Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut – prill 2020
May 12, 2020
PËRMBAJTJA
KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
- Punëtoret dhe punëtorët janë njëra ndër kategoritë më të rrezikuara gjatë përballjes me virusin korona
DISKRIMINIMI
- Gratë punëtore në shëndetësi punojnë pandërprerë në spital dhe në shtëpi
GRATË PUNËTORE NË INDUSTRINË E TEKSTILIT
- Gratë punëtore në industrinë e tekstilit nuk janë të mbrojtura mjaftueshëm nga infektimi i mundshëm me virusin korona në vendet e punës
BARAZIA GJINORE
- Mbrojtja e viktimave të dhunës në familje në kushtet ne pandemisë
PERSONAT ME PENGESA (AFTËSI TË KUFIZUARA)
- Arsim inkluziv
- Lëvizja e personave me pengesa gjatë kohës së orës policore
GJUHA E URREJTJES
- Gjuha e urrejtjes në kohën e pandemisë
KONTEKSTI POLITIKO-SHOQËROR
Në kontekst të përhapjes globale të virusit korona dhe për të ta përballur me sukses pandeminë në vend, Kryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 16 prill 2020 e vazhdoi gjendjen e jashtëzakonshme në vend. Sipas Kryetarit, vendimi është për faktin se “gjendja aktuale e jashtëzakonshme përfundon sot për shkak të skadimit të afatit 30-ditor për të cilin u përcaktua dhe nuk do të zgjatet zyrtarisht dhe ligjërisht sepse për të nuk ka asnjë bazë kushtetuese. Prandaj, sot, bazuar në një propozim të ri të arsyetuar nga Qeveria, dhe në situatën kur Kuvendi nuk po funksionon, unë do të marr një vendim të ri për ta përcaktuar zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme për një periudhë prej 30 ditësh në të gjithë territorin e vendit. Sidoqoftë, ky vendim nuk e zvogëlon përgjegjësinë e të gjithë faktorëve politikë përkatës në vend që t’i shprehin qartë dhe publikisht pikëpamjet e tyre për këtë çështje, sepse në mesin e majit edhe më tutje do t’i kemi të njëjtat dilema ligjore”.
Në prill të vitit 2020, Komiteti i Helsinkit vazhdoi t’i monitorojë masat e Qeverisë, veçanërisht në kontekstin e respektimit të të drejtave themelore në kuadër të Kapitullit 23. Duke i pasur parasysh dhe duke i ndjekur zhvillimet e mësipërme, Komiteti i Helsinkit bëri thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut përmes informimit në kohë dhe transparent të publikut me informacion të saktë në mënyrë që të rritet mbikëqyrja publike ndaj pushteteve ekzekutive gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme.
Në lidhje me këtë çështje, u inicua një iniciativë për ta thirrur Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’i konfirmuar vendimet për gjendjen e jashtëzakonshme në vend, e cila iniciativë pati mendime të ndryshme nga ana e partive politike. Fokusi i këtij raporti mujor është ndikimi i masave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gjendjes së jashtëzakonshme mbi situatën me të drejtat e njeriut. Në përputhje me trendin aktual, vëmendja duhet të përqendrohet në trajtimin e krizës socio-ekonomike si rezultat i pandemisë – veçanërisht mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe masave aktive për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në familje.
Gjithashtu, gjatë muajit prill, Komisioni Evropian miratoi një paketë masash për ta mbështetur Ballkanin Perëndimor në trajtimin e COVID-19, si dhe propozim masa për normalizimin e situatës në vendet që do të konfirmohen në muajin maj gjatë Samitit BE – Ballkani Perëndimor. Masat përfshijnë mbështetje financiare për sektorët ekonomikë të vendeve, mbështetje për sistemin shëndetësor për ta trajtuar pandeminë, si dhe një paketë masash për t’i riaktivizuar aktivitetet ekonomike në këto vende. Propozimi i Komisionit vendos një theks të qartë në vazhdimin e reformave në sferat themelore – veçanërisht në funksionimin e institucioneve demokratike dhe shtetin e së drejtës. Në këtë drejtim, theksohet rëndësia se të gjitha masat e pushtetit ekzekutiv gjatë gjendjes së jashtëzakonshme duhet të jenë proporcionale dhe t’i kenë parasyh parimet dhe vlerat themelore për respektimin e të drejtave të njeriut.
