October 7, 2015

Analizë e gjendjes për gjuhën e urrejtjes në Republikën e Maqedonisë

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Maqedonisë ka zbatuar projektin “Platforma e internetit për mapim dhe ndjekje të gjuhës së urrejtjes në hapësirën publike dhe media”. Një pjesë e aktiviteteve në këtë projekt të cilat duhet t’i zbatojë Komiteti i Helsinkit lidhen me mbikëqyrjen, shënimin dhe lajmërimin për gjuhë të urrejtjes në hapësirën publike dhe në media në kohë reale.

-Shënimi i gjuhës së urrejtjes, në nivel qendror dhe lokal nëpërmjet vullnetarëve në platformën www.govornaomraza.mk

-Fushatë për promovim të platformës dhe

-Analizë dhe rekomandime për parandalim dhe luftë kundër gjuhës së urrejtjes.

Aktiviteti i fundit ose analiza mundëson pasqyrim të gjendjes në Republikën e Maqedonisë dhe qasjen te drejtësia për viktimat e gjuhës së urrejtjes. Për nevojat e kësaj analize është formuar një ekip hulumtues juridik-politik i cili i ka analizuar të dhënat e mbledhura dhe njëkohësisht u ka kushtuar vëmendje legjislacioneve ndërkombëtare dhe legjislacionit nacional si dhe nevojës për konsolidim të tyre në këtë fushë. Në përputhje me metodologjinë, janë përdorur metoda kualitative dhe kuantitative për materialet e mbledhura dhe qasje multidisciplinare me qëllim që t’u jepet përgjigje tezave, pyetjeve të vendosura:

1.A ka Republika e Maqedonisë një kornizë juridike të qartë dhe të përcaktuar për gjuhën e urrejtjes?

2.A kanë qasje qytetarët te mekanizmat efikasë dhe efektivë për mbrojtje nga gjuha e urrejtjes?

PËRMBAJTJA E KAPITUJVE

1.Kapitulli 1: Kapitulli i parë u kushton vëmendje legjislacionit ndërkombëtar dhe përkufizimit të termit të gjuhës së urrejtjes nëpërmjet disa shembujve nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Janë përfshirë edhe metodat me të cilat mundësohet perceptimi i dallimit midis gjuhës së urrejtjes dhe shprehjes së lirë nëpërmjet të cilave mund të bëhet më i qartë dallimi, sidomos në procedurat gjyqësore mbi gjuhën e urrejtjes.

2.Kapitulli 2.  Kapitulli i dytë jep një pasqyrim të shkurtër historik të gjuhës së urrejtjes të trajtuar në Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë dhe përfshirjen e përgjithshme të legjislacionit dhe institucionet të cilat duhet të mundësojnë mbrojtje përkatëse të qytetarëve ndaj gjuhës së urrejtjes.

3.Kapitulli 3. Kapitulli i tretë lidhet me vlerësimin e gjuhës së urrejtjes në Republikën e Maqedonisë dhe funksionalitetin e ligjeve dhe mekanizmave për mbrojtje nga gjuha e urrejtjes. Në këtë kapitull janë analizuar të dhënat e mbledhura prej pyetësorëve të dorëzuar te gjykatat dhe institucionet si dhe nga të dhënat mbi gjuhën e urrejtjes të marra nga platforma. Njëkohësisht, ky kapitull i përpunon edhe përgjigjet e tezave të vendosura dhe përfundimet mbi gjendjen në Republikën e Maqedonisë.

Përfundime dhe rekomandime: Në përputhje me gjendjen e konstatuar, ekipi juridik-politik ka përpunuar përfundime dhe rekomandime për parandalim dhe ballafaqim me gjuhën e urrejtjes në Republikën e Maqedonisë. Rekomandimet lidhen me nevojën për përmirësim të kornizës ligjore nacionale, sanksioneve dhe qasjes te drejtësia nëpërmjet sistemit gjyqësor dhe mekanizmave të pavarur për mbrojtje nga gjuha e urrejtjes.

Analiza, përfundimet dhe rekomandimet do t’u dorëzohen të gjitha institucioneve dhe organeve relevante me qëllim që t’i kushtohet më tepër vëmendje fenomenit si dhe masat parandaluese të mundshme të cilat duhet t’i ndërmarrë shteti me qëllim që të zvogëlohet apo çrrënjoset ky problem shoqëror.

Dokumentet