„Gjithçka është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet“
March 11, 2020
Vildan Dërpljanin.
Korniza ligjore duhet të jetë në dispozicion të punëtorëve dhe t’ju ofrojë informim më të thjeshtësuar dhe më të kuptueshëm mbi të drejtat dhe procedurat për mbrojtje.
Nëse vendosni të denonconi shkelje të ndonjë prej të drejtave tuaja të punës, njëra ndër përgjigjet më të shpeshta me shumë gjasë që do ta merrni nga Inspektorati Shtetëror i Punës është „Sa i përket rastit të referuar, i njëjti është shqyrtuar, është vepruar në përputhje me Ligjin dhe nuk janë konstatuar parregullsi. “. Rastet publikisht të njohura ku një punonjëse nuk mund të çlajmërohet nga vendi i punës pothuajse katër muaj pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës te punëdhënësi dhe të dhënat se nga 20 procese të inicuara për 9 muaj, Inspektorati ka konstatuar shkelje vetëm në një rast, tregojnë se inspektorati i punës ka dështuar në detyrën e tij për t’ju ofruar mbrojtje përkatëse punëtorëve. Prandaj, nuk është për t’u habitur që Inspektorati Shtetëror i Punës (IShP) dhe njësitë e tij rajonale janë mekanizmat institucionalë për punën e të cilëve, qytetarët shprehin nivelin më të lartë të pakënaqësisë.
Kjo është në veçanti brengosëse sepse rastet më të shpeshta që i shqyrton IShP-ja janë të lidhura me mospagimin e pagave dhe kontributeve, largimin (shkarkimin) nga puna, punën e palajmëruar jashtë orarit të punës, manipulimin me obligimin për pagesën e regresit për pushim vjetor (K-15), sigurinë dhe shëndetin në punë (SShP), të gjitha këto të lidhura ngushtë me statusin ekzistencial të punëtorit. Duke marrë parasysh se vitin e kaluar u miratua plotësisht Ligj i ri për mbikëqyrje inspektuese, i cili filloi të zbatohet para pothuajse tre muajve (neni 110), kjo është një mundësi e mirë që të analizohet puna e IShP-së dhe të rishikohen dobësitë e tij më të mëdha.
A është përgjegjës Inspektorati i punës për problemet në veprimtarinë (punën) e tij?
Inspektorati i punës është i obliguar për mbrojtjen parësore institucionale të drejtave nga marrëdhëniet e punës dhe duhet të garantojë respektim dhe zbatim të përpiktë të rregullativës nga sfera e punës.
IShP-ja është organ në cilësinë e subjektit juridik në kuadër të Ministrisë për punë dhe politikë sociale (MPPS) dhe puna e tij në masë të madhe është e definuar me Ligjin për mbikëqyrje inspektuese, Ligjin për inspektimin e punës dhe Ligjin për kundërvajtje. Megjithatë, IShP-ja vetëm formalisht është organ në kuadër të MPPS-së, sepse Inspektorati disponon me llogari personale buxhetore si shfrytëzues buxhetor i linjës së parë, në mënyrë të pavarur bën punësime, kurse drejtori emërohet dhe shkarkohet nga Qeveria (neni 27[1]). Inspektorët e punës mund të inicojnë procese para gjykatës kompetente dhe të shqiptojnë ndalesa, gjoba dhe sanksione të tjera, kurse mbi punën e tyre, kontroll efektiv kryen Këshilli i Inspektimit, i cili njëashtu paraqet një organ të pavarur (neni 16 [1]). Kjo do të thotë se IShP-ja i ka parakushtet e nevojshme për pavarësi dhe efikasitet, të parashikuara në direktivat e BE-së dhe dokumentet ndërkombëtare, të cilat i ka ratifikuar Maqedonia dhe me këtë hidhet poshtë supozimi se problemet në IShP janë rezultat i konfigurimit të sistemit.
Përse atëherë, në praktikë, inspektorët nuk i shfrytëzojnë deri në fund mundësitë e dhëna dhe pse sistemi për denoncimin e shkeljeve të drejtave të punëtorëve nuk është përshtatur me nevojat e punëtorëve?