TË DREJTAT E PUNËTORËVE
PUNËTORET DHE PUNËTORËT JANË NJËRA NDËR KATEGORITË MË TË RREZIKUARA GJATË PËRBALLJES ME VIRUSIN KORONA
Punëtorët ishin të parët që u goditën pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e gjithë vendit për shkak të përballjes me pasojat e virusit korona. Në prill, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut regjistroi 85 denoncime për shkelje të të drejtave të punëtorëve, duke përfshirë afërsisht 920 punëtorë.
Shumë punëtorë raportuan se punëdhënës të caktuar, përkundër të gjitha rekomandimeve dhe masave, abuzuan me gjendjen e jashtëzakonshme dhe ua anuluan kontratat e tyre të punësimit për grupe të tëra të personave të punësuar. Numri më i madh i punëtorëve nuk morën asnjë njoftim me shkrim, por punëdhënësit thjesht i çlajmëruan nga Agjencia e Punësimit. Komiteti regjistroi 18 denoncime për afër 77 punëtorë që u pushuan nga puna gjatë këtij muaji, por shumë më shqetësues është numri i 265 punëtorëve që ishin detyruar të nënshkruajnë marrëveshje për ndërprerjen e kontratave të tyre të punësimit. Në këtë mënyrë, atyre iu mohua çdo qasje në mekanizmat mbrojtës dhe ata mbetën të luftojnë thjesht për ekzistencën e tyre në margjinat e shoqërisë. Një goditje tjetër për ta është pamundësia për të përfituar kompensim monetar në rast papunësie, sepse punësimi i tyre ishte ndërprerë me marrëveshje.
Si përgjigje ndaj kësaj, pasi masat fillestare të Qeverisë dështuan t’i mbrojnë punëtorët, Komiteti i Helsinkit, së bashku me dhjetëra sindikata dhe organizata të tjera, parashtroi një paketë kërkesash deri te Qeveria me propozime përkatëse dhe konkrete për zbatimin e secilës prej tyre. Komiteti gjithashtu kërkoi që të drejtën e kompensimit monetar për personat e papunë gjatë krizës, ta gëzojnë edhe personat, punësimi i të cilëve është ndërprerë me deklaratën e tyre personale, me marrëveshje ose për shkak kinse të prishjes së disiplinës.
Mospërputhshmëri në zbatimin e masave qeveritare nga ana e institucioneve
Gjatë këtij muaji, realizimi i kompensimit monetar në rast papunësie ishte pamundësuar edhe për një grup punonjësish që kishin të drejtë për të. Punëtorët na informuan se ndërsa përpiqeshin ta ushtronin të drejtën e tyre për kompensim monetar, ata hasën në disa probleme dhe mospërputhshmëri të caktuara. Për ta lehtësuar ndjeshëm ushtrimin e të drejtave të qytetarëve më të prekur nga gjendja e jashtëzakonshme, Komiteti i Helsinkit kërkoi që Agjencia e Punësimit të përpilojë, miratojë dhe publikojë udhëzime konkrete për zbatimin e masave të miratuara qeveritare. Komiteti e theksoi nevojën për të krijuar një praktikë uniforme për vendimmarrje dhe një përcaktim të qartë të mënyrës dhe kushteve që qytetarët të jenë në gjendje t’i ushtrojnë të drejtat e tyre.
Në gjysmën e dytë të muajit, përveç rënies së denoncimeve për pushime nga puna, rritej numri i denoncimeve të punëtorëve, pagat e të cilëve nuk ishin paguar ose ishin zvogëluar madje edhe deri në 50 përqind, duke u thirrur paligjshëm në institutin “forca madhore”. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) reagoi fuqishëm dhe qartë me një konstatim të qartë se vendimet e Qeverisë që e ndalojnë plotësisht veprimtarinë e personave juridikë në veprimtari të caktuara për ta parandaluar përhapjen e virusit korona, nuk paraqesin një forcë madhore.
Si rrjedhojë, Komiteti i Helsinkit në paketën e kërkesave, së bashku me Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë, i kërkuan Qeverisë të miratojë një dekret me të cilën do të rregullohet që pagat e punëtorëve të mos mund të zvogëlohen për më shumë se 20% gjatë kohës së krizës, siç është definuar me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive (MPK) për sektorin privat. Në këtë rast, MPK-ja për sektorin privat përmban dispozita që parashikojnë të drejta më të favorshme për punëtorët sesa Ligji për marrëdhëniet e punës dhe ato duhet të zbatohen.[1] Komiteti i Helsinkit regjistroi 599 punëtorë, pagat e të cilëve nuk ishin paguar ose ishin zvogëluar për këtë muaj. Me mospagimin e pagave dhe kontributeve në dy muajt e fundit, një numër i madh i punëtorëve dhe familjeve të tyre mbetën pa sigurime shëndetësore, në një nga momentet më kritike për shëndetin e njerëzve në vendin tonë.
