Komiteti i Helsinkit: Emërimi i kuadrove joadekuate udhëheqëse është në kundërshtim me përpjekjet për sistem më të mirë ndëshkimor-korrigjues

December 17, 2020

Komiteti i Helsinkit ka ngritur çështjen nëse kompetencat e drejtorëve të posa zgjedhur i përgjigjen nivelit të detyrës, e kjo është udhëheqja me një nga entet më të mëdha ndëshkimore-korrigjuese në shtet. Personat, të cilët menaxhojnë me këto institucione, thuhet nga ky Komitet, duhet të kenë përvojë paraprake në sferën e ekzekutimit të sanksioneve, të kujdesen për avancimin e të drejtave të personave të paraburgosur dhe të gjykuar, të vendosin për të drejtat dhe obligimet e tyre, për trajtimin e tyre dhe angazhimin me punë me qëllim të risocializimit të tyre dhe integrim të mëtutjeshëm të tyre social në jetën shoqërore. Ky reagim ka ardhur duke iu referuar seancës së dy ditëve më parë të Qeverisë ku edhe janë bërë emërime dhe shkarkime të drejtorëve, për të cilët nga ky komitet i konsiderojnë si joadekuate, njofton Portalb.mk.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e mbajtur më 15.12.2020 e shkarkoi nga detyra u. d. drejtor i Entit ndëshkimor-korrigjues Shkup, Esad Rahiq, ndërsa për drejtor të ri e përcaktoi Filip Andov, këshilltar i kryeministrit Zaev, i cili paraprakisht ka punuar si menaxher në kafene lokale. Në periudhën e kaluar është shkarkuar edhe drejtori i shtëpisë edukativo-korrigjuese në Vollkovia me kërkesë të tij, ndërsa për drejtor të ri është caktuar Daniell Antovski, i cili paraprakisht ka punuar si mësimdhënës.

Drejtorin e entit dhe zëvendësin e tij e shkarkon Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me propozim të drejtorit të Drejtorisë. Kushtet e nevojshme që duhet t’i plotësojë një person për të qenë i caktuar për drejtor ose zëvendësdrejtor i entit ndëshkimor-korrigjues janë numëruar në mënyrë taksative në Ligjin për përmbarim të sanksioneve, ndërsa si një nga kushtet shtesë është personi të ketë së paku shtatë vite përvojë pune, nga të cilat katër vite në sferën e e ekzekutimit të sanksioneve ose punëve të ngjashme.

Laboratori hulumtues gazetaresk i Maqedonisë informon që Filip Andov, i cili është caktuar drejtor i ri i ENK Shkup, paraprakisht ka qenë këshilltar i kryeministrit Zaev për krijim të politikave që janë në interes të veçantë të qytetarëve të Shkupit, kurse paralelisht ai ka punuar edhe si ekonomist në sektorin e biznesit.

“Së këtejmi, hapet çështja nëse kompetencat e drejtorëve të posa zgjedhur i përgjigjen nivelit të detyrës, e kjo është udhëheqja me një nga entet më të mëdha ndëshkimore-korrigjuese në shtet. Personat, të cilët menaxhojnë me këto institucione duhet të kenë përvojë paraprake në sferën e ekzekutimit të sanksioneve, të kujdesen për avancimin e të drejtave të personave të paraburgosur dhe të gjykuar, të vendosin për të drejtat dhe obligimet e tyre, për trajtimin e tyre dhe angazhimin me punë me qëllim të risocializimit të tyre dhe integrim të mëtutjeshëm të tyre social në jetën shoqërore”, thuhet në reagimin e Komitetit të Helsinkit.

Nga Komiteti i Helsinkit vlerësojnë se në periudhën e fundit është regjistruar një lloj progresi në aspekt të përmirësimit të kushteve dhe gjendjeve në entet ndëshkimoro-korrigjuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Ashtu, është rinovuar tërë enti ndëshkimor-korrigjues – Idrizovë, në objektet e reja të të cilit janë transferuar numër i madh i personave të gjykuar. Përfundoi edhe rehabilitimi i ENK Manastir, me pajisje të plotë të hapësirave në të cilat qëndrojnë personat e gjykuar, ndërsa është hapur edhe objekti i ri i shtëpisë edukative-korrigjuese në komunën Vollkovia. Krahas kësaj, nuk duhet të anashkalohet fakti që në disa ente ekzistojnë probleme sistemore, të cilat zvarriten në këtë sferë një periudhë më të gjatë. Sistemi ndëshkimor ende ballafaqohet me vështirësi dhe sfida të mëdha, veçanërisht në aspekt të kushte materiale, shëndetësisë, arsimit dhe risocializimit të personave të gjykuar”, thuhet në reagim.

Vite me radhë, thonë nga Komitetit i Helsinkit, apelojmë për nevojën që në pozita udhëheqëse në entet ndëshkimore korrigjuese të caktohen persona, të cilët jo vetëm që kanë ekspertizë dhe përvojë në sistemin ndëshkimor, por edhe janë të sensibilizuar për nevojën e avancimit dhe mbrojtjes së të drejtave njerëzore të personave të gjykuar dhe të paraburgosur. Vendosja e kuadrove joadekuate është krejtësisht në kundërshtim me synimet e këtilla dhe mund të shpie në kthim mbrapa, në vend të avancimit të sistemit ndëshkimor në vend.