Nëse i pyesni përfaqësuesit e IShP-së, ata do t’ju adresojnë mangësitë kadrovike dhe materiale të inspektorateve, nevojën për trajnim të vazhdueshëm të inspektorëve si dhe domosdoshmërinë e rritjes së pagave dhe pagesën e rrezikut për punë në terren. Është e pakontestueshme se ekziston mangësi personeli në sektorë të caktuar (siç është numri i vogël prej 35 inspektorëve për siguri dhe shëndet në punë (SShP), si dhe mangësi të resurseve, si për shembull, për mjete transportuese ose të paktën një informaticient dhe/ose shërbim për mirëmbajtjen e kompjuterëve dhe sistemit. Megjithatë, është e pashmangshme të mos parashtrohet pyetja se me çfarë efikasiteti IShP-ja i shfrytëzon edhe ato resurse që tashmë i ka në dispozicion.
Sipas të dhënave, IShP-ja numëron 103 inspektorë të punësuar për sferat e marrëdhënieve të punës dhe SShP-së, të shpërndarë në 30 rajone. Të gjithë inspektorët së bashku, në vitin 2017 kanë kryer zyrtarisht gjithsej 31.690 mbikëqyrje inspektuese, respektivisht vetëm 1.2 mbikëqyrje inspektuese në ditë, për një inspektor. Ky është viti i fundit për të cilin janë në dispozicion të dhënat në faqen e internetit të IShP-së, por edhe kjo shifër është jorealisht e lartë. Shumë shpesh, menjëherë pas raportimit, inspektorët i kontaktojnë punëdhënësit dhe kështu i neutralizojnë shkeljet dhe parregullsitë e mundshme ose fare nuk i kryejnë mbikëqyrjet inspektuese. Për më tepër, personat udhëheqës të IShP-së janë ndër personat më të heshtur në publik, kështu që vështirë se mund të gjendet ndonjë regjistrim mediatik ku ata kërkojnë zgjidhje për problemet me të cilat përballen dhe të cilat i përsërisin ato sa herë që kërkohet përgjegjësi për mosveprimin e tyre. Të gjitha rastet, inspektorët i menaxhojnë me dorë, në formë të shkruar dhe të gjitha informacionet mblidhen dhe shpërndahen manualisht, pa e marrë në konsideratë mundësinë për një sistem softverik bashkëkohor për menaxhimin e rasteve, kurse disa njësi rajonale, madje nuk kanë as linja funksionale telefoni.
E gjithë kjo tregon se sfidat kryesore të IShP-së nuk ajnë të natyrës organizative, sepse Inspektorati nuk i shfrytëzon në mënyrë efikase as edhe resurset që tashmë i ka në dispozicion, pavarësisht se për çdo vit ka një buxhet të qëndrueshëm prej rreth 1,7 milionë euro.
Vallë dhe sa është efikase IShP-ja në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve?
Për 18 muajt e fundit, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut e ka monitoruar punën e IShP-së dhe veprimet e tij në lidhje me shkeljet e të drejtave të punëtorëve. Ekipi juridik i Komitetit të Helsinkit e ka përdorur mjetin juridik për parashtrimin e kërkesave për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese, atje ku është e qartë se ekzistojnë shkelje të cilat duhet të mënjanohen. Sidoqoftë, përkundër pritjeve që IShP-ja në shumicën e këtyre rasteve të kërkonte mënjanimin e shkeljeve, pothuajse katër nga pesë raste kanë pasur epilog negativ, respektivisht vetëm 22 përqind e të gjitha rasteve të raportuara kanë përfunduar me shkelje të konstatuara të drejtave të punëtorëve. Konkretisht, në periudhën nga gushti i vitit 2018 deri në janar të vitit 2020, janë parashtruar gjithsej 100 kërkesa për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese. Për 41 prej tyre, asnjëherë nuk është dorëzuar përgjigje, kurse për 37 raste IShP-ja është përgjigjur se nuk ka konstatuar shkelje të drejtave të punëtorëve. Pothuajse për të gjitha 63 rastet që ka pasur përgjigje, me përjashtim të dy rasteve, IShP-ja ka dorëzuar vetëm njoftim, pa mundësuar fare inspektimin e dokumentacionit të plotë të mbikëqyrjes së kryer.