Mosrespektimi i masave nga ana e punëdhënësve
Numër i madh punëdhënësish nuk i respektuan masat dhe rekomandimet e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin dhe mbrojtjen nga virusi korona. Në veçanti të pambrojtur dhe të rrezikuar ishin punëtorët në linjën e parë të luftës kundër virusit, punëtorët e supermarketeve, shitësit dhe shitëset. Duke i injoruar rregullat e punës për siguri në punë, punëdhënësit nuk u siguruan atyre pajisje të përshtatshme mbrojtëse, kështu që ata i kryenin detyrat e tyre, duke e ekspozuar veten në një rrezik serioz për shëndetin dhe jetën e tyre. Për më tepër, ata nuk përfituan rritje të pagave në raport me rrezikun e shtuar në vendin e punës.
Disa punëtorë kërkuan informacione për zbatimin e masave të miratuara nga Qeveria, veçanërisht në lidhje me masën për lirimin nga puna të një prindi i një fëmije deri në dhjetë vjeç. Më 10 mars 2020, Qeveria miratoi një masë për ta ndërprerë procesin edukativo-arsimor dhe mësimdhënien në të gjitha kopshtet dhe shkollat fillore. Në të njëjtën kohë, Qeveria vendosi që për ta zbatuar këtë masë, njëri nga prindërit, fëmija i të cilit deri në moshën dhjetë vjeçe i ndjek mësimet në kopsht apo shkollë fillore, do të lirohen nga detyrimi për t’i kryer detyrat e punës. Një punonjëse në sektorin publik, bashkëshorti i së cilës ishte i papunë, ka kërkuar ndihmë juridike nga Komiteti i Helsinkit. Dhuna në familje nga ana e bashkëshortit, me të cilën ajo dhe fëmijët e saj janë përballur në të kaluarën, ka shkaktoi ndarje të partnerëve, të cilët aktualisht nuk jetojnë bashkë, por ligjërisht janë hala të martuar. Kjo situatë paraqiste një problem për punonjësen, sepse eprorët i kërkuan asaj që të parashtronte një vërtetim se bashkëshorti i saj ishte në marrëdhënie pune në mënyrë që ajo të lirohej nga obligimet në vendin e punës. Bashkëshorti i saj si person, kryerësi i dhunës në familje, jo vetëm që është i paaftë të kujdeset, t’i ruajë dhe t’i edukojë fëmijët e tyre, por paraqet edhe një kërcënim për shëndetin dhe sigurinë e tyre. Duke i përdorur këto argumente, Komiteti i Helsinkit i mundësoi ndihmë juridike punonjëses në përgatitjen e njoftimit për punëdhënësin, i cili më pas e liroi atë nga obligimet në vendin e punës.
Duke e marrë parasysh faktin se në praktikë ekzistojnë situata të ndryshme dhe më të ndërlikuara, si kjo, Komiteti rekomandon që gjatë zbatimit të kësaj mase, si në këtë shembull, të veprohet në interesin më të mirë të fëmijëve, veçanërisht të atyre që janë ose kanë qenë viktima të ndonjë lloji të dhunës në familje.
Edhe dy kategori të tjera njerëzish mbesin të pambrojtur në këtë situatë krize: punëtorët me nofka (punëtorët me honorare, frilenserët dhe të ngjashmit) dhe punëtorët me kontrata punësimi për afat të caktuar kohor. Të parët mbesin jashtë, madje edhe nga mbrojtja (e supozuar) që u ofrohet punëtorëve të tjerë me Ligjin për marrëdhëniet e punës. Komiteti i Helsinkit kërkoi që të ofrohet mbrojtje dhe mbështetje përkatëse financiare në periudhën e krizës për këtë kategori të punëtorëve të rrezikuar, të cilët nuk kanë pothuajse asnjë sigurim shoqëror ose shëndetësor. Grupi i dytë i punëtorëve është manipuluar nga punëdhënësit e pandërgjegjshëm, të cilët vendosin që nuk kanë më nevojë për to, kështu që pas skadimit të afatit të caktuar kohor për të cilin kanë nënshkruar kontratë, ata nuk ua zgjasin kontratat e tyre të punësimit. Në këtëj periudhe, kjo është një goditje e konsiderueshme për ekzistencën e një prej kategorive më të prekura të punëtorëve. Në rolin e tij si lajmëtar për studentët, edhe Kuvendi universitar i studentëve (KUS) pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, kërkoi miratim të një mase të përkohshme ekonomike, në formën e bursave të jashtëzakonshme sociale. KUS-i ka bërë thirrje që kjo masë të zbatohet për studentë nga familje me të ardhura të ulëta, si dhe për studentët që do të paraqesin dëshmi se një ose më shumë anëtarë të familjes e kanë humbur vendin e tyre të punës si rezultat i gjendjes së jashtëzakonshme.
