June 22, 2019

Analiza e standardeve të të drejtave të punëtorit dhe aplikimi i tyre në Republikën e Maqedonisë

Analiza e standardeve të të drejtave të punëtorit dhe aplikimi i tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut është përpiluar në kuadër të projektit “Rritja e produktivitetit nëpërmjet përmirësimit të kornizës ligjore për marrëdhëniet e punës në Maqedoninë e Veriut” i financuar nga Fondi për Qeverisje të Mirë të Mbretërisë së Bashkuar. Analiza ka për qëllim të identifikojë drejtimet kryesore të zhvillimit të rregullativës ligjore, e cila është në lidhje me mbrojtjen e punëtorit, nivelin e harmonizimit të rregullativës me standardet ndërkombëtare të pranuara dhe reterimet në praktikë, si nga ligjet pozitive ashtu edhe nga standardet ndërkombëtare. Problemet themelore gjatë zbatimit të legjislacionit janë paraqitur nëpërmjet kryqëzimit të kornizës së përgjithshme ndërkombëtare, në të cilën trajtohen mbrojtja e të drejtave të punëtorit dhe kushtet minimale për punë, me zgjidhjet ligjore themelore në nivel nacional.

Nga ana tjetër, problemet janë ilustruar me përmbledhjen e perceptimeve të pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në ndërtimin e politikave për mbrojtjen e të drejtave të punëtorit, respektivisht mbrojtjen e drejtpërdrejtë të tyre dhe në të njëjtën mënyrë janë adresuar ndryshimet të cilat duhet të bëhen. Analiza tregoi se ka probleme në transponimin përkatës të standardeve dhe zgjidhjeve normative të ONP, Këshillin e Evropës dhe BE direktivat, mirëpo, se problemi kryesor gjendet në praktikë dhe në mos plotësimin e obligimeve ndërkombëtare dhe zgjidhjeve ligjore. Vëmendje e veçantë në analizë i është kushtuar kornizës institucionale aktuale për mbrojtjen e të drejtave të punëtorit dhe rolin të cilin duhet ta kenë bartësit e ndryshëm të kompetencave në këtë fushë. Së këndejmi rezulton vendosja e theksit mbi sindikatat dhe aktivitetet e sindikatave, si aktorë kryesor në procesin e formulimit të zgjidhjeve normative më përkatëse dhe në pjesën e shfrytëzimit të mundësive ligjore ekzistuese. Mbrojtja e të drejtave të punës kontribuon në një produktivitet më të madh në vendin e punës, i cili nga ana tjetër është një rezultat i dëshiruar nga punëdhënësit.

Duke e pasur parasysh këtë, rekomandimet e dhëna i referohen përshtatjes përkatëse të legjislacionit me nevojat reale të punëtorëve dhe punëdhënësve, me anë të plotësimit të zbrazëtirave në mbrojtjen materiale, si dhe nëpërmjet thjeshtësimit dhe saktësimit të procedurave. Këto ndryshime në praktikë, do të siguronin shfrytëzimin e të drejtave ekzistuese dhe mundësive të cilat kanë në dispozicion punëtorët për mbrojtjen e tyre nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të vetë institucioneve, respektivisht përafrimin e legjislacionit tek punëtorët dhe pjesëmarrjen e shtetit në krijimin e kushteve për mbrojtje faktike të të drejtave të punëtorit, të garantuara me marrëveshje ndërkombëtare dhe ligjet nacionale.

Dokumentet