April 8, 2020

Higjiena në burgje në kohë epidemie, Komiteti i Helsinkit: Nuk ka plan adekuat për reagim

Kështu vjen buka në burgun e Idrizovës.

Në kuti, të lëna në dysheme, pa mbrojtje me qese ose letër.

Ata që i heqin nga kutitë s’kanë as doreza e as maska, edhe pse jemi në gjendje të jashtëzakonshme epidemie.

Pëmres telefonit i burgosuri në burgun e Idrizovës:

“S’ka asnjë masë mbrojtëse kundër infektimeve dhe gjëra që vijnë. Buka vjen nga jashtë, vjen nga burgu tjetër që është gjysmë i hapur, ata e përgatisin, që s’kanë as mjete për mbrojte, doreza e asnjë gjë, e patë edhe vet… Në qoftë se ata mendojnë se kanë higjienë në burgun e Idrizovës, atëherë pse nuk ua japin juve një leje që të vini vet të vëretetoheni për kushtet që janë”.

Të burgosurit me të cilët kontaktoi TV21 ankohen edhe për lagështinë nëpër hapësirat e burgut në Idrizovë si dhe mungesën e dusheve të mirëfillta, sepse ato që kanë janë të improvizuara. Krejt këto përmenden edhe në raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit për burgjet, ku përveç mykut, erës së keqe dhe morrave, raportohet edhe për mbingarkesë të dhomave me të burgosur e me shtretër deri në tre-katësh.

Sibel Ahmet nga Komiteti i Helsinkit që mbikëqyr edhe burgjet pohon se higjiena në to nuk është në nivel të kënaqshëm, edhe pse në krahasim ne vitet e kaluara kanë vërejtur përmirësim. Sa i përket gjendjes aktuale me epideminë COVID-19, ajo shton se nuk ka plan adekuat për reagim.

“Sipas asaj që ne dimë, në këtë moment nuk ka plan dhe program për vendosjen e masave të veçanta në këtë instucione andaj konsiderojmë se gjëra e parë që duhet bërë është një strategji për veprim nga ana e institucioneve përgjegjëse në kushte pandemie në burgje dhe vendet për privim nga liria”, tha Sibel Amet, Komiteti i Helsinskit.

Nga Drejtoria për Zbatim të Sanksioneve mohojnë duke thënë se menjëherë pasi Qeveria solli masat, është dhënë Urdhër për të gjitha burgjet që të ndalohen vizitat, fundjavat në shtëpi, pushimi vjetor dhe angazhimet jashtë burgut. Masat e tjera që janë marrë sipas Drejtorisë për Zbatim të Sanksioneve janë:

Drejtoria për Zbatim të Sanksioneve:

-Dezinfektim i përditshëm ku rrinë të burgosurit, ku lëvizin dhe punojnë, hapësirat ku përgatitet dhe mbahet ushqimi, korridoret, tualetet dhe banjot

-Të burgosurve tu ndahen doreza, sapun i lëngshëm, sapun dhe xhel për dezinfektim

-Të burgosurve nuk i janë ndarë maska mbrojtëse sepse ata s’kanë kontakt me botën e jashtme, kurse të punësuarit janë të detyruar të mbajnë maska dhe doreza

-Vendosja e preparateve për dezinfektim në hyrjet e ambienteve ku rrinë të burgosurit
-Në të gjitha burgjet janë blerë termometra pa kontakt me të cilat rregullisht u matet temperatura të burgosurve

E edhe përkundër këtyre pohimeve të Drejtorisë që mbikëqyr të gjitha burgjet e vendit, të burgosurit të cilët kontaktoi TV21 thonë se s’kanë marrë as dorëza, e as dezinfektues, ndërsa dezinfektimet bëhen rrallë. Krahas Komitetit të Helsinkit, edhe Komiteti për Parandalim të Torturave, kur u shpall pandemia botërore me COVID-19, rekomandoi që domosdoshmërisht të krijohen kushte për mbrojtje sa më të mirë.