Më në fund, Komiteti i Helsinkit në kërkesat e tij të përmendura më parë kërkoi që të mos u jepet ndihmë financiare kompanive që kanë pushuar punëtorë nga puna që nga fillimi i marsit. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jo vetëm që nuk kishte vesh për këtë kërkesë, por përkundrazi, e përkeqësoi ndjeshëm situatën duke e ndryshuar dekretin përsëri. Më 29.04.2020, Ministrja e Financave, Nina Angelovska, njoftoi se kompanitë që shfrytëzojnë ndihmë financiare shtetërore për pagimin e pagave do të lejohen të pushojnë punonjës nga puna deri në 15% nga punonjësit e tyre. Komiteti i Helsinkit, së bashku me disa sindikata dhe shoqata qytetare që luftojnë dhe angazhohen për të drejtat e punëtorëve dhe për jetë dinjitoze të punëtorëve, e kundërshtuan dhe dënuan fuqishëm paralajmërimin e tillë të ministres së finacave dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nëse kjo realizohet, kjo do të thotë dhjetëra mijëra persona të rinj të papunë në vigjilje të krizës së pritshme ekonomike dhe dhjetëra mijëra familje të varfura. Është absolutisht e papranueshme që një qeveri e quajtur socialdemokrate, e cila para së gjithash duhet të kujdeset për të varfërit dhe punëtorët, të paralajmërojë masa të tilla, veçanërisht dy ditë para 1 Majit, Ditës ndërkombëtare të punës. Nuk duhet të harrohet se fondet nga të cilat financohen këto masa vijnë nga taksapaguesit, që do të thote se ato janë para të të gjithë qytetarëve të këtij vendi, kështu që ato duhet të shpenzohen për të mirën e të gjithëve, dhe jo vetëm për të mirën e disa grupeve të caktuara të njerëzve të fuqishëm. Ky ndryshim është veçanërisht i dyshimtë sepse Qeveria një herë më parë e kishte ndryshuar këtë Dekret, duke e shkurtuar afatin për mospushimit të punëtorëve nga shtatori, për në korrik, ose për dy muaj.
Masat fillestare të Qeverisë si përgjigje ndaj krizës më të madhe ekonomike, e cila globalisht po merr vrull gjithnjë e më të madh, kanë treguar që vendi ynë nuk do të jetë përjashtim nga parashikimet se gjysmë miliardë njerëz në botë do të bien në varfëri për shkak të reagimeve jopërkatëse të shteteve. Për shkak të gjithë kësaj, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut e thekson domosdoshmërinë e pranimit të kërkesave të parashtruara dhe zbatimin e tyre. Në të njëjtën kohë, Komiteti e mirëpret përmirësimin dhe urgjencën e punës së Inspektoratit Shtetëror të Punës si një shtyllë parësore e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe i bën thirrje Inspektoratit që të kërkojë përgjegjësi nga punëdhënësit që nuk i respektojnë ose i shkelin rekomandimet e Qeverisë.
DISKRIMINIMI
GRATË PUNËTORE NË SHËNDETËSI PUNOJNË PANDËRPRERË NË SPITAL DHE NË SHTËPI
Në nivelin global, gratë përbëjnë më shumë se 70 përqind të punonjësve shëndetësorë, përfshirë edhe ato të punësuara në entet e kujdesit. Ato janë në vijën e parë të luftës kundër COVID 19. Si rezultat i pandemisë, ato përballen me një barrë të dyfishtë: turne më të gjata në vendet e punës dhe kujdes shtesë në shtëpitë e tyre.
Organizata Ndërkombëtare e Punës na përkujton se për pothuajse 100 milion punonjëse në shëndetësi në të gjithë botën, balancimi i obligimeve të punës dhe përgjegjësive në shtëpi ka qenë gjithmonë një sfidë, kurse kjo krizë vetëm se e ka konfirmuar luftën shumëvjeçare me pabarazinë gjinore.
