April 13, 2021

Komiteti i Helsinkit: Ekzistojnë mundësi ligjore për marrjen e shtetësisë

Shkup, 13 prill – Zhurnal – Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka përgatitur një mendim juridik për pashtetësinë, duke iu referuar ligjit për shtetësi, ligjit për të huajt dhe ligjit për personat e paevidentuar në regjistrin amë të lindjeve.

“Shtetësia në Republikën e Maqedonisë së Veriut në pajtim me Nenin 3 të Ligjit për Shtetësi fitohet me: 1) origjinë; 2) lindjen në territorin e shtetit; 3) natyralizim; dhe 4) marrëveshjet ndërkombëtare. Analizat tregojnë se ekzistojnë dy kategori kryesore të personave që jetojnë për shumë vite në Maqedoninë e Veriut por nuk kanë statusin e shtetësisë: 1) personat që nuk e kanë të rregulluar statusin pas shpërbërjes së RSFJ-së dhe 2) personat që nuk janë të regjistruar në regjistrat e lindjeve, thuhet në mendimin juridik.

Në të njëjtën kohë, thuhet se për momentin ekzistojnë mundësi ligjore për marrjen e shtetësisë të të dy kategorive të prekura.

“Thjesht duhet t’i jepet shans rregullimit ligjor ekzistues dhe deri në skadimin e afatit të datës 05.06.2021 të parashikuar në Ligjin për të Huajt dhe deri në skadimin e afatit të 30.06.2021 të parashikuar në Ligjin për Personat e paevidentuar në Regjistrin amë të lindjeve. Kjo është një periudhë prej tre muajsh në të cilën autoritetet kompetente duhet të tregojnë shkathtësi dhe fleksibilitet brenda kornizës së parashikuar nga ligji, për të krijuar një praktikë të parashikueshme dhe uniforme, përmes së cilës ata do të ndajnë me kohë të gjithë informacionin përkatës për personat dhe grupet e interesuara. Nëse statusi i personave pa shtetësi nuk rregullohet me zbatimin e dispozitave ligjore ekzistuese, atëherë shteti duhet të gjejë zgjidhje për ta, në përputhje me standardet ndërkombëtare si dhe legjislacionin dhe praktikën e Bashkimit Evropian”, thuhet në përfundimin e mendimit juridik të Komitetit të Helsinkit.