Në këtë drejtim, nuk mund të vërehet asnjë dallim i dukshëm ndërmjet Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe njësive të tij rajonale në të gjithë vendin, pasi veprimet duket se ngjajnë me njëra-tjetrën pa marrë parasysh se në cilën njësi rajonale ato zbatohen. Për shembull, midis gushtit të vitit 2018 dhe marsit të vitit 2019, ishin parashtruar gjithsej 45 kërkesa për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në rajone të ndryshme të vendit, por shkalla e suksesit ishte afërsisht e barabartë me mesataren e përgjithshme prej 22 përqind.
Burimi: Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut
Në mënyrë të ngjashme, pavarësisht periudhës kohore që Komiteti i Helsinkit ka parashtruar kërkesë në IShP, inspektorëve zakonisht u duheshin të paktën 30 ditë për t’u përgjigjur, jo rrallë ky afat tejkalonte edhe mbi 45 ditë. Për ilustrim, në periudhën nga prilli deri në qershor të vitit 2019, për të gjitha kërkesat e parashtruara, përgjigjet janë dorëzuar në afat prej 30 deri në 45 ditë ose më shumë.
Shkelja specifike për të cilën është bërë kërkesa nuk luan asnjë rol për IShP-në. Kjo është e dukshme edhe për periudhën korrik-tetor të vitit 2019, ku ka pasur lloje të ndryshme të raportimeve, por veprimi dhe suksesi i inspektorëve ishte i njëjtë, pavarësisht llojit të shkeljes.
Burimi: Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut
Nga të dhënat është e qartë se IShP-ja nuk e kupton rëndësinë e rolit që ky institucion e ka në implementimin e legjislacionit të punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Kjo edhe një herë afirmohet nga fakti se gjatë tërë periudhës 18-mujore, Komiteti i Helsinkit i ka theksuar të njëjtat rekomandime që IShP-ja refuzon t’i implementojë apo edhe ta rishikojë zbatueshmërinë e tyre.
Si të veprohet?
IShP-ja urgjentisht duhet ta shndërrojë rolin e tij nga një organ “i prapambetur” që shpesh nuk arrin të veprojë siç duhet ose nuk vepron fare, në një institucion që kryesisht do të ndikojë në mënyrë parandaluese në drejtim të sigurimit të mbrojtjes së punëtorëve. Inspektorati mund të fillojë me përmirësimin e kapaciteteve të tij, ashtu që, së bashku me MPPS-në dhe Qeverinë, të përpilojnë një metodologji dhe standarde se si të ndahen fonde shtesë buxhetore për mbështetje institucionale dhe për organizimin e trajnimeve të rregullta të personelit në fjalë.
Kjo do të përfshinte kryesisht dixhitalizimin e punës së IShP-së dhe rritjen e transparencës përmes arkivimit të detyrueshëm dhe publikimit të informacioneve jokonfidenciale. Deri atëherë, IShP-ja ka detyrim ligjor që të veprojë rrënjësisht në lidhje me shkeljet e denoncuara, kurse Këshilli i Inspektimit ta kontrollojë punën e IShP-së. Mekanizmat e vendosura për raportimin e shkeljeve të drejtave të punëtorëve dhe tërë sjellja e ISHP-së, në këtë çast janë jofunksionale dhe figurojnë vetëm si një sistem mbrojtjeje zyrtarisht në dispozicion, pa përfitime reale për punëtorët. Meqenëse korniza ligjore në lidhje me inspektoratin e punës është e mjaftueshme dhe adekuate, roli i vërtetë i IShP-së nuk kërkon ndryshime ligjore, por ndryshime praktike që do ta çlirojnë atë nga ndikimet e jashtme dhe do ta forcojnë atë si të pavarur, madje edhe si të paprekshëm për organet e pushtetit. Në çdo rast, korniza ligjore duhet të vihet në dispozicion të punëtorëve dhe t’u sigurojë atyre informacion të thjeshtësuar dhe të kuptueshëm për të drejtat dhe procedurat për mbrojtje.