Në rrethana normale, gratë bëjnë punë të papaguar shtëpiake për 4 orë e 25 minuta, ndërsa burrat për 1 orë e 23 minuta. Për shkak të pandemisë, shkollat, kopshtet dhe institucionet e tjera të kujdesit u mbyllën, dhe si rezultat i kësaj, koha e shpenzuar për punë të papaguar në shtëpi është rriurt në mënyrë dramatike. Gratë në vetëizolim e marrin përsipër pjesën më të madhe të punëve shtëpiake si pazarin, gatimin, mirëmbajtjen e higjienës, përkujdesjen për anëtarët e tjerë të familjes etj.
Disa qeveri kanë ndërmarrë masa për t’i mbështetur punëtorët, veçanërisht ata që punojnë në shërbimet për rastet urgjente që nuk janë në gjendje të punojnë nga shtëpia. Punonjëset në shëndetësi nuk mund të luftojnë kundër pandemisë së COVID-19 në të njëjtën kohë dhe t’i bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë, siç është kujdesi për familjen e tyre. Nevojiten masa për ndihmën dhe mbështetjen e tyre, por në të njëjtën kohë është e nevojshme edhe një zgjidhje afatgjatë për këtë problem.
Konkluzion: Nga Organizata Ndërkombëtare e Punës theksojnë se këto pasoja të krizës me virusin korona më së shumti i godasin punonjëset në shëndetësi që jetojnë në një amvisëri njëanëtarëshe. Ato zakonisht nuk kanë opsion tjetër, vetë të përkujdesen për fëmijët e tyre dhe për anëtarët e moshuar të familjes, që në mënyrë shtesë e rrit rrezikun që t’i infektojnë me virusin korona.
Rekomandim: Kjo pandemi edhe njëherë na kujtoi për rëndësinë e punëve shtëpiake të paguar dhe të papaguar, dhe nëse duam të dalim nga kjo krizë si një shoqëri më e drejtë, do të jetë e nevojshme që gratë të përfshihen maksimalisht në krijimin e politikave pas COVID-19.
GRATË PUNËTORE NË INDUSTRINË E TEKSTILIT
GRATË PUNËTORE NË INDUSTRINË E TEKSTILIT NUK JANË TË MBROJTURA MJAFTUESHËM NGA INFEKTIMI I MUNDSHËM ME VIRUSIN KORONA NË VENDIN E PUNËS
Në muajin prill, Komiteti i Helsinkit mori një numër më të madh të denoncimeve nga punëtoret në industrinë e tekstilit, të punësuara në punëtori tekstili në shumë qytete të vendit, për mosrespektimin e rregullave për organizimin e procesit të punës dhe transportimin e punëtorëve gjatë orës policore nga ana e punëdhënësve. Faktikisht, nga denoncimet e punëtoreve të industrisë së tekstilit mund të shihet se punëtoret transportohen në autobusë të papërshtatshëm gjatë orës policore nga dhe deri në vendin e punës. Kapaciteti i autobusëve është shumë më i vogël sesa numri i punëtoreve që transportohen me ta, kështu që është praktikisht e pamundur të ruhet distanca e rekomanduar sociale prej 2 metrash. Për më tepër, punëtoret në industrinë e tekstilit denoncojnë se vetë procesi i punës në punëtori është i organizuar në atë mënyrë që të mos respektohet distanca e rekomanduar në kryerjen e detyrave të punës dhe shpesh punëdhënësit nuk u sigurojnë punëtoreve të tekstilit pajisje të domosdoshme mbrojtëse gjatë punës. Në të njëjtën kohë, në muajin prill, Komiteti i Helsinkit pranoi denoncime se në disa prej punëtorive ku punojnë punëtoret e tekstilit, nuk bëhet dezinfektimi i domosdoshëm i reparteve dhe pajisjeve.
Rekomandim: Ne i bëjmë thirrje Inspektoratit Shtetëror të Punës që ta rrisë numrin e mbikëqyrjeve inspektuese me detyrë zyrtare në punëtoritë e tekstilit, veçanërisht në ato që punojnë gjatë kohës së orës policore, në mënyrë që të sigurohet respektimi i përpiktë dhe i vazhdueshëm i dekretit për organizimin e procesit të punës dhe transportimin e punëtorëve, dhe kështu të sigurohen kushte të shëndetshme dhe të sigurta të punës për punëtoret në industrinë e tekstilit.
