Pandemia shpërfaq gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale
December 18, 2020
Gjuha e urrejtjes, veçanërisht ajo mbi baza etnike në mediat sociale, shënon rritje të vazhdueshme gjatë kohës së pandemisë në Maqedoninë e Veriut.
Nga Komiteti i Helsinkit në Shkup theksojnë se popullata më e re, përkatësisht ajo nga mosha 18 deri 26-vjeçare, është më e ekspozuara ndaj manipulimit dhe keqinformimit dhe shpesh është kategoria më aktive që përdor gjuhë urrejtjeje në mediat sociale.
Në raportin e fundit, atë për muajin nëntori, Komiteti i Helsinkit në Shkup ka verifikuar gjithsej 112 denoncime, që paraqet një rritje prej 10 për qind krahasuar me një muaj më herët, tetorin e 2020-s, për sa i përket gjuhës së urrejtjes.
Pjesa më e madhe e denoncimeve të rasteve për sa i përket gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale, 81 nga 112 raste, për bazë ka përkatësinë etnike.
Borjan Eftimov, kryetar i Parlamentit Studentor në kuadër të Universitetit të Shkupit për Radion Evropa e Lirë thotë se përmes nxitjes së gjuhës së urrejtjes në mesin e të rinjve, si kategori më e ndjeshme e shoqërisë, synohet të kamuflohet shkalla e lartë e korrupsionit, e cila ka gjetur hapësirë në çdo pore të shoqërisë.
“Ne jetojmë në një sistem të kalbur ku elitat politike përfitojnë në bazë të parimit ‘përçaj dhe sundo’. Përderisa të rinjtë maqedonas dhe ata shqiptarë urrehen mes vete, elita politike nuk ndihet e kërcënuar në pozitat që ka”, thotë Eftimov.
Nga ana vjetër, Blendi Hodai, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme në Maqedoninë e Veriut, i cili dhe personalisht ka qenë pre e gjuhës së urrejtjes, duke vënë theksin se një shqiptar nuk mund të drejtojë unionin dhe të komunikojë me strukturat relevante të dikasterit të arsimit në emër të të gjithë gjimnazistëve, atyre shqiptarë dhe maqedonas, thotë për Radion Evropa e Lirë se të rinjtë në Maqedoninë e Veriut nuk njihen ndërmjet vete madje dhe në vendbanimet e përziera prej këtu dalin dhe paragjykimet që nxisin gjuhën e urrejtjes.
“Shumica e të rinjve në shtetin tonë janë të izoluar në rrethin e etnitetit të tyre dhe pastaj ata e kanë kompleks të njihen me kultura të ndryshme, komunitete të ndryshme, gjë që ndikon në përhapjen e gjuhës së urrejtjes. Në momentin kur kemi një rini të izoluar, një rini që ka mungesë të participimit në aktivitet për të rinjtë natyrisht se do të kemi gjuhë të urrejtjes”, thotë Hodai.
Ai thotë se vetë sistemi arsimor dhe planprogrami mësimor paraqet burim të nxitjes së gjuhës së urrejtjes përmes teksteve shkollore ku entiteti shqiptar paraqitet si ardhacak, uzurpues në këto troje.
“Ne kemi libra nga lënda e Historisë, Gjeografisë etj, me tekste dhe materiale mësimore ku është e pranishme gjuha e urrejtjes, me ç`rast të rinjtë duke i mësuar ato materiale mësimore, edhe më shumë nxisin gjuhën e urrejtjes në shoqërinë tonë”, thotë Hodai.
Të rinjtë për dallim nga gjenerata e mëhershme janë të ekspozuar ndaj mediave sociale si pjesë e pandashme e përditshmërisë së tyre, kjo bën që mediat sociale të paraqesin fushë mejdani për sa i përket ngritjes së debateve në aspektin social, politik dhe kulturor.
Borjan Eftimov, kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit të Shkupit, thotë se të rinjtë e të gjitha entiteteve duhet inkorporuar në hartimin e politikave të përbashkëta për më shumë çështje që prekin interesat e tyre. Në këtë mënyrë, thekson ai, do të eliminohet frika nga njëri-tjetri me këtë dhe gjuha e urrejtjes.
“Në të kaluarën kishim incidente, përleshje mes të rinjve në rrugë, të motivuar nga gjuha e urrejtjes mbi bazë të përkatësisë etnike. Pandemia i ka detyruar të rinjtë që pjesën më të madhe të kohës ta kalojnë të lidhur në internet, prej këtu kemi dhe rritjen e mosdurimit në mesin e të rinjve mbi bazë të përkatësisë etnike që në esencë kjo shkon në favor të politikaneve, të cilët në vend se t’i zgjidhin problemet reale me të cilat ballafaqohen të rinjtë, vishen me petkun e patriotizmit. Ndërkohë, që një i ri me përkatësi maqedonase dhe një i ri me përkatësi shqiptare ballafaqohet me po të njëjtat probleme dhe sfida”, thotë Eftimov.
Nga Komiteti i Helsinkit në vazhdimësi theksojnë se ilaçi më i mirë për sa i përket gjuhës së urrejtjes është edukimi mediatik i të rinjve dhe ndëshkimi i të gjithë atyre që nxisin gjuhën e urrejtjes.