Komiteti i Helsinkit: Pritjet e gjata për birësimin e fëmijëve, pasojë e procedurave jo të mira ligjore
Rasti i çiftit që tashmë 3 vjet pret lejen e Ministrisë për të birësuar një fëmijë, për cilin Televizioni Alsat informoi një ditë më parë, nuk është i vetmi. Me pritje të gjatë për të marrë një fëmijë po përballen edhe aplikues të tjerë. Madje, një çift ka vendosur që të kërkojë ndihmë nga Komiteti i Helsinkit. Natasha Petkovska, nga Komiteti i Helsinkit thotë se Rregullorja që përcakton procedurën që duhet ndjekur për birësimin e një fëmije nuk është ndryshuar që në vitin 2012.
Kjo Rregullore parashikon që pasi të dhënat e aplikuesve janë vendosur në Regjistrin për Birësim, Komision përzgjedh çiftin më të përshtatshëm nga 3 që përzgjidhen në formë kompjuterike. 03:57 E tani, këtu nuk ka asnjë lloj kufizimi për kohën se sa mund të vazhdojnë të presin dy çiftet e tjera. Njërin e zgjedh komisioni, ndërsa dy çiftet e tjera i rikthehen në Regjistër dhe kjo mund të ndodh disa herë me radhë. Mund të ndodhë që një çift që ka aplikuar 5 vite më parë të rikthehet në listën e pritjes, ndërsa dikush që ka aplikuar para 6 muajsh të përzgjidhet nga ana e Komisionit. Çifteve që nuk përzgjidhen nuk u jepet as mundësia për ankesë -deklaroi Natasha Petkovska- Komiteti i Helsinkit.
Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale nuk na dhanë përgjigje se cili ka qenë harku më i gjatë kohorë që një çift ka pritur pasi është vendosur në Regjistrin për Birësim. Sipas tyre, procedurat e birësimit ndryshojnë dhe varen nga kushtet dhe kriteret që plotësojnë prindërit birësues.
Lidhur me pyetjen përse çiftet presin 3 vjet për birësim përkundër plotësimit të kushteve, ju informojmë se aktualisht në regjistrin e prindërve të mundshëm birësues janë regjistruar 284 prindër birësues, nga të cilët 195 prindër birësues janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë këta prindër birësues plotësojnë kushtet për birësimin e një fëmije – njoftojnë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Gjatë javës së ardhshme përfaqësues të Komitetit të Helsinkit do të takohen me ministren për Punë dhe Politikë Sociale, Jagoda Shahpaska, për të diskutuar për rastet në fjalë dhe për mangësitë në procedurën për birësim dhe në vet Ligjin për Familje. Gjatë vitit 2020 janë birësuar 17 fëmijë, gjatë vitit 2019 janë birësuar 47 fëmijë dhe gjatë vitit 2018, 20 fëmijë. Sipas Ligjit për Familjen, mund të birësohen vetëm fëmijë minoren dhe jo më të vegjël se tre muajsh.
Evi Shkopi