BARAZIA GJINORE
MBROJTJA E VIKTIMAVE TË DHUNËS NË FAMILJE NË KUSHTET E PANDEMISË
Masat kufizuese të miratuara për çdo ditë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbrojtjen kundër COVID-19, si dhe rekomandimet për vetë-izolim si një nga mënyrat më të mira të parandalimit, mund të kontribuojnë seriozisht në rritjen e rrezikut të dhunës në familje. Në periudha krizash të këtij lloji, mund të rritet të niveli i dhunës në familje, që nuk nënkupton domosdoshmërisht një rritje të numrit të rasteve, por ekziston gjithashtu një rrezik serioz që dhuna ekzistuese të intensifikohet. Stresi i shkaktuar nga situata e përgjithshme në vend, por edhe globalisht, mund të jetë një faktor që do të kontribuojë në rritjen e rrezikut nga sjelljet e dhunshme.
Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në periudhën nga 12 mars deri në 12 prill 2020, janë regjistruar 79 vepra penale të dhunës në familje, që është një shifër për 28% më e ulët në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në nivel javor, rritje është vërejtur vetëm në javën e parë të muajit prill, kurse gjatë javëve të tjera, rastet e dhunës në familje ishin në stagnacion.[3] Krahasuar me shumë vende të Evropës, por edhe në nivel global, ku rritja e dhunës në familje që nga fillimi i izolimit arriti mbi 25%,[4] kemi arsye të besojmë se të dhënat e konfirmojnë problemin shumëvjeçar të mosdenoncimit nga ana e viktimave, por edhe mënyrën e papërshtatshme të regjistrimit të veprave penale dhe mbajtjen e statistikave të zbërthyera sipas gjinisë. Një arsye tjetër për këtë shifër është edhe mënyra jo adekuate e kualifikimit të rasteve të dhunës në familje, të cilat shpesh trajtohen si vepra të kundërvajtjes ndaj rendit dhe qetësisë publike, në vend se të kualifikohen si vepra penale. Në këtë drejtim, informacioni nga Ministria e Punëve të Brendshme tregon se disa nga viktimat që e kanë denoncuar rastin në polici më vonë të njëjtën e kanë tërhequr, dhe për këtë arsye është regjistruar një rënie e numrit të veprave penale dhe kundërvajtjeve për dhunë në familje gjatë kësaj periudhe.[5]
Që nga fillimi i pandemisë, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut u bëri thirrje institucioneve që të veprojnë në mënyrë adekuate dhe në kohën e duhur në lidhje me denoncimet e dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore, në mënyrë që ta parandalojnë rritjen e tyre dhe pasojat fatale. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme gjatë kësaj periudhe është ofrimi i mbështetjes dhe inkurajimit për viktimat për ta denoncuar dhunën, pasi përvoja në terren e tregon faktin se një nga problemet më serioze është pikërisht mosdenoncimi i dhunës nga ana e viktimave.
Duke e marrë parasysh faktin se gratë dhe fëmijët – viktima të dhunës në familje si kategori veçanërisht e rrezikuar ishin plotësisht të anashkaluar nga masat dhe rekomandimet fillestare të Qeverisë, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut së bashku me anëtarët e tjerë të Rrjetit kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje parashtroi kërkesë zyrtare deri te Qeveria[6] me propozim-masa, miratimi i të cilave do t’u mundësonte atyre mbrojtje përkatëse në përputhje me kushtet e krijuara së fundmi. Përveç masave të propozuara, miratimi i menjëhershëm i të cilave do të sigurojë mbrojtje të viktimave në periudhën e krizës, gjithashtu do ta përgatisë sistemin e mbrojtjes për trajtimin e rasteve të dhunës në familje pas përfundimit të krizës. Kërkesa i përmend në mënyrë specifike rreziqet që janë specifike për dhunën në familje dhe ofron propozim-masa urgjente për trajtimin e dhunës në familje dhe pasojat e saj.
Menjëherë pas parashtrimit të kërkesës, Qeveria miratoi një dekret me të cilin gratë viktima dhe fëmijët e tyre që e lëshojnë shtëpinë për shkak të kanosjes ose rrezikut të drejtpërdrejtë nga dhuna, gjatë orës policore mund të udhëtojnë pa pengesa deri te stacioni më i afërt i policisë, ose nëse ata kanë nevojë për kujdes shëndetësor deri te institucioni më i afërt shëndetësor, respektivisht nuk kanë nevojë për leje të posaçme të lëvizjes për këto nevoja. Sidoqoftë, përveç masës për denoncim të pandërprerë edhe gjatë orës policore, shteti nuk bëri asnjë përpjekje për të gjetur zgjidhje kreative për parandalimin e dhunës, madje as për lehtësimin e denoncimit.
