Ligjit të ri për marrëdhënie pune, pothuajse edhe nuk ka diskutim rreth kësaj çështje, me çka mbetet aktual rreziku që përkufizimi të ngelet i njëjtë dhe punëtorët të ngelin jashtë sistemit. Duke pasur parasysh të gjitha pasojat e përmendura të cilat i bart me vete puna në lidhje me sigurinë dhe parashikimin e vendit të punës dhe rëndësinë e të drejtave civile që burojnë direkt nga statusi i punëtorit, nuk duhet të lejohet përsëri të mbizotërojë rëndësia e një kontrate mbi realitetin.

Përveç përmes kontratës së shkruar, ekzistenca e marrëdhënies së punës mund të përcaktohet në bazë të: ardhjes së përditshme të punonjësit në vendin e punës, pagimit të pagës dhe / ose shpërblimeve, vartësisë, kontrollit dhe sjelljes sikur të jetë themeluar marrëdhënie pune në bazë të një kontrate pune, pavarësisht nga lloji i kontratës – përfshirë kontratën gojore, kontratën në vepër, angazhim, shërbime dhe të ngjashme. Punëtorët të cilët punojnë në bazë të fjalës së dhënë, përkatësisht kontratë gojore, janë veçanërisht të prekshëm, sepse sipas legjislacionit aktual, kontratat të punës me gojë nuk janë të vlefshme dhe këta punëtorë nuk gëzojnë ndonjë mbrojtje ligjore. Një përkufizim më i gjerë do të mbronte qytetarët e kategorive të prekshme të cilët nuk janë të njoftuar me llojet e ndryshme të kontratave dhe pasojat që ato prodhojnë, dhe do t’u mundësonte institucioneve akses për një luftë më aktive për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve.

Intervenimi në lidhje me përkufizimin imponohet gjithashtu edhe nga transponimi i legjislacionit evropian, sepse në këtë mënyrë Ligji do të harmonizohet me Marrëveshjen për Funksionimin e Bashkimit Evropian C-326/49 dhe Direktivën 2006/54 / EC të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të datës 5 korrik 2006. Në atë kuptim, ndryshimi i përkufizimit do të jetë identik me rekomandimin numër 2, pika 3 e Memorandumit teknik të Organizatës Ndërkombëtare të Punës nga viti 2019. Këto dokumente përfaqësojnë standardet e pranuara ndërkombëtare të cilat promovojnë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve duke siguruar përdorimin e të drejtave dhe mundësive ekzistuese nga një numër më i madh i punëtorëve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kohën e krizave punëtore, siç është pandemia aktuale, kur mungesa e aksesit në sigurimin shëndetësor dhe mungesa e mbrojtjes institucionale për shumë punëtorë dhe familjet e tyre mund të nënkuptojë një goditje të drejtpërdrejtë mbi ekzistencën e tyre.

Ligji i ri duhet të adresojë këto çështje dhe të riformulojë përkufizimin për punëtor në mënyrë më gjithëpërfshirëse me atë që do të përcaktohet se punëtor është çdo person fizik që është pjesë e marrëdhënies së punës dhe / ose ka kontratë pune me punëdhënës. Vetëm në këtë mënyrë, mbrojtja ligjore do të përfshijë punëtorët që nuk kanë kontratë pune, por janë në marrëdhënie punë reale.