Viktimat e dhunës në familje që kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje mund të kontaktojnë falas në SOS -linjën kombëtare celulare për viktimat e dhunës në familje, por edhe qytetarët e tjerë në rast se kanë njohuri për rrezikimin e jetës dhe shëndetit të dikujt, si rezultat i dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore, kërkohet të denoncojnë në stacionin më të afërt policor ose në qendrën kompetente për punë sociale. Shërbimi për ndihmë juridike falas pranë Komitetit të Helsinkit është në dispozicion të viktimave çdo ditë pune, me telefon dhe përmes postës elektronike.
PERSONAT ME PENGESA (AFTËSI TË KUFIZUARA)
ARSIM INKLUZIV
Duke pasur parasysh që fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, veçanërisht fëmijët me aftësi të kufizuara, gjatë kohës së pandemisë përballen me sfida shtesë, platformat arsimore në internet që e kanë zëvendësuar arsimin e rregullt me fillimin e izolimit, përjashtonin një numër më të madh të tyre. Edukimi i tyre gjatë kësaj periudhe u lihej tërësisht prindërve të tyre dhe vullnetit të disa prej asistentëve arsimorë. Pas pothuajse një muaji të plotë, në fund të muajit prill, u promovua platforma në internet për mbështetje në mësimin dhe zhvillimin e fëmijëve me pengesa, e cila duhet të sigurojë mbështetje shtesë, qasje të individualizuar dhe orë të modifikuara në mënyrë që fëmijët të mund ta vazhdojnë procesin arsimor dhe në kushte shtëpiake.
Duke marrë parasysh që Ligji i ri për arsimin fillor, i cili u miratua në gusht të vitit 2019, dhe me të cilin arsimi fillor ishte organizuar institucionalisht, me kuadër dhe përmbajtje të organizuar që të mundësojë përfshirje të të gjithë fëmijëve në arsimin e rregullt, ne ua përkujtojmë institucioneve përgjegjëse që ata duhet të përpiqen që sa më shpejt të jetë e mundur t’i miratojnë aktet nënligjore për ta siguruar zbatimin e duhur të Ligjit dhe përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore në procesin arsimor nga çdo aspekt.
LËVIZJA E PERSONAVE ME PENGESA GJATË KOHËS SË ORËS POLICORE
Me fillimin e zbatimit të orës së zgjatur policore gjatë fundjavëve, por edhe gjatë ditëve të punës, duke pasur parasysh që për shumë prej personave me aftësi të kufizuara lëvizja paraqet një aktivitet terapeutik dhe pjesë e një rutine të rrënjosur, u miratua një dekret me të cilën u përcaktuan disa orare kohore gjatë ditës në të cilat personat me aftësi të kufizuara do të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm. Personat me aftësi të kufizuara mund të dalin me një shoqërues, dhe për këtë qëllim nuk u kërkohej të merrnin leje lëvizjeje të veçantë, por vetëm ta kishin me vete akt-konstatimin ose vendimin me të cilin dëshmohet aftësia e kufizuar.
GJUHA E URREJTJES
GJUHA E URREJTJES NË KOHËN E PANDEMISË
Ky raport i referohet muajit prill 2020. Gjatë asaj periudhe kohore, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut vazhdoi të regjistrojë një numër të konsiderueshëm denoncimesh për gjuhë të urrejtjes në mediat sociale, ose gjithsej 112 denoncime të verifikuara. Shumica e rasteve të regjistruara në prill kanë të bëjnë me situatën me pandeminë e virusit korona, gjendjen e zgjatur të jashtëzakonshme dhe karantinën e detyrueshme gjatë fundjavave. Reagimet në mediat sociale, të ngjashme si atë gjatë muajit mars 2020, u referoheshin orës policore, si dhe reagimet e opinionit në lidhje me masat që janë ndërmarrë nga ana e Qeverisë.
Trendi i gjuhës së urrejtjes, prill 2020
Siç mund të përcaktohet nga tabela për trendin e gjuhës së urrejtjes në mediat sociale për muajin prill 2020, numri më i madh i denoncimeve është regjistruar në kulmin e pandemisë dhe numrit në rritje të qytetarëve të infektuar (në rritje nga 8 deri në 22 prill). Interesante për këtë periudhë kohore është rritja e gjuhës së urrejtjes para festës së krishterë të Pashkëve dhe fillimit të agjërimit të Ramazanit. Përkundër rekomandimeve të qarta të Qeverisë për t’i respektuar masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, disa udhëheqës fetarë kishin qëndrime dhe rekomandime të kundërta në atë periudhë.
Gjuha e urrejtjes në mediat sociale për muajin prill 2020
Shumica e denoncimeve (ose 61%), ngjashëm si në muajin mars, përsëri lidhen me dy kategori: përkatësia etnike dhe përkatësia politike. Sidoqoftë, me prezantimin e kategorisë së gjuhës së urrejtjes bazuar në statusin shëndetësor, Komiteti i Helsinkit kishte mundësi ta përmirësonte sistemin e tij të monitorimit. Në muajin prill, 11% e numrit të përgjithshëm të denoncimeve u konstatua që ishin të bazuara në gjendjen shëndetësore. Pas një periudhe më të gjatë kohore pas rishikimit të metodologjisë së monitorimit të gjuhës së urrejtjes, janë verifikuar denoncime të bazuara në gjendjen sociale, si dhe të bazuara në fenë dhe bindjen fetare. Siç kemi theksuar më lart, numri i shtuar përsëri është rezultat i vazhdimit të gjendjes së jashtëzakonshme në vend për parandalimin e përhapjes së virusit korona. Është vërejtur gjithashtu një diskutim negativ aktiv midis mbështetësve të partive në pushtet dhe opozitës, veçanërisht për mënyrën se si vendi e menaxhon krizën, si dhe iniciativën e një grupi deputetësh për ta mbledhur Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për ta konfirmuar vendimin e Kryetarit të shtetit për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme.
Komiteti i Helsinkit edhe në këtë raport, edhe një herë e shpreh shqetësimin për rritjen drastike të gjuhës së urrejtjes, veçanërisht në kontekstin e ri të krijuar me vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në vend. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në mungesë të një Kuvendi funksional dhe mundësinë e mbikëqyrjes efektive të punës së pushtetit ekzekutiv në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme. Në pajtim me këtë, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut u bën thirrje qytetarëve që ta denoncojnë gjuhën e urrejtjes në mediat sociale në platformën www.govornaomraza.mk ose drejtpërdrejt në Sektorin për krim kompjuterik dhe forenzikë dixhitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
[1] „Me kontratën e punësimit, respektivisht me marrëveshjen kolektive mund të përcaktohen të drejtat, që për punëtorët janë më të favorshme, sesa ato që i përcakton ky ligj.“ – Neni 12 paragrafi 3 i Ligjit për marrëdhëniet e punës („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë“ nr. 62/05, 106/08, 161/08, 114/09, 130/09, 50/10, 52/10, 124/10, 47/11, 11/12, 39/12, 13/13, 25/13, 170/13, 187/13, 113/14, 20/15, 33/15, 72/15, 129/15, 27/16, 120/18 dhe „ Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë “ nr. 110/19).
[2] Ky vendim është shpallur në Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut nr.95 të datës 8.4.2010, kurse i njëjti ka hyrë në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën zyrtare.
[3] https://www.dw.com/mk/%D0%BA%D0%B0%D0%BA%D0%B2%D0%B8-%D0%BF%D1%80%D0%B8%D0%BA%D0%B0%D0%B7%D0%BD%D0%B8-%D1%81%D0%B5-%D0%BA%D1%80%D0%B8%D1%98%D0%B0%D1%82-%D0%B7%D0%B0%D0%B4-%D0%B1%D1%80%D0%BE%D1%98%D0%BA%D0%B8%D1%82%D0%B5-%D0%BD%D0%B0-%D0%BC%D0%B2%D1%80/a-53288014?maca=maz-rss-maz-pol_makedonija_timemk-4727-xml-mrss&fbclid=IwAR272uqonXnZkNIXgPS5K-CYSIOaCcNBsPvdYOl8kHtbwuM9JHzYibOXsEY
[4] https://www.unwomen.org/-/media/headquarters/attachments/sections/library/publications/2020/policy-brief-the-impact-of-covid-19-on-women-en.pdf?la=en&vs=1406
[5] https://kanal5.com.mk/-restriktivnite-merki-gi-zgolemija-i-brojot-na-semejno-nasilstvo-vo-makedonija/a419964
[6] https://mhc.org.mk/news/baranje-do-vlada-na-rsm-za-dopolnuvanje-na-odlukata-za-zabrana-za-dvizhenje-na-graganite-vo-celata-teritorija-na-drzhavata/